Ashiqare mund të kuptohen zërat e fanatikëve fetar, klerikëve joprogresistë dhe qytetarëve pa ndonjë edukim kushtetues, por si të kuptohen zërat “e arsyes” (deputetë nën betim dhe ish këshilltarë të Gjykatës Kushtetuese, avokatë, gazetarë e intelektualë) që janë çmistue e vërsulë kundër shtetit sekular, (Neni 8) pra kundër rendit Kushtetues të Kosovës!? Shamia (hixhabi) është rregull e jurisprudencës myslumane (Sheria) dhe nuk mund t’i bëhet vend në shtetin që demokracinë kushtetuese dhe vlerat e përbashkëta perëndimore i ka në zemër të lirisë së tij.
Nga Halil Matoshi
Komunizmi ishte brutal në kufizimin e të drejtave dhe lirive politike, porse ai kishte disa anë të ndritshme, sidomos për sa i përket emancipimit shoqëror, arsim, shëndet publik dhe në elektrifikimin e fshatrave. Oliver Jens Schmit-i në librin “Kosova – një histori e shkurtë” shkruan se Kosova në vitet ‘70 kishte trende zhvillimi, sidomos në ndërtimin e shkollave dhe gjithpërfshirje të fëmijëve në shkollim, të matshme me trendet e Europës Qëndrore.
Komunizmi përgjithësisht dhe posaçërisht ai jugosllav, hiç ndjekjet dhe burgjet politike, ishte brenda projektit Iluminist!
Duhet theksuar se heqja e ferexhes u bë vullnetarisht, ndonëse në formë fushate, sëpari në Gjakovë pastaj në tërë Kosovën.
Kosova e çliruar dhe e ngritur në shtet sovran me idenë e Rilindasve të dytë të viteve ‘70 të shekullit 20, (Rilindja si gazetë e botues libri dhe koncept emancipues) është e hapur ndaj Projektit iluminist si vlerë themelore Perëndimore, por kjo nuk e përplas me lirinë e garantuar të besimit.
Prandaj shteti, duhet t’u mundësojë vajzave kosovare emancipim, pra çlirim nga tradita shtypëse e patriarkalizmit, sistemit oppressiv të vëndosur nga burrat!
E drejta e votës (liritë politike) në Kosovë fitohet me 18 vjet.
E drejta e martesës sipas ligjit është poashtu 18 (Neni 15. Aftësia për martesë), kurse ekstremistë fetarë e klerikë joprogresistë, shaminë duan t’ua imponojnë vajzave kosovare nën kētë moshë, ndonëse ka një verdikt të gjyqësisë kushtetuese që përligj kufizimin e shamisë në shkolla.
Kosova krahas garantimit të shkollimit dhe mosdiskriminimit, me një akt nënligjor, përkatësisht me Nenin 3, paragrafi 1.13 të Udhëzimit Adminisitrativ Nr. 06/2014, ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla, kjo sepse shkolla kosovare pos që bazohet në Projektin Iluminist, është sekulare dhe traditionaliste-kombëtariste (në sensin e shkollës shqipe dhe jo në sensin e kombit politik) duke qenë e themeluar nga Rilindasët!
Shteti kosovar është neutral ndaj fesë dhe ajo, në frymën e Kushtetutës, trajtohet si çështje private.
Gjyqësia Kushtetuese kur ka vendosur që ndalimi i shamisë për moshat e mitura në një shkollë
të Kosovës, nuk paraqet shkelje të të drejtave dhe lirive, kastile e ka theksuar si causa prima konceptin dhe karakterin laik (Neni 8 i Kushtetutës) të shtetit.
Pasi që Gjykata e Qarkut në Gjilan ka marrë vendim (kontrovers?) më 2009, që moslejimi i ndjekjës së shkollimit të shtetases Arjeta Halimi nga Vitia, për shkak së ajo ishte e mbuluar, paraqet shkelje të të drejtave dhe lirive, një Organizatë e Shoqërisë civile nga Gjilani, në emër të qytetares Arjeta Halimi, e ka paditë shtetin më 2011, për mospërmbarimin e këtij vendimi gjyqësor nga Drejtoria e Arsimit në Viti, duke kërkuar interpretimin e Gjykatës Kushtetuese.
Dhe gjyqësia kushtetuese ka vendosur në favor të kësaj drejtorie, duke hedhur poshtë pretendimin e shkeljës së të drejtave dhe lirive të qytetares Halimi.
Parashtruesja e kërkesës Arjeta Halimi ka inicuar vlerësimin e kushtetutshmërisë të mos-përmbarimit të Aktgjykimit Nr. 24/09, te Gjykates se Qarkut të Gjilanit të 17 nëntorit 2009 nga Drejtoria Komunale per Arsim e Vitise, që “t’ia njohë paditëses të gjitha të drejtat që burojnë nga statusi i nxënëses së rregullt në Gjimnazin “Kuvendi i Lezhes” në Viti”.
Parashtruesja e kërkeses pretendon se janë shkelur nenet e Kushtetutës: neni 24 (Barazia para Ligjit), neni 38 (Liria e Besimit, e Ndergjegjes dhe e Fese) dhe neni 47 (E Drejta per Arsimin) si dhe Konventat Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, të së drejtës për arsimim, të lirisë së besimit, të drejtave të fëmijëve, mosdiskriminimit, në përputhje me nenin 22 të Kushtetutës (Zbatimi i drejtperdrejte i Marreveshjeve dhe Instrumenteve Nderkombetare);
Kështu që (ky verdikt) e ka përjashtuar arsimin e lartë, që presupozohet se të drejtat e njeriut dhe liritë, sipas Konventës Europeane të të Drejtave të Njeriut do të respektohen pa kufizime për moshën mbi 18-vjeçe.
Ky rast nga viti 2009, përkatësisht verdikti i 2011 i Gjykatës Kushtetuese, në Rastin Nr. KI36/11 vlen edhe sot, për interpretimin e Nenit 3, paragrafi 1.13 të Udhëzimit Adminisitrativ Nr. 06/2014.
Sëkëndejmi, Udhëzimi Administrativ është në harmoni të plotë me Nenet 8 dhe 9 të Kushtetutës së Kosovës dhe Konventën Europeane të të Drejtave të Njeriut edhe i testuar nga gjyqësia kushtetuese, e cila e vlerëson kushtetues ndalesën e shamisë deri në moshën 18-vjeçare.
Në pikën 61 të verdiktit, Gjykata përserit se derisa liria fetare është kryesisht ç?ështje e ndërgjegjes individuale, po ashtu nënkupton, ndër të tjera, lirinë për manifestimin e fesë, vetëm dhe privatisht, ose në komunitet.
Mirëpo, Gjykata Kushtetuese në pikën 62 vëren se në një shoqëri demokratike, në të cilen disa fe bashkëjetojnë dhe brenda vet popullsisë shumicë shqiptare, mund të jetë e domosdoshme të kufizohet kjo liri, me qëllim të pajtimit të interesave të grupeve të ndryshme dhe për të siguruar respektimin e besimeve te të gjithëve.
Duke e marrë në shqyrtim “Rastin Leyla Sahin kundër Turqisë”, Gjykata në analogji me këtë rast, shprehimisht potencon rolin e shtetit si një organizator neutral dhe i paanshëm i praktikimit të feve dhe besimeve të ndryshme dhe është theksuar se ky rol është i favorshëm për rregullin publik, harmoninë dhe tolerancën fetare në një shoqëri multifetare, shumëetnike e demokratike. Po ashtu, duke u mbështetur në këtë rast, Gjykata konsideron që detyra e shtetit për paanshmëri dhe paanësi nuk është në perputhje me secilen fuqi të shtetit për të vlerësuar legjitimitetin e besimeve fetare dhe që kërkon nga shteti të sigurojë tolerancen reciproke ndërmjet grupeve kundërshtuese. Më tej, Gjykata ka vënë në pah se pluralizmi dhe demokracia mund të bazohen në dialog dhe në një frymë të kompromisit të domosdoshëm që kërkon koncesione të ndryshme nga individët që arsyetohen me qëllim të ruajtjës dhe promovimit të idealeve dhe vlerave të një shoqërie demokratike. Gjykata, poashtu përsëritë që shteti mund të kufuzojë lirinë për manifestim të fesë (pika 64) për shembull të veshjës së shamisë islame, nëse ushtrimi i asaj lirie është në kundërshtim me qëllimin e mbrojtjës së të drejtave dhe lirive të të tjerëve, RENDIT PUBLIK dhe SIGURISË publike.
Vlen të theksohet pika 66 e verdiktit, që thot se në rastin “Sahin kundër shtetit të Turqisë”, pas analizimit të kontekstit turk, ku shumica e popullësusë janë myslimane, Gjykata gjeti që Republika është themeluar mbi parimin e laicitetit të shtetit, që ka marrë edhe vlera kushtetuese; qe sistemi kushtetues i jep rendësi parësore mbrojtjës së të drejtave të grave; dhe qe për ata që kanë favorizuar laicizmin, shamia islamike është bërë simbol i islamit politik, duke ushtruar një ndikim në rritje.
Gjykata pra, vërejti qe laicizmi në Turqi ishte garantues i vlerave demokratike dhe parimit të barazisë kurse liria fetare është e pacënueshme dhe se laiciteti i shtetit po ashtu, shërben për të mbrojtur individët jo vetëm përball ndërhyrjeve arbitrare nga shteti por edhe nga presionet e jashtme të lëvizjeve ekstremiste dhe qe liria per manifestim të fesë mund të kufizohet me ligj, me qëllim të mbrojtjës së këtyre vlerave.
Neni 9 i Kushtetutës së Kosovës, nëse ia bëjmë një lexim të kujdesshëm, e duke i marrë parasysh rrethanat në të cilat është krijuar dhe mësynë të konsolidohet shteti i ri kosovar, radhit një numër të normave si trashëgimi fetare, kryesisht lutja, mësimi, praktikimi dhe respektimi i fesë, porse nuk mbron ç?do akt të motivuar ose te inspiruar nga ekstremistë fetar.
Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës dhe nenin 47 te Ligjit, me shumicë votash, vendosi TA HEDHË POSHTË kërkesën e shtetases Arjeta Halimi si të papranueshme.
Ëdhtë zor të kuptohet intenca e interesimit të një bashkësie qytetarësh, deri në shkallë fushate, për t’ua imponuar një bashkësie tjetër qytetarësh (kombi modern presupozohet si një bashkësi unike politikisht e konstruktuar) një kod veshje fetare në shkollë, (për moshat nën 18-vjeç) në emër të korpusit të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Pse me kaq pasion, fanatikët fetar duan ta përfshijnë shtetin në çështje fetare, duke qenë se shteti demokratik qëndron neutral përderisa feja të mos i kanoset me thyerjen e kohezionit shoqëror, duke gërmuar në sigurinë kombëtare!?
Nëse ata zëra antishtet nuk e kuptuan gjuhën e arsyes demokratike (dhe patriotizmit kushtetues) për perendimorizimin dhe emancipimin e shoqërisë, si kurs kombëtar i Kosovës, atëherë duhet t’u flasësh me gjuhën e ligjit (Udhëzimit Administrativ);
Gjykata Kushtetuese “ndalon shaminë” për moshat minorene në shkolla, sepse gjeti se mos-përmbarimi i vendimit të Gjykatës së Qarkut në Gjilan nga ana e Drejtorisë së Arsimit në Viti, nuk paraqet shkelje të lirive dhe të drejtave, dhe nuk qëndron pretendimi se është shkelur Kushtetuta dhe Konventat Ndërkombëtare të përbrendësuara në Kushtetutën e Kosovës.
Fushata vehabiste si promotore e islamit politik në Kosovë, nën petkun e të drejtave dhe lirive të njeriut, e për nevoja të nacionalizmit pan-mysliman, (ingjinieringu social që barazon masën myslimane – ymet-in – me përkatësinë kombëtariste) inicoi përmes lobistëve në facebook “puç kushtetues” në Kosovë, pra njëfar deshire të çmendur për me e rrekny këtë shoqëri në kaos, duke i ofruar norma të sjelljës mesjetare, porse edhe kjo fushatë duhet të dështojë, në përplasjen e vullneteve të Projektit Iluminist Perëndimor dhe Projektit të Umet-it.
Sepse shumica e qytetarëve kosovarë e kuptojnë qartë se purifikimi Islamist i kombit që përket në dy fetë abrahamike, Islam dhe krishtënim e çan shoqërinë politike, e sëkëndejmi edhe kohezionin shtetëror kosovar, kurse rritja e tendencave ekstremiste (Islami politik) është në agjendat e Luftës Hibride për shtrirje të ndikimit rus në rajon!
Afërmendësh që ekstremistët, jo vetëm fetar por edhe integrist, e kanë të njohur modelin e maksimalizimit të kërkesave duke instrumentalizuar fenë dhe etninë.
Ashiqare, pas kërkesës për shami, kauza politike e ekstremistëve, nesër, do të jetë mësimi i Kur’an-it në shkollat publike. Për të avansuar drejt “të drejtës së zgjedhjes së lirë” të gjymtimit (Circumcision-it – synetisë për femrat) të trupit të femrës, inspiruar nga Boka Haram në Jemen, Somali, Sudani Verior apo në Nigeri!?
Dhe do të mjaftojë dëshmia e dy mullahëve për ta mbytur një grua me gurë!?
Qe çka i pret vajzat dhe gratë e Kosovës, nëse idetë e krisura të fanatizmit fetar sot gjejnë truall të plleshëm në institucionet e Kosovës!?
Marrë nga: Gazeta Express