ARKIVI:
21 Dhjetor 2024

Në kujtim të 32 vjetorit të rënies së Afrim Zhitisë dhe meditime për rolin e tij në shtypin ilegal

Shkrime relevante

Këshillë për të krishterët në Kosovë…!

Agim Bajrami  Qëlimi i të gjithëve neve që civilizmin e krishterë e...

Klasë politike më të pafytyrë dhe pakarakter se ne shqiptarët, në Europë nuk ka askush !

Driton Statovci Kur po i lexoj reagimet e politikanëve tonë për sulmin...

Ago Agaj, “Kosovari nga Vlora”, në 30 vjetorin e kalimit në amshim

Dr. Ago Agaj, bashkpuntor politik i çeshtjes kombëtare dhe mik i...

Shpërndaj

Nga Sheradin Berisha
 Në 32 vjetorin e rënies së Afrim Zhitisë
(ROLI I AFRIM ZHITISË NË SHTYPIN ILEGAL)
«Situata politike në Kosovë është shumë eksplozive. Mendoj se në asnjë orë, në tre katër muajt e fundit situata nuk ka qenë më eksplozive dhe më e volitshme se sa tash, për të organizuar protesta masive të popullit tonë.» Afrim Zhitia, tetor 1989
Afrim Zhitia (1965 – 1989) si student i filozofisë dhe sociologjisë në UP, ka studiuar shumë libra të kësaj fushe, në mesin e tyre edhe kompletin e librave të filozofit gjerman Hegel (Georg Wilhelm Friedrich Hegel 1770 – 1831) në gjuhën kroate, të cilat i ndihmuan miërfilli në formimin e mendimit të tij kritik e filozofik për situatën politike, në rrafshin kombëtar, për zhvillimet dramatike nëpër të cilat po kalonte Jugosllavia e AVNOJ’it, si dhe për proceset dhe sfidat 45 vjeçare të luftës së ftohtë (1945-1990) midis dy superfuqive të botës (SHBA – BRSS).
Rrjedhimisht në vitet 1988 – 1989, Afrim Zhitia ka shkruar shumë analiza e studime (ka edhe në dorëshkrim), të cilat botoheshin në shtypin ilegal, dhe si të tilla lexoheshin dorë më dorë nga nxënësit, studentët dhe profesorët.
Në vitin 1989, pedagogu, ekonomisti dhe politikani kroat, Branko Horvat (1928 – 2003) ka botuar librin “Kosovsko pitanje, Globus, Zagreb – 1989” (Ҫështja e Kosovës). Afrim Zhitia pasi e kishte studiuar në detaje këtë libër, përmes një analize të shkruar i kundërvihet pikëpamjeve të B.Horvatit, për shpëtimin e Jugosllavisë nga shpërbërja, (përmes disa reformave sipërfaqësore), si dhe konceptit të tij politik për zgjidhjen joadekuate të çështjes së Kosovës.
Në këtë kuadër Afrim Zhitia, edhe si udhëheqës i Komitetit Drejtues të organizatës ilegale i përcillte me kujdes manifestimet shoveniste serbomëdha të Millosheviçit në Kosovë dhe kësaj fryme antishqiptare i kundërvihej edhe me shkrime të botuar në shtypin ilegal, “Rruga e Lirisë”, “Zëri i Kosovës” etj, të cilat i përgatiste dhe i nxirrte me bashkëveprimtarët e organizatës.
Në nr.3 të buletinit “Rruga e lirisë” (qershor 1989) që nxirrte “Zëri i Kosovës” (organ i LPRK’së), Afrim Zhitia boton analizën me titull: “Manifestimet serbomëdha me rastin e 600 vjetorit të betejës së Kosovës – janë turpi i Jugosllavisë”, ndërsa në buletinin “Rruga e lirisë” nr. 4, korrik – gusht 1989, boton analizën e radhës me titull: SHFUQIZIMI I LIGJIT PËR KOLONISTËT – FUQIZIM I RIKOLONIZIMIT”…
Në vijim lexoni këtë analizë të Afrim Zhitisë:
SHFUQIZIMI I LIGJIT PËR KOLONISTËT – FUQIZIM I RIKOLONIZIMIT
Në vazhdim të shkeljes së të drejtave të cilat populli ynë i fitoi me luftë e përpjekje të mëdha është edhe shfuqizimi i Ligjit për ndalimin e kthimit të kolonistëve në Maqedoni dhe Kosovë që qe aprovuar më 1945.
Ҫ’është e vërteta ky shfuqizim tani për tani është “vetëm propozim”, të cilin Kuvendi i Serbisë i bëri Kuvendit të RSFJ, por shtrohet pyetja se cili qe ai “propozim” i klikës serbe kundër shqiptarëve që nuk u bë vendim i organeve më të larta federative?
ishin pikërisht “vetëm propozime” të Serbisë heqja e Flamurit, autonomisë, burgosja e vrasja, ndjekja dhe persekutimi i qindra e mijëra njerëzve të popullit tonë të cilat u bënë pa përjashtim vendimet e shtetit jugosllav. Jugosllavia ndaj Serbisë u soll si prostituta ndaj myshteriut të vet: “dëshira jote është urdhër për mua”.
Ҫka fshihet prapa këtij propozimi të serbomëdhenjve?
Me këtë akt synojnë që t’i kenë duart e lira për t’i dëbuar shqiptarët nga vatrat e tyre, për të sjellë në këtë tokë elementë çetnikë dhe kështu të arrihet ëndërra e kahmotshme e shovinistëve serbomëdhenjë – si të robërojnë përfundimisht Kosovën dhe viset e saj.
Pushtuesi llogaritë që me terror e gjenocid do t’ia arrijë këtij synimi, por llogaritë e tyre janë hesap pa hanxhinë.
Populli ynë do t’i pres kolonistët çetnikë ashtu si çdo armik tjetër. Kurrëfarë demagogjie nuk do ta ndalë luftën e popullit tonë për mbrojtje të qenies kombëtare. Masat që po ndërmerr regjimi i Beogradit janë masa thellësisht antishqiptare.
Populli shqiptar e ka kuptuar mirë këtë gjë, prandaj shfuqizimi i Ligjit të lartpërmendur është shfuqizim i ri i demagogjisë bajate të pushtuesit.
Duke parë qëllimet asimiluese të kolonizimit të cilat do të legalizohen me shfuqizimin e këtij ligji, populli ynë do të kundërshtojë vendosmërisht ardhjen e kolonistëve të rinj në Kosovë dhe në viset e saj.
(Kjo analizë u botua edhe në ZiK, Viti VIII i botimit – botimi i posaçëm, nëntor 1989, f.8-9)
***
Ilustrimet: foto e Afrim Zhitisë, makina e shkrimit të Afrim Zhitisë dhe faksimili i analizës “Shfuqizimi i ligjit për kolonistët, fuqizim i rikolonozimit” të shkruar nga Afrim Zhitia.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu