ARKIVI:
17 Tetor 2024

Nis ushtrimi Defender Europe 23 – ngjarja më e madhe stërvitore ushtarake në Kosovë 

Shkrime relevante

Rrëfime të Irsa Shores për kalanë magjepsëse të Gjirokastrës

Irsa Shore 𝐊𝐚𝐥𝐚𝐣𝐚 𝐞 𝐆𝐣𝐢𝐫𝐨𝐤𝐚𝐬𝐭𝐫𝐞𝐬 është një ndër më të mëdhatë në...

Ku ishim, ku jemi dhe kah po shkon diplomacia dhe politika globale në suazat e rendit të ri botëror

Nga: Prof Dr Hakif Bajrami, historian Sot zhvillohet një luftë tinzare në...

Luftë vëllavrasëse ndërshqiptare nuk mund të ndodhë, se ne e kemi në pushtet “Esat Pashë Toptanin!”

Pamje nga perurimi i xhamisë turkomadhe të Namazgjasë në Tiranë, ku...

Simbolika e numrit shtatë (7) në kulturën tonë popullore dhe te popujt me qytetërim të lashtë

Qazim Namani, studjues, Prishtinë ___ Këto ditë me erdhi një foto nga miku...

35 vjet pas shembjes së Murit të Berlinit: Anë e mbanë botës demokracia është në rrezik!

Nga: Frank Shkreli Shtatorin që kaloi, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB)...

Shpërndaj

-Presidentja Osmani: Kam nderin që jam sot me ju në ceremoninë e fillimit të stërvitjes së përbashkët shumëkombëshe Defender Europe ‘23 të drejtuar nga Komanda e Ushtrisë së SHBA-së për Evropë dhe Afrikë/ 

-Kryeministri Kurti: Sot, këtu, në sheshin që mban emrin e kryeheroit tonë dhe njërit prej strategëve më të njohur ushtarakë që ka njohur njerëzimi – Skënderbeut, po shënojmë fillimin e ushtrimit të madh të drejtuar nga aleati ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës/ 

-Mbi 1,300 ushtarakë të forcave të Kosovës do të ekzekutojnë detyra stërvitore ushtarake në krahë të 24 mijë ushtarakëve të forcave të armatosura të 25 vendeve të NATO-s dhe vendeve partnere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës/ 

 

Nga Behlul Jashari , Prishtinë

PRISHTINË, 21 Maj 2023/ Në Kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë – në Sheshin Gjergj Kastroti -Skënderbeu sot u mbajt ceremonia e fillimit të ushtrimit më të madh ndërkombëtar ushtarak në rajonin e Ballkanit “Defender Europe ’23”, me ç’rast Ushtria e Kosovës – FSK do të tregojë kapacitetet e saja luftarake, e po ashtu shkallën e ndërveprimit ushtarak. 

Në ceremoni morën pjesë personalitetet më të larta shtetërore, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, Zëvendësministrat e Mbrojtjes, Shemsi Syla dhe Adnan Rexheplar, Ambasadori Amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, Gjenerali Amerikan – Gjeneral Brigade Derek Adams, Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, gjeneralë të FSK-së, deputetë të Kuvendit të Kosovës, ambasadorë, atashe ushtarakë, si dhe oficerë të lartë të shteteve partnere. 

Ceremonia nisi me intonimin e Himnit të Republikës së Kosovës dhe Himnit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga Orkestra Frymore e Forcës së Sigurisë së Kosovës. 

Në ceremoni Presidentja Osmani theksoi se objektivi kryesor i kësaj stërvitjeje është shfaqja e fuqisë ushtarake, për të siguruar paqen dhe se ky ushtrim është kujtesë se forca nuk qëndron vetëm në armë, qëndron në lidhjet tona dhe aleancën e përbashkët. 

“Kam nderin që jam sot me ju në ceremoninë e fillimit të stërvitjes së përbashkët shumëkombëshe ‘Defender Europe ‘23’ të drejtuar nga Komanda e Ushtrisë së SHBA-së për Evropë dhe Afrikë”, theksoi Presidentja e Kosovës. 

Forhåndsvisning av bilde

Kryeministri Kurti tha se “Defender Europe 2023” është ngjarja më e madhe ushtarake që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë dhe se FSK në këtë ushtrim, radhitet e katërta në mesin e 25 ushtrive pjesëmarrëse, sa i përket numrit të personelit të angazhuar. 

Më tej, Kryeministri Kurti potencoi se kjo është dëshmi e vullnetit për ndërtim të kapaciteteve të mbrojtjes dhe përkushtimit të palëkundur për të qenë pjesë e sistemit të përbashkët të mbrojtjes së vendeve që përqafojnë e përfaqësojnë vlerat demokratike. 

Duke iu drejtuar të pranishmëve në këtë ceremoni, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, theksoi se përgatitjet për realizimin e suksesshëm të “Defender Europe ‘23” kanë  filluar qe një vit e gjysmë dhe se trajnimet e vazhdueshme, investimi në blerje të pajisjeve dhe sistemeve të armatimit, shkollimet dhe stërvitjet kanë qenë intensive dhe i kanë paraprirë këtij ushtrimi. 

“Për ne është shumë e rëndësishme që ngritjen e kapaciteteve tona ta bëjmë gjithmonë sipas standardeve të NATO-s, sepse rrugëtimi ynë është i qartë, destinacioni ynë është një dhe i vetëm, anëtarësimi në NATO. Prandaj ne do të përmbushim çdo detyrë e obligim që të jemi pjesë e kësaj familje të madhe”, tha Ministri Mehaj. 

Ambasadori Amerikan në Kosovë, Hovenier, në fjalën e tij, theksoi se kjo ngjarje është arritje e madhe e Kosovës dhe paraqet përforcim të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kosovës dhe se ky ushtrim është përpjekja më ambicioze që FSK-ja ka ndërmarrë deri më sot. 

Ushtrimi ndërkombëtar ushtarak “Defender Europe ’23” do të mbahet nga data 21 Maj deri me 2 Qershor, ku do të jenë pjesëmarrës 25 shtete me mbi 22 mijë ushtarë. Republika e Kosovës si vend pritës do të ketë mbi 1300 ushtarë. 

Forhåndsvisning av bilde

PRESIDENTJA OSMANI NË “DEFENDER EUROPE ‘23”: KJO STËRVITJE NDËRKOMBËTARE DËSHMI E FUQISË SË BASHKËPUNIMIT DHE TREGUES SE SA E FUQISHME ËSHTË ALEANCA JONË ME SHBA-të 

Fjalimi i plotë i Presidentes Osmani:  

I nderuar Kryeministër Kurti, 

I nderuar ambasador Hovenier, 

I nderuar Ministër Mehaj, 

Ministër Sveçla, 

I nderuar Komandant i FSK-së, Gjenerallejtënant Jashari, 

I nderuar zëvendëskomandant i divizionit të 34-tët të Këmbësorisë, Gjeneral brigade, Erens, 

Gjeneral brigade Bozicevic, 

Të nderuar partner të Republikës së Kosovës, partner të Forcës së Sigurisë së Kosovës, 

Ushtarakë të forcave partnere dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës, 

Të gjithë ju pjesëmarrës në këtë stërvitje historike, 

Të dashur qytetarë të Republikës sonë, 

Kam nderin që jam sot me ju në ceremoninë e fillimit të stërvitjes së përbashkët shumëkombëshe “Defender Europe ‘23” të drejtuar nga Komanda e Ushtrisë së SHBA-së për Evropë dhe Afrikë. 

Sot, qëndroj para jush për të nderuar guximin, përkushtimin dhe angazhimin tuaj të palëkundur në këtë stërvitje ndërkombëtare. 

Ju jeni mishërim i trimërisë dhe përfaqësimit të idealeve më fisnike të shërbimit, sakrificës dhe solidaritetit. 

Ju jeni gardianë të paqes dhe sigurisë në një botë gjithnjë e më komplekse dhe në zhvillime gjithnjë e më sfiduese. 

Në këtë stërvitje ndërkombëtare, ju jeni krahas ushtrive nga kombe të ndryshme dhe shtete të ndryshme. 

Megjithatë, ju qëndroni të bashkuar nën një kauzë të vetme, kauzës së përbashkët—për ta forcuar bashkëpunimin, për ta ndërtuar besimin dhe për ta rritur ndërveprimin midis forcave aleate. 

Ju jeni mishërimi i punës në grup, duke kapërcyer kufijtë dhe duke punuar së bashku drejt një qëllimi të përbashkët- sigurisë dhe mbrojtjes së vlerave tona. 

Ky ushtrim ndërkombëtar është një simbol i vendosmërisë sonë kolektive për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në një botë që po sfidohet vazhdimisht. Është një kujtesë se forca jonë nuk qëndron vetëm në fuqinë e armëve tona, por në lidhjet që krijojmë, në aleancat që ne ndërtojmë dhe në vlerat e përbashkëta, të cilat çdo ditë po i kultivojmë. 

Së bashku ne jemi më të fortë kundrejt forcave që kërkojnë të na ndajnë, duke dëshmuar se uniteti dhe bashkëpunimi ynë janë çelës për një të ardhme më të sigurt e më paqësore. 

Objektivi kryesor i Defender 23 është ta shfaqë aftësinë ushtarake dhe luftarake të ShBA-ve dhe forcave aleate, kundër agresorëve të mundshëm dhe për t`i siguruar aleatët dhe partnerët evropianë se kontinenti është i sigurt nga sulmet e mundshme. 

Ky ushtrim është historik në shumë aspekte, veçanërisht për ushtrinë më të re në kontinentin evropian, për Forcën tonë të Sigurisë. 

Pikërisht para dy viteve me sukses shumë të lartë realizuam së bashku Stërvitjen “Defender-Europe’21”, dhe vazhduam pa u ndalur në përgatitjet për stërvitjen e radhës, e cila po fillon sot me ceremoninë në sheshin Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, një ndër emrat më domethënës në historinë tonë.   

Skënderbeu është hero jo vetëm për Kosovën, por edhe për Evropën. Njihet si strategu dhe udhëheqësi ushtarak ndër më të mëdhenjtë në historinë e luftërave për mbrojtjen e atdheut dhe mbrojtjen e vlerave civilizuese që ndikuan fuqishëm edhe në mbrojtjen e Evropës kontinentit tonë në përgjithësi. 

Nga ana tjetër, ndodhet  shtatorja e liderit historik, udhëheqësit tonë të lëvizjes për pavarësi, njëherit arkitektit të Republikës sonë, Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, vizioni dhe ideali i të cilit, gjatë gjithë rrugëtimit të vështirë, ishte i mishëruar në vlerat properëndimore dhe euroatlantike. 

Defender 2023 përkon edhe me 24-vjetorin e çlirimit tonë, e cila është ditë po aq e freskët sa kujtesa e ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së me forcat e vendeve tjera aleate të NATO-s,  kundër gjenocidit të  Millosheviqit ndaj popullit të Kosovës. Ne ishim viktima, kurse regjimi i Millosheviqit ishte agresori. E, lufta jonë ishte luftë për liri! Kjo është e vërteta e vetme, të cilën do ta mbrojmë çdo herë e kudo! 

Forhåndsvisning av bilde

Prandaj, sot teksa i shohim ushtarët e FSK-së të radhitur në këtë shesh, dua të sjellë në vëmendjen e secilit edhe sakrificën e paraardhësve të tyre, vajzave e djemve të UÇK-së, të cilët e bën të mundshme lirinë tonë, mbrojtën dhe rikthyen dinjitetin tonë. Ata janë mishërimi i vetëmohimit, sakrificës dhe guximit. Të prirë nga komandanti legjendar, Adem Jashari, ata dhe mbi 3 mijë dëshmorë të UÇK-së janë personifikim i lirisë dhe i shtetit tonë. 

Prandaj, falënderim dhe mirënjohje e përjetshme për vajzat dhe djemtë e UÇK-së! 

Faleminderit edhe për burrat e gratë e popujve të aleancës së lirisë, aleancës së NATO-s dhe gjithë ushtarëve të ShBA-ve për sakrificën në përkrahje të përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi! 

Përgjatë, 24 vjetëve të pasluftës na qëndruat pranë me mbështetjen tuaj, duke mbështetur edhe Ushtrinë e Republikës së Kosovës, të cilën  e ngritëm dhe zhvilluam së bashku me ju, e tani në këtë stërvitje do të demonstrojnë praktikisht se ata janë të gatshëm për të realizuar detyrat në kuadër të operacioneve shumëkombëshe të paqes dhe stabilitetit kudo që ka nevojë. 

Forhåndsvisning av bilde

Të nderuar të pranishëm,  

Pjesëmarrja e Republikës së Kosovës, me statusin e vendit pritës në mesin e 25 vendeve në këtë stërvitje me gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë e rreth 1400 trupave të FSK-së përkrah edhe shumë trupave ushtarake amerikane dhe trupave të tjera shumëkombëshe të vendeve aleate dhe partnere e shteteve tjera të NATO-s, konfirmon më së miri edhe besimin e fuqishëm të partnerit tonë strategjik, SHBA-së ndaj Republikës së Kosovës dhe ndaj Ushtrisë sonë. 

Rruga jonë përpara është e pandalshme e ne jemi të vendosur fuqishëm në konsolidimin dhe forcimin e institucioneve demokratike të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit si faktorë jetik në fuqizimin e sistemit të sigurisë dhe të mbrojtjes në vendin tonë. 

Në një mjedis shumë të ndjeshëm të sigurisë, kur sfidat dhe kërcënimet sa vijnë e bëhen gjithnjë e më komplekse, rëndësia e bashkëpunimit me aleatët në fushën e mbrojtjes, krahas të gjitha fushave tjera, është e domosdoshme dhe ekzistenciale. 

Këtë e konfirmon fuqishëm edhe niveli i lartë i ndërveprueshmërisë gjatë fazës planifikuese të stërvitjes, e cila besojmë se do të kurorëzohet me sukses maksimal edhe në fazën e ekzekutimit me  integrimin në operacion të përbashkët stërvitor të forcave tona me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. 

Krahas stërvitjes “Defender-Europe’23”, kjo shtron edhe nevojën e krijimit të përbashkët të frontit politik, sikurse edhe atij të sigurisë e të mbrojtjes, duke filluar  me Kartën e Adriatikut, SHBA- A5, ku është e domosdoshme të ecet përpara me anëtarësimin e Kosovës, pastaj me hyrjen e Republikës sonë në Programin e Partneritetit për Paqe, e deri tek anëtarësimi në NATO. 

Ky fakt, duhet të jetë  tregues i fuqishëm për të gjithë shkaktarët e sfidave, të gjithë shkaktarët e destruktiviteteve dhe tendencave për destabilizim se ata do të dështojnë çdoherë, në përpjekjet e tyre për minimin e paqes dhe sigurisë në vendin tonë dhe të rajonit në përgjithësi. 

Vendet tona kanë dëshmuar dhe po dëshmojnë, sikurse edhe me këtë stërvitje, qëndrueshmëri të plotë falë orientimit të qartë euroatlantik dhe partneritetit të ngushtë me SHBA-të, me vendet e BE-së dhe me vendet tjera anëtare të NATO-s si dhe bashkëpunimit të rregullt e të koordinuar të bazuar mbi vlera dhe objektiva të përbashkëta. 

Forhåndsvisning av bilde

Ushtarë të forcave mike dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës, 

Sot do ta kurorëzoni angazhimin tuaj maksimal dhe vetëmohues gjatë fazës së gjatë përgatitore. 

Kam besimin e plotë në aftësitë dhe kapacitetet tuaja profesionale dhe nivelin e forcës, qëndrueshmërisë dhe përgatitjeve tuaja intensive.  

Le të shërbejë kjo stërvitje ndërkombëtare si një dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit, si triumf i shpirtit njerëzor dhe i vullnetit të paepur të ushtarëve si ju. Le të jetë kjo edhe një tregues se sa e fuqishme është aleanca jonë me SHBA-të. 

Qëndroni të palëkundur në qëllimin tuaj, mbajuni fort pas vlerave tuaja dhe kthehuni nga ky ushtrim me krenari, përvojë dhe shkathtësi të reja!  

Së bashku jemi gjithmonë më të fortë me forcat aleate!  

Suksese dhe ju priftë e mbara!  

Zoti e bekoftë aleancën tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës! 

Ju faleminderit! 

Forhåndsvisning av bilde

KRYEMINISTRI KURTI NË DEFENDER EUROPE 23: FSK RADHITET E KATËRTA PËR NGA PERSONELI I ANGAZHUAR NË MESIN E 25 USHTRIVE PJESËMARRËSE, DËSHMI E VULLNETIT DHE PËRKUSHTIMIT TONË PËR ZHVILLUAR SISTEM TË MBROJTJES 

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:  

Shkëlqesia juaj, Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës, 

Shkëlqesia juaj, Jeffrey Hovenier, Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, 

I nderuari ministër i Mbrojtjes, Armend Mehaj, 

I nderuari ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, 

I nderuari Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, 

I nderuari Gjeneral Adams, 

I nderuari Shef i Stafit të KFOR, John Bozicevic, 

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë të akredituar në Republikën e Kosovës, 

Të nderuar deputetë të Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, 

Kryetarë të Grupeve Parlamentare, 

Të nderuar Kryetarë të Komunave, 

Të nderuar Gjeneralë të FSK-së, oficerë dhe ushtarakë, 

Të nderuar të pranishëm, 

Të dashur qytetarë,  

Sot, këtu, në sheshin që mban emrin e kryeheroit tonë dhe njërit prej strategëve më të njohur ushtarakë që ka njohur njerëzimi – Skënderbeut, po shënojmë fillimin e ushtrimit të madh të drejtuar nga aleati ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  

Padyshim, ushtrimi Defender Europe 23 – Mbrojtësi i Evropës 23, është ngjarja më e madhe stërvitore ushtarake që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë. Republika jonë sot është e nderuar që për herë të dytë është vend nikoqir i ushtrimit që shtrihet prej zonës së Mesdheut e deri në kufijtë lindorë të kontinentit tonë. Mbi 1,300 ushtarakë të forcave tona do të ekzekutojnë detyra stërvitore ushtarake në krahë të 24 mijë ushtarakëve të forcave të armatosura të 25 vendeve të NATO-s dhe vendeve partnere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Forhåndsvisning av bilde

Forca e Sigurisë së Kosovës në këtë ushtrim radhitet e katërta në mesin e 25 ushtrive pjesëmarrëse sa i përket numrit të personelit të angazhuar në këtë ushtrim. Kjo dëshmon për vullnetin që kemi për të zhvilluar sistemin tonë të mbrojtjes, por edhe përkushtimin tonë të palëkundur për të qenë pjesë e sistemit të përbashkët të mbrojtjes së vendeve që përqafojnë e përfaqësojnë vlerat demokratike.  

Siguria e kontinentit Evropian është interes jetik i yni, si shtet që beson në atë që e don: të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, paqen dhe demokracinë. Defender Europe 21 ishte më pak se një vit para se Rusia të shpërfaq në mënyrën më agresive e brutale synimet e saj të kahmotshme për t’u shtrirë dhunshëm në thellësi të Evropës. Defender Europe 23 po zhvillohet në një realitet të tensionuar, 15 muaj pas invazionit rus në Ukrainë, dhe që si i tillë ka të bëjë drejtpërdrejt jo vetëm me të ardhmen e Evropës, por edhe mbarë botës. 

Forhåndsvisning av bilde

Prandaj, përgatitja për t’u përballur me kërcënimet e njohura si dhe ato të paparashikueshme është e domosdoshme, ashtu siç është e domosdoshme rritja e ndërveprimit dhe ngritja e gatishmërisë luftarake e që janë objektivat kryesore të ushtrimit Mbrojtësi i Evropës 23. 

Forhåndsvisning av bilde

I nderuari Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, të nderuar ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të ushtrisë sonë dhe të vendeve tona mike që jeni sot të pranishëm këtu, para monumentit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, jeta dhe vepra e të cilit na e mësoi se sa të rëndësishme janë aleancat dhe gatishmëria luftarake për të mbrojtur rendin e organizimit dhe të ndërtimit. Madje edhe ky togfjalëshi “Stronger Together” (Bashkë më të fortë), është veçse variacion dhe jehonë e thënies së famshme të kryeheroit tonë Skënderbeut “Bashkimi bën fuqinë”. 

Forhåndsvisning av bildeJu uroj suksese në përmbushjen e objektivave të ushtrimit dhe njëherit ju siguroj që do të vazhdoni të keni mbështetjen e Qeverisë së Republikës dhe institucioneve të shtetit në ngritje dhe zhvillim profesional. 

Demokracia, shoqëria dhe vlerat njerëzore kanë nevojë për ushtrinë më shumë se kurrë, sepse demokracia është sistemi më i brishtë pikërisht sepse është sistemi më i hapur. 

Forhåndsvisning av bilde

Duke mos harruar mësimet nga historia jonë kombëtare dhe ajo e mbarë njerëzimit, le të jemi të bashkuar, me vullnet dhe me disiplinën më të lartë në zhvillimin dhe përmbylljen me sukses të këtij ushtrimi kaq të rëndësishëm për të gjithë ne. 

Forhåndsvisning av bildeSuksese dhe ju faleminderit! 

Forhåndsvisning av bilde

 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu