Milaim Zeka: dezinformues i lidhur me krimin dhe shërbimet ruse, që paguhet për të shtrembëruar narrativën e Kosovës për të goditur Tribunalin Kosovar të drejtësisë në Hagë.


Jeta e Dyfishtë e Milaim Zekës: Në hijet e errëta të politikës dhe medias kosovare, pak figura mishërojnë kontradiktën dhe polemikën si Milaim Zeka, qytetari kosovaro-suedez i kthyer në një figurë të njohur mediatike.
Karriera e tij ka luhatur mes përdorimit të mediave, manovrave politike dhe mashtrimeve të hapura, duke u shëndërruar nga një kameraman, në një gazetar, në një politikan e deri tek një sinjalizues i vetëshpallur, zëri i të cilit ka lundruar edhe në pjesë aktive të rrjeteve të dezinformimit që ai pretendon se i ekspozon. Emri i tij është përmendur ndër vite në akuza për mashtrime, shantazh, manipulim mediatik dhe lidhje me rrjete kriminale dhe shërbime të fshehta vendore dhe të huaja. Megjithëse këto gjetje e kontestojnë besueshmërinë e tij, Zeka mbetet një forcë e fortë në sferën publike të Kosovës, duke përdorur ndikimin e tij mediatik për të formësuar narrativa, për të ushtruar presion mbi aktorë politikë dhe, kur është e nevojshme, për ta rishkruar të kaluarën e tij.
Gunpowder Chronicles hapi një hulumtim të thelluar ndaj Milaim Zekës pasi, në janar të këtij viti, duket se Zeka kishte organizuar një përpjekje për të krijuar kompromat dhe rrethana shantazhuese ndaj neshë, një skemë që përfshinte dërgimin e bashkëpunëtorit të tij, Halit Sahitaj, një figurë operative e shërbimit të fshehtë rus. Kur u zbulua qëllimi i kësaj ndërhyrjeje, Sahitaj u bë subjekt i hulumtimeve tona gazetareske.
Gjatë verifikimeve, u kuptua se Sahitaj kishte tentuar të na bindte, (mua personalisht dhe redaksinë e Gunpowder Chronicles) të publikonim një dokument të fabrikuar1 që kishte në shënjestër diplomatin amerikan Richard Grenell. Madje, nuk munguan as përpjekjet për të përdorur forma të nënkuptuara ryshfeti për të arritur këtë qëllim.
Hulumtimi jonë nuk ndaloi aty. Çfarë zbuluam ishte shumë më e thellë: një rrjet i organizuar dezinformimi dhe manipulimi, që përfshinte elementë të lidhur me shërbimet e fshehta serbe, ndikime ruse dhe, në qendër të gjithçkaje, vetë Milaim Zekën. Sipas burimeve dhe dokumenteve të siguruara, ky rrjet mbështetej nga segmentë të ish-shërbimit të fshehtë e famëkeq të Kosovës, SHIK (Shërbimi Informativ i Kosovës) një strukturë e paligjshme, e akuzuar ndër vite për përfshirje në eliminime politike dhe operacione të errëta gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Për të kuptuar më qartë strukturën e këtij rrjeti dhe lidhjet e ndërsjella mes figurave kyçe, shihni diagramin më poshtë. — The Gunpowder Chronicles Investigations Unit.
Sipas një raporti2 (Whistleblower Complaint J. F Moynihan) të depozituar më 28 nëntor 2023 nga John F. Moynihan, ish-hetues i Administratës Amerikane për Luftën kundër Drogës (DEA), Zeka duket të jetë i përfshirë në disa aktivitete të kontestuara.
Raporti përshkruan akuza për manipulim dëshmitarësh dhe dëshmi të fabrikuara brenda Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS), duke përfshirë Zekën, bashkëshorten e tij Edlira Çefalija, figurën e lidhur me shërbimet ruse Halit Sahitaj3 (për të cilët gjetjet tregojnë se janë nën ndikimin e Zekës) dhe shtetasin malazez Darko Perovic. Megjithatë, raporti i Moynihan nuk e etiketon drejtpërdrejt Zekën si “arkitektin” e fabrikimit të dëshmive. Përkundrazi, raporti e paraqet Zekën si një gazetar që pretendon të ketë zbuluar një përpjekje sistematike të ZPS-së për të shantazhuar dëshmitarë dhe për të fabrikuar akuza. Sipas dëshmisë së Zekës, dëshmitarët janë pyetur nën presion, janë stimuluar financiarisht dhe u janë ofruar identitete të reja, taktika që Zeka ia atribuon prokurorëve të ZPS-së dhe operativëve të shërbimeve të fshehta, e jo vetes.
Por besueshmëria e këtyre pretendimeve mbetet thellësisht e diskutueshme. Vetë raporti i Moynihan nuk sjell prova konkrete që këto aktivitete kanë ndodhur. Madje, edhe vetë Moynihan shfaq skepticizëm ndaj dëshmive të Zekës, Çefalisë, Sahitajt dhe Perovic, duke sugjeruar në përfundimet e tij (faqe 134) se deklaratat e tyre nuk e mbajnë peshën që pretendojnë. Burime të konfirmuara sugjerojnë se Zeka mund të jetë duke operuar me një agjendë më të gjerë, ajo e minimit të Dhomave të Specializuara të Tribunalit të Kosovës (DHSK) në Hagë dhe, rrjedhimisht, përpjekjes për ta dobësuar legjitimitetin e tribunalit për krime lufte që po ndjek penalisht ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe të tjerët5.
Në shkurt të vitit 2025, kur Gunpowder Chronicles e kontaktoi Zekën për sqarime, përgjigjet e tij vetëm sa i thelluan kontradiktat. Fillimisht, Zeka mohoi çdo lidhje personale me Halit Sahitaj dhe Darko Perovic. Por një postim në Facebook-un e tij i gjetur nga ekipi ynë i datës 10 nëntor 2024, tregon një histori tjetër6: Zeka pranon publikisht se kishte ndërhyrë për të bindur Sahitaj dhe Perovic të bëjnë akuza kundër Jack Smith dhe Faik Imerit, të cilët ai i kishte cilësuar si të lidhur me operativë të inteligjencës serbe që fabrikojnë dëshmi kundër figurave kosovare. Ky zbulim ngre pikëpyetje serioze mbi rolin e Zekës si një sinjalizues i paanshëm, duke treguar përfshirjen e tij në ndërtimin e një kundër-narrative. Burime evropiane, të verifikuara nga Gunpowder Chronicles, na kanë thënë se Zeka ka luajtur një rol kyç në strukturimin e këtij tregimi alternativ, një dyshim që edhe vetë Moynihan e pranon me rezervë në raportin e tij.
Një burim tjetër ndërkombëtar në Londër i ka thënë Gunpowder Chronicles se Zeka kishte kërkuar 12 mijë euro nga Sahitaj për pajisje transmetimi televiziv, duke e ndërlikuar më tej narrativën. Sipas këtij burimi, kjo ishte pjesë e një shkëmbimi më të gjerë ku Zeka përdorte ndikimin e tij mediatike për të ndërtuar narrativa dhe për të orkestruar sulme publike që përputheshin në mënyrë të përshtatshme me interesat politike të Thaçit. Ky detaj e bën edhe më të paqartë ndarjen mes sinjalizuesit dhe manipuluesit, duke e vendosur rolin e vërtetë të Zekës brenda një mozaiku të mjegullt politik të Kosovës.
Këto të dhëna zbulojnë një anë shumë më të errët të veprimtarisë së Zekës, atë që e kalon kufirin e gazetarisë dhe hyn në sferën e dezinformimit aktiv dhe luftës politike. Teksa Kosova përpiqet të forcojë demokracinë e saj të brishtë dhe të përballet me betejat e vazhdueshme gjyqësore, figura si Milaim Zeka mbeten kujtesa të gjalla për rreziqet e ndërthurjes së pandarë të medias, politikës dhe manipulimit në një përpjekje për ta penguar rrugëtimin e drejtësisë deri në pikën finale të saj. Edhe pse ende i ndikueshëm dhe me lidhje të larta, dëshmitë sugjerojnë se kontrolli i tij mbi narrativën mund të jetë duke u dobësuar. Por nëse historia na mëson diçka, është kjo: Milaim Zeka nuk ka ndërmend të largohet në heshtje.
Afera e Vizave, njolla që nuk shlyhet: Ndër akuzat e shumta që e ndjekin Milaim Zekën, një ndër më të rënda mbetet përfshirja e tij në një skemë të gjerë mashtrimi me viza7. Raportet tregojnë se ai ka mashtruar rreth 920 qytetarë duke u premtuar viza për në Evropë në këmbim të parave. Skema, që dyshohet se i ka sjellë përfitime të mëdha financiare, ka shkatërruar financiarisht qindra individë dhe ka thelluar më tej mosbesimin e publikut ndaj institucioneve të Kosovës dhe atyre evropiane, tashmë të goditura nga mungesa e transparencës dhe llogaridhënies. Pavarësisht presionit në rritje, Zeka deri më sot ka shmangur përgjegjësinë e plotë ligjore, ndërsa proceset gjyqësore ende po zvarriten. Ndërkohë, ai ka përdorur praninë e vet në media për të devijuar narrativën dhe për të diskredituar kritikët.
Në përpjekje për të kuptuar reagimin institucional ndaj këtyre akuzave, Gunpowder Chronicles iu drejtua Ambasadës Gjermane në Kosovë, selisë diplomatike nga ku, sipas dëshmive, janë përdorur proceset e vizave për të ndërtuar skemën mashtruese. Përfaqësuesi i Ambasadës, z. Christian Bottcher, u shpreh se Ambasada vepron sipas standardeve të rrepta anti-korrupsion dhe nuk bashkëpunon me entitete që merren me shitjen e termineve apo vetë vizave. Ai gjithashtu deklaroi se një gjykatë, para tetë vitesh, nuk kishte gjetur prova të mjaftueshme për ta çuar më tej hetimin.
Por ky qëndrim zyrtar ngre pikëpyetje të thella mbi përgjegjësinë e vetë Ambasadës. Si është e mundur që një skemë që përfshinte qindra qytetarë të zhvatur përmes një procesi që kalonte përmes sistemit të vizave gjermane, të mos ishte hetuar në mënyrë të pavarur nga vetë Ambasada? Mungesa e çdo verifikimi domethënës dhe varësia e plotë në një vendim gjyqësor të diskutueshëm, i marrë shumë vite më parë në një klimë të mundshme politike e institucionale jo të favorshme për drejtësinë, flet për një neglizhencë shqetësuese.
Distancimi formal i Ambasadës mund të jetë ligjërisht i justifikueshëm, por moralisht dhe institucionalisht, ai përforcon idenë se praktikat e pabarabarta dhe shpërfillja e shenjave të dukshme të korrupsionit nuk janë vetëm problem vendor, por pjesë e një indiference më të gjerë ndërkombëtare që ka kontribuar në përjetësimin e mosndëshkueshmërisë në Kosovë.
Lufta e Hashim Thaçit Kundër Shpifjeve të Milaim Zekës: Gjetjet tona tregojnë se në vitin 2018, Milaim Zeka, figurë e njohur mediatike dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, ishte përfshirë në një betejë të zhurmshme ligjore kur Hashim Thaçi, atëkohë President i Republikës, ngriti një padi për shpifje kundër tij8. Thaçi e akuzoi Zekën për deklarata të pabazuara dhe dëmtuese, veçanërisht në lidhje me përmendjen e tij në “Komunikatën 59”9 — një dokument i kohës së luftës që, sipas disa interpretimeve, lidhej me ekzekutime politike të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Përmes platformave të tij mediatike, Zeka kishte diskutuar publikisht për këtë dokument të kontestuar, duke sugjeruar se Thaçi kishte pasur rol në hartimin dhe shpërndarjen e tij. Këto pretendime nxitën reagim të menjëhershëm ligjor: Thaçi vendosi ta çonte çështjen në gjykatë për të mbrojtur integritetin e tij personal dhe politik.
Procesi gjyqësor mori kthesë të rëndësishme në vitin 2023, kur Gjykata Themelore e Prishtinës urdhëroi Zekën që t’i përgjigjej akuzave për shpifje brenda 15 ditëve, përndryshe do të përballej me pasoja procedurale. Ky moment shënoi një rast të rrallë në Kosovë, ku një gazetar me profil të lartë përballej me pasoja serioze ligjore për akuza ndaj një ish-udhëheqësi të lartë shtetëror.
Gjykimi përfundoi me një vendim të prerë: Zeka u shpall fajtor për shpifje10 dhe u urdhërua të paguante një shumë të konsiderueshme prej 200,000 euro dëmshpërblim për Thaçin. Ky vendim e theksoi qartazi qëndrimin e sistemit gjyqësor ndaj deklaratave shpifëse në kontekstin e figurave me peshë të madhe politike dhe historike në vend.
Megjithatë, edhe pas aktgjykimit, Zeka nuk u tërhoq. Në vend të reflektimit, ai zgjodhi të mbajë një qëndrim sfidues, duke e cilësuar vendimin e gjykatës si një përpjekje për të frenuar lirinë e shprehjes dhe për të heshtur zërat kritikë ndaj elitës politike. Rasti, që ka ngjallur debat të gjallë në opinionin publik, vë përballë kufijtë e lirisë së shtypit me përgjegjësinë për fjalën publike dhe nevojën për llogaridhënie politike — duke u shndërruar në një prej momenteve më të rëndësishme në ndërthurjen e drejtësisë me gazetarinë në Kosovën e pasluftës.
Rasti i hashim Thaçit nuk ishte një incident i izoluar. Në një episod tjetër që pasuron kronologjinë e përplasjeve publike të Milaim Zekës me figura të nivelit të lartë, Kallxo.com raportoi11 se më 2023, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci12, e paditi Zekën për shpifje, duke kërkuar 100 mijë euro dëmshpërblim. Shkak i padisë u bë një deklaratë e Zekës në një emision televiziv, ku Zeka pretendoi se Lladrovci kishte shantazhuar presidentin Thaçi për t’u emëruar kandidat për kryetar komune, madje duke përmendur ekzistencën e “tre letrave të vitit 2003” ku Lladrovci akuzonte Thaçin për vrasje politike. Edhe kjo ngjarje e tensionuar shton në dosjen e gjatë të përballjeve të Zekës me ligjin dhe figurat e pushtetit, duke konsoliduar një model të përsëritur të diskursit të tij publik: goditje të rënda, shpesh të pakonfirmuara, ndaj njerëzve me peshë historike e politike në vend.
Në këtë video të shkurtër shfaqet përplasja mes Milaim Zekës dhe Gani Gecit në një debat televiziv lidhur me Komunikatën nr. 59. — TV13
Kundërofensiva e Zekës ndaj Hagës dhe Komandantëve të UÇK-së
Në kulmin e përplasjes ligjore me Hashim Thaçin, Milaim Zeka ndërmori një hap të ri dhe më të ashpër kundër udhëheqjes së dikurshme të UÇK-së, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Zyrës së Prokurorisë së Specializuar (ZPS) në Hagë. Në një letër të datës 30 gusht 202114 e cila ka ardhur në redaksinë e Gunpowder Chronicles, Zeka paraqet një akuzë të rëndë kundër Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij të luftës, duke i përshkruar si pjesë e një aparati të frikës, eliminimeve politike dhe korrupsionit të institucionalizuar.
Në letrën e tij, Zeka pohon se gazetaria e tij e pavarur dhe hetimet mbi krimet e pasluftës e kanë shndërruar atë në një cak të drejtpërdrejtë të hakmarrjes nga ana e elitës së UÇK-së. Ai akuzon ish-komandantët për fushata denigruese, ndjekje ligjore të motivuara politikisht dhe, në raste të caktuara, kërcënime të hapura ndaj jetës së tij. Në një episod veçanërisht shqetësues, Zeka përshkruan një kërcënim të drejtpërdrejtë nga Sami Lushtaku, një ish-komandant i njohur i UÇK-së, i cili, sipas pretendimit të Zekës i ka thënë:
“Nëse ajo që thua është e vërtetë dhe ke prova, do të të vras me duart e mia.”
Kjo letër, që besohet se është dorëzuar pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, përforcon jo vetëm qëndrimin sfidues të Zekës, por edhe përçan më tej marrëdhënien e tij me strukturat politike të Kosovës. Ndërkohë që Thaçi kërkonte ta ndëshkonte nëpërmjet padive për shpifje, Zeka e dyfishoi përkushtimin e tij për të portretizuar veten si një sinjalizues (whistleblower), i vendosur të zbulojë kapitujt më të errët të qeverisjes së pasluftës në Kosovë.
Dëshmia e tij, e cila besohet se tashmë është pjesë e dosjes hetimore të Dhomave të Specializuara, ka ndikuar në thellimin e vëmendjes ndërkombëtare mbi rolin dhe veprimet e udhëheqësve të lartë të UÇK-së, jo vetëm gjatë luftës, por edhe në periudhën e brishtë të ndërtimit të shtetit pas çlirimit.
Nga Media në Shantazh: Afera Pacolli
Përtej përplasjeve publike me politikanë të profilit të lartë, bisedat e rrjedhura në WhatsApp zbulojnë një anë më të errët të mënyrës së operimit të Milaim Zekës. Në një seri shkëmbimesh me Behgjet Pacollin, ish-president i Kosovës dhe një nga biznesmenët më të njohur të vendit, Zeka shfaqet duke u angazhuar në një sjellje që ngjan qartazi me shantazh të hapur.
I ngopur me presionet e vazhdueshme, Pacolli e akuzon Zekën në mënyrë të drejtpërdrejtë për përpjekje për zhvatje përmes kërcënimit, duke i thënë:
“Jam lodhur nga shantazhi yt. Do të të raportoj në autoritete.”
Në përgjigje, Zeka jep një paralajmërim të fshehur nën ton ironik, duke deklaruar se edhe nëse Pacolli do t’i transferonte 10 milionë euro, ai do t’ia kthente paratë, nëse ky i fundit me të vërtetë besonte se ishte duke u shantazhuar. Ky shkëmbim komunikimesh përshkruan një figurë që operon në hije, duke përdorur ndikimin personal dhe mediatik për përfitim financiar, ndërsa në publik ruan imazhin e gazetarit të paepur e “të pavarur”.
Gunpowder Chronicles ka verifikuar vërtetësinë e këtij mesazhi përmes burimeve të afërta me ish-presidentin Pacolli. Burime të besueshme konfirmojnë se z. Zeka ka qenë i përfshirë në përpjekje për ta shantazhuar z. Pacolli. Por Zeka nuk ishte i vetëm. Sipas të njëjtave burime, Halit Sahitaj, një bashkëpunëtor i afërt i Zekës, gjithashtu ka qenë pjesë e një skeme për të fabrikuar “kompromat” ndaj Pacollit, me synim presionin dhe detyrimin e tij dhe familjes së tij përmes taktikave të ndyra.
Ky episod i errët, që përfshin figura publike me histori të ndërlikuara në politikë dhe biznes, rikthen pyetjet e kahershme për kufijtë midis gazetarisë dhe manipulimit, për ndikimin e mediave që veprojnë në terr, dhe për mekanizmat që mungojnë për t’i ndarë reporterët nga zhvatësit.


Milaim Zeka, Lufta e UÇK-së dhe »Shtëpia e Verdhë«
Pamjet e Luftës dhe Mediat Shtetërore Serbe: Gunpowder Chronicles ka zbuluar se Milaim Zeka, dikur një dokumentarist i besuar me qasje ekskluzive në operacionet guerile të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë luftës së viteve 1998–1999, ka shitur më vonë një arkivë të konsiderueshme me pamje lufte te regjisorja serbe Sladana Zaric. Burime ndërkombëtare konfirmojnë se Zaric, e financuar nga Radio Televizioni i Serbisë (RTS)15, transmetuesi shtetëror i Serbisë ka blerë këto materiale në kuadër të projekteve të saj dokumentare.
RTS, një institucion nën mbikëqyrje të shtetit serb, ka një histori të gjatë të prodhimit të përmbajtjes që përputhet me narrativat zyrtare të Beogradit mbi Kosovën. Për më tepër, disa raportime të pavarura kanë lidhur fondet për dokumentarët e RTS me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP)16, duke ngritur shqetësime serioze për qëllimet pas përdorimit të këtyre pamjeve arkivore.
Zaric, përmes platformës së saj digjitale Planeta17, të mbështetur nga RTS, ka realizuar një numër dokumentarësh të fokusuar te lufta në Kosovë, përfshirë “Žuta Kuća” (Shtëpia e Verdhë)18, një film që rikthen në skenë akuzat e rrëzuara më parë nga Tribunali i Hagës19 për trafikim organesh nga UÇK-ja, pretendime të konsideruara prej kohësh të pabaza dhe të politizuara. Veprat e mëhershme të Zaric shpesh portretizojnë luftëtarët e UÇK-së si terroristë, një përshkrim që rezonon me diskursin propagandistik të shtetit serb.
Në një postim publik në Facebook20, të datës 27 nëntor 2024, Zeka pranoi se kishte shitur pamje për RTS-në, por u përpoq ta paraqiste marrëveshjen si një “licencim i zakonshëm”. Ai këmbënguli se materialet ishin tashmë të qasshme publikisht në YouTube — një pretendim që Gunpowder Chronicles nuk arriti ta verifikojë. Gjithashtu, Zeka zbuloi se pagesa prej 1,950 eurosh ishte transferuar në llogarinë bankare të bashkëshortes së tij në Tiranë, një rrethanë që ngre dyshime, për aq sa transaksioni nuk përfshiu asnjë kanal të njohur institucional, ndonëse selia e transmetuesit publik të Kosovës ndodhet në Prishtinë.
Kur e kontaktuam për koment, Gunpowder Chronicles i ofroi Zekës mundësinë të sqaronte marrëveshjen, të paraqiste dëshmi bankare ose të ofronte kontekst shtesë. Ai nuk u përgjigj. Ndërkohë, pyetjet që mbeten të hapura mbi natyrën e kësaj marrëveshjeje janë thelbësore:
- Nëse bëhej fjalë për një transaksion thjesht financiar, pse z. Zeka nuk është në gjendje ta dëshmojë atë?
- Nëse shitja ishte zyrtare, pse pagesa u krye në llogarinë bankare të bashkëshortes së tij dhe jo në atë të RTK-së?
- Dhe nëse RTK-ja ndodhet në Prishtinë, përse transaksioni udhëtoi drejt Tiranës?
- Sa para në dorë mund të ketë marrë Milaim Zeka nga Qeveria e Serbisë? Nuk e dimë, por është një pyetje që ia vlen të shtrohet.
Dyshimet thellohen më tej kur merren parasysh të dhënat nga burimet tona, të cilat sugjerojnë se Zeka ka qenë i punësuar më herët në institucione të ish-Jugosllavisë, përfshirë një pozicion në linjën ajrore shtetërore JAT në Suedi, një detyrë që, në atë kohë, zakonisht kërkonte aprovim politik dhe besnikëri institucionale ndaj regjimit.
Shitja e pamjeve të luftës nga Zeka drejt regjisorëve të mbështetur nga RTS, në veçanti për një projekt që riprodhon pretendime të diskredituara mbi trafikim organesh, ngre shqetësime të thella etike dhe politike. Pavarësisht pretendimeve të Zekës se materiali ishte “i qasshëm publikisht”, disa nga pamjet që tashmë janë përdorur në filmin “Shtëpia e Verdhë” të Zaric nuk janë të dokumentuara si të publikuara më parë. Deri më sot, as Zeka dhe as Zaric nuk kanë dhënë përgjigje për kërkesat tona për sqarim. Në mungesë të transparencës, kjo marrëveshje mbetet një kapitull i errët në historinë e dokumentimit të luftës dhe një shembull tronditës i mënyrës se si materialet historike mund të ri-përdoren për qëllime politike nga struktura që dikur i mohonin krimet e tyre, duke i projektuar ato tek të tjerët.
Lidhja me Grenellin: Një rrjet dezinformimi
Përfshirja e Milaim Zekës me Richard Grenell, ish-ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe (ish) i dërguari special i Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, shkon përtej diskursit politik sipërfaqësor. Ajo nxjerr në dritë një përpjekje të mirëmenduar për të ndikuar në sistemin ligjor dhe politik të Kosovës, në veçanti për të minuar punën e Dhomave të Specializuara të Tribunalit të Kosovës në Hagë.
Kanali paralel me Grenellin:
Sipas burimeve tona në Kosovë, një zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në atë kohë e udhëhequr nga Hashim Thaçi, ndërmjetësoi lidhjen mes Zekës dhe Grenellit. Qëllimi i këtij kontakti ishte të shfrytëzohej lufta politike e Presidentit Trump ndaj Prokurorit Special Jack Smith. Smith i emëruar nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA, ishte prokuror i cili kishte hetuar ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe i cili kishte thirrur Hashim Thaçin për t’u përballur me drejtësinë në Hagë.
Zeka në anën tjetër pretendon se zotëron 52 orë audio regjistrime që sipas tij implikojnë Jack Smith në manipulim të dëshmitarëve, duke e akuzuar Smith se kishte bashkëpunuar me shërbimin sekret serb (BIA) dhe oligarkë rusë për të fabrikuar prova kundër Thaçit. Zeka i ka thënë publikut se ai ia kishte dorëzuar këto materiale Grenellit gjatë një takimi të shkurtër pesëminutësh në Tiranë. Por kur u pyet nga Gunpowder Chronicles, Zeka pranoi se nuk i kishte dorëzuar asnjë dokument po audio material Grenellit, vetëm se ai, sipas Zekës e “kishte dëgjuar një regjistrim” dhe ishte larguar.
GPC: A jeni takuar me Richard Grenell dhe a i keni dhënë regjistrimet?
Zeka: Jam takuar. Po.
GPC: Kur dhe ku?
Zeka: Nuk e mbaj mend saktë, por ka qenë në Tiranë.
GPC: Cili ishte qëllimi i takimit?
Zeka: E njoftova për Gjykatën Speciale dhe për Zyrën e Prokurorit, duke i shpjeguar se Jack Smith kishte arrestuar njerëz pa prova, pa fakte, pa asnjë bazë.
Megjithëse nuk kishte prova konkrete, Grenell publikisht e përkrahu Zekën, duke e paraqitur atë si një gazetar të besueshëm. Por pas pyetjeve të ngritura nga Gunpowder Chronicles, bashkëpunëtorët e Grenellit, përfshirë Fitim Cekun21, nisën të fshijnë gjurmët digjitale të këtyre ndërveprimeve22, mesazhe dhe postime në rrjetet sociale ku Grenell shprehte mbështetje për Zekën dhe bashkëpunëtorin e tij, Halit Sahitaj.
Halit Sahitaj: Një maskë e rreme?
Grenell gjithashtu kishte përkrahur publikisht Halit Sahitaj23, duke e paraqitur si një biznesmen të suksesshëm kosovar në Spanjë. Megjithatë, hetimi ynë zbuloi se Sahitaj nuk ka të ardhura të dokumentuara, nuk zotëron llogari bankare në Spanjë, dhe aktualisht është i përfshirë në një proces gjyqësor për mashtrim, shantazh dhe manipulim të figurave publike në shërbim të oligarkëve rusë me lidhje të drejtpërdrejta me strukturat shtetërore të Moskës.
Në këtë video-intervistë me të birin e Presidentit Amerikan, Donald Trump Jr., Richard Grenell i referohet Halit Sahitajt si një biznesmen i njohur kosovar që jeton në Spanjë.
Lufta e Trump kundër Jack Smith dhe oportunizmi i Grenellit
Ndërsa sulmet e Trump ndaj Jack Smith burojnë nga hetimet që ky i fundit i ka udhëhequr për manipulimin e zgjedhjeve dhe mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara, këto akuza nuk kanë asnjë lidhje me punën e Smith në Hagë. Grenell e di këtë. Por duket se ai e ka përdorur këtë urrejtje personale të Trump ndaj Smith për përfitime të veta politike dhe financiare.
Burime evropiane të verifikuara pohojnë se Grenell ka marrë para nga Thaçi, duke i premtuar se sapo Trump të rikthehej në pushtet, jo vetëm që do ta përjashtonte Jack Smith nga çdo funksion, por do të mbyllte edhe Gjykatën Speciale në Hagë. Por sulmet e Trump ndaj Smith ishin thjesht personale dhe nuk kishin juridiksion mbi Dhomat e Specializuara të Tribunalit të Kosovës në Hagë.
Ky iluzion, që Thaçi dhe rrethi i tij e pranuan si strategji shpëtimi, i la ata në një pozitë të pambrojtur. Kur realiteti u bë i qartë, Sahitaj dhe Zeka, sipas burimeve tona, dyshohet se kanë bashkëpunuar për të fabrikuar një dokument të rremë, që jo vetëm se kishte për qëllim diskreditimin tonë si media, por do të shërbente edhe si goditje parandaluese ndaj vetë Grenellit për dështimin e përmbushjeve të premtimeve të tij ndaj Hashim Thaçit.
Muaj pasi Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë, Gjykata Speciale në Hagë mbeti funksionale dhe Hashim Thaçi vazhdoi të qëndrojë në paraburgim. Ajo që nisi si një aleancë strategjike mes Grenellit, njerëzve të Thaçit dhe Zekës, sot duket se ka shpërthyer nga brenda, duke zbuluar një rrjet oportunizmi politik, manipulimesh dhe tradhtish të ndërsjella.
Përpjekje për balancë dhe transparencë
Në përputhje me parimet e etikës profesionale të gazetarisë, Gunpowder Chronicles i ofroi z. Richard Grenell mundësinë për të komentuar mbi akuzat serioze të detajuara në këtë hetim. Pyetjet tona kishin të bënin me marrëdhëniet e tij me Zekën dhe Sahitaj, pranimin e mundshëm të fondeve nga Thaçi dhe të tjerët, përpjekjet e tij për të diskredituar Prokurorinë Speciale të Kosovës në Hagë, si dhe për rolin e tij në manovrat gjeopolitike që përfshijnë Kosovën dhe rajonin.
Z. Grenell nuk ka kthyer përgjigje.
Mungesa e përgjigjeve të tij lë pyetjet24 më të rëndësishme pa përgjigje, duke shtuar edhe më shumë dyshimet dhe shqetësimet lidhur me ndikimin që këto veprime mund të kenë pasur mbi drejtësinë ndërkombëtare dhe integritetin diplomatik të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor.




Dezinformimi si Armë Politike
Ndërmjet viteve 2013 dhe 2015, një burim ka pohuar se Milaim Zeka ka fabrikuar një listë me titull “Personat e UÇK-së të shënjestruar nga Gjykata Speciale”, duke pretenduar se ajo ishte siguruar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS)25. Lista u shpërnda publikisht dhe dyshohet se është përdorur për shantazh ndaj individëve, disa prej të cilëve Zeka besohet se i kishte nxitur më herët për veprime me motiv politik.
Persona të mirëinformuar i kanë thënë Gunpowder Chronicles se edhe bashkëpunëtorët e Zekës i kërkuan konfirmim nëse ishin në listë, por Zeka, në vend të përgjigjeve, kërkonte para në këmbim të informacionit. Lista dyshohet të jetë hartuar në bashkëpunim me bashkëshorten e tij.
Në këtë raport televiziv të prodhuar nga Vizion Plus në Shqipëri26, raportohet se Milaim Zeka ka zbuluar listën e të dyshuarve që do të gjykohen në Hagë. Çuditërisht, ishte jashtëzakonisht e vështirë të gjendeshin materiale online lidhur me këto zhvillime përmes kërkimeve në Google.
Redaksia jonë ka mësuar se Zeka mund të ketë dorëzuar dëshmi kundër Hashim Thaçit dhe të ketë luajtur rol kyç për të ndihmuar në sjelljen e dëshmitarëve të tjerë para Dhomave të Specializuara të Tribunalit të Kosovës në Hagë. Në një letër konfidenciale drejtuar ZPS-së27, Zeka shkruan se marrëdhënia e tij me Thaçin u përkeqësua në vitin 2012, kur ai njoftoi qeverinë e Kosovës për themelimin e një gjykate për krime lufte, përmes një mesazhi të transmetuar nga qeveria suedeze.
Në letër thuhet:
“Marrëdhëniet mes meje dhe Hashim Thaçit u përkeqësuan në vitin 2012, kur i përcolla një mesazh ministrit Hajredin Kuçi nga qeveria suedeze, për themelimin e Gjykatës Speciale. Kam mbështetur krijimin e kësaj gjykate në të gjitha deklaratat e mia.”
Në vitet në vijim, Zeka publikoi listën me emrat e dyshuar nga ZPS28 dhe ka pretenduar se pas kësaj është përballur me sulme nga Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij politikë.
Ai ka bërë pretendime për lidhje mes Thaçit dhe zyrtarëve të EULEX-it, përfshirë prokuroren Isabel Arnal, e cila sipas tij ishte regjistruar në një video komprometuese. Ai pohon se provat i janë dhënë nga një zyrtar suedez i quajtur Mikael, që drejtonte sektorin e inteligjencës brenda EULEX.
Në të njëjtën letër, Zeka pretendon se është përgjuar nga Agjencia e Inteligjencës së Kosovës (AKI), dhe se i janë fabrikuar akuza penale dhe se është etiketuar si bashkëpunëtor i inteligjencës serbe.
Sipas burimeve, Zeka aktualisht po përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet me Thaçin, duke u pozicionuar kundër Dhomave të Specializuara. Kjo lidhet me faktin se dëshmitë e tij kanë kontribuar në ngritjen e aktakuzës kundër Thaçit.
Burime të shumta raportojnë se Zeka ka ndryshuar deklarimet për origjinën e listës. Fillimisht ka deklaruar se ajo vinte nga ZPS, pastaj nga inteligjenca suedeze, dhe më pas nga një zyrtar i BE-së në Kosovë. Ai gjithashtu ka pohuar se lista mbante firmën e David Schwendiman, megjithatë ajo ishte datuar në vitin 2015, ndërsa Schwendiman u emërua prokuror vetëm në shtator 2016.
Më 10 nëntor 2024, Zeka publikoi një postim në Facebook29 ku pretendon se ka luajtur rol kyç në “çmontimin” e aktivitetit të Jack Smith në Hagë. Ai shkruan se së bashku me gazetaren Edlira Qefalija (bashkëshortja e tij) dhe Halit Sahitaj, ka kontribuar në këtë proces.
Në të njëjtin postim, Zeka shkruan se i kishte bindur Halit Sahitaj dhe një individ nga Mali i Zi, i identifikuar si Darko, se Faik Imeri ishte agjent i inteligjencës serbe dhe jo i agjencive amerikane.
Burime të ndryshme në Evropë konfirmojnë lidhje të vazhdueshme mes Zekës dhe Halit Sahitaj. Zeka ka udhëtuar disa herë në Spanjë ku Sahitaj jeton. Sahitaj nuk ka të ardhura të dokumentuara dhe është nën hetim për mashtrim dhe shantazh. Ai është fotografuar duke përdorur makina luksoze, përfshirë një Ferrari të marrë me qira nga Gjermania.
Në një bisedë në aplikacionin Signal, Sahitaj pranoi se kishte marrë me qira një Ferrari gjatë verës 2024 dhe konfirmoi targën: NM-DZ 77. E njëjta makinë u gjet e postuar në faqen zyrtare të Milaim Zekës në Facebook30 më 22 korrik 2024. Pavarësisht këtij fakti, Zeka ka mohuar publikisht çdo lidhje personale apo njohje me Sahitaj.
Në faqen e tij të Facebook-ut, Zeka ka postuar edhe një fotografi ku shfaqet duke mbajtur një orë dore që duket të jetë një Rolex31, model klasik me rrip metalik ngjyrë ari. Sipas analizës vizuale, ora përngjan shumë me një Rolex Day-Date ose Datejust, të cilat njihen për stilin e tyre luksoz dhe çmimin e lartë. Modelet e tilla zakonisht kushtojnë nga 8,000 deri në mbi 40,000 euro, varësisht nga viti i prodhimit dhe materialet e përdorura.
Duke marrë parasysh që paga mesatare mujore e një gazetari në Kosovë është rreth 400 deri në 600 euro, lind pyetja se nga burojnë të ardhurat për të përballuar një aksesor kaq të shtrenjtë si një Rolex origjinal. Deri më tani, nuk ka transparencë të plotë rreth burimeve financiare që mund të justifikojnë këtë mënyrë jetese.




Mjeshtri i Manipulimit Mediatik
Milaim Zeka ka demonstruar aftësi të veçanta në kontrollin dhe manipulimin e hapësirës mediatike në Kosovë. Gjetjet tona në këtë hulumtim disamujor tregojnë se aktivitetet e tij përfshijnë pretendime për shantazh, lidhje me operativë të huaj politikë, fabrikim provash dhe përfshirje në fushata dezinformimi. Ai mbetet një figurë me ndikim në skenën politike të Kosovës, me lidhje të identifikuara me rrjete të mbështetura nga Rusia dhe persona si Richard Grenell, Halit Sahitaj dhe Darko Perovic.
Pjesëmarrja e tij në operacione të dezinformimit dhe marrëdhëniet me individë të përfshirë në çështje të ndjeshme politike e ligjore e pozicionojnë atë si një faktor në lojëra më të gjera gjeopolitike, ku narrativat shpesh formësohen për t’u shërbyer interesave të caktuara.
Gjatë përballjes së Kosovës me sfida të thella demokratike dhe betejat e vazhdueshme ligjore, figura si Zeka përfaqësojnë ndërthurjen e rrezikshme mes medias, politikës dhe ndikimit të errët të informacionit. Ndërkohë që ai vazhdon të ketë ndikim në opinionin publik, të dhënat e mbledhura në këtë hulumtim sugjerojnë se kontrolli i tij mbi narrativën është vënë në pikëpyetje.
Gjatë punës hulumtuese të kësaj serie, Gunpowder Chronicles ka kontaktuar në mënyrë të përsëritur Milaim Zekën për të adresuar akuzat serioze që lidhen me aktivitetet e tij dhe marrëdhënien me Halit Sahitaj. Edhe pse në fillim pati një komunikim të kufizuar, Zeka vendosi të mos përgjigjej më, sidomos pas njoftimit tonë zyrtar se ai ishte cak i hulumtimit tonë të plotë gazetaresk mbi aktivitetet e tij.
Një listë me pyetje të detajuara iu paraqit z. Zeka, për të sqaruar32:
- Natyrën e marrëdhënies së tij me Halit Sahitaj;
- Kërkesat për mbështetje financiare për projekte mediatike;
- Marëdhënia e tij me producenten e stolisur serbe Sladana Zaric e cila kishte prodhuar dokumentarin “Shteëpia e Verdhë” me pamjet e Zekës;
- Përfshirjen e tij në përpjekje të mundshme për të ndikuar në procedurat ligjore të lidhura me Tribunalin Kosovar të Drejtësisë në Hagë.
Qëllimi i këtyre pyetjeve ishte t’i jepej Zekës mundësia të japë versionin e tij të tregimit, si dhe të ofrohet një pasqyrë më e qartë për publikun mbi rrjetin e marrëdhënieve që e rrethojnë atë.
Refuzimi i tij për të bashkëpunuar përbën një element domethënës në këtë çështje. Heshtja e tij pas fillimit të hulumtimeve tona shton paqartësinë dhe lë në duart e publikut interpretimin e provave dhe dëshmive të mbledhura.
Me përfundimin e kësaj serie hulumtuese, është e rëndësishme të theksohet se përpjekjet për të paraqitur një tablo të balancuar janë kufizuar nga mungesa e bashkëpunimit nga z. Zeka. Gunpowder Chronicles mbetet i përkushtuar ndaj standardeve më të larta të gazetarisë profesionale dhe do të vazhdojë të ndjekë çështjen me transparencë dhe integritet, ndërkohë që dalin në dritë të dhëna të reja.









Përveç përpjekjeve tona përmes mesazheve të drejtpërdrejta, i kemi dërguar Zekës edhe disa komunikime zyrtare me email, duke i ofruar një mundësi të qartë për të komentuar mbi gjetjet tona hulumtuese. Përgjigjja e tij, megjithatë, ishte befasuese, e mbushur me ofendime personale dhe pa asnjë përpjekje për t’u angazhuar me fakte. Ju ftojmë të shikoni galerinë më poshtë për të vlerësuar vetë natyrën e komunikimit dhe përpjekjet tona për transparencë.



Seria jonë hulumtuese nisi publikimin në anglisht në platformën The Gunpowder Chronicles më 31 mars 202533. Artikulli i detajuar mbi Milaim Zekën u publikua më 3 prill 202534. Më 14 prill, Zeka reagoi në mënyrë të pazakontë në Facebook35, duke shpërndarë një video të një plaku të moshuar nga Brekovci, i cili, duket se thoshte që shqiptarët nuk duhet të luftojnë kundër Millosheviqit. Në përshkrimin e postimit, Zeka pretendon se personi në video është “babagjyshi i gazetarit Vudi”, ndonëse gjyshi im ka vdekur në vitin 1955, shumë përpara se Millosheviqi të shfaqej në skenën politike të Ballkanit në vitet ’80. Ky veprim i Zekës flet shumë për natyrën manipulative të diskursit të tij dhe për përdorimin e dezinformimit si mjet sulmi personal dhe politik.
Një mesazh i papritur në Facebook nga një llogari e quajtur “Laky Laky” nxiti hulumtimin që zbuloi një rrjet të ndërlikuar të dezinformimit që synonte të pengonte tribunalin e krimeve të luftës së Kosovës. Kjo nuk ishte një përpjekje e rastësishme. Dërguesi, i identifikuar më vonë si Halit Sahitaj, kishte një histori të gjatë dhe të trazuar me zyrtarët …
Dokumenti i Fabrikuar — PDF File.
SQARIM nga Redaksia: Ky dokument, i titulluar “Grenell U-Intel HSahitaj_Sourced_Master_File,” është një raport i pretenduar i inteligjencës ushtarake ukrainase që përmban akuza të rënda dhe potencialisht shpifëse kundër Richard Grenell, ish-diplomat dhe zyrtar i lartë i inteligjencës në administratën Trump. Në dokument, Grenell paraqitet si i përfshirë në marrëdhënie të fshehta me oligarkë rusë dhe serbë, përfshirë Andrey Melnychenko, dhe akuzohet për marrje fondesh të mëdha për të ndikuar në politikën amerikane dhe për të ndërmjetësuar në përpjekjet për heqjen e sanksioneve ndaj figurave të afërta me Kremlinin.
Pretendimet në dokument janë të rënda dhe të ndërlidhura me tema të ndjeshme gjeopolitike, si ndërhyrja në zgjedhjet presidenciale në SHBA, ndikimi rus në Perëndim dhe roli i figurave politike në Ballkan. Dokumenti është përpiluar në një stil që përpiqet të imitojë gjuhën dhe formatin zyrtar të shërbimeve të inteligjencës ushtarake të Ukrainës.
Megjithatë, pas analizës së kryer nga burime të shumta të pavarura dhe ekspertë të sigurisë dhe dokumentacionit ndërkombëtar, është konfirmuar se ky dokument është i fabrikuar.
Burimet tona kanë verifikuar se dokumenti është krijuar nga Halit Sahitaj, një person me precedentë të mëparshëm në përhapjen e materialeve të rreme, dhe dyshohet fuqishëm se është bërë me udhëzime direkte nga Milaim Zeka, një figurë politike dhe mediatike e njohur në Kosovë. Dokumenti nuk përmban asnjë vulë zyrtare autentike të institucioneve ukrainase, as nuk është gjetur në ndonjë kanal të brendshëm apo publik të inteligjencës ukrainase.
Dokumenti në fjalë është i rremë dhe i manipuluar, dhe përbën shembullin klasik të dezinformimit të fabrikuar për qëllime politike apo personale.
Fytyrat e shumëfishta të Halit Sahitajt: Një Kriminel, Një Ndërmjetësues dhe Një Manipulator i Narrativave Politike — SL.
Deklarata e John F. Moynihan — Faqe 12/13.
Milaim Zeka Facebook Post : ”Ky eshte raporti qe e ka fundosur Jack Smithin. Per keta koleget e mi, e “dostate” e Grenellit, po ju tregoje se roli im, edhe i koleges time, Edlira Qefalise, me ndihmen absolute te Halit Sahitajt, e kemi çmontuar veprimtarine kriminale dhe korruptive te Jack Smithit, gjate kohes qe ishte kryeprokuror ne Hage. Situata ka pesuar ndryshime rrenjesore kur kam arritur ta binde Halit Sahitajn dhe malazesin Darko, se Faik Imeri nuk ishte agjent as i CIA-as, as i agjencive tjera te spiunazhit amerikan, perpos nje agjent i trajnuar nga BIA serbe, i cili kishte detyre te gjente sa me shume deshmitar te rrejshem, te falsifikonte dokumenta me qellim te komprimitimit te figurave te ndryshme kombetare.” — Facebook Post. [PDF File — 10 Nëntor, 2024]
Merrte 3500 euro për një vizë pune në Gjermani, arrestohet deputeti shqiptar — BalkanWeb (https://www.balkanweb.com/merrte-3500-euro-per-nje-vize-pune-ne-gjermani-arrestohet-deputeti-shqiptar/#gsc.tab=0]
Paparci.com shkroi më 22 tetor 2024 se Milaim Zeka, gazetari që shpesh e ka gjetur veten në mes të rrëfimeve politike, përmendet sërish në dhomat e Gjykatës Speciale. Në një seancë ku mbrojtja e Hashim Thaçit po tenton të shthurë fijet e komunikatës famëkeqe Nr. 59, emri i Zekës doli si hallkë transmetuese në një zinxhir zërash dhe versionesh.
Sipas dëshmisë së Fadil Gecit, njohuritë për këtë komunikatë kishin ardhur përmes vëllait të tij, Gani Geci, të cilit, në një lojë telefoni të prishur, i kishte folur Milaim Zeka. Kur avokati i Thaçit kërkoi të sqarojë lidhjen mes Gecit dhe Zekës, Geci u shpreh prerë: “Asnjë lidhje. Ai është nip i Llaushës, po s’kam jarani me të. Është me këta, me Hashimin.”
Një fragment i një skene më të madhe ku gazetaria, lufta dhe lojalitetet e vjetra ndërthuren në një narrativë që mbetet ende e pazbardhur.
Fadil Geci përballet me pyetjet e Prokurorisë Speciale në Hagë — Kallxo.com.
Geci për Komunikatën e 59’të: Menjëherë kam shkuar në familjen e Thaçit, u informuam nga Milaim Zeka — Insajderi.org.
Fadil Geci: Hashim Thaçi e ka shkruar komunikatën 59 — APost.
Ramiz Lladrovci padit Milaim Zekën, kërkon 100 mijë euro dëmshpërblim — Kallxo.com.
Profili i Sladana Zaric në RTS [https://rtsplaneta.rs/en/credit/author/45743/sladana-zaric]
Novosti (E Përditshmja serbe) – “Ministri Vulin: Reçaku është një gënjeshtër e madhe…” (10 dhjetor 2021) — Më 10 dhjetor 2021, Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, vizitoi sheshin e xhirimeve të dokumentarit propagandistik “Dosije Kosovo – Račak”, një projekt i regjisores Sladana Zaric. Gjatë vizitës, Vulin u shpreh me lavdërime për Zaric, duke e përgëzuar për, siç tha ai, “prezantimin e së vërtetës për Reçakun në mënyrë rigoroze dhe të dokumentuar”.
Deklarata e ministrit përfaqësonte jo vetëm një mbështetje politike, por një konfirmim të hapur se Ministria e Brendshme e Serbisë e konsideron projektin pjesë të një përpjekjeje të qëndrueshme për të ruajtur dhe përforcuar narrativën shtetërore serbe mbi luftën në Kosovë — në këtë rast, duke mohuar një nga krimet më të dokumentuara të luftës: Masakrën e Reçakut. Krenaria institucionale që Vulin shfaqi për përfshirjen e MPB-së në mbështetjen e këtij projekti është tregues i një përpjekjeje të vazhdueshme për të rishkruar historinë nëpërmjet mjeteve të dokumentarit, duke maskuar mohimin dhe relativizimin e krimeve nën petkun e “hulumtimit të pavarur mediatik”. Në këtë kontekst, bashkëpunimi i figurave si Sladana Zaric me strukturat shtetërore të sigurisë e vendos punën e saj më shumë në shërbim të interesave politike sesa të së vërtetës historike. [https://www.kosovo-online.com/vesti/politika/vulin-racak-je-velika-laz-i-strasan-falsifikat-10-12-2021]
Vëzhguesi i Mediave i UNMIK / N1 – “Vulin: ‘Agresioni i NATO-s filloi pas gënjeshtrës për Reçakun’” (Dhjetor 2021) Përmbledhje në anglisht që konfirmon deklaratat e Vulin — UNMIK Online. Gjithashtu theksohet se komunikata për shtyp e Ministrisë së Brendshme vlerësoi Zaric, duke deklaruar se ajo tregoi se si e vërteta për Reçakun mund të paraqitet në mënyrë studimore dhe të bazuar në prova. Po ashtu përmendet se “Dosja Kosovë” ishte bashkëprodhim i RTS-së dhe MPB-së. UN Media Observer, duke theksuar mbështetjen zyrtare për punën e saj.
Platforma ‘Planeta’ dedikuar producentes se RTS-it Sladana Zaric — (https://rtsplaneta.rs/en)
Sladana Zaric, autorka filma „Dosije Кosovo – Žuta kuća“, zahvalila se MUP-u Srbije — YouTube MUP Serbia.
Konferencë për shtyp e ICTY (16 prill 2008) – ICTY konfirmon se asnjëherë nuk është paraqitur ndonjë provë për akuzat mbi trafikimin e organeve para trupit gjykues. — ICTY.
Deklaratë për shtyp e Task-Forcës Hetimore Speciale të BE-së (29 korrik 2014) – Hetuesi kryesor Clint Williamson konstaton mungesë provash të mjaftueshme për të ngritur aktakuza lidhur me trafikimin e organeve, duke theksuar se janë identifikuar vetëm raste të kufizuara. — Reuters.
Postimi i Milaim Zekës në Facebook 27 Nëntor, 2024 ku ndër të tjera ai shkruan: “ ….. per nje te drejte autoriale qe “Mozaiku” i kishte dhene RTS, per perdorimin e disa pamjeve te luftes te Koshares, qe veq kane qene te shfaqura ne YouTube. Takimi eshte mbajtur ne International Prishtina Hotel. Nga Beogradi ka ardhur nje gazetare femer, nje mashkull, une, dhe gruaja ime. Pas nenshkrimit te marreveshjes, kemi rene dakort qe shuma prej 1950 euro te paguhej ne konton e nuses time ne Tirane….. “ [https://www.facebook.com/milaimzekaobri/posts/pfbid0gHfLXgqUJGP7JJLoUCyXpehv4MPXfMoevjiSYUBfQqxQzu9ivizYvQnkp46CrCGPl]
Postimi i Milaim Zekës, i arkivuar nga redaksia jonë në format PDF, lidhet me pamjet e luftës që ai ia kishte shitur producentes së Radio Televizionit të Serbisë, Sladana Zaric — [PDF File].
Nga Krimi te Operacionet Sekrete: Si Halit Sahitaj dhe Milaim Zeka synojnë Tribunalin e Kosovës në një luftë të rrezikshme dezinformimi. Kush janë në të vërtetë këta? — SL.
- Screenshot 1 (06 Shkurt) [PDF FIle të Arkivuara]
Ftesë fillestare për intervistë: Hetim mbi rolin diplomatik të Grenell në Kosovë dhe Ballkan. - Screenshot 2 (09 Shkurt)
Detaje të hetimit dhe pretendimet për manipulim narrativash politike me ndihmën e bashkëpunëtorëve si Fitim Çeku. - Screenshot 3 (10 & 14 Shkurt)
Pyetje direkte për z. Grenell mbi promovimin e narrativave të pabazuara dhe kërkesë për sqarim publik. - Screenshot 4 (19 Shkurt)
Pretendime nga Halit Sahitaj për pagesa financiare nga oligarkë rusë dhe figura në Ballkan; kërkesa për përgjigje të drejtpërdrejtë. - Screenshot 5 (20 Shkurt)
Pyetje në lidhje me pozicionin e z. Grenell ndaj proceseve gjyqësore për ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe deklaratat publike të tij.
Të enjten u mor në pyetje nga Eulex-i edhe gazetari Milaim Zeka, ngase sipas misionit, në një edicion të tetorit të emisionit Pa Rrotlla, zbuloi identitetin e një dëshmitari të mbrojtur në gjykimin kundër pesëmbëdhjetë të akuzuarve. — Kallxo.com.
“Specialja”, Milaim Zeka publikon listën e të akuzuarve – News, Lajme – Vizion Plus.
Postimi i Milaim Zekës në Facebook: ”Ky eshte raporti qe e ka fundosur Jack Smithin. Per keta koleget e mi, e “dostate” e Grenellit, po ju tregoje se roli im, edhe i koleges time, Edlira Qefalise, me ndihmen absolute te Halit Sahitajt, e kemi çmontuar veprimtarine kriminale dhe korruptive te Jack Smithit, gjate kohes qe ishte kryeprokuror ne Hage. Situata ka pesuar ndryshime rrenjesore kur kam arritur ta binde Halit Sahitajn dhe malazesin Darko, se Faik Imeri nuk ishte agjent as i CIA-as, as i agjencive tjera te spiunazhit amerikan, perpos nje agjent i trajnuar nga BIA serbe, i cili kishte detyre te gjente sa me shume deshmitar te rrejshem, te falsifikonte dokumenta me qellim te komprimitimit te figurave te ndryshme kombetare.” — Facebook Post.
[PDF File of the Original Post – 10 Nëntor, 2024]