Nga: Jusuf BUXHOVI, historian dhe shkrimtar nga Prishtina
_______
Rëndësia e “Lidhjes Demokratike të Kosovës” si partia e parë politike shqiptare në ish Jugosllavi në procesin e shtetndërtimit të Kosovës, nuk mund të shihet jashtë rrethanave që sollën krizën e Jugosllavisë pas vdekjes së Titos si dhe proceset e tranzicionit që përfshiu vendet ish komuniste pas rënies së Murit të Berlinit në nëntor të vitit 1989, bashkimit të Gjermanisë, shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe rënies së detantit ku Jugosllavia për dyzet vjet qëndroi në zonën midis Perëndimit dhe Lindjes. Në këtë proces të kthesave të mëdha historike, duhet kuptuar drejt evolucionin e kërkesave politike të “Lidhjes Demokratike të Kosovës” për barazi të plotë në kuadër të federatës jugosllave, siç kërkohej në fillim me programin e aprovuar në Kuvendin Themelues më 23 dhjetor 1989 deri te kërkesa për shtet të pavarur, pas vendimit të Konferencës së Hagës të 20 gushtit 1991 kur Jugosllavia, në përputhje me Komisionin e Badinterit, u shpall në shpërbërje.
Por, evolucioni i kërkesave politike të LDK-së nga ato për barazi deri te shteti i pavarur, pikënisjen e ka të kërkesa për Republikën e Kosovës, që për herë të parë u manifestua në diskutimet për ndryshimet kushtetuese të vitit 1968 të organizuara nga kalasa e atëhershme politike dhe në demonstratat e studentëve që shpërthyen gjatë nëntorit të atij viti në shumë qytete të Kosovës për t’u përmbyllur më ato madhështore të 27 nëntorit në Prishtinë mbi të cilat pastaj do të ngriten thuajse të gjitha shqetësimet nga ato politike e deri te ato gjeostrategjike rreth fatit të Jugosllavisë pas Titos, si një barometër të raporteve të reja edhe në kuadër të sferave të interesit të përmasave botërore.
Në Gjermaninë kjo çështje zinte vend të rëndësishëm në debatet politike dhe ato mediale, meqë dyshohej se pas Titos do të kishte Jugosllavi të Titos, gjë që kjo mund të ndikonte që fryma e ndryshimeve që kishte filluar me Perestrojkën dhe Solidarnoscin në Lindje, në Jugosllavi, mund të merrte kah të kundërt, pra të një konflikti midis forcave reformuese dhe atyre unitariste të drejtuara nga serbët, të cilët jo vetëm që nuk do ta lejojnë avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në federatë, në nivel të republikës, por do ta rrënojnë atë, siç edhe ndodhi në marsin e vitit 1989.
Kështu, nga fillimi i vitit 1979 e deri në maj të vitit vijues, sëmundja e Titos do të bëhej çështje publike dhe, me të, në opinion legjitimitet do të fitojë edhe shqetësimi se çfarë do të bëhet me trashëgiminë e tij.
Televizioni, radioja dhe mbi të gjitha gazetat qendrore dhe revistat me autoritet si “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, “Die Zeit”, “Die Welt” dhe magazina “Der Spiegel”, secila rrihte telin në mënyrën e vet. E përbashkët e të gjithave megjithatë ishte se me vdekjen e Titos Jugosllavia nuk do të ishte më ajo që kishte qenë deri atëherë.
E përditshmja konzervative “Die Welt”, shihte të vetmen mundësi që Kosova të ngrihej në shkallën e republikës së barabartë me të tjerat dhe kjo të ndodhte para se Tito të vdiste. Nga faktori ndërkombëtar kërkohej që në këtë drejtim të ushtrojë ndikim ndaj Beogradit para se të bëhet vonë. Gazeta “Frankfurter Allgemeine”, me ndikim të madh te elita intelektuale e vendit, por edhe në hapësirën tjetër gjermanofolëse, përkrahte kursin e Kosovës republikë të barabartë me njësitë e tjera të federatës, por këtë e shihte të realizueshme jo më nga Tito, që ishte në shtratin e vdekjes, po nga faktori ndërkombëtar, i cili elitës jugosllave do t’ia shtronte dy kushte: ruajtjen e kursit të vetëqeverisjes socialiste dhe të marrjes së obligimit që menjëherë të iniciojë ndryshimet kushtetuese me anën e të cilave Kosovës duhet t’i jepet statusi i republikës së barabartë me të tjerët. Kërkohej po ashtu që konsensusi i udhëheqjes në federatë të precizohej ashtu që të përjashtojë çfarëdo përpjekjesh unitariste apo hegjemoniste.
Në këtë përvijim, megjithatë, Kosova dhe roli i saj i paraprogramuar për krizën jugosllave tashmë shihej qartë. Këtë, madje, do ta pranojë edhe bashkëpunëtori i vetëm besnik i Titos nga ditët e hershme të luftës për Jugosllavinë e tretë, Vladimir Bakariçi, anëtar i Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve nga Kroacia, ende me ndikim të madh, që po mos të ishte i moshuar dhe i sëmurë prej kohësh, sigurisht do të merrej si i vetmi që do të mund të merrte frerët e drejtimit të vendit për të ecur binarëve të Titos.
Shkas, që të flasë me një gjuhë fare të drejtpërdrejtë rreth kësaj çështjeje, do të paraqesë botimi i librit të analistit të njohur gjerman Karl Gustav Shtrëm “Jugosllawien one Tito” (Jugosllavia pa Titon), që doli nga shtypi nga mesi i vitit 1979, pra kur edhe botërisht nga ana e kreut politik dhe shtetëror të Jugosllavisë u pranua se Tito ishte i sëmurë dhe ishte çështje se kur do të shkonte. Shtrëm, publicist, i cili gjatë gjithë karrierës së tij si gazetar ishte marrë me Ballkanin dhe në fokus kishte pasur Jugosllavinë e pasluftës si dhe zhvillimet në të, kishte bërë një studim të gjatë, ndryshe nga ato të shumtat që ishin botuar për Titon dhe Jugosllavinë për vite të tëra në Gjermani, ku rëndom ishte përkrahur kursi i tij, duke u parë si një mundësi që socializmi megjithatë të mos jetë vetëm koncept ideologjik, por edhe zhvillimor i një modeli të ekonomisë liberale.
Meqë libri kishte zgjuar shumë kërshëri në Gjermani dhe përreth, po edhe në Jugosllavi prej nga reagimet gjermane përcilleshin me vëmendje, e majta gjermane në pushtet, e vetëdijshme se gjithnjë e më shumë po i zbeheshin atutë për vetëqeverisjen jugosllave si model të socializmit demokratik në botë dhe të ngjashme, sigurisht se kishte qenë e interesuar që librin e Shtrëmit ta çojë në nivelin e një debati të gjerë, ku do të përfshihej edhe ana jugosllave, veçmas ndonjëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Titos, që mund të thoshte diçka me peshë. Andaj, ishte shfrytëzuar rasti që promovimi të bëhej pikërisht kur njeriu më i besueshëm i Titos të gjendej mysafir i Fondacionit “Fridrih Erbert” në Bon, që paraqiste qendrën ideologjike të të majtës gjermane.
Se kjo ishte bërë me qëllim, nuk do mend. Por, që edhe Vladimir Bakariçi aty nuk do të ishte rastësisht, e dhe kjo nuk duhej hequr nga mendja.
Por, çfarë do të thoshte Bakariçi?…
Kjo tashmë preokuponte mediat. Preokuponte edhe elitën nga spektrit i gjerë politik gjerman. Spekulohej se ishte aty për të sjellë një mesazh të Titos Perëndimit?…
Dhe, çfarë do të ishte mesazhi?… Qetësues?… Shqetësues?… Ose pak nga të gjitha?…
Fakti që në promovim nuk do të merrnin pjesë dy nga personalitet kryesore të të majtës gjermane Vil Brant dhe Helmut Shmit, të cilët një ditë më parë kishin pritur Bakariçin dhe sipas një kumtese thuhej se “kishin pasur shkëmbim të dobishëm mendimesh”, ishte përcjellë me thashethemet se porosia e Bakariçit mund të mos ishte sipas shijes së të majtës gjermane?…
Vetë rrjedha e promovimit të librit dhe ato që do të thuhen në të do ta vërtetojnë këtë dyshim.
Por, çfarë ishte thënë në të vërtet në atë promovim, që ai të cilësohej si rrënim i iluzionit për Jugosllavinë e qëndrueshme edhe pas Titos, edhe pse nga Beogradi tashmë vinin “betime” se edhe pas Titos mbetej Tito?…
Asgjë më shumë seç sillte libri. Pra, që e nesërmja e Jugosllavisë ishte e paqartë dhe e pasigurt. Do të thuhej se ajo do t’u nënshtrohej sfidave të ndryshme, që do të jenë të mëdha, ndër të cilat më shqetësuesja shfaqej Kosova për të vetmen arsye pse nuk ishte ngritur në nivelin e republikës së barabartë me të tjerat, dhe se me statusin gjysmak, ofronte mundësi të mira që të gjithë kundërshtarëve dhe armiqve të Jugosllavisë të viheshin në veprim secili për hesapet e veta, kjo tashmë dihej. Por, po ashtu nga ana tjetër, nuk dihej se betimi i asaj “pas Titos mbetej Tito”, ishte përnjëmend farsë, apo diçka që kishte përmbajtje, po që ajo duhej të dëshmohej në përputhje me sfidat me të cilat do të ballafaqohej?
Gjatë gjithë kohës sa ishin paraqitur referuesit kryesorë, pa marrë parasysh ato që thuheshin prej tyre, ku librit i bëheshin edhe vërejtje dhe quhej tendencioz madje pse shihte vetëm zi dhe jo edhe bardh dhe të ngjashme, vëmendja e të pranishmëve ishte drejtuar kah Vladimir Bakariçi dhe ato që do të thoshte në fund.
Dhe më në fund, fjala do t’i jepej edhe Bakariçit. I rrudhur nga vitet por edhe sëmundja, i bërë kruspull, nuk do të thotë tjetër pos që autorin e përshëndeti me atë që tha: “kundrimet interesante”.
Salla ngriu. Ishte vallë e mundur që ai të sillej aq me mospërfillje me audotiriumin tejet reprezentativ që e ishte aty për të pritur “kundërpërgjigjen” ndaj një libri që Jugosllavinë e shihte me dioptri tejet pesimiste?…
Mëdyshjet ishin ndër më të ndryshme. Dhe, do të shtoheshin edhe më tej po mos të ishte një gazetar, i cili Bakariçit ia drejtoi pyetjen “pse Kosova nuk mund të bëhej republikë”, me çka pyetja e shtruar më shumë ishte një si kundërpërgjigje rreth asaj që para tij ishte kundërshtuar ashpër nga zëvendës ambasadori jugosllav në Bon, Predrag Kostiq, i cili kishte derdhur shumë mllef ndaj autorit pse të ardhmen e Jugosllavisë e kishte lidhur me një problem që ishte i shpifur, kur si tha, kombësitë nuk mund të kenë shtet në shtet, meqë shqiptarët shtet amë kishin Shqipërinë!
Pa një pa dy, Bakariçi, me një buzëqeshje ironike tha se “ nuk e dinte as vetë pse Kosova nuk ishte republikë…”
Ironia e Bakariçit kishte qenë e mjaftueshme të kuptohej sa të drejta kishin qenë vlerësimet e autorit dhe njëherësh sa i madh shfaqej dëshpërimi i atyre që tek Jugosllavia dhe rruga e socializmit vetëqeverisës ishin munduar t’ i varnin shpresat si për një model të ardhmërisë.
Megjithatë, fjalët e Bakariçit, siç i kishin dhënë të drejtë shqetësimit për të ardhmen e pasigurt të Jugosllavisë, njëherësh kishin hapur dilemën si dhe sa ato mund të ishin përnjëmend pjesë e mesazhit që Tito ia jepte botës në atë mënyrë?…
Po atë mbrëmje Ambasada e Jugosllavisë në Bon, për nder të Bakariçit do të organizojë një pritje në kështjellën e Bad Godesbegut, vend i dashur i kancelarit të parë gjerman Bizmakut, por edhe i një takimi pak të njohur të Çemberlenit me Hitlerin në prag të nënshkrimit të marrëveshjes së njohur të Munihut, të vitit 1939 kur Europa do të nënshkruajë kapitullimin para Hitlerit.
Në pritje ishte i pranishëm thuajse i gjithë kori diplomatik. Nga kreu i elitës politike gjermane merrte pjesë Vili Brant, Franc Jozef Shtraus, Hans Ditrih Gensher dhe personalitete të tjera të rëndësishme kulturore të vendit, përfshirë këtu edhe shkrimtarin e njohur Hanjrih Bëll, regjisorin Reiner Fasbinder dhe të tjerë.
Bakariçi, me shikimin e lëshuar, rrinte i ulur midis Brantit dhe Shtrausit. Dukej i lodhur. Dhe kjo bëri që të mos rrijë deri në fund në pritje. Bashkë me të do të largohen edhe Branti dhe Shtrausi, por do të mbetej Gensheri dhe të tjerët. Të pranishmit i përshëndeti vetëm me ngritjen e gotës së shampanjës, që e preku vetëm me buzë.
(Shkëputje nga libri “Kthesa historike 1 – Vitet e Gjermanisë dhe epoka e LKD-së”, botues “Faik Konica”, Prishtinë, 2008., i përpunuar në platformën elekronike gratis: jusufbuxhovi.al)