ARKIVI:
10 Maj 2025

Në Drenas Ligji si llastiku : Tetëmbëdhjetë muaj me ushtrues detyre, katër muaj pa drejtor! 

Shkrime relevante

Xhafer Leci: Treva e Rugovës, Park Nacional

Njëra nga pamjet e restoraneve të bukura të Trevës së Rugovës Rugova,...

1922 / Letra e Beqir Haçit, që fitoi çmimin e parë, drejtuar të rinjve amerikanë të Kryqit të Kuq

Burimi : Junior Red Cross News, shtator 1922, faqe n°16 Nga Aurenc Bebja*,...

Xhamitë dhe krijesa e tyre antishqiptare Hysri Selimi

Afrim Caka, Gjakovë KU XHAMITË PUNOJNË ME BANDATË ISLAMIKE RADIKALE Dëshirën për t’a...

Pas tymit të bardhë në Vatikan, retë e zeza sërish mbuluan Kuvendin e Kosovës!

Florim Zeqa Kësaj radhe këtë shkrim po e filloj me lajmin e...

Shpërndaj

Komuna e Drenasit, që nga paslufta, duket se është shndërruar në një terren të lirë për lojëra politike dhe administrative, ku ligji shtrihet e tkurret sipas interesit të pushtetarëve. Në këtë oazë të keqqeverisjes lokale, institucionet publike nuk trajtohen si pasuri kolektive në shërbim të qytetarëve, por si pronë private dhe plaçkë për ndarë ndërmjet të “fortëve” të ditës.
Shembujt janë të shumtë dhe të prekshëm kudo që hedh sytë. Por rasti i fundit me Gjimnazin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” është dëshmia më e qartë e kësaj papërgjegjësie skandaloze. Ky institucion arsimor, që duhet të jetë shembull i përkushtimit dhe i përgjegjësisë, është lënë tash e katër muaj pa drejtor, një situatë absurde që do të ishte e paimagjinueshme në një vend ku sundon ligji dhe etika institucionale.
Çka është edhe më shqetësuese, kjo nuk është hera e parë që ky gjimnaz përballet me abuzime të tilla. Para këtij boshllëku drejtues, drejtimi i shkollës ishte besuar një personi në mënyrë të kundërligjshme për tetëmbëdhjetë muaj, si ushtrues detyre, pa konkurs e pa transparencë. Ky precedent jo vetëm që përbën shkelje të qartë të ligjit, por edhe dëshmon një mënyrë të të bërit politikë që synon kapjen e çdo cepi të jetës institucionale për përfitime personale e klanore.
Njerëz që e njohin mirë sektorin e arsimit pohojnë se pozitat drejtuese po shndërrohen në objekt kalkulimesh të fshehta, forma të sofistikuara të korrupsionit që e shkatërrojnë sistemin nga brenda. Në vend të drejtuesve të denjë që mund të udhëheqin me vizion e përgjegjësi, kemi zvarritje procedurash që s’kanë të bëjnë me ligjin, por me llogaritjet se kush kë e ka dhe sa vota mund të sjellë.
Në gjithë këtë kaos, pyetja është e thjeshtë: çfarë mesazhi po i jepet nxënësve, mësimdhënësve dhe qytetarëve? Se arsimi është në plan të dytë? Se drejtësia administrative është thjesht një lojë për të ruajtur pushtetin dhe për të kontrolluar institucionet?
Kur një shkollë lëhet me muaj të tërë pa drejtues, kur procedurat zvarriten me qëllim, dhe kur heshtja është përgjigjja zyrtare, atëherë është mëse e qartë se nuk është fjala për mungesë kapacitetesh por për mungesë vullneti dhe përkushtimi. E kjo, në rastin më të mirë, është papërgjegjësi. Në rastin më të keq – është shkatërrim i qëllimshëm.
Shkolla nuk është tender që pret procedura të pafundme, as pasuri për pazare politike. Është themel i shoqërisë dhe i së ardhmes. Dhe sa herë që një shkollë mbetet pa drejtim, lëngon jo vetëm arsimi, por edhe shpresa për një të ardhme më të mirë. Komuna e Drenasit i ka borxh qytetarëve të saj përgjegjësi, transparencë dhe veprim të menjëhershëm. Sepse siç thotë populli: kur mungon maçoku, minjtë bëjnë valle – por në fund shtëpia mbetet rrënojë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu