V.Thaçi / RTKlive & E. Osmani/RTK
Në 34-vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, në Podujevë u përurua shtatorja e ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, familja e presidentit historik Ibrahim Rugova, ministra, deputetë, kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi e shumë qytetarë janë bashkuar në sheshin e qytetit të Podujevës, në zbulimin e Shtatores.
Presidentja Vjosa Osmani në këtë ceremoni tha se Rugova ishte njeri i dijes, shpresës, udhëheqës i madh e vizionar i pashoq.
“Në ditët më të errëta të historisë sonë ai qëndroi i palëkundur me vizionin e tij të pavarësisë. Në ditët më të errëta ai dëshmoi se forca e kombit tonë është përbashkimi dhe vullneti i pathyeshëm për liri, paqe, demokraci dhe pavarësi”, tha Osmani.
Ajo tha se Rugova ndërtoi ura besimi me liderët anembanë globit, që janë bërë shtylla që qëndron shteti ynë.
Osmani tha se shtatorja e Rugovës duhet të shërbejë si kujtesë për një Kosovë që nderon, ruan e kultivon aleancat me miq dhe përqafon të ardhmen me të njëjtën forcë shpirtërore të cilën e mishëroi presidenti Rugova.
Ndërsa ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, vlerësoi lart figurën e ish-presidentit Rugova, duke thënë se “vizioni i tij i qartë, mençuria, thellësia e mendimit, këmbëngulja në parime e sidomos besimi e dashuria që populli i Kosovës nuk ia kursyen as pas luftës, e shpëtoi vendin tonë nga një vorbull e rrezikshme e nga rivalitet i egër politik i cili rrezikonte të zhbënte Kosovën prapë edhe pasi kishte fituar liria”.
Kurse ish-presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se po inaugurohet shtatorja e prijësit që udhëhoqi rrugën e lirisë dhe pavarësisë.
“Nën udhëheqjen e tij projekti për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës mbështetur mbi parimet e mëdha të cilat ishin edhe parime të Lidhjes Demokratike të Kosovës të cilën e udhëhoqi, e që ishin liri, pavarësi dhe demokraci, arriti të krijojë mirëkuptimin e gjithë botës demokratike dhe të qytetëruar”, tha Sejdiu.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se “ky monument që tani do të qëndrojë në parkun e qytetit të Podujevës, është një përkujtim i përjetshëm, për njeriun që me urtësi, qëndresë dhe vizion e udhëhoqi Kosovën drejt lirisë dhe pavarësisë”.
E djali i presidentit Ibrahim Rugova, Ukë Rugova, ka falënderuar Komunën e Podujevës për financimin e kësaj shtatoreje. “Zoti le të vazhdojë ta bekojë Republikën e Kosovës dhe popullin e saj të mrkullueshëm bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkësinë Evropiane”, ka thënë Rugova.