Kolë Ashta
Botim i Akademisë së Studimeve Albanologjike
Përgatitur nga Stefan Ҫapaliku
- 270
Vjollcës1
Livadhet e fushat kërkova,
Askund nder kto ana nuk t’i gjeta;
Prej zhurme së botës u largova
Njerzimit i treta.
Tanë thojshin se vjollca nuk ka,
Por n’fushë bri njanë gardhit un ndalë,
T’diktova, n’vetmi të kam pa,
Njatëherë kishe dalë.
Ti jetën e çon nder vetmije,
Në mni sa fort njerzit i ke
Qi rrin e ngujueme n’gardhije;
Thu’e dejë për ta s’je.
Kah dit t’kam kërkue, por nuk të gjetën,
Tashma n’a dalë ditt e reja,
N’vetmi mos kërko m’e çue jetën.
Nder ne ma’j herë eja…
Por fort kam gabuemun- çka ty un t’kam thanë,
Se ti po t’n’a vijshe- m’e pamun ket anë,
N’qetsi kurr nuk kishim- nji herë ma, me t’lanë.
Për ty s’ka dhimë gjindja- dhe asht kaq mizore,
Sa shko edhe eja- përherë dorë mbas dore,
Veç ty për t’këputun- vjen orë e per ore.
Shkodër, 20 mars 1938
Kole Ashta i ri dhe plak
f.10
Kolë Ashta polemist dhe veprimtar
…Fishta lartohet porse epiku dhe satiriku më i madh i kombit..Mjeda, n’anë tjetër xen vendin e parë si poet lirik klasik.
f.21
Letërsia e popullit e pasun nder gojdhana, zakone, kallxime, poezi, pshtjellë në vedi të gjithë paraqitjen e jetës sonë kombtare, qi përfiton historin e të kaluemes.
Në mbarë letërsin popullore ngjallnjen poezija e popullit, qi ngufoi thjeshtë prej zemrës së shqiptarit, pa kurrfarë influksi prej së jashtmi. Shprehja e mendimeve del natyrisht, e në fantazi të len nji përshtypje të ngultë. Nji poezi e tillë të prekë zemrën në efektet e fuqizueme nga poeti populluer, me parafytyrime, figure poetike, hyperbola e me krahazime.
Në gërshetimin e këngëve çeken bestytni, magji e personifikohen pemët ndër kuadre mahnitse, kur mbi trupin e vashës së varrosun bin nji hardhi e mbi varrin e djalit nji qepariz, të cilit i ngjitet hardhija e harlisun. Ndër kto kangë shpeshë paralajmrohet ardhmenija nga ndo’j zog ugurzi o përflitet mbi paragjykime.
Poeti populluer nuk mund të ndalet prej natyrës e natyra qeshë e qanë me të: dielli merret, qiella mbulohet me re, toka errësohet e qeshet e ambëltohet nga gzimet e efektit qi trondisin zemrën e kangtarit.
f.43
Ndera në Kanunin e Lekë Dukagjinit, ka ma randësi se jeta, e deka për malcorin asht e bukur kur diset si burr. Atë e bren mendimi ma i forti mos m’u koritë, e dëshiri qi m’u përmendë si luftëtarët e mdhaj. Të gjithë kto viryte qi janë forca e racës s’onë pasqyrohen nder rapsodina, të cillat në zëmrën e shqyptarit e dishmojnë mentalitetin e pershim në ligjet malcore, në Kanunin e Lekë Dukagjinit. Nëpër të përshkohet shpirti i malcove t’onë prandaj asht e pamundur studimi i epikës popullore pa njoftë Kanunin, ambientin qi ka krijue. Gadi e gjithë epika popullore e krijueme prej popullit shqyptar në kohën e pushtimit aziatik, flet mbi burrnin e luftarve. Kujtimi i tyre, sidomos i Gjergj Kastrjotot, mbeti i gjallë në marë fantazin popullore e rreth emnit të ti rapsodi idealizon veprat luftarake për shekuj me radhë nder rapsodina, nëpër të cillat gjarpnon nji shpresë e rilindjes kombtare.
Shkodër 2.VII.1939
f.211
“Mallkimi i gjuhës shqipe”, komedi e Mihal Gramenos
Ndër shkrimtarët e Rilindjes Kombtare e Letrare del në shesh edhe fytyra e nji kryengritsi-shkrimtar, i lindun në Korçë me 1871 dhe i vdekur në fruer 1931. Me gjith se e ka shkue kohën ma tepër me pushkë në dorë se me pendë, më tepër nder vuejtje, se në prehje, Mihal Gramenua na del para edhe me disa vepra, të cilat ndoshta vetëm pak veta i kanë shfletue.
Ndër kto për t’u shënue asht vepërza “Mallkimi Gjuhës Shqipe”, botue me 1921 në Korçë pranë shtypshkronjës Dhori Koti. Ky vëllimth asht nji komedi në vjershë e ngjame në Korçë me 1886 dhe e ndame ndër tri veprime. Vargjet janë gjashtërroksha të dyfishtë qi kanë gjasëramje të përputhun. Gjithsejt janë 87 faqe libri me një mbasë të vogël.
Mihal Gramenua, pasi u kërkon ndjesë lexuesave e pasi kujton nderën e ndihmtarëve shqiptarë t’Amerikës, çel veprimin e parë, nji nxanës i kujdesshëm rrin tue lexue mësimet e shkollës. Por nën një ças i mërzitun prej atyne mësimeve në gjuhë të huej e flak librin. Kërset dera dhe tue kujtue Koloja se po vjen e ama e merr librin nder duer e nis të lexojë. Në të vërtetë asht shoku i klasës Gjini.
Këtu shkrimtari shpreh mërzin qi provojnë këta dy nxansa kur janë në shkollë, të cilët janë të detyruem të nxajnë një gjuhë të huaj, grekishten, kështu që sa herë mësuesi i ndigjon tue folë shqip, iu heq vrejtje.
Në bisedë e sipër vjen Xhuloja, i afërtë i tyne. Djelmt pyesin në se kanë fjalë e letër prej shokve të tyne jashtë vendit. Xhuloja u jep letrën shkrue shqip, ai u difton u ka sjellë disa libra shqip të vëllazenve Frashëri: Samiu e Naimi. Përpiluesi ka rasë të rrëfejë shpirtin atdhetar të Xhulos, i cili nonse pas shkolle ia njeh vlerën gjuhës shqipe e zemra e tij gazullohet, kur sheh të botuem librin shqip. Kështu i thot Koloja Gjinit:
A vështrove Xhulon si të kuvëndon
Mëmëdhen e dashur sa e naltëson
Edhe është gati në ç’do orë të vdesë
Se është Shqipëtar e ka besa besë.
Nerenxa, e ama e Kolos, pasi e nis të birin dhe shokun e tij për shkollë, e gjen Katoja, shërbëtorja dhe plaka Ngjela. Shi këtu biseda e grave, Kështu e nxen bisedën Nerenxa:
Andaj dje në kishë urata Sisoni
Na thoshte që Shqipen kurë mos e doni
Po këtë ne gratë të mos e durojmë,
Të gjitha të mblidhemi dhe të kërkojmë
Dhjakoja të jetë vetëm Shqipëtar
Edhe të mos presëm Grek, Sërb a Bullgar.
Me një here, del shpirti kryengritës i Mihal Gramenos nëpër fjalët e korçarëve atdhetarë, të cilat caktojnë të mprojnë gjuhën e të parve te Dhespoti.
Asht ditë e shtunde, por Llambi, i shoqi i Nerenxës krhehet ma shpejt se ndër ditët tjera prej tregut. Diçka do të ngjajnë, por sigurisht diçka e mirë, mbasi Llambi flet me të shoqen me buzë në gaz. Urdhnon që ti përgatitet shtëpija pasi do të vijnë njerz shumë. Nerenxa nuk e din qëllimin e të shoqit, pasi sot nuk asht e kremtë, gjithashtu nuk ka të ngjamë që të vlohet i biri i tyne pasi asht shumë i vogël. Një mbledhje e msheftë do të bahet mbrame në shtëpinë e Llambit me një qëllim t shenjtë.
Në sa ishte tue i diftue të shoqes arsyen e mbledhjes, vjen Sisoni, prifti grek, i cili qahet me Llambin për disa libra shkrue në gjuhën shqipe qi kanë arrijtë prej Bucharest-it, të cilët janë të ndaluem të lexohen. Llambi kundërshton, por Sisoni ia pret se do ta paguej shtrënjtë kundërshtimin e mbledhjen qi do të bahet në shtëpinë e tij. Nxjerr një libër shqip e ia jep Sisonit ta shikojë:
Dhespoti të japë një qind mijë mallkime
Kjo është shkruar në gjuhën t’ime
Edhe do t’e dua unë gjer të rroj
Me dashuri shumë këtë do të mësonj.
Sisoni i thotë ta flaku at libër të mallkuem, por Llambi e shtrëngon plot dashuni, si një gja të shenjtë.
Pastaj vjen Xhuloja e Hasan Beu e piqen me Llambin. Pas tyne arrijnë të tjerë.Stamoja i ardhun prej Bucharest-it u thot se kini shëndet e të fala prej të mërguemve të dashun. U jep lajmin e themelimit të shoqnis “Drita”, u dëfton se janë ba botime të shumta prej Naim Frashërit dhe prej të tjerëve, por mjerisht priftënt grekë janë tue mallkue gjuhën shqipe.
Në kaq hyn me nxitim prifti shqiptar Visari dhe u zhvillon qi ka pasë grindjen me Sisonin. Të gjithë çohen në kambë dhe bërtasin: në Metropoli!
Veprimi i tretë nuk zhvillohet ma në shtëpi të Llambit por në Metropoli. Dhespoti u flet eforve tue qenë edhe Sisoni për çashtjen e gjuhës shqipe, pasi korçarët duen qi shqipja të flitet lirisht e të shkruhet. Kështu u thot Dhespoti grek edhe eforve qi mos të lexojnë libra shqip. Të gjithë pranojnë, në sa në shtëpinë e Llambit asht tue u folë e kundërta: mprojtja e shqipes.
Veprimi i tretë ka një ngjyrë komike. Pas fjalëve të dhespotit grek fillohet zbrazja e mbushja e kupave të venës, e së mbrami nis vallja, ku të gjithë tallen me Thanën, shërbtues i Mepropolis, të cilit i jep fjalën dhespoti se do ta bëjë prift, ashtu siç ka ngja me Sisonin.
Por jashta, rreth Metropolis populli bërtet: rroftë gjuha shqipe!
Kështu mbaroi komedia.
7.8.1944
f.246
Përse shkruej?
Shkruej deri sa Muza të më frymzojë, deri sa të m’a shetisin jetën, pse atëhere nuk e ndiej randimin e jetës.
Shkruej në vetmi, pse nuk më shef kush, sikut njajë puntori i cilli me krahë e shpërvjelun e i djersitun, mihë tokën në nji vend të largtë
Shkruej, pse due m’e e njoftë gjuhën e natyrës, o kur bjen ndo’j shi i letë vere, o kur shkelxen hana, pse atëhere më tingllon nji melodi e kohve të shkueme, në të cillat ëndet kujtimi.
Shkruej për ata të dekun që janë harrue, për lulet qi dalin ndër rrenojet mijvjeçare, o natën, pse atëhere njallen pshertimet, dishirët, shpresat e mendimi siellet në mjes qiellës e tokës sikur zogjët, qi fluturojnë mbi rë, sikur shqypja me krahë të hapun çan ajrin.
Shkruej, pse e due detin e pamatun qi mbyllet n’orixont, kur e kundroj prej bregut, e shkruej, pse tretë në pakufi, kur jam majë mali, o kur aj të papërshiem zhduket nësa unë jam tuj udhtue mbi të.
Shkruej pse ngjgyra me të cilën shkruej asht e bukur: asht lang tërhjekës.
Shkruej pse më kande m’e ndie kërsitjen e pëndës.
Shkruej pse zëmren e kam të hapun si bota.
Pse mos të shkruej?
Shkodër, 10.8.1938
Konspektoi Bardhyl Selimi, Tiranë më 25 janar 2023