Nga: Arif Ejupi
Më 13 qershor të vitit të kaluar në moshën 86 vjeçe kaloi në përjetësi disidenti, studiuesi dhe poligloti Ymer Adem Llugaliu.
Ymeri, nga familjarë, shokë e ish-edukatorë kujtohet si nxënës e studiues i zellshëm, e mbi të gjitha si njeri i dinjitetshëm.
Përkundër vuajtjeve dhe ferrit të përjetuar Ai, i tillë mbeti deri në vdekje. Nivelet e shkollimit Fillor dhe të Mesëm, i kreu në Podujevë e Prishtinë, me nota të shkëlqyera.
Pastaj, vazhdoi me frekuentimin e mësimeve në Normalen e Prishtinës, e cila gjatë viteve 1953-1954, ishte transferuar nga Gjakova në Prishtinë.
Meqenëse, shkollat shqipe asokohe ishin të pakta dhe mungesa e mësueseve ishte e madhe Ymeri, ende pa i mbushur të njëzetat, nisi të punojë si mësues, në fshatin Sfeqël të Podujevës.
Abdyl Sokoli, arsimtar në pro-gjimnazin e atëhershëm të Podujevës, që e jepte lëndën e Matematikës, duke i parë prirjet e Ymerit, në këtë fushë, i sugjeron studimin e kësaj disipline shkencore në Fakultetin e Beogradit.
Sugjerime të ngjashme Ymeri, merr edhe nga arsimtarët e tij, të Matematikës në Normalen e Prishtinës.
Mirëpo, ai kaherë e kishte ndarë mendjen që të arratisej në pjesën tjetër të Atdheut, pa i shkuar asnjëherë mendja që parajsa e ëndërruar do t’i kthehet në ferrë, nga vëllazëritë e tij, të një gjaku e gjuhe.
Vendimin për të kaluar matanë Bjeshkëve të Nemuna, Ymeri e kishte ndërmarrë nga dashuria për Gjuhën dhe kombin shqiptar.
Ai idhull e kishte rilindësin tonë të njohur Millosh Gjergj Nikolla -Migjeni, të cilin e konsideronte llambë ndriçimi të relievit të përthyer shqiptar.
Dashurinë mbi studimin e Gjuhës shqipe, Ymerit ia kishte shtuar edhe një debat i nxehtë me arsimtarin e serbishtes në pro-gjimnazin e Podujevës, Zhikica Jovanoviq.
Jovanoviq, gjatë një ore mësimi kishte thënë “Kam përshtypjen që Gjuha shqipe, është një përzierje shumëgjuhësore çfarë lë me dyshue, a mundet me u quajt gjuhë në vete, apo jo.
Ka latinizma, ka turqizma, ka serbizma, ka…”
Në formë kundërshtimi Ymeri kishte thënë ”jo – jo mësues gabim e keni”. Pjetër Budi, librin “Doktrina kristiane”, e ka shkruar qartë dhe pastër në gjuhën shqipe, qysh më 1618.
Ai, madje e ka pasuruar gjuhën edhe me neologjizma të burimit shqip, 49 -vjet më herët se Johon Milton, gjuhën angleze me poemën “Parajsa e Humbur”.
Duke menduar që debati mësues- nxënës duhet të jetë i shëndosh dhe konstruktiv Ymeri, kishte vazhduar diskutimin e tij me gjuhën e argumenteve.
Ai kishte thënë: ”Mësues nga hulumtimet e mia shoh që serbishtja juaj është tamam një gjuhë laramane, me rusizma e bullgarizma të dyja varianteve egjeiane dhe gjevgjeliane, si dhe me mishmashin e gjuhëve të tjera sllave.
Jovanoviq i revoltuar dhe i pakënaqur me debatin, Ymerin e paraqet në Drejtorinë e shkollës, si nxënës provokator dhe me pikëpamje nacionaliste.
Ai mbase do ta denonconte edhe në Polici, por se lejonte sedra e sëmur dhe inatçore me pohuar që në debate me nxënësin e tij, çdoherë dilte humbës.
Urrejtja e papërmbajtur e shovenve serbë del në shesh me arrestimin e arsimtarit të Historisë,Ibrahim Demolli, nga UDB-a, jugosllave.
Ai ishte arrestuar vetëm pse i kishte bërë vërejtje tekstit të Historisë, për klasën e – Ill- të, në të cilin fillim e mbarim ishte falsifikuar origjina e shqiptarëve autokton.
Ymeri lajmin mbi arrestimin e arsimtarit të Historisë, Ibrahim Demolli, e kishte pritur me dhembje dhe indinjatë të thellë.
Ai druante që fare lehtë mund ta ketë fatin e mësuesit të tij, të cilin për reagimet e tij konkrete dhe në kohë e quante edhe si mësues “Shtylla”.
Kjo ndjenjë pasigurie dhe mosdurimi ndaj shovenëve serbë e pati detyruar Llugaliun, që në gusht të vitit 1958, të kalojë në tokën e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, me origjinë nga Kastri i Hasit të Prizrenit, me banim në Mat, me ngadhënjimin në Krujë, që shekullin e – XV- e bëri EPOKË të ARBANISË.
Llugaliu, i hipi krahut të ëndrrës dhe kaloi matanë maleve, i bindur që edhe ai është një krah i shkabës dykrenore. Ai ishte i sigurt që pas dy muajsh së bashku me vëllezërit e motrat e tij, do të fillojë studimet në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit të Tiranës.
Ymeri, edhe pse kishin kaluar gati gjashtë dekada si më të rëndën në jetën e vet e kujtonte ditën, kur merr një letër tejet dëshpëruese nga Ministria e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, në të cilën thuhej; se ai duhet të shkoj në Kampin e punës në Seman të Fierit.
Gjatë qëndrimit në këtë Kamp, ai do të punojë në fermën bujqësore “Çlirimi” Në nëntor të vitit 1962 vije një urdhër i organeve udhëheqëse të Partisë së Punës, që të gjithë të arratisurit kosovarë mund të ktheheshin në Kosovë.
Këtë urdhër Ymer Llugaliu e kundërshton kategorikisht,duke thënë “s’kthehem dot pa i mbaruar studimet për çfarë edhe kam ardhur.”
Meqenëse në këtë periudhë edhe në Shqipëri mësuesit ishin të pamjaftueshëm Ymer Llugaliu, me normale të përfunduar në Kosovë, nga Ministria e Arsimit shqiptar, caktohet mësues në fshatin Siqecë të Mallakastrës.
Një vit më vonë Llugaliu, njoftohet nga Skënder Backa, përgjegjës i Zyrës së emigracionit të Shqipërisë, se i është dhënë e drejta e studimeve në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.
Ymeri, thoshte nga gëzimi qaja, sepse pas shumë vuajtjesh dhe peripecish mu dha e drejta e studimeve, të cilat i ëndërroja qyshkur isha nxënës, i pro-gjimnazit në Podujevë.
Pas përfundimit të studimeve më 1967 me sukses shembullor të gjithë prisnin që Ymeri, do ta bëjë punën e ndihmës profesorit (asistentit) në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.
Pedagogë e studentë duke parë përkushtimin e Ymerit, për studime të avancuara të Gjuhës shqipe, e quanin Linguisti.
Madje, profesor Eqrem Çabej, përpara të gjithëve kishte thënë “dua që Ymeri së shpejti të jetë pjesë e Katedrës sonë.”
Mirëpo, një ditë fundgushti atij pa kurrfarë paralajmërimi i jepet urdhri që të shkojë në Krahinën më të prapambetur dhe më të persekutuar të vendit, në Mirditë.
I njohur me virtytet e tij prej burri dhe pedagogu profesionist plot nëntë vjet punon në shkollën e Mesme në Rrëshen, dhe në atë 8-vjeçare në Kurbnesh.
Llugaliu përkundër kushteve të vështira për punë detyrën e tij të mësuesit të Gjuhës Shqipe, dhe letërsisë, siç ishte emërtuar kjo lëndë atëherë e kryente me sukses.
Me përvojën e tij të gjatë ai ishte në gjendje që nëpërmjet procedurave të testimit ta bëjë edhe matjen e inteligjencës të secilit nxënës.
Po ashtu llogaritjen e pikëve për notë e bënte saktë dhe pa i hyrë askujt në hak. Vazhdimisht nxënëseve të tij ua përsëriste thënien “Shumë shpejt e keni kryer punën, nëse e keni kryer si duhet.”
Llugaliu, përveç aftësive intelektuale dhe organizimeve dallohej edhe për respektimin dhe dashurinë e treguar ndaj malësorëve të Mirditës .
Mania e pansllavistëve kokëbosh dhe këlysh të Stalinit nëpërmjet “fabrikave “të llojit kovaçhane, banorët e kësaj zone i detyronte të bëjnë punë skllavi si në feudalizëm.
Ata që kundërshtonin shpalleshin armiq të popullit, dhe përfundonin në kampe internimi, ku vite më radhë thanin këneta e moçale.
Grupi tjetër i “vullnetarëve “amator ndërtonte “pallate “me qerpiç e baltë. Çdonjërit veç e veç, apo si kolektiv për një normë të parealizuar i avullonte jeta.
Këtë diktaturë ekzemplar tmerri disa të verbëruar e altoparlant të monizmit e përshkruanin si parasë, vetëburgimin liri, diktaturën demokraci .
Kurse, Hoxha gjirokastritin pejgamber ,sepse kështjellën e rezistencës së Gegnisë,të ndërtuar me djersë e gjak nga Buzuku, Bardhi, Bogdani, Budi, Veqilharxhi, Pashko Vasa, Mjeda, Fishta e Migjeni etj, e kishte bërë rrafsh me tokë, nga frika që pasardhësit e tyre po e lidhnin Arbanin me Vatikanin dhe Perëndimin.
Llugaliu si bir i traditës kësaj çmendurie paranoiake i kundërvihet me vargjet revoltë të Migjenit”: Oh, si s’ po kam një grusht të fuqishëm Malit( diktaturës) që vret mu në zemër me ia ngjesh”.
Më 10 nëntor të vitit 1976, nën pretekstin e “ Agjitacion e propagandë” Llugaliu u arrestua dhe u dënua me 14- vjet burgim të rëndë.
Arrestimit të tij i parapriu spiunimi i një “kolegu “në ekskursionin me nxënës në Pllajën e Valmorit.
Ai e kishte provokuar mësueses Ymerin,duke i thënë : – Or kosovar si të duket Valmori ?…
Ymeri, modest dhe pa u mburrur këtij të shituri që ishte si gacë e mbuluar me shumë shtresa shpuze iu kishte përgjigjur:” Valmori është i bukur, ama shumëfish më e bukur është Fusha e Kosovës”.
Të nesërmen “kolegu “i tij, një kuisling që regjimi diktatorial e kishte bërë rregëzinë, duke sajuar edhe njëqind gënjeshtra të tjera, raporton tek padronët e tij të Sigurimit të Shtetit.
Pastaj, ata bëjnë atë që s’ kishte arritur ta bëj vëllai i tyre ideologjik Zhikica Jovanoviq. Llugaliun e mbyllin në burgun e Spaçit . Atje i ballafaquar çdoherë me uri dhe etje detyrohet që të kryejë punët më të rënda fizike.
Pas daljes nga burgu rehabilitimin e tij dhe avancimin në pozita, diktatorët gardianë të ferrit të kuq komunist e kushtëzojnë me kërkesën që ai me shkrimet e tij të glorifikoj Kryediktatorin, duke i thurur në të njëjtën kohë elozhe edhe kolektivizimit të vendit, që ishte kthyer në varr të hapur të shqiptarëve.
Llugaliu guximtar dhe frontal, siç janë zakonisht malësorët kësaj oferte i bën refuzim të dyfishtë, jo për mungesë talenti, por nuk donte me u bë në asnjë mënyrë nallban për me mbath kuaj të xhelatëve komunistë, të cilët gjatë 50 vjetëve- shekuj, likuiduan figurat më të ndritura të kombit tonë.
Pas këtij refuzimi atij gojën ia mbyllin e lapsin ia kthejnë në kazmë, duke e izoluar dhe internuar në zona të thella malore, ku 19- vjet rresht, nuk i lejohet kontakti me njeri.
Atë ushqim të paktë dhe pagrimë shije të shumtën e herëve ia hidhnin nëpër sportelet e thurura me thupra hekuri sikur luanit në kafaz.
Edhe pse ishte me qafë nën shpatën e Demokleut, alias Diktatorit, Enver Hoxha, më 13 gusht të vitit 1983,ai bëhet shembull guximi dhe besnikërie. Me katër- pesë shokë e bënë varrosjen e disidentes së parë Shqiptare, Musine Kokalari, e cila kishte vdekur në vetmi dhe vuajtje të paimagjinueshme, në një kasolle të Rrëshenit .
Pas përmbysjes së Diktaturës, Llugaliu, më1992, një ditë të vonuar pranvere kthehet në vendlindje, ku e kishte lënë të ndryme rininë e tij të hershme.
Atij i bëhet pritje madhështore. Surkishi ato ditë ishte vend pelegrinazhi, i të gjithë llapjanëve.
Pushtuesit serbë që ishin instaluar në hyrje të këtij fshati me të kuptuar se Llugaliu, ishte kthyer në Dardani, në tokën e të parëve të tij, e arrestojë dhe ia plaçkitin të gjitha peshqeshet, dhe të hollat e dhuruara nga familjarë, shokë e miq.
Pas katër- pesë ditëve e dëbojnë matanë kufirit të vendosur me dhunë e gjak. Llugaliu që ishte flijuar për Shqipërinë Etnike, shkon në Elbasan, ku fillon punën e mësimdhënësit të Gjuhës Gjermane në shkollën e Mesme të Gjuhëve të huaja.
Ymer llugaliu ishte një poliglot i vërtetë . Ai i fliste pa kurrfarë theksi dhe i shkruante gjermanishten,anglishten,frëngjishten,italishten,serbo-kroatishten etj.
Disa vite radhas pas lirimit nga burgu punoi edhe si mësimdhënës i gjermanishtes dhe anglishtes në të dyja anët e Atdheut.
Ai po ashtu kontribuoi në të gjitha Lëvizjet për liri dhe demokraci të Shqipërisë. Më gjithë ferrin e përjetuar Llugaliu, pedagog dhe krijues më 1993, e boton në “Euro-rilindja” Tiranë, librin me poezi, “Luani i Prishtinës”.
Pas këtij libri ai ka botuar edhe shtatë- tetë libra të tjerë me temë nga historia, kultura dhe gjuhësia.
Sidomos vëmendjen e atyre që studiojnë Gjuhën shqipe, e kanë zgjuar librat me analiza të ngjeshura nga Fonetika, Morfologjia dhe Sintaksa” Gjuhësi e letrarizueme” dhe ai “ Ma i lashti dhe ma i riu”
Llugaliu, fondin e tij krijues e pasuron edhe me fejtone të shumta të botuara në Gazetat e ditës dhe ato javore në Shqipëri e Kosovë.
Po ashtu është më rëndësi të theksohet që ai më 2005, pati botuar studimin dygjuhësor shqip- anglisht “Pretendimet serbe rreth Kosovës dhe realiteti kosovar”. “ Serbian claims about Kosova and kosovarian reality “.
Llugaliu, ka lënë në dorëshkrim edhe disa tema nga fusha e Gramatikës së Gjuhës shqipe, dhe diku mbi 300 poezi, të cilat kohë pas kohe botohen, post-mortem nga Skënder dhe Elida Buçpapaj, krijues dhe pronarë të platformës mediatike “Voal.ch”
Mirditorët edhe pse ka kaluar gjysmëshekulli ndihen krenar me ish- mësuesin e tyre të dalluar Ymer Adem Llugaliu.
Ata të nxitur nga respekti i pakufishëm ndaj tij, më 24 nëntor të vitit 2019, në mënyrë të organizuar e patën vizituar atë, në fshatin e tij të lindjes Surkish të Podujevës.
Më 7 mars të vitit 2020,ngjashëm me shokët e tij, pati vepruar dhe politikologu e publicisti i njohur Luan Rama, i cili Ymerin e kishte 7-8 muaj, arsimtar të Gjuhës shqipe, në 8-vjeçarën e Rrëshenit.
Llugaliu ,takimin me ish-nxënësit e tij mirditorë e vlerësonte lart duke thënë: Unë në moshë të shtyrë u lirova nga burgu, dhe s’mund ta ktheja dot rininë e humbur. Meqë jam i pa trashëgimtar ish-nxënësit dhe nxënëset e mia, i konsideroi fëmijë të mi.
Vizita e tyre do të m’i shtyjë edhe nja dy-tri vite të jetës. Llugaliu në çdo bisedë thoshte: shkova në tokën pellazgo-ilire me marr krah. M’i vunë prangat në këmbë e duar dhe drynin në buzë.”
Veç kësaj së bashku me mua e pranguan edhe Mirditën, duke i vrarë e burgosur malësorët trima dhe bukëdhënës të kësaj krahine, që asnjëherë nuk u gjunjëzuan, nga pushtimet e huaja, e as nga shpata e Kalifit të pashpirt Enver Hoxha.
Mirditorët duke pasur konsideratë të veçantë ndaj figurës dhe veprës së Ymer Llugaliut, kanë marrë iniciativa që një nga shkollat apo sheshet e Mirditës, të mbaj emrin e ish-mësuesit dhe edukatorit të tyre, nga rajoni i Llapit të Kosovës.
Mendojmë që të njëjtin hap duhet ta bëjë edhe komuna e Podujevës, në shkollat e së cilës Ymer Llugaliu, dha një kontribut të jashtëzakonshëm, qoftë si këshilltar pedagogjik, qoftë si mësimdhënës.