Nga: Fehmi Ajvazi, shkrimtar nga Prishtina
- Alternativat e njohjes së shtetit të Kosovës.
Dritaret e Rumanisë në lindje hapen në plazhet e gjysmë të ngrohta të Konstancës por drita që i ka mbushur ato gjithmonë me shkëlqim, ka ardhur nga perëndimi. Kjo dritë prandaj, njësoj si një areolë jete, i ka dhënë këtij vendi atë që e ka pasur për vete: qytetërimin e lashtë, kulturën, sagën e demokracisë, bashkëpunimin etj. Duke mos e parë me urrejtje botën lindore që shtrihet te këmbët e tij, populli rumun ia ka dalë t’u shmanget me sukses historive të pështira që jo rrallë herë, kanë shpërthyer andej nga lindja, në të dy anët tokësore mes Detit të Zi! E gjendur disi në mes, gjeografia rumune ka përballuar përplasjet politike dhe ushtarake, të vjetra e të reja. Në kontekst prandaj, duke jetuar në këtë gjeografi mes lindjes e perëndimit, populli rumun mbetet edhe sot konsekuent i fatit gjeohistorik dhe i bashkësisë që e ndërton në vazhdimësi “fatin” e një kombi mes historive dhe politikave realitete.
Mbretëria e dikurshme dhe republika e sotme, janë e njëjta gjë në biografinë e shtetit me një histori goxha të bujshme dhe me një demokraci konsistente që, pavarësisht kohëve, e demanton fatin e kaluar politik si për shembull, epokën e imponuar komuniste! Ky shtet, ka në bërthamë një etnogjenezë paqësore, krenare dhe të dinjitetshme. Është ndër shtetet e rrallë që, ka shmangur në mënyrë konsistente kulturat, platformat dhe doktrinat e ekspansionit dhe të pushtimit. Kështu, kombi i këtij shteti, nuk ka kaluar heartlandin e tij që t’ua marrë të tjerëve tokat, t’ua shkretojë të ardhmen dhe t’u gëzohet politikave hegjemoniste dhe historive krimogjene. Prandaj, është e rëndësishme të themi se populli rumun bartë mbi supet e tij një “histori” paqësore dhe stabile, të kamur e shembëllyese për t’u cilësuar e për t’u vlerësuar, kundrejt ‘historive’ të bashkësive të tjera që, janë shembull i “vrimave të zeza” të historisë e politikës.
Mbi një gjykim tjetër nga cili do rumun, s’i autorë i këtij teksti komentues ( pa subjektivizëm e ekuivokë) mund të them se “dritaret e Rumanisë” s’janë mbyllur asnjëherë për popullin tim! Ato dritare, janë mbyllur veçse përpara furtunave të historisë ndaj kultivuesve të furtunave, dhe se “dritaret rumune” kanë mbetur shembull i koekzistencës, bashkëpunimit dhe humanitetit. Pa hyrë në zbërthime të thella politike dhe ideologjike, Bukureshti e ka kultivuar doktrinën e humanitetit dhe të demokracisë, një gjest jo i lehtë kombëtarë e shtetërorë përballë kohëve të ndryshme që kanë agrivuar sidomos në shekullin XIX-të dhe XX-të luftëra të mëdha e pushtime. Duke ndjekur me konsekuencë e vetëmohim rrugën e paqes, të humanitetit dhe të zhvillimit, s’i shqiptarë që jam, kam një mori arsyesh më shumë se kushdo tjetër për ta çmuar dhe vlerësuar “këtë rrugë” të kombit dhe të shtetit rumun. Madje, jo vetëm për ta çmuar por, edhe për t’u përkulur me ndjenjën e respektit përballë gjuhës, kulturës brilante, renesancës dhe modernitetit, artit dhe strukturës urbane etj.
Si autorë shqiptarë i këtij komenti, këtu, do të doja të shkruaja për shumë gjëra dhe finesa rumune, ashtu si edhe për malet, fushat e pafundme dhe për letërsinë, etnologjinë, bujqësinë etj. Sigurisht, janë njerëzit gjithmonë ata që të tërheqin më shumë t’i kesh në shënjestër, t’ua cilësosh krenarinë, sjelljen, veprën, zakonet nacionale, identitetin etj. Sido qoftë, s’i shqiptarë, jam koshient të them hapur se ndryshe nga c’mund të konstatojmë përgjithësisht, ka dhe “një apo më shumë dritare rumune” që dikur në kohë dhe në histori, ishin shembull i “dritës” që reflektoi mbi fatin e atyre bashkombasëve të mi që për arsyet e njohura braktisën vendin e tyre dhe, përfunduan në gjeo hapësirën rumune. Krejt pastaj, mes shqiptarëve dhe rumunëve u ndërtua hap mbas hapi një afërsi dhe një miqësi, pothuajse vëllazërore që derivoi në çdo pore të jetës. Se si dhe qysh u ndërtua kjo “afërsi dhe miqësi”, këtu s’do të mjaftonin as pesë, shtatë, e madje as dhjetë faqe ta themi, por më duhet ta them me një fjali të përkufizuar se, rrallë ka ndodh që dy popuj të njohur në situata të jashtëzakonshme dhe që fati i ka drejtuar të jenë pranë një tjetrit, të kenë gjetur gjuhë, respekt dhe dashuri për njëri tjetrin se sa populli shqiptarë, dhe populli rumun.
Në kontekst, është krejt çështje tjetër se si dhe qysh gjeneratat e sotme të të dy popujve e njohin të kaluarën, s’i e cilësojnë dhe sa e çmojnë atë por, i japë vetës të drejtë që në këtë tekst komentues ta shfrytëzojë rastin që t’i falënderojë ata njerëz rumunë të shekujve të kaluar që i hapën dyert dhe dritaret e shtëpive t’u sigurojnë mirëseardhje përgjithmonë. Epo, u dhanë pastaj ujë, bukë, kripë dhe zemër, dhe po aq mundësi e kushte që ato gjenerata të dikurshme (të shumta) që përfunduan në tokën rumune ta “realizonin” vetën e tyre: pa pengesa politike, nacionale, pa barriera racore, kulturore, gjuhësore etj., njësoj si në tokën e tyre mëmë!
Si shqiptarë i Republikës së Kosovës, më lejohet të them në këtë tekst se, historia e dikurshme e përbashkët mes shqiptarëve dhe rumunëve na jep më shumë arsye dhe të drejtë për të hapur “dritare të reja” njohjeje e bashkëpunimi në çdo aspekt. E qartë: janë qytetarët e thjeshtë që marrin iniciativa dhe s’pyesnin për barrierat e ndryshme të çfarëdo lloji, por janë e duhet të jenë institucionet ato që mundësojnë qoftë iniciativat dhe qoftë qëllimet për t’i realizuar dhe përparuar marrëdhëniet mes popujve dhe vendeve.
Ndoshta, ka kohë që në Prishtinë jemi duke pritur të bie një kambanë në Bukuresht: kambana e njohjes nga Rumania e shtetit të Kosovës! Kjo, pritja jonë, nuk është e dyzuar, as e angësht, as sa për të thënë dhe për këtë, jam i bindur. Se, është një pritje e ndërgjegjshme, e pastër, dhe e bazuar mbi alternativa që nuk duam t’i përmendim më shumë, apo t’i themi s’i “arsye” të një kërkese politike për ne si qytetarë, ose s’i “nevojë” diplomatike dhe strategjike për ne si Kosovë! Epo, krejt e thënë natyrshëm: këtu, s’është i udhës çfarëdo referimi ynë të synohet apo të bëhet mbi një “ligjëratë diplomatike” drejtuar s’i një mesazh për njohje Bukureshtit sepse, “alternativat dhe vendimet” e shtetit në këtë aspekt, gjithmonë mund të jenë disa ( dy, e më shumë), dhe këto më mirë se ne, i dinë dhe mund t’i shestojnë institucionet respektabile të shtetit rumun, por ajo që përkon me pritjet e tona njëmend të gjata, qëndron në dhënien shans “shqyrtimit dhe tejkalimit“ të barrierave në Bukuresht. Pra, akceptimi politik dhe diplomatik në Bukuresht për gjetjen e momentit të formulimit të një vendimi mbi njohjen e shtetit të Kosovë, përkon saktësisht me pritjet tona në Prishtinë!
Mbase ka ardhur koha që një “akceptim” pozitiv në relacion me Kosovën nga Bukureshti, ndryshimi i qasjes dhe fundi i hamendjeve, të ketë s’i momentum “fleksibiletin” që buron nga historia e bujshme shqiptaro-rumune, dhe sidomos, të ketë s’i ”fleksibilitet të momentumit”, gjendjen aktuale në gadishullin tonë dhe në kontinent. Në kontekst, “aktivizmi politik dhe diplomatik” në Bukuresht s’ka se si mos të jetë një veprim realist gjë që, mundëson tejkalimin e pengesave dhe braktisjen e alternativave të deritanishme stopuese. Në vorbullën që zhurmon, pse të mos themi në vorbullën që gjëmon, të gjithë kemi nevojë të rreshtohemi dhe të jemi bashkë në “të boshtit të së mirës”, për ta mundur “boshtin e së keqes”!
Verdikti i njohjes së Kosovës nga Bukureshti, veç ekuilibrimit edhe më të fuqishëm të historisë së marrëdhënieve tona, do të krijonte perspektiva të reja në çdo aspekt. Nuk ka dyshim që, Kosova e vogël dhe e penguar nga qarqe të caktuara në rrugën e saj të shtetëzimit ndërkombëtarë, ka nevojë për përkrahje dhe për mbështetje politike, diplomatike, ekonomike etj. Prandaj, njohja e Kosovës nga Rumania, do t’ishte një kambanë që bie në një mëngjes plotë me dritë. Thjeshtë, do ishte një lajm sipërorë!
Rumania, mund ta thyejë akullin e ftohtë që e mbështjellë Kosovën të ardhur nga pesë vendet, anëtare të Bashkimit Evropian.
Fehmi Ajvazi,
prill 2022, Prishtinë