ARKIVI:
11 Prill 2025

    Një mbrëmje shqiptare në zemër të Gjenevës – promovimi i librit “Shekulli i Parë”

    Shkrime relevante

    Tringa Berisha, një urgan dhe talente e gjeneratës së re që po vije furishëm në krijimtarinë letrare

    Reshat Sahitaj, Prishtinë  * SE SHPEJTI, NJË URAGAN I RI NË LETËRSINË...

    Nëse luftoni për diça të mirë, duhet ta dini me çka nuk jeni të kënaqur

    Nga: Lirim Gashi, Prizren  * Shqip, serbisht, gjermanisht dhe anglisht. __ Në Kosovë dhe...

    Turp për Bajram Begajn dhe Komunen e Gjilanit ose amatorizmi diplomatik ndërshqiptarë

    Reshat Sahitaj, Prishtinë Shpallja qytetar nderi kryetarin Bajram Begaj, në Gjilan është...

    Sunday Dispatch (1943) / “Unë jam gjithmonë i gatshëm të kthehem menjëherë në vendin tim…”

    Mbreti Zog I (1895 – 1961) Nga Aurenc Bebja*, Francë – 11 Prill...

    Toaletet në kazermë, alarm për institucionet e shtetit!

    Florim Zeqa Gjendja mjeruese në 30 objektet e Kazermes "Adem Jashari" në...

    Shpërndaj

    Nexhmije Mehmetaj

    Më 4 prill 2025, në një atmosferë të ngrohtë dhe plot dinjitet, u zhvillua një ngjarje kulturore e veçantë në qytetin e Gjenevës. Shoqata “Komuniteti Shqiptar”, në bashkëpunim me shoqatën e Studentëve Shqiptarë në Gjenevë, organizuan promovimin e librit “Shekulli i Parë” të autorit të mirënjohur nga Vlora, Sejmen Gjokoli – Mjeshtër i Madh.

    Ngjarja mblodhi bashkë një publik të gjerë: përfaqësues të stafit diplomatik shqiptar dhe kosovar, studentë të rinj shqiptarë të lindur e rritur në Zvicër, intelektualë, përfaqësues të shoqatave shqiptare si dhe anëtarë të moshës së tretë që e mbajnë gjallë kujtesën e kombit edhe në mërgatë.

    Programi u hap me një prezantim mbresëlënës nga Vanesa Likaj, një studente e re, e lindur në Zvicër, por me rrënjë në Kosovë dhe me një shqipe të pastër e të ëmbël, që i ngjante burimeve të freskëta të vendlindjes së saj. Ajo solli para të pranishmëve një përmbledhje të shkurtër por kuptimplotë të biografisë së autorit Sejmen Gjokoli, duke vënë në pah veprën dhe kontributin e tij në fushën e publicistikës dhe historisë.

    Në vijim, znj. Afërdita Krasniqi përshëndeti të pranishmit, duke i uruar mirëseardhje publikut dhe duke theksuar rëndësinë e organizimeve të tilla në ruajtjen e identitetit kulturor shqiptar në diasporë.
    Ngjarja u nderua edhe nga përfaqësues të ambasadës së Republikës së Shqipërisë, ndërsa një fjalë përshëndetëse mbajti edhe znj. Floreta Kabashi, Konsulle e Republikës së Kosovës në Gjenevë, e cila vlerësoi punën e autorit Gjokoli dhe theksoi rolin e rëndësishëm që luajnë aktivitetet kulturore në lidhjen shpirtërore me atdheun.

    Për rëndësinë dhe vlerat që mbart libri “Shekulli i Parë”, foli me pasion dhe kompetencë z. Ali Mehmeti, një intelektual i palodhur në shërbim të komunitetit shqiptar në Gjenevë. Ai e cilësoi librin si një dokument të çmuar që pasqyron me finesë dhe vërtetësi ngjarjet kryesore që shënuan 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke ofruar një rrëfim të detajuar dhe me shumë dimensione të historisë sonë kombëtare.

    Kulmin e mbrëmjes e përfaqësoi fjala e vetë autorit, Sejmen Gjokoli – Mjeshtër i Madh, i cili ndau me publikun emocionet e punës shumëvjeçare dhe pasionin pas çdo faqeje të këtij libri. Ai falënderoi organizatorët dhe publikun e pranishëm për mikpritjen dhe interesimin, duke theksuar se diaspora shqiptare ka qenë dhe mbetet një mbështetje e fortë për çështjen kombëtare.

    Në kuadër të këtij promovimi, u shfaq edhe një film dokumentar me të njëjtin titull “Shekulli i Parë”, i cili i dha ngjarjes një dimension emocional e vizual të jashtëzakonshëm, duke rrëmbyer duartrokitjet dhe vëmendjen e të gjithë të pranishmëve.

    Atmosfera u pasurua më tej nga pjesa muzikore, ku artistë shqiptarë nga Gjeneva dhe Llozana sollën tinguj të ngrohtë që preknin zemrën e publikut.
    Në skenë u ngjit grupi muzikor “Hareja”, ndërsa me instrumentet e tyre shkëlqyen:

    • Z. Ilir Bytyqi me çifteli (SHKA “2 Ilirët” – Lozanë),
    • Z. Flamur Sherifi me violinë (Art Band – Lozanë),
    • Z. Bashkim Krasniqi me kitarë.

    Një moment i veçantë ishte edhe interpretimi i këngës nga Ejona Bytyqi dhe Elion Krasniqi, që përçuan emocion e krenari në sallë.

    Me shumë respekt dhe solemnitet, u mbajt një minutë heshtje në kujtim të Astrit Lekës, një veprimtar i shquar i çështjes shqiptare, i cili së fundi është ndarë nga jeta. Kujtimi i tij u nderua me përulje nga të gjithë të pranishmit.

    Mbrëmja u mbyll me një koktej rasti, ku pjesëmarrësit patën rastin të ndajnë përshtypjet e tyre, të njohin më mirë njëri-tjetrin dhe të përforcojnë lidhjet e komunitetit. Nga fytyrat e buzëqeshura dhe përshëndetjet plot ngrohtësi, dëgjoheshin fjalët e zakonshme, por të mbushura me domethënie:
    “Faleminderit!” dhe “Mirë u pafshim në raste të tjera!”

    Kjo mbrëmje do të mbetet gjatë në kujtesën e pjesëmarrësve si një shembull i bukur i bashkimit përmes librit, fjalës, historisë dhe artit shqiptar.

    Gjenevë, 05.04. 2025

    K O M E N T E

    SHKRUAJ NJË KOMENT

    Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
    Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu