VENDIMI ABSURD DHE ABSURDITETI I MINISTRIT ISA MUSTAFA
Komunistin Isa Mustafa e rehabilituam ne të LDK-së, madje edhe pa e dorëzuar librezën e LKJ-së. Të gjithë e dinim se ka qenë drejtor i dhunshëm në Qendrën e Stdentëve, diferencues ideopolitik në Universitetin e Prishtinës, faktori për ndryshimet Kushtetuese në favor të Sërbisë, dhe diferencuesi kryesor në mbledhjet e LKK-së kundër Alternativës Kosovare. Pavarësisht këtyre atë e bëmë Ministër për Ekonomi dhe Financa në Qeverinë e Kosovës në Ekzil. Në planin e financave ne në LDK, kishim nisur hapat fillestar duke i hapur llogaritë bankare dhe kishim themeluar Fondin Humanitar të LDK-së, më 05 dhjetor 1990. Pastaj ky fond u shndërrua në FONDI HUMANITAR GJITHËKOMBËTAR, në të cilin ishin grumbulluar mbi nëntë milion franga zvicerane.
Pasi nisi konsolidimi i Qeverisë së Kosovës në Ekzil, Dega e LDK-së në Zvicër vendosi t’ia kaloj këtë fond Qeverisë së Kosovës në Ekzil, sepse edhe ashtu ishim deklaruar para anëtarësisë. Më datën, 05 dhjetor 1991, Dega e LDK-së në Zvicër, mbi 9 milion franga zvicerane, ia dorëzoi Qeverisë së Kosovës në Ekzil. Parat ishin të grumbulluara në “Schweizerische Volksbank”[1] në Arau. Përfaqësues i LDK-së nga Kosova ishte prof. dr. Ali Aliu, kurse nga Dega e LDK-së në Zvicër, isha unë (Nazmi Peci), kryetari i Degës mr. Shaip Latifi dhe Shabi Matoshi. Pranimin e parave nga Qeveria e Kosovës e bënë kryeministri dr. Bujar Bukoshi, ministri i financave, mr. Isa Mustafa dhe zevendëskryeministri Ramush Tahiri, (ky dhëndërr i prof. Ali Aliut). Menjëherë pas pranimit të parave filluan obstruksionet kundër LDK-së, veprime që tashmë u bënë të njohura. Madje edhe profesor Ali Aliu, më rrallë është dukur në Degën e LDK-së në Zvicër, bile edhe ai filloi të sillej si aristokrat kundrejt nesh.
Raportet tona me Qeverinë e Kosovës në Ekzil, filluan të ashpërsoheshin tejmase. As Kryesia Qendrore në Prishtinë nuk ishte në gjendje të na ndihmoj. Kjo luftë e egër dhe e pa principe e Bujar Bukoshit dhe e Isa Mustafës, bëhej kundër dr. Ibrahim Rugovës dhe Kryesisë së LDK-së në njërën anë dhe kundër mr. Shaip Latifit dhe Nazmi Pecit në anën tjetër. Me mua dhe Komisionin Qendror të Trepërqindëshit, kryesisht merrej vetëm mr. Isa Mustafa, i cili nga prizmi im përfaqësonet konjukturën më të ndytë të LKJ-së, por që e kishim rehabilituar dhe e kishim zgjedhur ministër. Ai u bë shumë i egër me mua dhe me Shaip Latifin sa nuk flitej më me të. Një fodull që shtirej i mençur dhe vazhdimisht ishte i zënë, kur ishte fjala në takime me mua dhe Shaip Latifin, por askush nuk mundet me thënë çfarë pune të mirë ka bërë deri më tani. Natyrisht gjatë asaj kohe shiheshin dhe flitej edhe për koketime të shumta, që dëshmonin se kishin qëllim për ta ndryshuar strukturën e Komisionit Qendror të Trepërqindëshit.
Në anën tjetër Kryeministri dr. Bujar Bukoshi, kishte ashpërsuar raportet e tij me Kryetarin e Degës mr. Shaip Latifin, dhe flas me përgjegjësi morale se në jetën time s’kam takuar njeri ma kontrovers se sa Bujar Bukoshin, as si njeri të rëndomt, par as si intelektual me gradën akademike “Dr.”. E, për më keq, ai ishte kryeministër në Qeverinë e Kosovës në Ekzil?! Sjellja e tij dita – ditës bëhej e padurueshme.
E gjitha plasi në pasditën e datës 12 mars 1993, kur në zyrat e Degës së LDK-së në Seebach erdh me Fax vendimi për shkarkimin tim nga pozita e kryetarit të Këshillit Qendror[2] për grumbullimin e mjeteve të trepërqindshit, i nënshkruar nga vet Ministri për Ekonomi dhe Financa mr. Isa Mustafa. Ky ishte atak i drejtpërdrejt kundër LDK-së dhe kundër Degës së LDK-së në Zvicër. Ishte shpërblimi që morëm pas dorëzimit të fondit dhe parave. Ishte lufta që filloi kundër dr. Ibrahim Rugovës dhe LDK-së në Kosovë, ishte luftë për ta shkatërruar LDK-në në Diasporë, me theks të veçantë Degën e LDK-së në Zvicër.
Dy ditë më vonë, më 15 mars 1993, u mblodh kryesia e Degës dhe në të njëjtën ditë iu nis një letër Kryesisë Qendrore në Prishtinë. Pas tre ditësh, më 18 mars 1993, Kryesia e LDK-së në Prishtinë e ktheu një përgjigje të cilën e kishte nënshkruar prof. Fehmi Agani,[3] në të cilën shprehej keqardhje për veprimet e dyshes Bukoshi&Mustafës, me sugjerimin që Komisioni të vazhdojë punën në përbërjen që kishte dhe të mos lejoheshin dezinformata me pasoja për proceset. Dega në Zvicër u pajtua me sugjerimet e Prishtinës, ndersa Isa Mustafa vazhdote “reformat?!”, sa për një kohë rekorde arriti ta ndryshojë tërë strukturën e komisioneve, ndërsa për kryetar ende nuk e kishte gjetur personin e përshtatshëm dhe servil, prandaj çështja ka mbetur pezull.[4] Ndërsa shqetësimi im kryesor ka të bëjë me atë se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim, pasi konflikti në mes Degës në Zvicër po ashpërsohej, në anën tjetër Bujar Bukoshi as që dëgjonte për kryesinë Qëndrore të LDK-së në Prishtinë, qëllimi i tij ishte për ta hequr qafe dr. Ibrahim Rugovën?!…
Ne detyrimisht u pajtuam të vazhdojmë aktivitetin, duke mos krijuar plasaritje të reja, edhe pse rënia e vullnetit përjetohej kudo. Lufta e nëntokës që bëhej kundër Degës kishte marrë hov, ajo nuk po ndalej. Në këto rrethana, Dega e LDK-së u detyrua të shkonte drejt zgjedhjeve që do të finalizohen në vjeshtë.
As unë por as të tjerët nuk dinim se çfarë po ndodhte, por se ishim në rrethana të vështira kjo s’ka dyshim. Obstruksionet e Bujar Bukoshit dhe të Isa Mustafës nuk kishin të ndalur, çuditërisht edhe falangat ideologjike të së majtës marksiste-leniniste i kishin sinkronizuar kërcënimet dhe agresivitetin e tyre.
Zürich, mars-prill 1993.
Marrë nga libri në botim: Ing. Nazmi Peci, “DEMOKRACIA E PROLONGUAR”, (përgatitur nga Shefqet Dibrani dhe Demë Jashari)
[1] Shaip Latifi, “MONOGRAFIA E DEGËS SË LDK-së NË ZVICËR”, 2008, faqe 124. (Përpiluesit)
[2] Shaip Latifi, “Monografia e Degës së LDK-së në Zvicër“, 2008, faqe 193-194. (Përpiluesit)
[3] Po aty, Shaip Latifi, faqe 197-198.
[4] Zgjedhja e Gani Hoxhës, u bë jo me zgjedhje por vendim përkatës të Ministrit për Ekonomi dhe Financa Isa Mustafa, (Vendim i Qeverisë, 01 Nr. 01/ 91-2), protoklli 02 Nr.- No. 1/ 9-93, i datës 04 shtator 1993. (Përpiluesit)
_______
Sqarim: Shkrimi është shkëputur nga libri në botim i Ing. Nazmi Pecit! Por i përshtatet aktualitetit për largimet në LDK.