Zeqir Bekolli
Si informon portali, “Sot news”, banorë të fshatit Muçibabë të Anamoravës paskan ngritur krye ndaj heroit tonë Idriz Seferit, duke e dëmtuar skulpturësn e tij me motivin se ai paska qenë katolik!?
Një veprim i tillë, jo vetëm që nuk duhet të kaloi pa u ndëshkruar, por përbën edhe një sinjal të qartë se deri ku ka arritur ekstremizmi islam, që siç po duket për objektiv ka rënimin e kulturës, traditës, gjuhës, identitetit dhe historisë sonë.
Nuk është ky i vetmi rast, që ky ekstrem ngre krye. Janë të njohura rastet e Prizrenit, Kaçanikut e tash edhe ky i Muçibabës, ku atakohen simbole e figura të rëndësishme kombëtare, siç është flamuri kombëtar, figurat si Skënderbeu, Shën Tereza e së fundi edhe heroi Idriz Seferi . Përballë të gjithave këtyre nuk shohim ndonjë reagim të BIK-ut, ndaj këtyre veprimeve dhe urrejtjes ndërfetare, që është e sanksionuar edhe me ligj, si vepër penale. Ka ndodhur që atakime ka pasur edhe nëpër institucione, ku janë hequr portretet e Skënderbeut dhe Shën Terezës, si pasojë e indoktrinimit fetar. Prandaj, është kohë e fundit, që institucionet e sigurisë së Kosovës dhe vet Qeveria e Kuvendi t’i ndërmarrin hapat për t’ua ndaluar rrugën këtyre veprimeve edhe nëpërmjet ndëshkimeve ligjore. Pos kësaj, edhe institucionet arsimore, qoftë Ministria e Arsimit, qoftë shkollat e prindërit të përqendrojnë vëmendjen në edukimin kombëtar të fëmijëve,nxënësve e studentëve në mënyrë që të mos ndodhin raste të tilla ekstreme. Pos kësaj, nevojiten reagime edhe nga shoqëria civile, se ndryshe pasojat nesër mund të jenë edhe më të mëdha.
Armiku ynë, dje, vrau, dogji, dhe ushtroi gjenocid ndaj njeriut tonë, ndaj arsimit historisë, identitetit dhe traditës. Kësaj rruge është duke shkuar edhe ekstremi fetar, i njohur si Islami politik i cili siç po shihet ndjek strategjinë serbe për të përdhosur çdo gjë që është shqiptare!