Ne nuk jemi më ata që ishim dje,
në prehër mbanim maçokë e zogj të plagosur,
fatin e të cilëve e lidhnim me tonin
*
Qiejt xixëllonin yjësi të pafundme,
që rrëmbimthi tërhiqnin brenda tyre
dëshirat që shprehnim symbyllur
*
Ne dikur jetonim për njëri tjetrin,
*
Vetja ishte tjetri,
miku më i mirë,
fqinji që zëvendësonte nënën kur nuk ishte
*
Rruga dëgjonte zëra,
harè lojrash, këngësh,
zhgënjime rinore, sekrete dashurie
*
Pastaj … papritur bota u bë vetja,
Nevoja e dhimbshme për të humbur rrënjët,
për të fituar liri që sjell me vete …vetmi
*
Rrugët u zgjatën mijëra kilometra,
zogjtë e plagosur në prehër u kthyen
në avionë që transportojnë lot, mall, ëndrra
*
Në prehër mbajmë valixhe,
në xhepra letra e dokumente në gjuhë të huaj
që shpërfaqin horizonte të ftohta ardhmërie.
*
Në shpirt lamtumirat vulosur si tatuazhe
për të mbuluar plagët,
plagët që dikur përskuqnin gjunjët, bërrylat,
por jo shpirtin, si sot…