ARKIVI:
24 Nëntor 2024

Nëna jonë Terezë, ndërmjet dy ditëlindjeve: për tokë e për qiell. Pali VI për shenjtëreshën shqiptare

Shkrime relevante

Shpërndaj

Duke e kujtuar Shën Nënë Terezën, në 25-vjetorin e kalimit në amshim, po ju njohim me fjalën e mbajtur nga Papa Pali VI në ceremoninë e dorëzimit të Çmimit Ndërkombëtar për Paqen “Gjoni XXIII”, ditë e mërkurë, më 6 janar 1971. Është një nga çmimet e para ndërkombëtare, që merrte Nënë Tereza, ende pak e njohur në botë, për të arritur, pastaj, hap pas hapi, në tribunën e Nobelit për Paqen, më 17 tetor 1979, e njohur tashmë botërisht si gruaja më e varfër, e më e famshme në planet.

Fjalimi i Papa Pali VI:

“Pas fjalëve, që u thanë për të kumtuar dorëzimin e Çmimit Ndërkombëtar për Paqen, me emrin e paraardhësit tonë të ndjerë, Nënë Terezës, e pranishme mes nesh, mund të duket se gjithçka u tha e se nuk na mbetet tjetër, veçse të shprehim kënaqësinë për ngjarjen fatlume. E këtë po bëjmë, duke i falënderuar të gjithë ata, që e përgatitën, posaçërisht Këshillin e Fondacionit, që ka meritën e dorëzimit të këtij Çmimi për herë të parë; e po e bëjmë këtë, duke falënderuar gjithë të pranishmit në këtë kremtim kaq kuptimplotë, duke i shprehur, pastaj, admirimin tonë, asaj që iu dorëzuar Çmimi dhe ndjekësve e bashkëpunëtorëve të saj e duke i bekuar me gjithë zemër. Gjithçka duket, kështu, e kryer. Mund të themi qetësisht: takimi përfundoi; pas tre vjetësh, në dashtë Zoti, do të mblidhemi përsëri, me kë nuk e dimë, por e dimë mirë se do të na shtyjë për t’u mbledhur, i njëjti ideal i Paqes, sepse Çmimi ka karakter të përhershëm. Tani për tani, e kujtuam edhe më sipër, do të na dukej se s’mbeti më asgjë për t’u thënë.

Po të mos e ndjenim të gjithë në shpirt se gjithçka mbetet ende për t’u thënë. Fjalimet, që dëgjuam e motivacioni, që u lexua për dorëzimin e Çmimit, themelimi e Themeluesi i Çmimit, qëllimi i tij, Paqja, dhe rregulltarja e përvuajtur, së cilës iu dorëzua, vepra e saj e kuadri historik, shoqëror e njerëzor, në të cilin radhitet kjo vepër, i gjithë ky kremtim, mbeten për t’u komentuar, për t’u rimenduar, për t’u kuptuar. Gjithçka këtu është objekt reflektimi. Ne të gjithë bëjmë mirë të marrim me vete nga ky takim, propozimin për meditim. Shpirtrat janë plot frymëzim për të menduar e, ndoshta-ndoshta, jo vetëm për të menduar, por sidomos, për të bërë. Duhet falënderuar, pikësëpari, Zoti, që na jep, ndërmjet sa e sa aktheve e mundimeve të jetës sonë të përditshme, një ngushëllim kaq të dlirë, kaq të gjallë, kaq shprehës: e mira është mes nesh, e mira vepron, e mira sundon: ç’ngushëllim, ç’mësim, ç’shpresë! Për të lidhur fillin e mendimit, që zhdridhet menjëherë në shpirtin reflektiv, vërejmë se ky koment do të vijonte pa fund. Të zgjedhim shpejt e shpejt ndonjë shtysë.

Shtysa e parë na nxit ta kritikojmë vetë veprimtarinë tonë në këtë çast: thua është në përkim me shpirtin e krishterë të jepen, në praninë e publikut, çmime për një vepër të mirë? Vepra e mirë a nuk duhet bërë në heshtje e përvujtëri, sipas Ungjillit, që na porosit të mos e dijë as e majta, veprën e mirë, që bën e djathta e të mos e presim shpërblimin e merituar për veprën e kryer nga askush tjetër, veç Atit, që shikon në fshehtësi? (Cfr Mt 6,3-4) Është e vërtetë: e mira duhet bërë përvujtërisht, pa kurrfarë mburrjeje e publiciteti; nuk duhen pritur çmime nga njerëzit e në kohë; çmimin ia jep vetë Zoti, atij që bën mirë; por Zoti thotë edhe se drita nuk duhet vënë nën shinik, por mbi pishtar, që t’i shndrisë të gjithë njerëzit e shtëpisë; e shton (gjë që do ta kënaqë edhe modestinë e Nënë Terezës), se kjo dritë duhet të ketë dy qëllime, pavarësisht nga nderimet, që meriton drita: i pari është shndritja e të tjerëve, i dyti, lumnimi i Atit qiellor (Cfr Mt 5,15-16), nga i cili buron çdo mirësi (Jak 1,17). E këtë duam të bëjmë edhe ne, me dorëzimin e këtij Çmimi, e sigurisht deshi ta bëjë edhe Papa Gjoni, duke e shndërruar në një fondacion të qëndrueshëm, që e mira të nxisë të mirën, gjithnjë më me fryt. Kemi pse të kënaqemi. Ky Çmim, pra, u dorëzua me ndjetin e përhapjes gjithnjë më me fryt të së mirës e me besimin se paraqitëm para syve të publikut, një shembull të vërtetë bamirësie.

E kështu, ftohemi për një aspekt tjetër reflektimi, sa ngushëllues, aq paradoksal, në përkim me ligjet, që udhëheqin ekonominë e së mirës. Po flisnim për Ligjin e përvujtërisë, e po zbulojmë një tjetër; e mira përhapet. E edhe e keqja, për fat të zi. Sa i fortë është ndikimi i saj, sa ngjitës, sa i rëndë, e sa i mjerë kush e ka në shpirt (Cfr Mt 18,7). Por kështu është edhe e mira. Na e thotë vetë vepra e Nënë Terezës. Edhe një herë u zbuluan energjitë e pashterrshme të së mirës, rezervat e zemrës njerëzore, të cilat përhapen e bëhen vepruese kur leva e flijimit të vetvetes, leva e guximit, me ndihmën e Zotit, i bën të shpërthejnë e të shndërrohen në vepra të prekshme. E ja edhe një ligj i ri i kësaj ekonomie të mrekullueshme të së mirës: pikërisht në çastin e procesit të saj dinamik e të mungesës, në disa raste, të plotë, të mjeteve të domosdoshme për ta bërë të mirën, këto mjete gjinden vetvetiu: varfëria bëhet burim pasurie, zbraztësia e saj mbushet, mundimshëm, po, por mrekullisht; historia e veprave të bamirësisë e dokumenton këtë ligj. Lojë e Provanisë e fenomen i mirësisë njerëzore, që për t’u shprehur, shpesh herë ka nevojë për mungesat e tjetrit e nxitjen e atij, që ka gjeninë e së mirës, karizmën e bamirësisë.

Nga këto vërejtje, lindin të tjera. Kjo, për shembull: kur një vepër bamirësie nis të matet me nevojat, të cilat i përmbush, e zbulon përmasat e frikshme të këtyre nevojave, që më përpara besonte se mund të plotësoheshin, se ishin më pak të tmerrshme e më të lehta për t’u mbartur me nënshtrim të plotë. Atëherë, në vend të gëzimit nga rezultatet e para pozitive, shtypet nën peshën e papërfytyrueshme të së keqes, që deshi ta përballojë, e kështu shkon përpara me frikën e dorëzimit përballë ligësisë e me ankthin e kufizimeve vetjake; vuan e vijon të ecë nën barrën e vuajtjes, vuajtje, që bëhet bashkim; bëhet, në kuptimin etimologjik, dhimbsuri; e pikërisht kjo, në vend që t’i shterojë forcat, paradoks tjetër i bamirësisë, i ringjall e i bën gjithnjë më cilësore. E atëherë vepra bamirëse fiton një vlerë, që shkon përtej meritës së ushtrimit të saj konkret; bëhet, së pari, dëshmi, dëshmi e dyfishtë, që ngre me forcë zërin për t’i kujtuar botës nevojat e njerëzimit, të lëna në heshtje, të harruara, të gjykuara si të pashërueshme, për t’i treguar opinionit publik ekzistencën e një problemi të hapur e përvëlues; së dyti, bëhet predikim i heshtur, që nuk tregon vetëm nevojat, por edhe mundësitë për t’i përmbushur. Është e mrekullueshme; del në pah elementi i ri, motivi mbinjerëzor, që e bën të lehtë gjithë këtë guxim, motivi mistik, motivi engjëllor, ai, që e shndërron fytyrën e të varfrit të uritur, të foshnjës së mekur, të lebrozit të neveritshëm, të kriminelit të tmerrshëm, të njeriut në të shuar, në fytyrën misterioze të Krishtit: e një lloj joshjeje shpirtëore e magjeps Motrën, Vëllain, që i kushtohet krejtësisht bamirësisë, sepse tashmë dashuria e krishterë bëhet arsye kryesore e të jetuarit, i thith të gjitha të tjerat, edhe ndjenjat më të denja njerëzore, që e shtynë dhe e larton gjithçka, me prirjen për të arritur deri në lartësi heroike.

Edhe një herë në historinë e Kishës e në progresin e shoqërisë, Ungjilli përmbushet e kremtohet e rindez në zemrat e njerëzve gëzimin e së mirës, shpresën e jetës ideale, të vërtetën e shndritshme të Ireneut “Lumnia e Zotit, është njeriu i gjallë!”.

E gjithë kjo, sipas nesh, fiton një vlerë të madhe në kuadrin modern të botës që rritet, duam të themi, në përpjekjen e sinqertë, që po bën njerëzimi i sotëm me denoncimin e vetvetes, duke folur për nevojat e pamasa të shoqërisë moderne, me shtrirje botërore: padijen, urinë, sëmundjet, punën, zvetënimin e rreziqet, që kërcënojnë vetë fitoret e saj. Na duhen, sot, më shumë se kurrë, kur vetëdija universale po zgjohet, energjitë e pakufishme të njeriut për njeriun, energji që ndërmarrje bujare e të fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare po i vënë në jetë, ndërsa vetë këto ndërmarrje kanë nevojë që ideali njerëzor të mos zbehet e të mos humbasë, por të ketë gjithnjë më shumë dëshmitarë të vlerës së tij tejet të lartë.

Tani Gruaja, që ne po e nderojmë me këtë Çmim, është pikërisht dëshmi e kësaj vlere të lartë; njeriu, shembëllim i Hyjit, gjymtyrë e Krishtit, pasqyrë e atij, që e kundron e zbulon në të vetveten, zbulon vëllain. Nëna e përvuajtur Terezë, në figurën e së cilës dëshirojmë të shikojmë mijëra e mijëra njerëz të kushtuar- full time- shërbimit të më nevojtarëve, bëhet shembull e simbol i këtij zbulimi, në të cilin fshihet sekreti i paqes në botë, në kërkim të së cilës jemi të gjithë; zbulimi, gjithnjë aktual, se çdo njeri është vëllai ynë!

Vëllazërimi e paqja janë ontologjikisht sinonime. Njëri e tjetra kanë një rrënjë të përbashkët, për ne krejt të qartë, që na paraqitet sot si misionare e dashurisë së krishterë, si apostulle e vëllazërisë e kasnece e paqes. Ja, pra, pse po ia japim Çmimin për paqen, shoqëruar me bekimin tonë për të gjithë ata, që bashkëpunojnë në veprën e saj”. (radio vatikani).

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu