ARKIVI:
18 Nëntor 2024

Në Prishtinë ekspozitë kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeu

Shkrime relevante

Broçkullat e Albin Kurtit, trimërim për neootomanët…!

Belisar Jezerci, historian ____ Deklaratat e kryeministrit Kurti në medrese "Alauddin" në Prishtinë,...

O Stano, zëdhënësi i Serbisë, Kosovës nuk ka çka t’i duhet integrimi europian “me Serbi” brenda saj!

Gani I. Memeti Zëdhënësi i BE-së ka thënë se çështja e institucioneve...

Lirim Mhehmetaj dhe fjalori i tij trashaman…!

Afrim Caka, Gjakovë ___ …SE MOS E KA PARË DIKUSH TË JETË SKUQUR...

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Shpërndaj

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

“Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve”

Javën që kaloi mësuam se si Shqipëria zyrtare ka arritur kulmin me ofendimet më të shëmtuara që një shtet mund t’i bëjë një heroi të vetë kombëtar me trajtimin ose më mirë të themi keq-trajtimin, gjatë disa viteve të fundit, qeveria dhe shteti shqiptar Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skënderbe dhe kujtimit të tij historik.  Frank Shkreli: Monumenti i Heroit Kombëtar në Lezhë kthehet në nevojtore Gazeta Telegraf

– Shkoni në Lezhë dhe shikoni për veten tuaj se në çfarë gjëndje është mjedisi ku është varrosur themeltari i Kombit! Kur sheh se në ç’gjendje është sot vendvarrimi i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skënderbe, lind pyetja nëse ka shqiptarë mbi tokë dhe nëqoftëse ka, atëherë gjasa është se janë çoroditur, se përndryshe është vështirë të justifikohet gjëndja e mjerueshme e krijuar, aktualisht, në vendvarrimin e Skënderbeut në Lezhë. Por megjithë këtë klasë politike anti-kombëtare të ditëve të sotme, e cila me absurditetin e saj qeverisës, po çoroditë identitetin, kulturën dhe historinë e shqiptarëve para botës. Por, Kombi shqiptar gjithmonë nxjerrë nga gjiri i vet bijë dhe bija, që me krenarinë e tyre për Skënderbeun, për historinë dhe për identitetin iliro-arbëror mijëravjeçar të shqiptarëve, mundohen të mbajnë dhe të ruajnë për brezat e ardhëshëm të kombit dhe për botën e qytetëruar këtë histori dhe identitet kombëtar që shqiptarëve ua la amanet, Gjergj Kastrioti – Skenderbe. Të gjithë shqiptarët nuk janë të çoroditur, siç është klasa politike e ditëve tona, as në Atdhe as në diasporë, kur vjen fjala për ruajtjen dhe promovimin e historisë dhe të identitetit kombëtar, për të ruajtur dhe respektuar kujtimin e Kryetrimit të Kombit. Anë e mbanë botës si dhe në radhët e diasporës shqiptare po shtohet respekti për Gjergj Kastriotin dhe për kontributin e tij, ndërkohë që rritet numri i monumenteve dhe portreteve kushtuar Heroit të Shqiptarëve dhe shpëtimtarit të Evropës: ngritur në kontinentin e vjetër dhe në Amerikë.

Megjithë gjëndjen e mjerueshme të vendvarrimit të Skënderbeut në Lezhë, ka ende atdhetarë që Gjergj Kastriotin – Skënderbe e kanë në mend e në zemër, ndërsa e kujtojnë atë me nder, krenari dhe dashuri, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Me përmendore dhe portrete dhe vepra akademiko-artistike siç është “Ekspozita e Portreteve të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbe”, e hapur ditët e fundit në Prishtinë e deri tek ndërtimi i monumenteve madhështore të përmendoreve dhe portreteve të “Pa-Përsëritshmit të Kombit Shqiptar” në vende të ndryshme të botës. Një pjesë e madhe e këtij respekti për Skënderbeun po shfaqet jashtë Shqipërisë – ndërkohë që në Shqipëri, hedhja në harresë, trajtimi i keq dhe ofendimet, që i bëhen Skënderbeut, për fat të keq, të nxitura edhe nga orekset nacionaliste të pushtuesve shekullorë të Kombit, që po e detyrojnë edhe njëherë Gjergj Kastriotin dhe familjen e tij të pakën shpirtërisht – ashtu si dikur, të “marrë rrugën e mërgimit”, duke u vendosur në dhena të huaja, atje ku siç duket ia dinë më shumë vlerat dhe kontributin e tij për Kombin shqiptar dhe për njerëzimin.

Atje larg Atdheut të tij, në Evropë dhe në Amerikë, ku historikisht, Skënderbeu është respektuar dhe vazhdon të adhurohet dhe të respekohet më shumë së në vendlindjen e tij, sot. Para disa ditësh, botova një shkrim modest me të cilin u përpoqa të demaskoj Tiranën zyrtare, përfshirë Ministrinë e Kulturës dhe qeverinë shqiptare, për gjëndjen e mjerueshme në të cilën gjëndet monumenti i Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti -Skenderbeu, në Lezhë. Një gjëndje aspak e denjë për një komb! Një gjëndje që zbulon fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie dhe të interesave të saja dhe të “përparësive” kulturore dhe kombëtare të saj kundër mbrojtjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve.

Përballë kësaj situate të mjerueshme në të cilin gjëndet monumenti i Skënderbeut me rrethinë në Lezhë, që mua dhe shumë të tjerëve na shkaktoi dhimbje dhe zemërim kur e pamë lexova lajmin e mirë nga Prishtina për një ekzpozitë në Galerinë Kombëtare të Kosovës me titull: “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve”, të mbledhura e të ekspozuara nga artisti shqiptar Luan Tashi, me kurator Remzi Hasanin. U gëzova kur e mora vesh lajmin. Prandaj po e ndaj me ju këtë lajm të mirë për ekspozitën “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve”, në Galerinë Kombëtare të Kosovës, e hapur për vizitorët dhe adhuruesit e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, nga 8 shkurti deri më 8 mars, 2022: si një shenjë se megjithë gjendjen e mjerueshme të “ansamblit arkeologjik” tek vendvarrimi i Skënderbeut në Lezhë, ka ende shqiptarë, që e nderojnë dhe kujtojnë Krye-Heroin e shqiptarëve. Unë nuk kam qenë tek shtëpia e diktatorit komunist Enver Hoxhës në Gjirokastër, por më kanë thënë se mbahet më mirë se vendvarrimi i Skënderbeut në Lezhë, ashtu si mbahen më mirë edhe shumë “monumente të tjera kulture”, në krahasim me vendvarrimin e Skënderbeut. E turpshme, por e vërtetë. Në njoftimin për hapjen e eskpozitës në Prishtinë nga Galeria Kombëtare e Republikës së Kosovës, thuhet se pas hulumtimeve shumë vjeçare të portreteve të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu nga Prof. Luan Tashi në ekspozitën e titulluar: “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve”, janë të ekspozuara 65 vepra nga artistë evropianë dhe shqiptarë, përfshirë dorëshkrime, vula, gravura, litografi, piktura, skulptura, mozaikë, monedha, medalje dhe pulla postare etj. Në njoftim thuhet gjithashtu se, për herë të parë, vizitorët e Galerisë Kombëtare të Kosovës do të kenë mundësinë të shohin veprat artistike me një cilësi shumë të lartë, si portretin e parë të Skenderbeut, 13 vite para vdekjes së tij, të skalitur në gurë nga skulptori dhe arkitekti shqiptar Andrea Aleksi, (lat.) Andreas Alexius të vitit 1445, e deri tek monumenti madhështor i Skenderbeut të skulptorit shqiptar Bujar Vani të vitit 2022, thuhet në njoftimin e Galerisë Kombëtare të Republikës së Kosovës.

Me rastin e hapjes së ekspozitës me 8 shkurt, artisti dhe autori Luan Tashi u shpreh se ekspozita e ka bazën në librin që ai ka botuar në vitin 2018, në lidhje me këtë subjekt dhe me rastin e 550- vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, kështu që kjo është një vazhdimësi e hulumtimeve, që janë bërë shumë vite më parë.

“Këtu i kemi të paraqitura 67 artefakte”, -tha ai, duke nënvijuar se, “kur them artefakte nuk janë vetëm piktura, janë edhe shumë gjëra të tjera. Këtu i kemi ndarë në gjashtë cikle, një në pjesën e dorëshkrimeve të Skënderbeut; cikli i dytë janë dy vula, të cilat janë marrë në arkivin shtetëror të Dubrovnikut në Kroaci, kemi pjesën e portreteve të Skënderbeut para vdekjes, kemi vitin 1465, 1455, 1466, kemi disa para vdekjes, kemi përkrenaren, një replikë të përkrenares, kemi hartën e Paretës të vitit 1455”, e tjera, tha hulumtuesi dhe artisti Luan Tushi.

Gazetarë të disa mediave, që mbuluan hapjen e ekspozitës në Galerinë Kombëtare të Republikës së Kosovës, javën që kloi. Në kronikat e tyre pasqyruan edhe përshëndetjet e disa folësve, me atë rast. Njëri prej tyre, Mons Dr. Lush Gjergji, e cilësoi Gjergj Kastriotin – Skënderbe si “Moisiu Arbëror” duke thënë se ekspozita kushtuar Heroit Kombëtar duhet të prekë thellë ndërgjegjen e shqiptarëve kudo dhe shtoi: “Skënderbeu është Moisiu arbëror, i cili edhe pas 554 vjetëve ai jeton nё kujtesën jo vetëm tё popullit shqiptar, por edhe tё atij evropian e mё gjerё. Kemi shumë elemente e dimensione historike dhe aktuale te jetës e veprës së tij. Figura e Gjergjit zgjon shumë mendime, vlerësime, shqyrtime, këndvështrime deri edhe tek diskutimet e kundërshtimet. Kjo dëshmon bindshëm se aktualiteti i tij vazhdon të jetë sfidë për çdo njeri të vullnetit e zemrës sё mirё, e sidomos për ne, dikur ilirë në kohën e tij, pastaj arbëror, e sot shqiptar. Ai, popullit tonë ia ktheu dinjitetin dhe personalitetin, ia ktheu lirinë e pavarësinë duke përmirësuar gabime të shumta të dinastive apo principatave tona të ndara e të përçara. Heroi ynë kombëtar arriti t’i bindë arbërorët, se vetëm të vëllazëruar e të bashkuar, mund të jetojmë dhe mbijetojmë. Besëlidhja e Lezhës, akti kulmor i artit dhe strategjisë së vizionit të Skënderbeut, vuri gurthemelin për shtetin arbëror me një kohezion dhe bashkëpunim në çdo kuptim dhe drejtim për formimin e binomit të rëndësishëm, ‘shtet dhe komb’, ka theksuar Dr. Lush Gjergji. Ndërsa një folëse tjetër, Profesoresha Jalldez Asani nga Maqedonia e Veriut, citohet nga media të jetë shprehur se aq sa ka qenë një figurë historike, Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, po aq është edhe një figurë artistike, andaj dhe jo, rastësisht, edhe Heroi Kombëtar i shqiptarëve ka frymëzuar një numër të madh krijuesish nga vendi dhe bota, ku figura e tij në vazhdimësi, ka qenë objekt trajtimi, jo vetëm i historianëve, por edhe i letërsisë, filmit, dramës, muzikës, poetëve, por edhe i arteve vizuale, ka thënë Profesoresha Asani. Përballë pesimizmit të shprehur në shkrimin Frank Shkreli: Monumenti i Heroit Kombëtar në Lezhë kthehet në nevojtore | Gazeta Telegraf – në fillim të këtij muaji, për gjëndjen e mjerueshme rreth vendvarrimit të Skënderbeut në Lezhë dhe për moskujdesjen nga ana e enteve kompetente zyrtare të Republikës së Shqipërisë për Heroin Kombëtar të shqiptarëve.

Ekspozita e “Portreteve të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbe”, e hapur për një muaj në Galerinë Kombëtare të Republikës së Kosovës në Prishtinë na jep optimizëm dhe shpresë se të  gjitha nuk janë humbur, sa i përket kujtimit, nderimit e respektit për Skënderbeun në trojet shqiptare. Kjo ekspozitë në Kosovë e portreteve të Skënderbeut ndër shekuj si dhe ngritja e disa monumenteve dhe busteve të Skënderbeut anë e mbanë botës, na bën sadopak të besojmë dhe të bindemi në veten tonë, se të “Tharmet arbënore nuk janë tha, se gjaku ynë gjithnjë përmban në vete cilësi këndndjellëse e përtëritëse, se Hyu s’na ka harrue, madje Ai ashtë gati të na ngjesi dorën për derisa prej zemrave tona vërvitet përpjetë flaka e vëllaznimit…”. (Ernest Koliqi, me rastin e kremtimeve kastrotiane, në 500-vjetorin e Skënderbeut, 1968). Urime autorit Luan Tashi dhe Galerisë Kombëtare të Kosovës që me ekspozitën, “Portrete të Skënderbeut Gjatë shekujve”, sadopak, na i rriti burimet e shpresës dhe optimizmit se shqiptarët, në trojet e veta dhe anë e mbanë botës do të ruajnë, me besnikëri ndër shekuj me qëllim që kujtimi dhe roli historik i Heroit Kombëtar, Gjergj -Kastrioti Skenderbe, të ngulitet njëherë e përgjithmonë në zemrat dhe shpirtin e të gjithë brezave të ardhshëm të shqiptarëve kudo qofshin ata.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu