Në foto: Ambasadori Dr. Faruk Ajeti me personelin e Ambasadës së Kosovës në Berlin
Shkruan: Hajriz Mamaj, Berlin
Në Pallatin e Kuq të Berlinit, të ndërtuar në vitin 1861-1869, nga Hermann Friedrich Waesemann, Ambasada e Kosovës festoi 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ansambli Frymor i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i drejtuar nga Toger Shkumbin Bajraktari dhe Ekspozita e piktores Amire Demolli, ishin qershia mbi tortë në këtë organizim.
Datat e mëdha të historisë ngjasojnë si flakadan që në zemrat e popullit zgjojnë krenarinë për veprat e krijuara, duke ndezur zjarre të rinj e fisnikë te brezat që vijnë pas. 17 Shkurti paraqet datën më të rëndësishme për shqiptarët e Kosovës, datë në të cilën Kosova shpalli Pavarësinë e saj. Në çdo 17 Shkurt, Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin, organizon festë për të gjithë dashamirët e popullit të Kosovës dhe për bashkatdhetarët të cilët me vjet kanë punuar për këtë ditë, së cilës i gëzohemi të gjithë sa herë që vjen. Që kjo ditë të festohet në mënyrë sa më madhështore, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Berlin, zotëri Dr. Faruk Ajeti, ka mobilizuar të gjithë stafin diplomatik që festa të shënohet sa më me sukses. Në sallën e Pallatit të Kuq, Ambasadori Ajeti ka ndërtuar ambientin kosovar që mysafirëve që në hyrje t’u ofrojë ngrohtësinë e mikpritjes shqiptare.
Ambasadori dhe Ministri Federal z. Özedemir
Flamuri i Gjermanisë dhe ai i Kosovës paralajmërojnë mysafirët dhe diplomatët e ftuar në festë se Kosova sot po feston 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Hyrja në sallë ta kujton atë mikpritjen shqiptare me shtrëngim dore nga familjarët, që këtë herë për mrekulli ishin radhitur kori diplomatik i Ambasadës, të cilëve u printe Ambasadori Dr. Faruk Ajeti me bashkëshorten e tij dhe bashkëpunëtorët e ngushtë në Ambasadë: Velëza Oruqi, ministre këshilltare, Besim Gashi, atashe ushtarak dhe Driton Vrajolli, atashe policor. Në anë tjetër të sallës, nikoqiri mysafirëve dhe diplomatëve të ftuar në kremte ua kishte sjellë një thesar të çmuar pikturash nga Kosova, të cilat me mjeshtëri dhe talent të rrallë i kishte sjellë në Berlin nergut për këtë festë piktorja Amire Demolli. Zonja Demolli, tërhoqi vëmendjen e mysafirëve me pikturat dhe artefaktet që kishte sjellë në këtë ekspozitë. Punimeve të saja i printe Hyjnesha në Fron, që të pranishmëve dhe mysafirëve sikur i fliste me krenari për vjetërsinë e shqiptarëve dhe lashtësinë e popullit shqiptar.
Ansambli i FSK-së
Në anën tjetër, Ansambli Frymor i Forcave të Sigurisë së Kosovës drejtuar nga Togeri Shkumbin Bajraktari, në dirigjimin e Tetares Lirjona Sylejmani dhe pjesëtarëve të tjerë të Ansamblit: Betim Krasniqi, Patris Berisha, Kaltrina Krasniqi, Dardan Gjinolli, Avni Krasniqi, Besim Behluli dhe Rejhana Rexha. Derisa hynin të ftuarit në sallën qendrore i pritnin me muzikën e pastër shqipe duke ekzekutuar disa nga perlat e këngëve tona të bukura, si: “Hapi sytë e zi”, “ Pranvera në Prishtinë”, “O moj ti me sytë e zi” e shumë këngë dhe melodi internacionale që mysafirët të ndihen si në shtëpitë e tyre.
Profesori i Universitetit të Humboldt-it – Christian Voss, piktorja Amire Demolli dhe gazetari Hajriz Mamaj
Nën tingujt e kësaj mbrëmjeje festive dhe cakërrimit të gotave me nga një gotë verë të Kosovës, në skenë na shfaqet Shtojere Zogaj, diplomate për Kulturë në Ambasadën e Kosovës me një sharmë të shkëlqyer festiv i drejtohet të pranishmëve në të dyja gjuhët dhe u uron mirëseardhje mysafirëve dhe bashkatdhetarëve që kishin ardhur në festë nga të gjitha qytetet e Gjermanisë. Intonimi i Himnit të Kosovës dhe atij të Gjermanisë sikur e paralajmërojnë Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Gjermani, Dr. Faruk Ajeti, ta marrë fjalën për t’i sjellë para tyre përshëndetjet e popullit të Kosovës dhe bashkatdhetarëve që jetojnë dhe punojnë në Gjermani.
Luan Krasniqi, Zija Shoshi, Kamber Demaj dhe Reiner Milkoreit
Në frymën e atmosferës së festës Ambasador Ajeti i drejtohet të pranishmëve: “Zonja dhe zotërinj, të nderuar mysafirë, mirëmbrëma dhe mirë se keni ardhur në kremten tonë në 16-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Më lejoni që t’ju falënderoj dhe të shprehi falënderimin tim dhe të popullit të Kosovës për prezencën tuaj në festën tonë të pavarësisë. Shumë i nderuari Ministër Federal z. Özdemir, e nderuara sekretare e shtetit znj. Margit Gottstein, shumë i nderuari sekretar i shtetit z. Florian Hauer, të nderuar deputetë të Bundestagut gjerman, të nderuar përfaqësues të Zyrës së Presidentit Federal, Kancelarisë Federale, këshillit Federal, Ministrisë së Jashtme dhe ministrive tjera federale!” Në vazhdim të përshëndetjeve të tij, Ambasadori Ajeti falënderoi nga zemra edhe përfaqësuesit e parlamenteve dhe qeverive gjermane nga Bavaria në Schleswig/ Holstein.
Momente festive me mysafirët
Me një përshëndetje të veçantë, Dr. Ajeti falënderoi edhe kryetarin e qytetit të Potsdam-it dhe këshilltaren e Kryeministrit Kurti zonjën Fëllanza Podrimja e cila me prezencën e saj e madhështoi festën e pavarësisë së Kosovës. Në fjalimin e tij përshëndetës, Ambasadori Ajeti preku arritjet e Kosovës në fusha të ndryshme duke prekur shumë nga to të cilat i kanë sjellë shumë të mira qytetarëve të Kosovës. Ai nuk la pa e falënderuar shtetin gjerman e në veçanti për përkrahjen që Gjermania po i ofron Kosovës në fushën e investimeve kapitale, liberalizimin e vizave si dhe vizitën e fundit që Ministri Federal z. Özedemir i bëri Kosovës para ca muajsh. Ambasadori Ajeti nuk la pa e përmendur edhe tentimin e agresionit serb me 24 shtator në Veriun e Kosovës dhe tentimin e ripërsëritjes së një akti të tillë duke rrezikuar kufirin e Kosovës me forcat serbe në afërsi të kufirit tonë. Në fjalimin e tij zotëri Ajeti, nuk la pa përmendur edhe rezultatet e bashkatdhetarëve tanë në Gjermani dhe investimet kapitale në Kosovë.
Në emër të Qeverisë Gjermane të pranishmëve iu drejtua me një fjalim rasti edhe Ministri Federal z. Özedemir, i cili shprehu qëndrimin e Shtetit Gjerman për Kosovën dhe popullin e saj dhe perspektivën e saj evropiane. Pas këtyre fjalimeve përshëndetëse, Ambasadori Ajeti i ftoi të pranishmit në koktejin e përbashkët miqësor për arritjet dhe të mirat e Kosovës dhe popullit të saj. Duke cakërruar gotat për sukseset e Kosovës, bisedat dhe përqafimet e urimet vëreheshin në tërë sallën që këtë atmosferë festive e bënte edhe më të mirë me programin e saj. Ansambli Frymor i Forcave të Kosovës që me mjeshtri të veçantë ekzekutonin pikat muzikore që e madhështonin festën. Tashmë festa ka arritur kulmin dhe njerëzit ndihen krenar për pjesëmarrjen në festë dhe të gjithë i gëzohen arritjeve të festës.
Hyjnesha në Fron
Duke shëtitur në sallën ku mbahej festa dhe në korridorin ku janë të ekspozuar punimet e piktores nga Kosova Amire Demolli takon njerëz që kënaqen me shpjegimet e piktores Demolli për veprat e ekspozuara të cilat nisin me Hyjneshën në Fron e deri tek ajo e fundit, të cilat trajtojnë motive nga Kosova, lashtësinë e Kosovës dhe lirinë e saj. Në dy tri piktura të zonjës Demolli, dominon ngjyra e kuqe dhe nën hije vërehen njerëzit e zhdukur që autorja mundohet t’i gjallërojë dhe komunikon me ta se liria ka ardhur dhe Kosova është në festën e saj të 16-të. Duke vëzhguar me kujdes punimet e piktores Demolli, takoj Zija Shoshin, një bashkatdhetar të devotshëm të çështjes shqiptare i shoqëruar nga Dr. Shkelqim Reçi dhe nga ish-nënkryetari i Federatës së Futbollit të Gjermanisë zotëri Rainer Milkoreit, për këtë të fundit më thotë se ka dhënë kontribut të madh për hyrjen e Kosovës në Federatën e Futbollit Evropian dhe më gjerë. Pak më larg takoj dhe cakërroj gotat edhe me dy legjenda në sport: Luan Krasniqin, boksierin më të njohur në botën shqiptare deri me sot, i cili ngriti emrin e Kosovës në botë dhe Kamber Demajn, Bodybuilderin më të njohur shqiptar, i cili ,ka prezantuar Kosovën në gara të shumta ndërkombëtare. Aty takoj Musë Tolajn, vëllain e dëshmorit Mentor Tolaj, Rexhë Dobruna, aktivist i dalluar në sport, Azem Zemaj, vëlla i Heroit të Kosovës Tahir Zemaj. Nga miqtë e vjetër takoj: Hafiz Gagicën dhe Mon Pirecin me të cilët ngremë dolli për festën dhe arritjet e Kosovës.
Amire Demolli autore e ekspozitës
Gjatë ekspozitës u takova edhe me Prof. Dr. Christian Voß, profesor në Universitetin e Humboldt-it, studiues dhe dashamirës i shqiptarëve, me të cilin patëm një bisedë shumë mbresëlënëse për Kosovën dhe kulturën shqiptare. Në mbyllje të këtij reportazhi, dua të përgëzoj ekipin e Ambasadës për një organizim të shkëlqyeshëm duke filluar nga ambasadori e deri tek i fundit. Këtu me plot respekt dua ta falënderoj për punë të suksesshme në organizim: Shtojere Zogaj, Jeton Pireva, Blerta Ademi Besim Kadriu, Valbona Boroci dhe Kymete Luma.
Përveç urimit tim për festën dua t’ju them: Ju lumtë se sonte na e zbardhët fytyrën.
Gëzuar!