IZTOK TORY 1947–2025
Me rastin e ndarjes nga jeta të gazetarit dhe regjisorit të mirënjohur slloven Iztok Tory, Shoqata BISHZ në Solothurn të Zvicrës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, shokëve, miqve dhe kolegëve të tij, të Radio Televizionit Slloven.
Ata që patën nderin ta njohin dhe të punojnë me të ndjerin Iztok Tory, thonë se ai ishte shok dhe mik me tipare të njeriut të ndershëm dhe punëtori të dalluar. Vlen të theksohet se Tory një kohë kreu edhe detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Radiotelevizionit të Republikës së Sllovenisë.
I ndjeri Iztok Tory, gjatë kohës kur punoi si gazetar dhe regjisor në Radio Televizionin Slloven, u veçua me sjelljet e mira dhe përkushtimin në punë. Ai, me pedantërinë, precizitetin dhe guximin e pashoq, la gjurmë të pashlyeshme.
Ne që jetonim në Kosovë, me të ndjerin Iztok Tory u njohëm në vitin 1989, kur 1300 minatorë të Trepçës dhe minierave të tjera të Kosovës qëndruan të ngujuar në galeritë e thella të Stantërgut, në mbrojtje të Kushtetutshmërisë së Kosovës, të cilën Serbia e suprimoi me kërbaç e tanke.
Në këtë kohë nga më të rëndat të historisë së Kosovës, me minatorët shqiptarë u solidarizua edhe Iztok Tory – humanist i madh dhe burrë trim. Iztok Tory, aq sa zgjati golgota e minatorëve të Trepçës në Stantërg të Mitrovicës, qëndroi së bashku me ta, i ngujuar në thellësitë mbi 1 mijë metra të nëntokës.
Me këtë rast u vërtetua humanizmi dhe guximi i tij i pashoq në mbrojtje të së vërtetës. Ai jo vetëm që vuajti së bashku me minatorët, por gjithë këtë dramë – sa tragjike aq edhe krenare – e xhiroi të tërën, duke sensibilizuar opinionin brenda ish-Jugosllavisë dhe atë ndërkombëtar.
Andaj, vdekja e tij në mbarë Kosovën dhe në Diasporën shqiptare është pritur me dhembje dhe pikëllim të thellë.
Iztok Tory ka lënë pas vetes një krijimtari shumëdimensionale si gazetar dhe regjisor. Ai, si një kundërshtar i deklaruar i regjimit të Slobodan Milosheviqit, ka regjistruar ngjarje të shumta në të gjitha hapësirat e ish-Jugosllavisë.
Ne shqiptarët e Kosovës, duke çmuar guximin dhe humanizmin e tij të pakufizuar, do ta kujtojmë përherë si njeriun që u ballafaqua me vdekjen, vetëm e vetëm për ta nxjerrë në dritë tragjedinë e minatorëve tanë.
Ai, i prekur me gjendjen e minatorëve, këtë dramë të paparë e quante turp të ish-Jugosllavisë dhe ndërgjegje të vrarë të Bashkësisë Ndërkombëtare.
Shpirti i dëlirë dhe human i mikut tonë të madh, Iztok Tory, u prehtë në paqe dhe qetësi!’
Shoqata BISHZ në Solothurn të Zvicrës, Kryetar, Abas Fejzullahi