ARKIVI:
21 Dhjetor 2024

Në cilat kushte u lejua përkohësisht veprimtaria e shoqërisë së Të Shtypurit Shkronja Shqip në Stamboll

Shkrime relevante

Këshillë për të krishterët në Kosovë…!

Agim Bajrami  Qëlimi i të gjithëve neve që civilizmin e krishterë e...

Klasë politike më të pafytyrë dhe pakarakter se ne shqiptarët, në Europë nuk ka askush !

Driton Statovci Kur po i lexoj reagimet e politikanëve tonë për sulmin...

Ago Agaj, “Kosovari nga Vlora”, në 30 vjetorin e kalimit në amshim

Dr. Ago Agaj, bashkpuntor politik i çeshtjes kombëtare dhe mik i...

Shpërndaj

Nikollë Loka, Tiranë
____
Në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, gjatë Rilindjes, e veçanërisht pas krijimit të “Lidhjes së Prizrenit” u bënë përpjekje për të krijuar një shoqëri kulturore shqiptare. Intelektualë patriotë shqiptarë u mblodhën në Stamboll, nga të gjitha trevat shqiptare, më 12 tetor 1879 dhe themeluan një shoqëri kulturore shqiptare të njohur si “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip”, e njohur ndryshe si “Shoqëria e Stambollit”. Formimi i Shoqërisë u bë në kushtet kur Perandoria Osmane nuk i lejoi shkollat në gjuhën shqipe, pavarësisht se me dekretin perandorak (Hatt-i-Humayun të vitit 1856) “të gjithë popujt e Perandorisë kishin trajtim të barabartë në arsim”. Nga ana tjetër, përhapja në Shqipëri e shkollave turke, greke, sllave etj. e bënin domosdoshmëri arsimimin në shqip, për t’i ruajtur shqiptarët nga asimilimi kulturor dhe etnik që u kanosej. (Historia e Popullit Shqiptar, II, 2002: 247).
Me qëllim që të bashkoheshin lehtësisht dhe të mos kishin asnjë problem nga qeveria turke, i ishte kërkuar Vezirit të madh Ali pashës për të lejuar veprimtarinë e grupit. Ali Pasha, duke ndjekur një politikë të afrueshme me shqiptarët, për të mos shtuar armiqësinë ndaj Perandorisë Osmane, “autorizoi dhe inkurajoi komisionin të vazhdonte mbledhjet e tij”(Shabani, 2017:40). Shteti osman fillimisht shfaqi një politikë të moderuar kundër kërkesës për arsim shqip. Edhe pas shfuqizimit të Lidhjes së Prizrenit, Ministria e Arsimit sugjeroi që librat e leximit dhe gramatikës në gjuhën shqipe, ndoshta të shkruara me shkronja arabe nga Daut Boriçi, të shtypeshin dhe të shpërndaheshin në shkollat shtetërore të rajoneve ku jetonin shqiptarët (Gençoğlu, 4922). Por, sulltani Abdyl Hamiti II e lejoi shkollimin shqip aq sa i nevojitej dhe në ato vende ku i duhej. Në kushtet e veprimtarisë së ethëshme të Patriarkanës së Stambollit dhe të shtetit grek në jug të vendit, Sulltani ishte i interesuar për zhvillimin e nacionalizmit shqiptar në trevat jugore, por kurrësesi nuk e lejoi në trevat veriore (Somel, 1997: 452, 453).
Për të kundërshtuar veprimet e ethëshme greke për greqizimin e shqiptarëve, që ishin kërcënuese për Perandorinë, në viset jugore të krahinës së Janinës dhe në krahinën e Manastirit, ku vepronte kultura ortodokse greke, u lejuan të ngriheshin disa shkolla shqipe.(Somel, 1997: 452). Në këto rrethana duhet parë dhe veprimtaria e Shoqërisë së Letrave, e cila u rrit brenda kontekstit të eksperimentit kushtetues të viteve 1876-1878(Mitrojorgji, 2016:41). Pas abrogimit të kushtetutës nga Abdülhamit II në shkurt 1878, reforma arsimore u kthye në sintezën e arsimit tradicional fetar me shkollimin më laik të Tanzimatit. Shkollat tani morën një rëndësi më të theksuar politike dhe strategjike, të krijuara për të frenuar kërcënimet e brendshme ndarëse dhe ato të jashtme kolonizuese.
Është pohuar se Porta nxori një ferman në nëntor 1879 që lejonte botimin e librave, revistave dhe teksteve shkollore shqipe me alfabetin e Stambollit. Por ky ferman nuk ishte një akt kushtetues, pasi Abdülhamit II e kishte shfuqizuar kushtetutën gati dy vjet më parë. Mund të ketë qenë thjesht një taktikë vonuese, për të qetësuar Lidhjen e Prizrenit, rezistenca e armatosur e së cilës po rezultonte e turpshme për shtetin osman. Megjithatë, Shoqëria e të shtypurit Shkronja Shqipe përfitoi plotësisht nga ligji i ri dhe ndërmori një fushatë të fuqishme botimesh që synonin të përhapnin alfabetin e Stambollit midis të gjithë shqiptarëve (Mitrojorgji, 2016:41-42). Në Stamboll, Shoqëria e Letrave botoi dy periodikë jetëshkurtër, Drita (Drita) deri në 1884 dhe Dituria (Dituria) deri në 1885, pastaj botimi i tyre u ndërpre, pasi veprimtari të tilla ranë shpejt në kundërshtim me regjimin hamidian, i cili i shpalli ato të paligjshme. Edhe Kryeministri turk Ali Pasha, shumë shpejt ndryshoi mendje, dhe filloi t’u krijonte pengesa anëtarëve të Komisionit, deri sa u ndalua krejt veprimtaria e tij(Shabani, 2017:40).
Në rrethanat e reja politike të krijuara pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit, Shoqëria e Stambollit nuk mundi ta vazhdonte veprimtarinë e saj. Disa nga anëtarët e lanë atë dhe pjesa tjetër së bashku me kryetarin e shoqërisë Sami Frashëri e vazhduan veprimtarinë e tyre individuale në ilegalitet. Për të siguruar vijimësinë, veprimtaria e Shoqërisë së Stambollit u zhvillua jashtë diktatit osman. Qysh në vitin 1880, Shoqëria e Stambollit kishte dërguar në Bukuresht një nga anëtarët aktivë të saj Jani Vreto, me mision për të krijuar një degë të shoqatës atje (Peza-Perriu, Kaceli-Demirlika, 2022: 102). Në ato kushte, lëvizja kulturore e shqiptarëve do ta kalonte qendrën e saj Bukuresht, pastaj dhe në Sofje, Kajro, Aleksandri etj, pra në kolonitë shqiptare, ku nuk mund të vepronte diktati osman.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu