ARKIVI:
17 Nëntor 2024

Në vigjilje të 33 vjetorit të themelimit të LDK-së: “Rilindja”, “Elida” dhe porosia e Gensherit për themelimin e partisë politike (1)

Shkrime relevante

O Stano, zëdhënësi i Serbisë, Kosovës nuk ka çka t’i duhet integrimi europian “me Serbi” brenda saj!

Gani I. Memeti Zëdhënësi i BE-së ka thënë se çështja e institucioneve...

Lirim Mhehmetaj dhe fjalori i tij trashaman…!

Afrim Caka, Gjakovë ___ …SE MOS E KA PARË DIKUSH TË JETË SKUQUR...

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Kryeministri Albin Kurti mirëpriti Përfaqësuesin e ri Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Eirik Nestås Mathisen

Prishtinë, 14 nëntor 2024 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti sot...

Shpërndaj

Në foto: Jusuf Buxhovi, Xhemajl Mustafa dhe Ibrahim Rugova
____
Shkruan: BUXHOVI, historian dhe gazetar, Prishtinë
***
Lajmi së gazetarët dhe shkrimtarët e njohur të “Rilindjës” do të themelonin një parti politike shqiptare, nuk kishte nevojë të jepej në gazetë. Mjaftonte që në kafiterinë “Elida”, ku rëndom silleshin pjesa më e madhe e gazetarëve dhe shkrimtarëve, të gjuhej një si thashetheme, gjoja “në besim”, që ajo me të shpejtë të merrte dhenë.
Në të vërtetë, në njërën prej atyre ditëve kur rëndom pinim kafe me Mehmet Krajën, Xhemai Mustafën dhe Ibrahim Berishën dhe ishte e natyrshme se bisedohej se çfarë na kishte mbetur pas asaj që kishte ndodhur dhe çfarë përgjigje duhej dhënë sfidave të ardhmërisë, të paqarta dhe të zymta fare përballë asaj gjendje, kur e dinim se me të kaluarën duhej përshëndetur, por pa lejuar që ajo të kalonte një zero jashtë funksionit kohor dhe shoqëror, zura ngojë çështjen e formimit të një partie politike meqë tashmë ekzistonin edhe kushtet ligjore për të. Ashtu siç më kishte folur kohë më parë Viktor Majer, se ishte koha që të themelonim një parti politike në mënyrë që t’u përgjigjeshim sfidave të kohës me të cilat medoemos ngarkoheshim, ngjashëm thashë kolegëve, të cilët kush më shumë e kush më pak, tashmë kishin diç të ngjashme në kokë.
Meqë me Krajën dhe Xhemën, të shumtën na bashkonin afinitetet profesionale në redaksinë e rubrikës së kulturës së “Rilindjes”, po edhe ato të prirjeve të përafërta artistike në krijimtari, ishte e natyrshme që të arrihej pajtimi rreth kësaj çështje së paku në nivelin parimor.
Por, pasi që kaloi humori dhe, pasi që Xhema porositi një rend të ri kafesh, dhe tha “le të shkojë ku të shkojë”, aty ra edhe fjala se mos do të ishte më mirë që të fillohej me formimin e një shoqate kulturore. Meqë dihej se shoqatat nuk mungonin, dhe ajo e Shkrimtarëve madje ishte në një nivel të lartë të përgjegjësisë, atë e mori era.
Pa treguar se rreth kësaj çështje kohë më parë më kishin sfiduar gazetarët gjermanë Viktor Majer dhe Horst Weseler , ndërkohë që ky i fundit kishte sjellë edhe një sugjerim personal të ministrit të jashtëm gjerman Hans Ditrih Gensher që sa më parë të t’ia fillonim organizimit partiak mbi bazat e pluralizmit politik, edhe pse kjo dukej e vështirë, kolegëve u thashë se merrja përsipër hartimin e dokumenteve bazë, programit dhe të statutit bashkë me pajisjen me dokumentet tjera që i duheshin një organizimi të tillë legal në përputhje me ligjin federativ tashmë të aprovuar rreth organizimit politik të qytetarëve nëpër shoqata dhe parti politike, dhe se për të gjitha do t’i njoftoja vazhdimisht.
Sipas ligjit në fuqi nismën për themelimin e partisë politike apo të shoqatës mund ta ndërmerrnin së paku njëmbëdhjetë qytetarë me deklarimin e lirë në listën me nënshkrime që do t’u dërgohej organeve përgjegjëse bashkë me programin, statutin dhe hollësitë tjera rreth të ardhurave financiare të nevojshme për veprimtari. Pasi që të kompletohet dokumentacioni, organet përgjegjëse, pra ato policore, janë të obliguara që brenda afatit ligjor prej dyzet e tetë orëve të jepnin përgjigje me shkrim për lejimin apo ndalimin e veprimtarisë. Në rast se brenda këtij afati nuk jepej kurrfarë përgjigje dhe nuk bëhej ndonjë vërejtje, atëherë lejohej kuvendi themelues.
Nga mesdita, sipas marrëveshjes, takova redaktorin e radios gjermane “Westdeutsche Rundfunk” Horst Weseler dhe ia bëra me dije se kishte filluar nisma për themelimin partisë së re. I tregova për bisedën me kolegët më të afërm dhe për miratimin që kisha prej tyre. Ai mbeti i kënaqur dhe më premtoi se do të kthente në Prishtinë pas dy javësh. Tha se shpresonte se deri më atëherë do të kryheshin punë të mira.
Të nesërmen prapë bashkë me Krajën, Mustafën dhe Berishën në kafenë e mëngjesit në “Elida”. U thashë se ia kisha filluar punëve rreth themelimit të partisë së re në përputhje me ligjin federativ. Andaj, ua bëra me dije se nënshkrimet e tyre më duheshin ndër të parët.
“Mbase nuk jeni pishman?”, fola si me shaka.
Sikur nuk kishin pritur që çdo gjë do të fillonte me asi turri. Kraja, tha se i kisha duart të veproja si të dija, por nga ai të mos kërkonte tjetër pos të vinte në kuvendin themelues, nëse ai përnjëmend do të mbahej.
Në ndërkohë kisha takuar edhe dy veta që i merrja të rëndësishëm drejt themelimit të partisë: Zekeria Canën dhe Milazim Krasniqin. I pari, tashmë me themelimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Njerëzore, si sekretar i tij dhe njeri i vyeshëm, mund të ndihmonte drejtpërsëdrejti që disa nga anëtarët e Këshillit ku bëja pjesë me disa nga shkrimtarët, t’i vinin në ndihmë nismës sonë, qoftë duke u përfshirë në listën e nismëtarëve qoftë duke marrë përgjegjësi. Ndërsa Milazimi ishte sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, të cilën Rugova e drejtonte me shumë sukses dhe po ashtu kishte përvojë organizative me shkrimtarët.
Zekeria Cana, i cili kishte duart plot me punë, parimisht u pajtua, por tha se mos duhej pritur edhe pak, që të piqeshin kushtet. Ma përkujtoi UJDI-n dhe “ecjen me fenerë”.
Ia ktheva se koha nuk priste.
“Nëse ne bëjmë sehir sigurisht se mund të paraqiten edhe të tjerë dhe një zot e di si mund të shkojnë hesapet”.
Nuk e çuam më gjatë dhe pasi vuri parafin në listën e nismëtarëve për themelimin e partisë themeluesve, tha se kishte ndihmën e tij por edhe të Këshillit.
Takimi me Milazim Krasniqin filloi me atë buzëqeshjen e tij të hapur se tashmë e dinte.
“Punë e mirë fort. Duhet të lëvizim disi.”
Ia tregova disa nga ato që ai tashmë i dinte dhe për ato që tashmë kishin filluar të bëheshin. Pak si me shaka i thashë se më duhej edhe nënshkrimi i tij për atë masbatën që të mos burgosem pse bëj propagandë armiqësore, por propagandë legjitime për parti politike.
“Epo, pa myhyr sot nuk bëhet gjë”, ma ktheu njëjtë dhe më tha se më kishte aty fund e krye. Shtoi se shkrimtarët sikur kishin mallkimin e përgjegjësive historike.
Nuk desha t’ia hapja punën e nënshkrimit të Ibrahim Rugovës në listën e themeluesve, meqë vlerësoja se edhe ai do t’i bashkëngjitej asaj, por që duhej të ruhej paksa për sprovat e ardhshme, që si do të shihet do të jenë tejet të mëdha dhe te një përgjegjësie historike, të cilave Rugova do t’u jepej me përkushtim të madh.
Por, mu të nesërmen edhe kjo çështje ishte rregullua. Madje, më lehtë seç e kisha menduar. Sepse Milazim, që e kishte marrë me vete listën e hapur të themeluesve në krye të së cilës duhej të ishte emri i atij që merrte përsipër punët organizative, te kafe “Elida” ma ktheu edhe me nënshkrimin e Ibrahim Rugovës.
“Bali, pa një pa dy nënshkroi. Uroi punë të mbarë, por tha se hë për hë aq mund të bënte për nismën.”
“Bali” e quanin Rugovën bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Më vonë do t’i vihej nofka “shalli” dhe të tjera.
Me marrjen e nënshkrimit të Ibrahim Rugovës, krahas atyre që tashmë shfaqeshin si bërthamë e grupit themelues (Unë, Mehmet Kraja, Xhemail Mustafa dhe Ibrahim Berisha) dhe, nënshkrimit të Zekeria Canës, Milazim Krasniqit lista, po i afrohej numrit “kritik” të njëmbëdhjetëshit, me çka edhe formalisht plotësoheshin kushtet me të cilat mund të paraqitej kërkesa zyrtare për vazhdimin e punëve të mëtutjeshme për thirrjen dhe mbajtjen e kuvendit themelues të partisë.
Por, siç do të shihet, thirrja dhe mbajtja e kuvendit themelues kërkonte edhe shumë e shumë punë, nga hartimi i programit, i statusit dhe dokumenteve të tjera, që për t’iu ardhur rreth, krahas hapit dhe vrapit të domosdoshëm poshtë e përpjetë në kërkim të nënshkruesve të listës por edhe të atyre që pos si numra ishin të domosdoshëm për çati, duheshin edhe ata që do të merrnin përsipër punët rreth konceptit përfundimtar dhe të asaj se mbi çfarë platforme do të themelohej partia dhe të tjerat që i duheshin një nisme të tillë.
Ishin këto dilema që sa më shumë sheshoheshin ktheheshin në shqetësim. Sidoqoftë me kyçjen e mëtutjeshme të profesor Fehmi Aganit, si dhe nënshkrimet që kisha marrë nga akademik Idriz Ajeti, akademik Mark Krasniqi, akademik Dërvish Rozhaja, profesor Anton Çetta, Ramiz Kelmendi, pastaj Bujar Bukoshi, Ajri Begu, avokati Mustafa Radoniqi dhe të tjerëve që do të gjendeshin në njëzet e treshen e iniciuesve të kuvendit themelues, ishin krijuar kushtet edhe për hapjen e çështjes se konceptit, së paku në vija të trasha, në mënyrë që të shkohej më tutje.
Meqë ishte e vështirë që nënshkruesit e nismës për themelimin e partisë të mblidheshin bashkërisht, dhe kjo madje kishte edhe arsyet e veta në ato rrethana të terrorit shtetëror që ushtrohej ndaj intelektualëve, mora përsipër që krahas atyre me të cilët thuajse çdo ditë takoheshim në kafe “Elida” (me kolegët nga “Rilindja” dhe shkrimtarët nga radhët e kësaj shtëpie), me të tjerët të komunikoja herë “spontanisht”, e herë ashtu shpejt e shpejt, pa formalitete, që t’i njoftoja por edhe të merrja mendime, vërejtje dhe sugjerime rreth atyre që bëheshin. Kjo mbase ishte mënyra më e mirë e punës.
Duhet thënë se edhe para se me Krajën, Mustafën dhe Berishën të hapej biseda, që disi dhe me dikë patjetër se duhej të bëhej për të shkuar më tutje, në kokë tashmë kisha tri pika nismëtare mbi të cilat do të mbështetej koncepti: atë të barazisë së plotë, të demokracisë (pluralizmit politik) dhe të përkatësisë perëndimit. Në rrethanat përkatëse, ato duhej të kundroheshin si çështje politike dhe si të tilla të bëheshin pjesë e platformës partiake, si pikënisje e qëllimeve të caktuara, të cilat nuk duhej parë dhe marrë të ngurtësuara, por si mundësi e ndryshimeve dhe e përshtatjeve në përputhje me nevojat dhe rrethanat nëpër të cilat do të kalohej.
Tek e fundit, programi nuk do të thoshte shumë dhe nuk garantonte gjë po qe se do të mbetej letër e thatë. Ishte një formalitet me të cilin mund të shkohej më tutje, për t’u hapur dyert e veprimtarisë. Pra, puna e mëtutjeshme ishte ajo që do t’u jepte ngjyrimin dhe përmbajtjen kërkesave në mënyrë që ato të ktheheshin në koncepte të qëndrueshme. Por, mendja ma thoshte se ne kishim nevojë për një program konceptual, jo të telisur, që do të përvijonte kërkesat ku ajo e barazisë, e demokracisë (pluralizmit)dhe e përkatësisë Perëndimit, do të krijonin një trekëndësh strategjik. Mund të lejoheshin kamuflime, mund të lejoheshin fraza dhe çmos tjetër, por programi i partisë nuk mund të anashkalonte këto tri kërkesa.
Rreth barazisë si pikënisje e të gjithave, sesi më kishte mbetur në kokë fjalia që ma kishte thënë vite më parë filozofi gjerman Von Vajzeker (më vonë president i Gjermanisë), kur bashkë me shkrimtarin Hajnrih Bëll dhe historianin Jens Rojter në Bad Godesberg te Bonit bisedonim rreth librit “Jugosllavia pa Titon” e Karl Gustav Shtrëmit, me ç’ rast Jugosllavisë do t’i parashihej mbijetesa apo edhe sfida e rrënimit pikërisht mbi zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Filozofi gjerman e kishte quajtur të drejtë përcaktimin për barazinë, por si do të shihet atëherë dhe më vonë, kjo për rrethanat nëpër të cilat kalohej, pas fushatës se egër serbe që të kërkohej gjoja barazia me të tjerët që për parakusht kishte rrënimin e kahut të barazisë së shqiptarëve, gjë që kjo edhe do të ndodhë më 23 mars të atij viti, shfaqej e anatemuar me dhunën e të fortit dhe mashtrimin e pranimit të saj. Pra, ajo duhej të kushtëzohej edhe me kërkesën për liri, por çështje ishte si dhe da mund të intonohej ajo jashtë pluralizmit politik? Megjithatë, nga aspekti politik, koncepti i barazisë në ato rrethana ishte parësor. Prej saj nuk mund të hiqej dorë sepse jashtë saj qëndronte vetëm opsioni i forcës – lufta, që edhe po të ishim të aftë për të, pa u plotësuar disa rrethana, të cilat atë do ta kthenin në mjet të qëllimit dhe jo qëllim të mjetit, ajo mund të ishte e kotë, shkatërruese dhe vetëshkatërruese…
Atë natë, qita në letër pikat e para mbi të cilat do të niseshin bisedimet dhe konsultimet me të tjerët rreth hartimit të programit të partisë.
Ato ishin tri bazike dhe një përcjellëse. Pra, barazia, demokracia, sistemit pluralist (me intonimine lirisë së mendimit), të cilave u bashkohej edhe ekonomia e lirë e tregut.
U përpoqa pastaj që brenda kornizave të secilës të shoh qëllimet të cilat do të paraqitnin konceptin dhe platformën e partisë. Kështu, te barazia perceptova statusin e ardhshëm të Kosovës në federatën apo konfederatën jugosllave e barabartë me të tjerët dhe assesi ndryshe. Tek e fundit a nuk ishte edhe kërkesa për Kosovën Republikë e dalë nga demonstratat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981 kërksë për barazinë me të tjerët?
(Shkëputje nga libri “Kthesa Historiuke 1 – Vitet e Gjermanisë dhe Epoka e LDK-së”, 2008, i përpunuar dhe i plotësuar në plarformën elektronike gratis: jusufbuxhovi.al)

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu