ARKIVI:
23 Nëntor 2024

Në Kosovë 38 komunat zgjodhën kryetarët, 21 në balotazh të dielën e 14 Nëntorit 2021

Shkrime relevante

Zgjedhje për vazhdimësi politike, jo për ndryshim!

Florim Zeqa  Në kohën kur është intensifikuar (para) fushata elektorale e partive...

Historia e ortodoksizmit shqiptar, e shpjeguar me urti e fakte historike

https://www.youtube.com/watch?v=w60i7AO1Tfk&fbclid=IwY2xjawGuhGNleHRuA2FlbQIxMQABHXRlD0TIhxlydf7v48mN8HSJIi7BbPDau5JBPjMJ1nP4EoSdRc3EvbXR7A_aem_Orfl15eTgvC5InDLU_u30Q Fan Stilian Noli

Putini është i varur nga lufta

Vladimir Putin në një takim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe industrinë...

Harbutëria e “analistëve” ndaj mërgatës sonë nëpër botë

Afrim Caka, Gjakovë SYTË TANË S'JANË SI MË PARË!!! Eh ç'ju raskapit shpirti...

Shpërndaj

-Në Zgjedhjet Lokale 2021 të dielën e 14 Nëntorit në 21 nga gjithësej 38 komunat e Kosovës u votua  në balotazh-raundin e dytë për zgjedhjen e kryetarëve, pasi të dielën e 17 Tetorit 2021 në garën per kryetarë vetëm në 17 komuna u përcaktuan fituesit që në raundin e parë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 15 Nëntor 2021/ Të dielën e 14 Nëntorit 2021 në 21 nga gjithësej 38 komunat e Kosovës u votua  për zgjedhjen e kryetarëve në balotazhin – raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, pas votimeve të dielën e 17 Tetorit 2021,  kur në 17 komuna u përcaktuan fituesit që në raundin e parë.

Votimet e balotazhit për 21 kryetarë komunash u zhvilluan në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Vushtrri, Podujevë, Gllogoc, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Shtime, Viti, Malishevë, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Në votimet e balotazhit Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi në 5 komuna – rikthehet me kryetar në komunën e kryeqytetit Prishtinë, me fitoren e kandidatit të saj Përparim Rama, përballë Arben Vitisë – kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje – partiisë që qeverisë Kosovën, e cila në asnjë komunë nuk arriti rezultatin mbi 50% të votave që e kishte në zgjedhjet parlamentare të 14 Shkurtit 2021, prandaj në asnjë komunë kandidatët e saj nuk u zgjodhën kryetarë që në raundin e parë.

Kandidatët tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës që fituan balotazhin janë: Ilir Ferati në Istog, Burim Berisha në Fushë Kosovë, Ruzhdi Shehu në Junik, Sokol Haliti në Viti.

Në balotazhin për kryetarë 5 komuna i fitoi edhe Partia Demokratike e Kosovës: Në Prizren me Shaqir Totajn, në Vushtrri me Ferit Idrizin, në Gllogoc me Ramiz Lladrovcin, në Dragash me Shaban Shabanin, në Kaçanik me Besim Ilazin.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në 4 komuna: Në Gjilan me Alban Hysenin, në Podujevë me Shpejtim Bulliqin, në Kamenicë me Kadri Rahimajn, në Shtime me Qemajl Aliun.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fitoi garën e balotazhit për kryetarë në 3 komuna: Në Gjakovë me Ardian Gjinin,  në Klinë me Zenun Elezajn dhe në Rahovec me Smajl Latifin.

Nisma Social Demokrate fitoi në 1 komunë: Në Malishevë me Ekrem Kastratin.

Iniciativa Qytetare për Obiliqin fitoi garën në komunën e Obiliqit me kandidatin Xhafer Gashi.

Në Mamushë komunën e vetme të Kosovës të banuar me shumicë nga komuniteti turk fitoi partia e këtij komuniteti KDTP  me kandidatin Abdulhadi Krasniq.

Në komunën e Kllokotit garën e raundit të dytë e fitoi kandidati Vladan Bogdanoviç  nga Lista Serbe, e cila në raundin e parë fitoi edhe në 9 komunat tjera me shumicë serbe të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet preliminare të balotazhit pas votimeve me pjesëmarrje 37,85% të qytetarëve me të drejtë vote, ndërsa ende nuk janë numëruar votat me kusht dhe të ardhura me postë nga diaspora.

Në 17 Tetor – raundin e parë të zgjedhjeve lokale Partia Demokratike e Kosovës ka fituar garën për kryetarë në 4 komuna: Në Mitrovicën e Jugut me Bedri Hamzën, në Ferizaj me Agim Aliun, në Skenderaj me Fadil Nurën, në Hanin e Elezit me Mehmet Ballazin.

Në raundin e parë  kryetarë komunash janë zgjedhur 2 kandidatë të Lidhjes Demokratike e Kosovës: Gazmend Mahaxheri në Pejë dhe Imri Ahmeti në Lipjan.

Poashtu në  2 komuna fitoi garën për kryetarë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës: Në Suharekë me Bali Muharremajn dhe në Deçan me Bashkim Ramosajn.

Zgjedhjet Lokale 2021 në Kosovë janë të tetat në liri – pas hyrjes shpëtimtare të forcës më të madhe ushtarake planetare – NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Qershorin e vitit 1999.

Në Kosovën e lirë zgjedhjet e para për pushtetin lokal janë mbajtur në 28 Tetor të vitit 2000.

Zgjedhjet lokale të 15 Nëntorit 2009 ishin të parat pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008.

Nga gjithësej 38 komunat e Republikës së Kosovës 27 janë me shumicë shqiptare dhe më e madhja është e kryeqytetit, Prishtinës.

Ndërsa, 10 komuna, kryesisht nga më të voglat, janë me shumicë serbe,  5 prej tyre të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit special të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.

Një komunë – Mamusha është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, që është një nga minoritetet tjera në Kosovë.

Në zgjedhjet lokale të 17 Tetorit në Kosovë garonin  32  parti politike, 1 koalicion zgjedhor, 33 iniciativa qytetare, 23 kandidatë të pavarur.

Numri i kandidatëve për kryetarë të komunave ishte 166 (meshkuj 152, femra 14). Numri i kandidatëve për kuvende komunale ishte 5 198 (meshkuj 3 261, femra 1 937), ndërsa numri i përgjithshëm i ulsëve në kuvende komunale është 1 002. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar ishte 5 364  (meshkuj 3 413, femra 1 951).

Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, e cila  është shpërndarë në vendvotime në ditën e zgjedhjeve më 17 Tetor, përmbante 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën në 14 Shkurt 2021.

Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë: 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj.

Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen në regjistrim edhe të serbëve në Kosovën veriore. Në Mitrovicën e veriut dhe tre komunat tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan serbët kanë refuzuar regjistrimin e popullsisë.

Në 4 komunat e veriut të Kosovës me shumicë serbe e ku ka edhe lagje e fshatra shqiptare për zgjedhjet lokale të 17 Tetorit 2021 numri në listën e qytetarëve me të drejtë vote për Mitrovicën e veriut ishte 17 721, për Leposaviçin 12 707, për Zveçanin 6 879 dhe për Zubin Potokun  6 443.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu