ARKIVI:
23 Dhjetor 2024

Në shenjë kujtimi me rastin e ndarjes nga jeta të Prof.Dr. Abdullah Karjagdiut, atdhetarit dhe intelektualit bashkëkohor

Shkrime relevante

Zëri i ndërgjegjës kombëtare thërret për ndryshim!

Shqiptarë të Plavës dikur..., para se pasardhësit e tyre të bëheshin...

Ja si mund të duket Anglia e bukur, e së ardhmes…!

Jorgo Mandili 21 dhjetor 2024 ___ Britania ishte përpara të gjitha vendeve perëndimore në...

Si i dëboi UÇK-ja hoxhëllarët dhe predikuesit e fesë islame nga frontet e luftës

Luan Dibrani, Gjermani ___ Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e...

Interesat kombëtare të Kosovës, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe konteksti më i gjerë gjeopolitik

Agim Vuniqi, New York ___ Roli i Shqipërisë dhe deklaratat e kryeministrit Rama Fjala...

Shpërndaj

Nga: Nuhi Bytyçi, Prishtinë

Lajmi për ndarjen nga jeta të Prof.Dr. Abdullah Karjagdiut vertetë më tronditi thellë. E kisha njohur qysh në kohën kur isha gazetar i ri në TV e Prishtinës dhe kur ai, përveç punës në Universitetin e Prishtinës bashkëpunonte edhe me TV e Prishtinës, duke përkthyer filmat më të njohur të kinematografisë botërore. Mund të them se ishte profesor, edukator i mirë, përkthyes i përkryer, intelektual në kuptimin e plotë të fjalës dhe atdhetar. Në vitet 90-ta kur Kosova ishte e tëra nën masa të dhunës e të terrorit shtetëror serb, Abdullah Karjagdiu si nënkryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane iu shkroi letra liderëve të shteteve më të fuqishme perëndimore, duke i informuar lidhur me pozitën e rëndë të popullit shqiptar në Kosovë e në ish-Jugosllavi. Ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në botë, sidomos përmes takimeve të drejtpërdrejta me diplomatët evropianë e amerikanë dhe komunikimeve tjera.

Kam pasur rastin e nderin që të bashkëpunoj një kohë të gjatë me Prof. Dr. Abdullah Karjagdiun si bashkëveprimtar politik dhe si gazetar. Ruaj kujtimet më të mira për të si mik dhe njeri shumë i afërt, komunikativ, përherë bashkëpunues, si intelektual i ideve të shumta për projekte të reja në interes të Kosovës dhe kombit. Me këtë rast po i veçoj vetëm disa momente të bashkëpunimit me Prof. Abdullahun. Në cilësinë e anëtarit të kryesisë së Partisë Shqiptare Demokistriane të Kosovës, në qershor të vitit 1991 bashkë me Kryetarin e kësaj partie Lazër Krasniqin dhe nënkryetarin Abdullah Karjagdiun, kemi marrë pjesë në një Konferencë të organizuar nga Unioni Demokristian Evropian, e cila është mbajtur në ambientet e Akademisë Diplomatike në Vjenë. Më kujtohet komunikimi shumë i përzemërt i Profesor Abdullahut me Thomas Jansen, sekretar i përgjithshëm i Unionit Demokristian të Evropës dhe Andreas Kohl, drejtor i Akademisë Diplomatike të Austrisë e sekretar ekzekutiv i Unionit Demokratik Evropian. Ai para zyrtarëve të lartë të demokristianëve evopianë në mënyrë të argumentuar paraqiti gjendjen e atëhershme të vështirë në Kosovë, duke kërkuar ndërmarrjen e masave urgjente të bashkësisë ndërkombëtare kundër Serbisë dhe mbështetjen e vullnetit të popullit të Kosovës për liri e pavarësi. Po ashtu bashkë me Lazër Krasniqin, Abdullah Karjagdiun dhe Umberto Bytyçin kemi marrë pjesë në një Konferencë të Unionit të Partive Demokristiane të Evropës që u mbajt në Bratisllavë të Sllovakisë. Me Prof. Abdullahun u morëm vesh si ta prezantojmë gjendjen në Kosovë, e sidomos me dhunën ndaj intelektualëve, punëtorëve, arsimtarëve, gazetarëve dhe të popullit në përgjithësi.

Prof. Abdullahu e informoi Kryesinë e Konferencës së Unionit Demokristian Evropian edhe për ndalimin tim nga policia serbe në tren gjatë udhëtimit në Bratisllavë si dhe për kërcënimet e policisë serbe ndaj meje dhe shumë veprimtarëve politikë shqiptarë.
Gjatë aktiviteteve të Kryesisë së PShDK-së një delegacioni të kësaj partie kryesuar nga kryetari Lazër Krasniqi, në përbërje të cilit ishin edhe Abdullah Karjagdiu, Umberto Bytyçi, Pjetër Rrapi, Ymer Jaka, Luigj Serreçi, Shefki Gashi dhe unë, më 25 prill të vitit 1993, morëm pjesë në ceremoninë solemne të vizitës së parë në Tiranë dhe në Kishën Katolike bë Shkodër të Papa Gjon Pali i Dytë (Karol Jozef Wojtyla 1) bashkë me Nënë Terezën (Shën Terezën). Edhe për ne ishte vizita e parë në shtetin amë. Natyrisht kishim emocione. Kishim vullnet të madh t’i shijonim bukuritë e tij, sidomos natyrën dhe sheshet e gjera. Të nesërmen paradite, ashtu si ishte paraparë, u nisëm për në takimin e parë zyrtar të aranzhuar me presidentin e shtetit shqiptar. Berisha na priti me nderimet më të larta të protokollit shtetëror.

Biseda në kabinetin e tij u zhvillua në një atmosferë shumë vëllazërore. Në ditët në vazhdim zhvilluam takime edhe me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Pjetër Arbnorin, kryeministrin Aleksandër Meksin, me kryetarin e Partisë Republikane, Sabri Godon, me kryetarin e Partisë Demokristiane të Shqipërisë, Zef Bushatin, me drejtues të Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike. E kemi vizituar edhe Radio Televizionin Shqiptar. Bashkë me Prof. Abdullahun dhe anëtarët e tjerë të Kryesisë së PSHDK-së në restorantin “Kruja” në Krujë kaluam darkuam dhe kaluam një mbrëmje të këndshme me disa miqë nga Shqipëria nën tingujt e orkestrës dhe të këngës popullore shqiptare të Gëzim Nikës. Vargjet e Naim Frashërit: “O ju malet e Shqipërisë, o ju lisat e gjatë, ju kam ndërmend ditë e natë…” dhe këngë të tjera, na bënë që të ndihemi se jemi në tokën tonë.

Me Prof. Abdullahun kam qenë edhe në disa vizita dhe takime me diplomatët amerikanë, me zyrtarët e Qeverisë dhe të Parlamentit të Zvicrës, të Gjermanisë, të Austrisë, të Belgjikës dhe të vendeve tjera evropiane. Ai përherë dinte ta sensibilizonte diplomatët dhe zyrtarët ndërkombëtare dhe të artikulonte kërkesat e drejta të popullit shqiptar të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci. Ndërsa, gjatë vitit 2020 dhe 2021 me Prof. Abdullahun kam pasur komunikim të shpeshtë, sidomos kontakte të drejtpërdrejta shumë të përzemërta. Bashkë me djalin e tij Prof. Lirakun dhe vajzën e Prof. Gazmend Zajmit – Lyrën më ka ndihmuar shumë gjatë përgatitjes dhe realizimit të filmit dokumentar kushtuar Akademik Gazmend Zajmit, të cilin ai e ka pasur shok të ngushtë të fëmijërisë dhe më vonë edhe bashkëpunëtor në Universitetin e Prishtinës. Gjatë realizimit të intervistës me të për këtë dokumentar, duke rrëfyer për kujtimet e tij për Akademik Gazmend Zajmin, shokun e fëmijërisë, të studimeve dhe si profesor dhe rektor i Universitetit të Prishtinës, Prof. Abdullahu kishte emocione të mëdha. E ndiente peshën e përgjegjësisë për të folur për jetën dhe veprimtarinë edukative, politike dhe shkencore të intelektualit të madh – Akademik Gazmend Zajmit. Disa herë shprehu emocionet që buronin nga zemra e tij fisnike, kurse për një moment i dolën edhe lotët. Ishte shumë kurreshtar që ta shihte dokumentarin e plotë për Gazmend Zajmin. Vazhdisht thoshte: „Gazmend Zajmi ishte intelektual i jashtëzakonshëm. Gazmend Zajm nuk bën më Nana!“ Kur i propozova Kryesisë së Kuvendit të Kosovës që më 2 korrik 2021 të mbahet mbledhje solemne e Kuvendit të Kosovës me rastin e 31-vjetorit të Deklaratës kushtetuese, në të cilën do të shfaqej edhe një fragment i dokumentarit „Projektuesi i subjektivitetit shtetëror të Kosovës“ kushtuar rolit të Akademik Gazmend Zajmit në hartimin e tekstit të Deklaratës kushtetuese të miratuar nga delegatët e Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990, Prof. Abdullahu e vlerësoi këtë si ngjarje tejet të rëndësishme. Me propozimin tim ai u ftua nga kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca si mysafir nderi në këtë mbledhje solemne të Kuvendit të Kosovës. Ishte tejet i entuziazmuar dhe ndër të parët erdhi për të marrë pjesë në këtë ngjarje historike, ku protagonist ishte shoku i tij i ngushtë – Gazmend Zajmi. Ishte shumë i kënaqur me përmbajtjen e dokumentarit dhe më përgëzoi përzemërsisht për realizimin e tij. Pas mbledhjes solemne, në hollin e Kuvendit bëmë edhe disa foto bashkë me Prof. Abdullahun, me vajzën e Gazmendit – Jehonën, vëllain e tij – Prof. Yllin, me kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufcën, me ish-kryetarin Ilaz Ramajlin dhe me disa nga ish-delegatët e Kuvendit të 2 korrikut 1990.

Veprat e Prof.Dr. Abdullah Karjagdiut nuk do të vdesin kurrë, por do të jenë shembull se si një intelektual i palodhur është i gatshëm përherë të punojë në interes të çështjes madhore. Lavdi Profesor Abdullah!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu