ARKIVI:
19 Nëntor 2024

Një mesazh nga mësuesja e shqipes në mërgim Mimoza Qarreti-Elshani

Shkrime relevante

Shpërndaj

Nga: Nexhmije Mehmetaj

Në ngulimet shqiptare në Zvicër « Lidhja e Arsimtareve dhe Prindërve Shqiptarë « Naim Frashëri » prej tri dekadash ka formuar rrjetin e shkollave të mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Shkolla të mësimit plotësues të gjuhës shqipe ka në shumë kantone të Zvicrës.
Synimi i këtyre shkollave është që brezi i ri shqiptar të zotërojë sa më mirë gjuhën amtare në të folur, të lexuar, të shkruar, të njoh në vija të përgjithshme letërsinë shqipe, historinë dhe gjeografinë e Shqipërisë, Kosovës e mbarë trojeve kombëtare, si dhe pasurinë shpirtërore e kulturore të trashëguar brez pas brezi.
Funksionimi dhe efektiviteti i këtyre shkollave merr një rendësi të madhe për shqiptarët e diasporës, krahas integrimit në shoqërinë pritëse ata do të ruajnë dhe identitetin kombëtar për mes gjuhës shqipe.

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor biseduam me Mimoza Qarreti-Elshani, mësuese e gjuhës shqipe për fëmijët mërgimtarë në Llugano të Zvicrës.

Mimoza ku i ka themelet e të parëve?

Unë jam lindur dhe rritur në Kosovë, kam përfunduar studimet në shkallën Master në gjeografi. Prej disa vitesh jetoj dhe punoj në Zvicër.

Në ç ‘vend mbahet mësimi shqip dhe a mendoni se prindërit po bëjnë ç ‘mos që fëmijët e tyre ta mësojnë gjuhën amtare shqipe?

Mësimi mbahet nê Scuola Media në Massagno dhe në Scuola media 1 në Bellinzona.
Fatkeqësisht jo të gjithë prindërit e kuptojnë që zotërimi i gjuhës shqipe është i rëndësishëm për fëmijët e tyre.
Kam rastisur në prindër për të cilët të folurit pastër shqip nuk është aq i rëndësishëm, edhe nëse fëmijët e tyre nuk dinë ta dallojnë gjininë mashkullore dhe femërore ka pak rëndësi. Për disa prej tyre ka rëndësi që fëmijët e tyre të dinë mjaftueshëm vetëm të folurit në gjuhën shqipe duke mos llogaritur shprehitë tjera siç është të shkruarit dhe të lexuarit.
Fatmirësisht ka edhe të tillë të cilët bëjnë sakrifica dhe i mbështesin fëmijët e tyre.
Aktualisht kam të bëjë me prindër të mrekullueshëm dhe nxënës të shkëlqyer.

Si e përjetuat ditën e parë të mësimit shqip? Cila është e veçanta e kësaj dite?

Është ndjenjë të cilën nuk mund ta përshkruaj me fjalë, por thjesht mund të them shumë e gëzuar dhe e plotësuar.
Unë jap mësim dhe në shkollat zvicerane dhe pothuajse gjithmonë kam takuar nxënës me origjinë shqiptare. Pyetja e parë e cila më është bëre ka qenë: profesoreshë a mund të flisni në gjuhën shqipe dhe të na tregoni diçka për vendin tonë.
Unë e lumtur u tregoja shumë gjëra për atdheun tonë, dhe njëkohësisht ëndërroja: Qe një ditë do të ua mësoj nxënëseve shqiptarë gjuhën e ëmbël shqipe, dhe fatmirësisht kjo ëndërr më është realizuar. Përpiqem që të jap më të mirën për ta.

Cilat janë sfidat e shkollës së mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Lugano?

Shkolla jonë ka sfida të ndryshme, por me vullnetin dhe dëshirën jemi duke korrur sukses.
Numri i nxënëseve dukshëm është rritur, por për hir të korrektësisë, duhet cekur që nuk kemi mbështetje financiare nga institucionet shtetërore, dhe kjo është një ndër sfidat me të cilat jemi duke u ballafaquar.

Çfarë do t’i porositni prindërit shqiptarë?

Prindër dërgoni fëmijët në shkollën shqipe, se shkolla për ta është hapur, për ta ruajtur dhe trashëguar gjuhën e prindërve vendi i duhur është sidomos shkolla. Mbi të gjitha mësimin e gjuhës shqipe e ka detyrim kombëtar çdo fëmijë shqiptar. Mos hezitoni flisni shqip me fëmijët dhe sillini ata në shkollë!

Gjenevë 28. 09.2023 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu