ARKIVI:
21 Dhjetor 2024

Disa të dhëna rreth figurës historike të Dah Polloshkës që provoi të vriste serasqerin otoman Reşid Mehmed Pasha’në

Shkrime relevante

Ago Agaj, “Kosovari nga Vlora”, në 30 vjetorin e kalimit në amshim

Dr. Ago Agaj, bashkpuntor politik i çeshtjes kombëtare dhe mik i...

Dje, pasdite, në Gjenevë të Zvicrës, u varros Aktori ynë i njohur Adem Muji

Arif Ejupi Me 21.12.2024 Më 16 dhjetor të këtij viti pas keqësimit të...

Çfarë shkruan Enes Limani, talebani dhe mbetja e njohur osmane…!?

Afrim Caka, Gjakovë Bojkotojeni këtë antishqiptar! Thirreni në prokurori. “Bojkoti ndaj këtij islamisti...

Shoqata për trashëgimi kulturore e Luginës së Preshevës, ftesë për konferencën shkencore që do të zhvillohet me 14, 25 e 26 tetor 2025

SHOQATA PËR TRASHËGIMI DHE KRIJIMTARI KULTURORE E LUGINËS SË PRESHEVËS'    FTESË PËR...

Fitorja e Trumpit është “humbja” e Jack Smith

Beqir SINA ___ Janë ligjvënësit republikanë, ata që kanë treguar tashmë se Smith...

Shpërndaj

Serasqeri i Rumelisë, Mehmet Reshit Pasha, për të zhdukur gjurmët e lëvizjes shqiptare kundër sundimit turk në jug organizoi një masakër çnjerëzore më dt. 30 korrik 1830. Ai thirri në Manastir krerët e Toskërisë kinse për t’ju dhënë rrogat e prapambetura nga lufta greke, ose për t’i nderuar me nishana për shërbimet që i kishin sjellë sulltanit. Në çastin kur po zhvilloheshin ceremonitë ushtarake, një batare pushkësh shtriu përdhe më se 500 vetë nga të ftuarit.
DAH POLLOSHKA – TRIM ME FLETË
„Me tre vetë luftën e nisi
Si me konë Misirlija,
Dah Polloshka, kahramoni,
Namin ja njeu Rumelija.“
Kështu nis kënga popullore për Dah Polloshkën, prijësin gjakovar që kishte bë një akt të rrallë trimërie, dhe vazhdon se me tre vetë aj luftën e nisi, si me qenë Misirlija – sigurisht mendohet në Mehmet Aliun e Egjiptit që nisi kryengritjen me shqiptarët që kishte rreth vetes – kahramani dmth. heroi, namin e të cilit ia njeu gjithë Rumelia. Si zakonisht, në këto këngë jepen çastet kryesore të ngjarjes. Por, ajo çfarë kishte bë trimi gjakovar, Dah Polloshka, kishte tronditë jo vetëm Rumelinë, por nami i kishte shku edhe nëpër gjithë Europën e asaj kohe. Për këtë bëjnë me dije shumë gazeta të kohës, duke na paraqitë shumë të dhëna shtesë që nuk përshkruhen në këngë.
Gazetat europiane të kohës i referohen gazetës franceze “Journal des débats politiques er litteraires”, të datës 11 gusht 1845, me një lajm që tregon kjo gazetë ka marrë një letër „nga kufijtë e Turqisë“, të datës 20 korrik, dhe njofton se Shqipëria Veriore ësht në vlugun e një kryengritjeje shqiptare kundër reformave të Tanzimatit.
Serasqeri famëkeq, dmth. kryekomandanti i ushtrisë otomane, Reşid Mehmed Pasha, kishte hy në tokat shqiptare me një ushtri të madhe dhe sapo ishte nisë nga Prizreni për në Gjakovë, ishte sulmu rrugës nga grupe kryengritëse shqiptare. Duke mos mundë t’i ndiqte kryengritësit, si hakmarrje e ndërshkim, aj dogji 25 katunde shqiptare. Kur arrijti në Gjakovë, mblodhi disa udhëheqës të Gjakovës në “Livadhin e Taphanëve” dhe u tha atyre se duhej t’i dorëzonin armët, të nënshtroheshin, ashtu si krahinat e tjera të Perandorisë, të rekrutoheshin si ushtarë dhe të jepnin pengje, si garanci të besnikërisë së tyre. Prijësit shqiptarë, natyrisht, nuk pranuan këto kushte të rënda dhe bënë thirrje që gjithë popullsia të rrokte armët e të dilte maleve.
Reşid Mehmed Pasha, ishte me origjinë gjerogjiane dhe bir i një prifti, që ishte kapë si rob dhe ishte vënë në shërbim të Perandorisë Otomane. Zotësitë e tij e bënë që të ngrihej shpejt në pozita të ndryshme, deri sa u bë edhe kryevezir i Perandorisë. Kishte udhëheqë shumë fushata të suksesshme për Portën e Lartë, fushatën kundër Ali Pashë Janinës, kundër kryengritësve në Greqi dhe kishte siguru fitoren në Misolongji. Pastaj kishte korrë suksese në luftën kundër kryengritjes së boshnjakëve me Husein Gradaščevićin në krye dhe në luftat kundër Rusisë. Por, për shqiptarët, aj njihet për të keq edhe për një ngjarje më të hershme: Reşid Mehmed Pasha ishte orekstruesi kryesor i Maskakrës së Manastirit, në vitin 1830, ku u egzekutuan pabesisht me qinda prijës shqiptarë.
Një nga prijësit shqiptarë të Gjakovës që mori pjesë në takimin me seraqerin ishte edhe Dah (Abdullah) Polloshka. Gazetat franceze, gjermane dhe angleze e shkrujnë emnin e tij si Daut (Daoud) Polosca, duke u mbështetë, si duket, në shkurtesën e emrit, ashtu si e qunin në Gjakovë, Dah, e duke e marrë për Daut.
Dah Polloshka, duke e dijtë ashpërsinë, pabesinë dhe dinakërinë e Reşid Mehmed Pashës, i ndërgjegjshëm për numrin e madh të ushtarëve otomanë dhe armatimin më të mirë të tyre përballë malësorëve të pakët e me armë të vjetra, e mendon një plan të mundshëm për ta thy vullnetin e ushtrisë otomane, duke e vra kryekomandantin otoman. Për këtë aj niset drejt kampit të ushtrisë, që gjendej në vendin e qujtur Nakaradë. Gazetat nuk bëjnë fjalë për ndonjë shok tjetër, ndërsa kënga shqiptare tregon për dy shokë të tjerë që shkojnë bashkë me të në këtë ndërmarrje tepër të rrezikshme. Polloshka arrin të hyjë brenda në kamp, ndoshta me shpjegimin se dëshiron të takojë kryekomandantin e të merret vesh me të, por kur afrohet para çadrës së kryekomandantit, dy roja e ndalin. Si duket ata kërkojnë që ky të dorëzojë armët. Duke qenë se synimi i tij ishte të vriste serasqerin, aj nxjerr dy pistoletat dhe vret në vend të dy rojat. Para se të arrijë të hyjë në çadër, drejt tij vijnë edhe ushtarë të tjerë, që kishin dëgju krismat. Polloshka hidhet mbi kalë dhe me vrap provon të largohet nga kampi, duke qëllu me pistoleta këdo që i dilte përpara. Arrin të dalë nga kampi i ushtrisë, nën breshërinë e plumbave të ushtarëve, ndërsa një njësit i vihet pas. Në ikje e sipër, Dahu kishte mbushë pistoletat dhe, duke qëllu mbi ushtarët, prapë vret edhe disa nga ata që e ndiqnin. Kënga shqiptare tregon se një llagëm, ku kali kishte marrë thua, kishte qenë i kobshëm për Dah Polloshkën dhe, si duket, aty rrëzohet. Por, aj nuk dorëzohet. Pasi i harxhohen plumbat, nxjerr jataganin dhe, në luftë e sipër, vret edhe disa ushtarë dhe plagos shumë të tjerë. Dikur, i plagosur, zihet rob dhe i lidhur dërgohet para serasqerit otoman.
Reşid Mehmed Pasha
Dah Polloshka, me sulmin e tij, kishte lënë pas vetes tetë të vrarë dhe 20 ushtarë të plagosur otomanë. I pyetur nga gjenerali otoman se cili kishte qenë qëllimi i tij, aj i tha se kishte ardhë që ta vrasë pikërisht atë. Pas kësaj serasqeri dha urdhër që para syve të tij të masakrohet ky shqiptar që ua kishte futë tmerrin gjithë ushtrisë me guximin dhe trimërinë e pashoqe. Këngëtari popullor kështu e përfundon këngën:
„Dah Polloshka kur ka vdekë,
Për te kajshin Gjakova e Reka
Vorri Dahës u mloftë me nur,
Sa me gajret na i erdh deka.“
Lajmin për veprën trimërore të Dah Polloshkës, me ndryshime të vogla, e japin edhe gazetat e tjera të kohës: gazeta angleze „The Illustrated London News“ dhe gazetat gjermane “Nürnberger Kurier” dhe “Münchener politische Zeitung”.
KANGA E DAH POLLOSHKËS
Me tre vetë luftën e nisi
Si me konë Misirlija,
Dah Polloshka, kahramoni,
Namin ja njeu Rumelija.
Thotë nizami: „Me i lanë armët!“
„Unë i mjeri qysh do të rrnoj?
Oxhakut le t’m‘i i shkojë nami,
Për nji shpirt veten s‘e marroj.
Tanë asqeri po bojnë hyqmet,
Për kët‘ mashkëll të Gjakovës,
T‘i kish pas njiqind si veten,
Pat me i çu në Fushë t’Kosovës.
More at, ti hijanet,
Qysh s‘e bane nji grim gajret,
Mos t‘ish konë qaj llagam i shkretë,
Pat me dalë Daha n’selamet.
Dah Polloshka kur ka vdekë,
Për te kajshin Gjakova e Reka
Vorri Dahës u mloftë me nur,
Sa me gajret na i erdh deka.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu