ARKIVI:
24 Dhjetor 2024

Në Kolegjin Harvard të Shteteve të Bashkuara kujtohet tragjedia e çamërisë shqiptare

Shkrime relevante

Po përsëritet historia! KQZ-ja (s) ka të drejtë!

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina Në vitin 2013 (si ish anëtarë...

Kontradikta dhe abuzimi politik i Edi Ramës, dëmton rëndë Kosovën dhe Shqipërinë

Nga: Luan Dibrani Kritika ndaj Edi Ramës dhe Pozita e Qeverisë Shqiptare...

Te Nënëlokja e UÇK -së, NËNË STANA!

Nga: Nusret Pllana BRUS - lagjja Peshter Me bashkëluftëtarin tim Ismet Sylejmani, vizituam...

Vuçiq, Albin Kurti nuk është KQZ!

Gani Mehmeti Pas Reagimit ti kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me rastin...

Hajgarja e vitit nga Qeveria: pensionistët e diskriminuar mbeten në harresë!

Nga: Zeqir Bekolli, Drenas ___ Qeveria këtë fundvit vendosi të bëjë një tjetër...

Shpërndaj

Nga: Frank Shkreli

Këtë të dielë më,16 maj 2021, në Kolegjin Harvard në Cambridge të shtetit Masaçusets, jo shumë larg nga qyteti i Bostonit, do të organizohet një diskutim me titull: “Shqiptarët çamë të Greqisë, 77 vjet mohim”, me pjesëmarrës Dr. Isa Blumi dhe Dr. Rudina Jasini. Ky njoftim është përhapur për mediat dhe të gjithë të interesuarit nga Shoqata e Studentëve  Shqiptarë të Harvard-it. Në njoftim bëhet thirrje që të interesuarit t’i bashkohen diskutimit mbi Çështjen Çame me historianin Dr. Isa Blumi i Universitetit Stockholm dhe me Doktoren e shkencave juridike, Rudina Jasini, eksperte e ligjeve ndërkombëtare penale dhe e të drejtave të njeriut, pranë Universitetit Oxford.  Diskutimi i dy ekspertëve do të zhvillohet nëpërmjet platformës “webinar” duke filluar nga ora 11:00, paradite sipas orës së Bostonit, këtë të dielë më 16 maj dhe do të pasohet me pyetje-përgjigje. Diskutimi do të drejtohet nga Deni Hoxha, Kryetari i Shoqatës së Studentëve shqiptarë në Harvard, sipas njoftimit të studentëve shqiptarë  të Harvard-it, të shpërndarë disa ditë më parë në rrjetet sociale.

“Është vërtetë një freski shpirtërore, morale dhe patriotike kur sheh një grup studentësh shqiptarë të edukuar në Perëndim,  e sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara,  të interesuar për të trajtuar ngjarje të rënda nga historia e hidhur e shqiptarëve, siç është Çështja Çame. “

Kolegji Harvard administrativisht është pjesë e Universitetit të njohur botërisht, Harvard, më i vjetri universitet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i themeluar në vitin 1636, por që, edhe pas më shumë se 400 viteve në ekzistencë, gjithnjë vazhdon të tërheqë, udhëheqësit dhe akademikët më të njohur të botës, por edhe studentët më të mirë nga të gjitha anët e botës.  Në këtë ambient edhe studentët shqiptarë të këtij instituti të lartë të dijes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë themeluar Shoqatën e Studentëve  Shqiptarë, pranë Kolegjit Harvard. Është kjo një organizatë, e cila bashkon studentët me origjinë shqiptare si dhe studentët e kombësive të tjera të interesuar për kulturën, historinë dhe çështjet aktuale të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Shoqata shërben si një ent që vë në dukje, për komunitetin akademik të Harvardit por edhe më gjerë, çështjet shoqërore, ekonomike, historike dhe politike që u interesojnë shqiptarëve anë e mbanë botës, duke organizuar diskutime, ngjarje kulturore, forume, e tjera.  Është në këtë frymë që këtë të dielë, Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Kolegjit të Harvardit do të zhvillojë diskutimin via platformës “webinar” “Mbi Çështjen Çame – 77 vjet mohim”. Të interesuarit që dëshirojnë të marrin pjesë, ftohen të regjistrohen sipas informacionit më poshtë në njoftimin e bashkangjitur.

Historiani, filozofi, poeti dhe novelisti Xhorxh Santayana, i cili ka studiuar pikërisht në Kolegjin Harvard,  ku edhe po organizohet diskutimi për masakrën e Çamërisë,  ka një thënie që i atribuohet atij në lidhje me nevojën për t’u përballur me krimet e historisë: “Ata të cilët nuk kujtojnë të kaluarën, janë të dënuar që ta përsërisin atë”. Historia e Kombit shqiptar është plot masakra si nga fqinjët kundër shqiptarëve, po dhe nga shqiptari kundër shqiptarit. Mjafton të kujtojmë  50-vjet krimet e komunizmit në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Historia njeh,  por për të cilat nuk flitet aq sa duhet,  masakrën e Çamërisë, atë të Tivarit dhe masakrat e shumta  otomane, serbe e malazeze kundër shqiptarëve gjatë shekujve, përfshirë edhe krimet kundër njerëzimit të forcave terroriste të Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë gjatë luftës së fundit atje, me qëllim, spastrimin etnik.

Ata që më njohin e dinë se unë (megjithëse nuk jam vetëm) kam humbur shpresën në këtë klasë politike shqiptare të 30-viteve të kaluara se ata do të sjellin ndryshimin,  se ata, pas pothuaj 50-vjet robërie komuniste do të sjellin lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut për të gjithë dhe pa dallim, se ata do ishin udhëheqësit shqiptarë post-komunistë, që më në fund, të çliruar nga ideologjia komuniste,  do të përballoheshin me të kaluarën e vështirë, me krimet dhe me masakrat e kryera kundër shqiptarëve, anë e mbanë trojeve historike shqiptare. Ishte një shpresë e kotë! Shpresa ime dhe e shumë të tjerëve mbetet brezi i ri i shqiptarëve  brenda dhe jashtë trojeve, por sidomos shpresoj në të rinjtë shqiptarë që po edukohen në Perëndim, siç janë studentët që po organizojnë këtë të dielë diskutimin, në nivel akademik në një institucion të lartë arsimor amerikan, siç është Harvard College, mbi çështjen e Çamërisë, të cilën ata e përmbledhin duke dhënë një historik të shkurtër të kësaj tragjedie:

“Çështja Çame: Pushtimi Grek i Çamërisë 1912-1913 i la shqiptarët çamë jashtë kufijve të vendit të tyre të lindjes. Nga 1913 e tutje, popullsia çame shqiptare ra në mënyrë të dukshme për shkak të persekutimit, dëbimit të detyruar dhe spastrimit etnik. Shtytja e fundit ishte në 1944-1945, kur nisi një fushatë brutale nga forcat greke kundër popullsisë shqiptare çame autoktone. Forcat paraushtarake greke kryen një numër mizorish në shkallë të plotë, përfshirë masakra ndaj burrave, grave dhe madje edhe foshnjave. Ndërsa bota mbylli sytë ndaj kësaj masakre, rreth 25,000 refugjatë came, kaluan kufirin në Shqipëri dhe mbi 2,000 çamë u vranë.  Sot, çamët formojnë një komunitet prej të paktën 250,000 banorësh në Shqipëri, 100,000 në Turqi dhe 70,000 në Shtetet e Bashkuara. Parlamenti i Shqipërisë shpalli 27 qershorin si, Ditën e Gjenocidit grek shovinist kundër shqiptarëve të Çamërisë. Ndërsa, 77 vjet më vonë, Greqia ende mohon ekzistencën e çështjes çame dhe madje, mohon edhe ekzistencën e një pakice shqiptare në Greqi”, thuhet në njoftimin për media të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë pranë Kolegjit Harvard.

“Historia e Kombit shqiptar është plot masakra si nga fqinjët kundër shqiptarëve, po dhe nga shqiptari kundër shqiptarit. Mjafton të kujtojmë  50-vjet krimet e komunizmit në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Historia njeh,  por për të cilat nuk flitet aq sa duhet,  masakrën e Çamërisë, atë të Tivarit dhe masakrat e shumta  otomane, serbe e malazeze kundër shqiptarëve gjatë shekujve, përfshirë edhe krimet kundër njerëzimit të forcave terroriste të Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë gjatë luftës së fundit atje, me qëllim të spastrimit etnik.”

Prezantuesit kryesorë të çështjes Çame në këtë diskutim janë Dr. Isa Blumi, Profesor i Asociuar i Studimeve turke dhe Lindjes së Mesme, në Universitetin e Stockholmit, i cili do të flasë për rrënjët historike të ngjarjeve që çuan në okupimin e Çamërisë dhe në pushtimin përfundimtar nga forcat greke, gjë që çoi në aneksimin e imponuar ndërkombëtarisht të asaj krahine, duke e ndarë njëherë e mirë nga  territoret e tjera shqiptare. Profesor Isa Blumi do të flasë gjithashtu, edhe për mekanizmat ndërkombëtare që kanë lehtësuar ndarjen e ish-territoreve otomane, bazuar në kritere që çuan në shpopullimin e Çamërisë nga shqiptarët autoktonë.

Ndërsa folësja tjetër në ketë diskutim, Dr. Rudina Jasini, avokate dhe studiuese e specializuar në të drejtën penale ndërkombëtare dhe në fushën e të drejtave të njeriut, në Universitetin e Oxford-it, do të ofrojë për pjesëmarrësit, një perspektivë të thellë të sfidave ligjore dhe politike të çështjes Çame, si dhe mënyrat, rrugët ligjore dhe forumet ndërkombëtare ku mund të diskutohet çështja Çame.

Një nga tiparet më karakteristike të përballimit me të kaluarën historike dhe zbulimit të së vërtetës, është dëshira për të njohur atë histori dhe për të vendosur, për të kërkuar drejtësi me ligj, për grupet e dëmtuara dhe të shtypura historikisht. Shumë aspekte të historisë së çamëve shqiptarë janë shumë pak të njohura, ose të keq-interpretuara, falë një numri të madh masash dhe dekretesh të miratuara nga qeveritë dhe autoritetet greke gjatë dekadave.

Përshëndes Shoqatën e Studentëve Shqiptarë të Kolegjit Harvard për nismën e tyre fisnike, dhe uroj që ky diskutim të jetë një kontribut i vyer drejt vendosjes së drejtësisë dhe të zbulimit të vërtetës historike dhe vuajtjeve të shqiptarëve çamë. Është vërtetë një freski shpirtërore, morale dhe patriotike kur sheh një grup studentësh shqiptarë të edukuar në Perëndim, e sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara, të interesuar për të trajtuar ngjarje të rënda nga historia e hidhur e shqiptarëve, siç është Çështja Çame.  Seminare të tilla në nivel akademik, jo vetëm që kontribuojnë në zbulimin e së vërtetës historike mbi Çështjen Çame, por ndihmojnë, njëkohësisht, edhe në ndërtimin e urave të pajtimit midis dy vendeve dhe dy popujve, duke forcuar kështu, paqen dhe sigurinë në rajonin ballkanik dhe në Evropë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu