ARKIVI:
26 Dhjetor 2024

“Nëse këta do të heshtin, gurët do të klithin!”(LK 19,40)

Shkrime relevante

Kryeministri merr rolin e gjykatësit!

Florim Zeqa I gjithpushtetshmi i vendit, Kryeministri i cili nuk i respekton...

Serbja Sonja Biserko, zëri i së cilës nuk po dëgjohet nga ndërkombëtarët, “analistët tonë” dhe disave nga opozita e Kosovës

Nga: Gani Mehmeti Biserko: Lista Serbe është përgjegjëse për gjithë situatën në...

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Shpërndaj

Në foto: Presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova me Don Lush Sopin
Nga: Don Lush Sopi , Pejë
____
Në këto kohëra të turbullta dhe tejët shqetësuese për vendin tonë, si dhe për kombin tonë në përgjithësi, mendja dhe shpirti i njeriut nuk mund të qëndron i qetë dhe indiferent ndaj ngjarjeve që po ndodhin, të cilat po nxisin dhe po tentojnë të shkaktojnë përçarje e destabilizim në shoqërinë tonë, si në aspektin kombëtar gjithashtu në ate fetar.
Mohimi i historisë sonë të lavdishme, fyerjet ndaj personaliteteve të mëdha kombëtare dhe fetare të cilët kanë lën gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë të lashtë, fyerjet dhe kërcënimet ndaj historianëve, akademikëve, hulumtuesëve dhe studiuesëve tanë, pa asnjë kundërargument në bindjet dhe vlerësimet e tyre historike dhe aktuale, të bazuara dhe të argumentuara nga arkivat më të rëndësishëm botëror, fyerjet dhe kërcënimet ndaj atyre që shprehen kundër dukurive negative që e rrezikojnë identitetin tonë kombëtar dhe kulturor, fyerja dhe përbuzja e Flamurit kombëtar, deklarata të pa matura dhe të pa argumentuara, me qëllime të caktuara, që janë ushqim helmues apo kancer për shoqërinë tonë, nuk më lenë shpirtin të qetë.
Andaj, mu kujtua një pjesë e Shkrimit Shenjt ku shkruan: Atëherë i thanë (Jezusit) disa farisenj që ishin në popull: “Mësues, qortoji nxënësit e tu!” Ai iu përgjigj: “Nëse këta do të heshtin, gurët do të klithin!” Kur u afrua dhe e pa qytetin, qau mbi të e tha: “O po ta kuptoje edhe ti në këtë ditë çka ta sjell ty paqen! Por tashti është e fshehur per sytë e tu! E do të vijë dita, kur armiqtë e tu do të të rrethojnë me llogore, do të bëjnë rrethim e do të të shtrëngojnë nga çdo anë. Do të të përplasin për tokë ty e fëmijët e tu në ty dhe s’do të lënë në ty as gur mbi gur, sepse nuk e bëre për gjë kohën kur Hyji erdhi të të ndihmojë.”
Këto fjalë të Krishtit, jo vetëm që më inspirojnë dhe frymëzojnë, por edhe më obligojnë t’i paraqes nga këndëvështrimi im, pikëpamjet e mia për temat të cilat po shkaktojnë huti dhe përçarje në shoqërinë tonë.
Shoqëria jonë është në krizë të thellë, ndoshta si kurrnjë herë më parë. Situata e tanishme në Kosovë, në çdo aspekt, si në aspektin politik, ekonomik, fetarë edukativë, kulturor…është jo stabile, e tensionuar dhe pa perspektivë për një të ardhme më të mirë, sepse të ardhmën e saj po e pengojmë vet. Historia e popullit shqiptar është histori e të gjithë shqiptarëve, pa dallim të përcaktimit shpirtëror apo fetar të tyre. Kjo histori është shkruar me shkronja të arta, përmes flijimeve dhe sakrificave, përndjekjeve dhe torturave të ndryshme, persekutimeve dhe martirizimeve të shumta nga sundues, ideologji dhe okupator të ndryshëm gjatë shekujve. Këtë histori nuk mund ta zhbëj askush, as ta ndryshoj sepse është shkruar jo vetëm me shkronja të arta, por edhe me gjak të derdhur nëpër shekuj. Është histori që e njeh e gjithë bota e civilizuar.
Personalitetet që kanë lenë gjurmë të mëdha në historinë tonë të lavdishme, Rilindasit Kombëtar dhe Fetarë gjatë shekujve, personalitetet e mëdha edhe të kohës sonë që dhanë gjithçka për të arritur ku jemi sot, si dhe të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, nuk mund t’i zhvlerësoj askush, pavarësishtë tendencave dhe investimeve të mëdha të shteteve armike të Kosovës,(me dritë të gjelbërt nga ne), për t’ia arritur këtij qëllimi, edhe pse paraqesin rrezik potencial që lakmimet apo apetitet e tilla shumë lehtë të përfundojnë si lakmia e Judë Iskariotit i cili veq tjerash tha: “Çka po më jepni e unë po jua dorëzoj?” Ata i caktuan tridhjetë sikla të argjendta për ta tradhtuar Mësuesin e vet. (Mt 26, 15).
Pra, fyerja e Flamurit kombëtar nga kushdo qoftë, veçanërisht nga prijësit fetar, është akt i shëmtuar dhe ofendues për miliona njerëz të vdekur të cilët kanë dhënë jetën për Flamurin Kuq e Zi, dmth. për Pavarësinë e popullit dhe Shtetit Shqiptar, si dhe fyerje dhe ofendim për miliona shqiptar të cilët bashkohen dhe betohen po në këtë Flamur. Flamuri kombëtar i bashkoj në të kaluarën dhe do t’i bashkoj edhe në të ardhmën të gjithë shqiptarët kudo në botë.
Nuk urrej dhe nuk fyej njeri, sepse nuk është në natyrën e edukatës sime familjare, aq më tepër, nuk më lejon përkushtimi im shpirtëror si klerik i besimit monoteist i kishës universale. Por, nuk mund të pajtohem me personat të cilët bëjnë deklarata kontraverse apo veprime të pamatura dhe të dëmshme kur është në pyetje identiteti ynë kombëtar dhe kulturor, pavarësisht pozitave që mbajnë.
Deklarata: “Kush s’mund me i pa xhamitë në Kosovë, le t’ia mësynë Beogradit”, është deklaratë e rëndë, e nxituar, dhe jo e nivelit të duhur. Kjo deklaratë, apo ky mllef…mund të kuptohet në mënyra të ndryshme, sepse në thelb ajo përmban kuptim të gjerë dhe të dëmshëm për shoqërinë tonë. Nëse e kuptojmë në kontekstin e thënë, ajo mund të kuptohet dhe “përkthehet” edhe në këtë mënyrë: Kush s’mund të pajtohet me historinë e vërtet të popullit shqiptar, kush s’mund me i pa kishat katolike në Kosovë, kush s’ mund t’i ndëgjon emrat e personaliteteve të mëdha kombëtare dhe fetare, nga të cilët kemi gjuhën, kulturën, traditën, emancipimin dhe civilizimin Evropian, si dhe shumë çka tjetër… t’i themi t’ia mësynë Beogradit!!! Jo, asesi, sepse është derdhur shumë gjak me shekuj, për ta gëzuar këtë tokë martire të gjithë shqiptarët pa dallim besimi dhe bindje.
Çfarë t’ju themi atyre të cilët fyejnë Shën Nënë Terezën (të cilën e gjithë bota e thërret Nënë) duke e quajtur serbe, që e fyejnë edhe shenjtërinë e saj duke deklaruar se ajo e ka vendin në ferr! Çfarë t’ju themi atyre të cilët Gjergj Kastriotin Skenderbeun, Heroin tonë Kombëtar e quajnë serb, sepse paska luftuar kundër vëllezërve të tyre turq! Çfarë t’ju themi atyre që deklarojnë se Perandoria Osmane na ka ruajtur identitetin tonë kombëtar! Çfarë t’ju themi atyre që deklarojnë se turkun e kanë vëlla! Çfarë t’ju themi atyre që deklarojnë se “gjaku i jobesimtarëve (jo muslimanëve) është pija më e mirë për muslimanët!” Çfarë t’ju themi atyre që deklarojnë se “Katoliku është shtatë herë më i keq se shkau (serbi)! Çfarë t’ju themi atyre që deklarojnë: “Ma mirë me të vdekë qika (vajza) se me u martu me katolik!” e sa e sa deklarata tjera tërësisht antikombëtare, të cilat me shumë vështërësi po duhet me i përpi për hir të interesit tonë kombëtar. Çfarë t’ju themi këtyre njerëzve? T’ju themi t’ia mësynë Beogradit, Turqisë, Arabisë…!
Jo, asesi, sepse me këtë logjikë Kosova shpejtë do të zbrazej nga shqiptarët, për t’ju mundësuar dhe plotësuar dëshirën të tjerëve ta gëzojnë këtë tokë martire, për të cilën popullli shqiptar ka derdhur gjak me shekuj. Adn-ja e gjakut shqiptar nuk përcakton përkatësinë fetare, por përkatësinë kombëtare. Prandaj, të bashkuar, duhet të kontribuojmë, të udhëzojmë dhe të këshillojmë të gjithë shqiptarët, pa dallim besimi, që ta ruajmë si sytë e ballit identitetin tonë kombëtar, ta duam historinë tonë, t’i nderojmë dhe respektojmë personalitetet që kanë lënë gjurmë të mëdha në historinë e kombit tonë shqiptar, ta duam Kosovën ashtu me tempujt tanë fetarë (kisha dhe xhamia) ta duam dhe ta respektojmë njëri-tjetrin sepse jemi vëllezër dhe motra të një toke, të një gjuhe dhe të një gjaku. Gjatë gjithë historisë, të mirat dhe të këqiat i kemi ndarë së bashku dhe do të vazhdojmë t’i ndajmë së bashku, sepse rrugë tjetër nuk kemi.
Përpos deklaratave të sapërmendura, tentohet që edhe në aspektet tjera t’i jipen meritat njërit apo tjetrit, për ate që është arritur bashkërisht, në emër të kombit. Shumë herë kam ndegjuar deklaratat: “Pse ne kalojmë mirë me njëri-tjetrin, merita është e muslimanëve” apo: “Merita për tolerancë fetare ndër shqiptarë ju takon muslimanëve”, si dhe deklarata tjera të ngjajshme në këtë kontekst, veçanërisht kur ato vijnë nga persona publik që bartin përgjegjësi, janë të dëmshme për shoqërinë. Njerëzit që nuk e njohin historinë, që nuk lexojnë, mund ta kuptojnë në një kontekst krejt ndryshe. Meritat për tolerancë fetare nuk ju takojnë as muslimanëve as katolikëve, por përgjithësisht ju takojnë Shqiptarëve.
Toleranca (vr. i. mirëkuptimi dhe dashuria ndaj njëri-tjetrit), nuk ka filluar me ne, por shekuj më parë, dhe jo vetëm toleranca fetare, por asgjë nuk ka filluar dhe nuk do të përfundon me ne.
Deklaratat e tilla kryesisht bazohen në shumicë (shqiptarë të besimit islam) dhe pakicë (shqiptarë të besimit krishterë), por mos të harrojmë se dikur ka qenë e kundërta.
Prandaj e thekësova që meritat ju takojnë shqiptarëve në përgjithësi, sepse në Kosovë besimtarët (pa dallim) jane pakicë, ndërsa Shqiptarët janë shumicë. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë. Me bindje të thellë, por me dhembje në shpirtë e themë, që populli ynë shqiptarë gjatë gjithë historisë së vet, kurrnjë herë nuk ka qenë më i ndjeshëm për temat që prekin besimin, se sot.
Sot, po të varej toleranca fetare nga muslimanët dhe katolikët, ajo do t’ishte rrezikuar si asnjë herë më parë në historinë tonë, siç po rrezikohet edhe identiteti ynë kombëtar, kultura jonë e lashtë, nderi dhe morali familjar nga grupe dhe individë, të cilët nuk kursejnë asgjë për t’i arritur qëllimet e tyre. Prandaj, duhet të kemi shumë kujdes dhe të jemi maksimalisht të maturuar në çdo veprim, duke mos lejuar per asnjë çmim devijimin nga identiteti ynë kombëtar dhe kulturor, nga vlerat morale, njerëzore dhe Hyjnore që e kanë karakterizuar familjen dhe shoqërinë tonë në përgjithësi.
Popull i im i dashur Shqiptar, vëllezër dhe motra, këtë mesazh meditimi-reflektimi e shkrova nga zemra dhe shpirti, me të vetmin qëllim, që të ecim sy hapur, të bashkuar si vëllezër dhe motra, në dritën e lirisë së vendit tonë të dashur, Kosovës sonë martire, për të sotmën dhe të nesërmen më të mirë, më të ndritur dhe më të sigurtë për të gjithë.
Përndryshe, do të na mallkoj historia, do të na mallkoj kjo tokë martire, do të na mallkoj gjaku i derdhur ndër shekuj i bijëve dhe bijave tona shqiptare, por, mbi te gjitha do ta mallkojmë vetveten. Ndërsa, mallkimi (dënimi) i vetvetes është gjëja më e tmerrshme dhe më tragjike që mund t’i ndodhë njeriut dhe shoqërisë në përgjithësi.
Zoti e bekoftë Kosovën tonë martire.
Zoti e bekoftë popullin tonë shqiptarë, si dhe gjithë qytetarët e Shtetit tonë të dashur.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu