ARKIVI:
23 Dhjetor 2024

Ngritja dhe fundi i natyrshëm i PDK-së

Shkrime relevante

Zëri i ndërgjegjës kombëtare thërret për ndryshim!

Shqiptarë të Plavës dikur..., para se pasardhësit e tyre të bëheshin...

Ja si mund të duket Anglia e bukur, e së ardhmes…!

Jorgo Mandili 21 dhjetor 2024 ___ Britania ishte përpara të gjitha vendeve perëndimore në...

Si i dëboi UÇK-ja hoxhëllarët dhe predikuesit e fesë islame nga frontet e luftës

Luan Dibrani, Gjermani ___ Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e...

Interesat kombëtare të Kosovës, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe konteksti më i gjerë gjeopolitik

Agim Vuniqi, New York ___ Roli i Shqipërisë dhe deklaratat e kryeministrit Rama Fjala...

Shpërndaj

Shkruan: Dr Sadri Ramabaja

Trupi elektoral i zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 arriti ta shndërrojë Kosovën, si për LDK-në edhe për PDK-në, në një tip shtrati të Prokrustit. Xhuxhëria e tyre, shih për këtë, është shndërruar në makth.

Prishtinë, 26 qershor — E majta progresive shqiptare në Kosovë dhe në viset shqiptare të aneksuara nga Jugosllavia, me dinamikat e zhvillimit të saj në rrafshin ideologjik e kombëtar, me vendimin historik të 17 janarit 1982 për bashkimin e organizatave atdhetare nën akronimin LPK (Lëvizja Popullore e Kosovës), tok me produktin e saj, kryevlerën politike të Kosovës — UÇK-në, mbetet një nga sfidat reale për trajtim të mirëfilltë shkencor edhe sot e kësaj dite.
Këtë trajtim e bën më të implikuar sidomos dekada e fundit e shekullit 20-të. Ajo u karakterizua me promovimin e apart’heidit serb në Kosovë, por tok me të, edhe me atë të jetës kuaziplurale (aktivizimin e të ashtuquajturit sistem paralel), për shumëçka sui generis.

Vitet e nëntëdhjeta të shekullit 20-të, përmbyllja e dekadës së parafundit, saktësisht 23 dhjetori i vitit 1989, solli në jetë organizatën politike më kontraverze në skenën politike shqiptare — Lidhjen Demokratike të Kosovës. Tok me apart’heijdin serb të instaluar dhe përmes tij edhe thellimin e luftës së pakompromis për përndjekjen e kundërshtarëve real të pushtetit jugosllav, Serbia, përmes LDK-së, po instalonte edhe mendësinë e vasalitetit kundruall pushtuesit. Ndërkaq luftën speciale brenda faktorit shiptar e kishte përqëndruar kundër atyre që kishin mendim tjetër nga LDK-ja për formën dhe përmbajtjen e organizimit politik dhe luftës për çlirim.

Gjendja e Kosovës në fillimvitet ‘90-ta, karakterizohej me kundërthënie të thella mes dy rrymave politike brenda spektrit politik shqiptar (LPK-së dhe LDK-së). Ndërkaq thellimi i kursit antishqiptar të drejtuesve të shtetit serb në dobi të strategjisë për nënshtrimin e plotë të Kosovës, duke reprizuar kështu Toplicën në Kosovën e fundshekullit 20-të, ishte objektivi qendror.

Nëse i shtojmë kontradiktës egzistuese brenda “bllokut shqiptar” edhe atë me pushtuesin serb, dhe marrim në konsideratë mungesën e plotë të strategjisë për çlirimin e Kosovës edhe nga vet Tirana zyrtare, që tashmë tok me LDK-në projektin për “çlirimin” e Kosovës ia kishin dorëzuar faktorit ndërkombëtar, gjendja rezulton edhe më tragjike.
Në këto rrethana, konstaton me të drejtë ushtaraku erudit Dilaver Goxhaj, për LPK-në rezuton të ketë qenë imediate shmangia e përplasjeve me LDK-në. Ndërkaq krijimi i strukturës së UÇK-së dilte në plan të parë, tek pas vendimeve që kishte marrë Mbledhja e Katërt e Përgjithshme, në Prishtinë më 26 e 27 korrik 1993, kur qe marrë vendimi për themelimin e UÇK-së.

Ky objektiv (shmangia e përplasjes së brendshme), do të trajtohej me prioritet edhe gjatë luftës, por tashti nga një grup sekret që po vepronte bredna LPK-së. Me urtësi dhe vizion ai grusht idealistësh ia kishte dalë të imponojë taktikisht një lloj shkrirje të paveneruar të Forcave të Armatosura të Kosovës (FARK) në UÇK. Krejt kjo ishte arritur pa dijenin e krerëve të “politikës” — qoftë të krahut “pacifistë”, qoftë atij që do të cilësohet gradualisht ashtu si edhe de fakto ishte — komplotistë, brenda LPK-së/ UÇK-së.

* * *

Kuvendi i LPK-së i mbajtur në Prizren në qershor të vitit 1999, shënon fundin e kësaj Lëvizje si e tillë dhe themelimin e Partisë për Bashkim Demokratik. Kjo parti ndërkohë do të ndërroi emrin në “Partia e Progresit Demokratik” dhe së fundmi në “Partia Demokratike e Kosovës”, duke u cilësuar edhe si trashëgimtare legjitime e LPK-së.

Kryesia e partisë që rezultoi me këtë transformim të LPK-së në PBD, ashtu siç nuk ia kishte dalë ta shmangë komplotin brenda LPK-së, nuk do t’ia dalë dot ta ruaj PBD si trashëgimtare legjitime të LPK-së. Ajo, përmes një të ashtuquajture “marrëveshjeje” me Drejtorinë Politike të UÇK-së, do t’ia dorëzojë atë drejtuesve të saj, respektivisht Hashim Thaçit.

Trupi elektoral i zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 arriti ta shndërrojë Kosovën si për LDK-në edhe për PDK-në, në një tip shtrati të Prokrustit. “Tërmeti” politik që preku gjithandej Kosovën, bëri që këto dy forca tok, të pësojnë tronditje të thellë. Xhuxhëria e tyre, shih për këtë, ndërkohë është shndërruar në makth.

Dje kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ushtruesi i detyrës së kryetarit, bën publik dorëheqjen deri në konventën e radhës. I vetmi organ që funksionon aktualisht është grupi punues, i cili merret me përgatitjet e Konventës. Konventa është paralajmruar për 3 korrik. Përplasjet brenda klaneve kanë krijuar tensione të larta dhe të pakontrollueshme. Konventa e 3 korrikut, duket se do të jetë prologu i fundit të PDK-së.

***
Në Kosovën e pasluftës komplotistët që ju imponuan UÇK-së si udhëheqje politike, gradualisht kanë imponuar mendimin se, sa më i ashpër e brutal të jesh me oponentët politikë, aq më i dobishëm do të jeshë për Shtetin, rrjedhmisht aq më atdhetar! Jo pak ish ushtarë të UÇK-së e militantë të LPK-së, kanë ra në lajthitje nga kjo strategji.

Ky ishte kriteri më absurd që imponuan krerët e SHIK-ut alias PDK-së, ndërkaq për pasojë, që me uzurpimin e PBD-së nga Drejtoria Politike e UÇK-së, u panë simptomat e degjenerimit të saj nga një parti politike e orjentimit të majtë, jo në një parti të mirëfilltë të të djathtës së qendrës, siç u proklamua PDK-ja, por në një bandë që do të drejtohej nga olhokratët.

Përfundimi i saj, nuk mund të ketë fat tjetër, përveç atij të bandave kriminale.

Por, ky fund, asesi nuk duhet konsideruar edhe si fundi i së majtës progresive të cilës i patën hedhë themelet treshja e njohur tashmë: Kadri Zeka, Jusuf Gërvalla dhe Ibrahim Kelmendi më 17 janarit 1982. Përkundrazi, trashëgimia pozitive e saj, krejt natyrshëm, në cilsinë jo vetëm të traditës pozitive të
LPK-së, tashmë është brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu