Në foto: Nexhmije Pagarusha
Nga Bajram SEFAJ
– Pas kushedi sa vjetësh pune të suksesshme estrade, kësaj interpretueseje të mirënjohur, më në fund, iu botua e para disk i madh – long play! – Botuesit – Radiotelevizioni i Beogradit dhe Lidhja turistike e Kosovës bashkë, ia kthejnë borxhin artistes
(Enkas për lëxonjësit e “Flakës”, botuar më 27 nëntor 1974). Riprodhohet me rastin e përvjetorit të shkuarjes në amshueshmëri të artistes.
Në kohën tonë, të sotmen tonë, të lumtur e të gëzuar gjithsesi, kur kënga, kur arti muzikor na ka pushtuar të gjithëve, duket pak e çuditshme, jo e zakonshme, të thuret një shënim, një raport i angazhuar, pri nga mbi titulli i lartshënuar. Lexuesit më të ri (e të nderuar) të gazetës sonë, ndoshta do të më thonë buzagaz, derisa nga raftet e tyre i nxjerrin albumet, long e singël, stereo e ku ta di unë fare së çfarë disqesh të reja të Roling-stonesve, Xhimi Hendriksëve (i Grupit “Mi” “YU” e kështu me radhë. Prindërit e këtyre fëmijëve të shkapërderdhur pas tërë atij deti disqesh që vijnë e kah vijnë, duke ngritur, në këtë mënyrë, disko grafinë në piedestal të një branshe të rëndësishme industriale, besoj se në anën time janë…
Nuk është kjo pllakë e zakonshme gramafoni…!
Djem e vasha të reja (më lejoni t’ju drejtohem kështu) tërë ata këngëtarë e këngëtare, që i përmenda e që nuk i përmenda, kush djallin ua di emrin të gjithëve – tëra ato grupe e ato AVI – ansamble të shumta që botën muzikore në këmbë e ngritën sa herë ashtu si erdhën, furishëm e brenda ditës. Lënë pas vetes ndonjë skandal e, lamtumirë.
Ejani, prandaj, të bimë në ujdi – unë nuk kam kah të iku nga Terry Xheksi e, lutja ime, në raftet tuaja të gjendet edhe disku i madh, edhe e të madhes – Nexhmije Pagarusha. Jo, nuk është kjo as reklamë, as propagandë. Sepse, nuk është këtu fjala për disk të zakonshëm gramafoni. Nuk është fjala për mall të zakonshëm. Nexhmije Pagarushës, artit të saj, nuk i duhet kurrfarë reklame! Diskun nuk ka asgjë që mund ta zhdukë, as koha, as kohërat. Ai nuk vjetërsohet, as nuk pluhuroset, as nuk harrohet… Nexhija jeton në ne, me ne, ajo pret gjenerata të reja e të reja, me këngë i pret, me këngë i përcjell.
Të shohim se ç’ thotë, ç’ shënon letrari ynë, Esat Mekuli, në mbështjellësen e këtij disku, të këtij disku që nuk është vetëm disk gramafoni:
Rrafshi – rrethuar malesh vigane: me Sharrin njomak dhe të vrazhdët
Bjeshkë të Nemuna, me Kopaonikun shpatullgjerë…
Rrafshi – që s’kapet me sy! Në katër anë:
Verës, i praruar nga grunajat e pjekura valëvitëse, dimrit, në argjend i shkrirë nga bora, që hije i ka si bukuroshes rrobat e nusërisë, në pranverë, si rrallë ku, ngjyrë ngjyrësh nga lulëkuqet dhe lulet e tjera, nga behari i kopshteve dhe plantacioneve, nga blerimi i ngjyrosur kudo. Në vjeshtë, i ngjirur nga këngët, i skuqur – buçitëse i rënduar nga dasmat dhe bereqeti…
Rrafshi – që, bashkë me bukuritë e tjera, e lindi dhe e rriti edhe Nexhmijen.
Rrafshi – ku shekujt që ndërrojnë dhe e reja shpërthen pa u ndalur.
Kubet e kishave, xhamive dhe hamameve - të lashta sarajet dhe kullat – fortesa të sundimtarëve pranë kasolleve varfanjake, por edhe – soliterët e lartë dhe siloset, tymtarët e hedhur të fabrikave, fshatrat e reja dhe qytetet,
Autostradat që maten me lumenj: Drinin dhe Sitnicën, Bistricat dhe Ibrin… Pra, në këtë laramani bukurish dhe kohësh, kur ja thotë këngës Nexhmija – disi të pahit edhe pikëllimi i kurbetçinjve, edhe shkrumbi i të provuarve të të drejtave, dhimbja dhe rebelimi i dikurshëm, mospajtimi me padrejtësi dhe robëri, dhe – hareja e ditëve të sotme dhe hovi, i paparë i punës në liri të njerëzve të vëllazëruar që janë më të bukur e ndërtojnë për të gjithë…
Kosovën – të cilën duhet ta shohësh e ta përjetosh, e ta ndjesh me tërë qenien… Pse ai që njëherë e sheh, do t’i mbetet në zemër përherë – dhe natyra e saj, edhe njerëzi bujarë të saj, edhe vallet e këngët e saj, që mahnitin gjithkënd i cili i sheh dhe i dëgjon.
Në këto bukuri, në atë vrer dhe këtë gazmend, mbiu dhe u rrit në artiste vërtet
interpretuese – Nexhmije Pagarusha… Ajo që, gjuhën e shpirtin tonë për fshat
pjellore dhe male flladitëse tona.
Pikëllimin e thellë për kurbetçinjtë që s’kthehen më, për të shpërngulurit,
Dashurinë që, askund si këtu, në këngën e Nexhmijës, nuk të çon peshë, nuk të
larton…
Sepse – Nexhmije Pagarusha është, kjo thuhet moti: Bilbili i Kosovës, bilbil i këngës sonë në këtë truall!
(Esad Mekuli)
Citat jo ky, por tekst i përshkruar tërësisht, prapë do të më akuzojë një pjesë e lexuesve. Ashtu është – më mungon fuqia të ndërpres atë rrjedhë
të qetë e të fuqishme, atë fjalë të matur që digjet në ngrohtësi. Të këpusësh këtë varg të kulluar poetik e të sakatosh me tri pika në fillim e po aq në mbarim, do të thotë të këpusësh këngën e Nexhmijes në akordin më të bukur, në frazën më të gjallë…
Sepse – Nexhmije Pagarusha, nuk është vetë “bilbil i këngës sonë në këtë truall” – sikurse thotë poeti.
Nexhmije Pagarusha, për të cilën njohësit e artit muzikor, thonë se ka zë të kristaltë, të kulluar – zë bilbili, me sukses shumë të madh – eci e eci. Në shumë podiume të njohura të vendase e të botës mbarë – me shpërblimin më të dashur, me shpërblim ndër shpërblimet – më të dashur, me shpërblim ndër shpërblime – me duartrokitje entuziaste u shpërblye. Kështu eci Nexhmije Pagarusha prej Tunizisë në Itali, prej Italisë në Çekosllovaki, prej Çekosllovakisë në Shqipëri e kudo andej shtegtoi bilbili i këngës popullore – Ambasadore kënge!
Dhe – çdo kund, ama bash çdo kund, kudo qoftë, Nexhmia gjeti miq të vërtetë të muzikës, këngës… i gostiti ata, për t’i lënë me gishtërinjtë në gojë kritikët që me skepticizëm se atje në tribunë – mbretëreshë e këngës është duke u rritur.
Dhe – ngado që u kthye Nexhmija, u kthye ballëhapët e krenare. Sepse – në mënyrë të denjë e prezentoi këngën tonë popullore, koloritin e begatshëm të folklorit tonë në thesar…
Kush është sot cikërrimtar e të bëj hesap se që kur në skenë u ngjit Nexhmija, e kur para mikrofonit doli…
Dihet – që nga dita kur në gji na vloi kënga – që nga ditët e para, pra, të çlirimit, të prirë nga Nexhmije Pagarusha - ia them këngës.
Një jetë, pra, le të quhet këngë, le të quhet Nexhmije…
Në muhabet, në kuvendim, më tepër spontan, gjersa në bufenë e Teatrit Popullor Krahinor në Prishtinë, bisedonim mbi “Akordet muzikore 74, që ja po vijnë me zë të qetë. Nexhmija më në fund, ka botuar long – play – disku i madh.
Me gjersa marr kafenë e promocionit, ne fytyrën e Nexhmijes tonë madhe, vërej një zymti. E kuptoj atë dhe e ndjej atë zymti – në duet bashkë me të, veç që nuk filloj të akuzoj: A thua vallë, pikërisht tri decenie u desh të presim që punën e një artisteje të merituar, artisteje të popullit, ta kurorëzojmë me një disk?
E “arnon” Nexhmija rrëfimin lidhur me botimin e këtij disku, të cilin tani, për fat të mirë, e kemi në duar, njashtu sikurse e kanë “arnuar” botuesit (Produksioni i disqeve i RTV të Beogradit bashkë me Lidhjen Turistike të Kosovës, janë mbledhur copa gati të vjetruara dhe të grisura, të shiritave të magnetofonit, në të cilët, para shumë vjetësh, janë incizua dhe – kështu ia kanë dalë në krye të kompletojnë një disk, na thotë Nexhmija. Çudë, vërtet çudë, themi na, pse Radio Prishtina, ku pothuaj se lindi e u rrit Nexhmija, vërtet është e pavdekshme si artiste por, mjerisht jo edhe si krijesë njerëzore. Si u bë, pra, që më azhure, më e kujdesshme të jetë Lidhja Turistike (çdo respekt asaj) e Kosovës, ndaj Nexhmijes se sa njerëzit e kulturës, njerëzit e muzikës çfarëdo qofshin ata, në të vërtetë çfarë duhej të ishin ata të Radio-Prishtinës. Veprat e vlershme çfarë janë këto të Nexhmijes, duhet të incizohen dhe të ruhen për mot e jetë. Por, gëzon e dhëna se, hiç vuajtjet e botuesit, në dritë ka dalë një vepër e madhe, bukur, solemne, një vepër e denjë emrit dhe reputacionit të kësaj artistje të nivelit më të lartë…
Në këtë disk (premierën e të cilit e shënojmë edhe me këtë tekst modest) të përgatitur për mrekulli, nuk janë të botuara 12 melodi, por 12 vepra të spikatura të artistes sonë të madhe, të pavdekshme…