Nga: Frank Shkreli
Lidhjet e tij me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe mërgatën në përgjithsi
50-vjet më parë, me 15 Janar 1975 ka ndërruar jetë shkrimtari dhe poeti dhe ndër të tjera edhe ministër i arsimit (1941-42) gjatë të cilës periudhë dërgon në Kosovë dhe në vise të tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi. Me atë rast u hapën një numër i madh shkollash fillore dhe të disa të mesme, anë e mbanë trojeve shqiptare. “Ishin këto shkolla që do bëheshin baza me rëndësi për zhvillimin e përparimin e gjërë dhe të shumëanshëm të arsimit dhe të kulturës shqiptare në ish-Jugosllavi”, do shkruante më vonë Dr Rexhep Krasniqi, Kryetari i “Komitetit Shqipnia e Lirë” në Nju Jork, njëri ndër mësuesit që shkoi në Kosovë dhe njëri prej bashkpuntorëve të Koliqit. Frank Shkreli: Thirrje për njohjen e rolit të Ernest Koliqit në përhapjen e arsimimit kombëtar (1941-1944) anë e mbanë trojeve të robëruara shqiptare | Gazeta Telegraf
“Qe pishtari kryesor dhe frymëzuesi i vendosur i mësimit të gjuhës shqipe në Kosovë. Në atë krahinë deri në 1941, shkrimi i gjuhës shqipe ishte privilegj i një pakice mikroskopike”, ka shkruar Dr Hamdi Oruçi për kontributin e Koliqit në përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe në trojet shqiptare nën Jugosllavinë asaj kohe. “Ai rekrutoi miqë e dashamirë të gjuhës shqipe dhe i dërgoi në Kosovë. Sot kjo krahinë është bërë prap një shesh përparimesh e studimesh letrare, është ringjallë fryma e poetënve dhe e shkrimtarëve, fryma e Imzotve Mazrreku, Bogdani e Kazazi, e të tjerë aapostuj të gjuhës shqipe. E si konsekuencë e asaj aradhe mësuesish të Ministrisë së Arsimit në Tiranë me 1941, sot nderohet Shtëpia ku u mblodh Lidhja e prizrenit dhe sot kuptohet rendësia e Kongresit të Manastirit që caktoi alfabetin e sotëm shqqip në ato krahina shqiptare”, do të kujtonte doktori i nderuar shqiptaro-amerikan, Dr Hamdi Oruçi me rastin e kalimit në amshim të bashkvendasit të tij Shkodran, Ernest Koliqit, me 15 Janar, 1975.
Duke marrë parasysh përjashtimin e tij nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, i akuzuar si “bashkpuntor i fashizmit”, i anashkaluar dhe zyrtarisht, i kritikuar madje edhe në periudhën post-komuniste të “demokracisë” shqiptare, Frank Shkreli: Fletërrufeja kundër Ernest Koliqit dhe Martin Camajt | Gazeta Telegraf. Me kënaqësi vura re se një ent zyrtar më rendësi, siç është Biblioteka Kombëtare në Tiranë, njoftoi një, “Ekspozitë me rastin e 50-vjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit shqiptar Ernest Koliqi. Në këtë 50-vjetor të ndarjes nga jeta të shkrimtarit, studiuesit, kritikut e përkthyesit Ernest Koliqi, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë çel një ekspozitë e cila risjell në vëmendje krijimtarinë artistike, publicistike dhe përkthimet më të mira të Koliqit, për të përkujtuar kështu një figurë që jo vetëm i dha letërsisë dhe kulturës shqipe, por arriti të shndërrohej në një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të zenitit të shkrimtarëve të viteve ’20-’30 të shekullit të kaluar.
Ekspozita ka në fokus botimet e para të shkrimtarit, përkthime, ese, publicistikë, përzgjedhje poetike, si dhe shkrime nga revista periodike “Shêjzat”.
“T’rrzuemin due t’a çoj nga balta;
due m’u ngjit’ mbi maje t’nalta
me shtegtar’ qi kërkojn’ Dritën…”*
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Katin I të BKSH-së, thuhet mëtej në njoftimin e Bibliotekës Kombëtare. Është ky një lajm inkurajues që tregon se ndoshta diçka po ndryshon në Shqipëri, 35-vjet pas shembjes së komunizmit zrytar në atë vend – trajtimi pra më i drejtë i të figurave të Kombit dhe kontributit të tyre historik, siç është Ernest Koliqi.
Një shënim personal përkujtimor nga ana ime, në këtë 50-vjetor të kalimit në amshim të Ernest Koliqit. Në atë kohë, unë kisha filluar punën në Zërin e Amerikës. Më kujtohet si të ishe dje, kur i përndershmi Dom Prenk Ndrevashaj më ka telefonuar nga Detroiti ku i shërbente komunitetit katolik shqiptar atje dhe më dha lajmin e keq se miku i ynë i përbashkët, por edhe i mbarë komunitetit shqiptaro-amerikan dhe më gjerë, shkrimtari dhe poeti i njohur Profesor Ernest Koliqi, kishte ndërruar jetë në Romë, në mërgimin e pa dëshiruar, siç thonte shpesh ai vet. Më kujtohet se humbja e Profesor Koliqit dhe zbrazëtia që ai la pas — si shkrimtar, poet e politikan — por mbi të gjitha si një atdhetar dhe njeri i thjesht dhe i ndershëm për të gjithë ata me të cilët ai erdhi në kontakt, u ndie për së tepërmi në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan. Ai la pas një mungesë e boshllëk të madh në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilin ai e vizitonte, nga hera në here, nga Roma ku ishte vendosur që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.
Ernest Koliqi kishte vizituar disa Shtetet e Bashkuara. Komuniteti shqiptaro-amerikan e kujton ende Ernest Koliqin, sidomos, për rolin e tij në shënimin e dy përvjetorëve me rëndësi për historinë e shqiptarëve në shekullin e kaluar: 500-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit (në vitin 1968) dhe 60-vjetori i gazetës Dielli (1969). Profesor Koliqi si kryeorganizatori i festimeve kastriotiane të 500-vjetorit të Fatosit të Madh Kombëtar, ishte kujdesur që festimet në Romë me atë rast të ishin gjithëpërfshirëse dhe mbarëkombëtare, për aq sa ishte mundësia dhe mesa lejonin rrethanat politike të kohës. Ishin të ftuar Arbëreshët dhe shqiptarët nga të gjitha trevat. Por për arsye që dihen, ishin të pranishëm vetëm shqiptarët nga diaspora, përfshirë edhe një grup nga komuniteti shqiptaro-amerikan, të përfaqësuar nga organizata Vatra dhe krerët e saj. Në një artikull në revistën Shëjzat (4-6, 1968), pjesëmarrjen mbarëshqiptare në ato festime, Profesor Koliqi shkruan me entuziazëm për “pushtimin” e Romës dhe të Vatikanit nga shqiptarët mërgimtarë: “Kujt nuk i gufoi gjaku hov krenarie tue pa kah valviteshin me 24 prill në Sheshin e Sh’Pjterit gjithë ata flamuj kuq e zi? Shqipja kumbonte në atë Shesh madhnuer, përziheshin ligjirimet e sotëshme të Shqipnisë me ato të motshëme t’Arbërit, t’asaj cope t’Atdheut që lëshoi rrajë e lulzon në tokën italiane si degë e trungut të Kombit. Arbëreshët jo vetëm mbajtën mbrekullisht gjuhën tonë – për ma tepër – e banë me lulzue në vepra letrare dore së parë, tue dishmue se palci fisnuer i kombit të Skënderbegut levizë jetsues kudo në botë, dhe rreth nji votre arbnore mbahen doket e të Parvet”. Duke përshkruar festimet madhështore të atij përvjetori, Profesor Ernest Koliqi shkruante se për herë të parë në kryeqytetin Italian, “Emni i Shqipnisë e i Kastriotit tingulloi si za burije…tue u përmend an’e kand emni i Shqipënisë”, duke shtuar se, “Nji të përqethun mallëngjimi e krenarije na rrëshqiti shtatit e shpirtit kur Ati Shejt (Papa Pali I VI) përdori në ligjiratën italishte fjalët shqipe, ‘besë’, e ‘burrni’. Këto vetina dalluese të kombit dhe shprehjen ‘gjaku i shprishur’, që skalitë shpërndamjen e gjindes s’onë në rrokullinë tokësore”.
Duke shkruar për një pjesë të këtij “gjaku të shprishur”, i shpërndarë anë e mbanë botës, Profesor Ernest Koliqi përshkruante kështu pjesëmarrjen e komunitetit shqiptar në Amerikë, në festimet në Romë me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit: “Prania e vatranëve, ardhë nergut nga Shtetet e Bashkueme, ia shtoi shkëlqimin kremtimeve. Nji tubë zojash të ndritshme e zotnijsh të zgjedhun përfaqsoi në rrethe arbëreshe e shqiptare, shoqatën e mirënjohun Vatrën, që dikur aqë hov i dha përpjekjeve për rilindje të Atdheut dhe sot mban naltë zanin e Shqipnisë në botën perëndimore. Hijet e madhnueshme të Nolit e të Konicës na shfaqeshin para syve, tue vërejtë ndër rrjesht tonë kryesinë e vatranëve, që në këto kohna të turbullta të sotëme, orvatet me ndjekë gjurmat e mëdhaja të atyne dy Patriotave të paharrueshëm, themeltarë të Shoqatës. Kishim përshtypjen se drita e agimeve të Rilindjes, atë ditë po rreshte mbi Bashkimin e Arbreshve me Shqiptarë. E bashkë me atë dritë, shëndriste edhe rrezja e bekimit të Perendisë”, shkruan Ernest Koliqi në revistën Shëjzat, për praninë e vatranëve në festimet e 500-vjetorit të Skënderbeut në kryeqytetin Italian dhe në Vatikan ku u pritën edhe nga Papa Pali i VI, në vitin 1968.
Një vit më vonë, më 1969 Vatra shënon 60-vjetorin e themelimit të organit të saj Dielli dhe për të marrë pjesë në këto festime në Amerikë, ftohet ndër të tjerë, edhe Ernest Koliqi dhe një delegacion përfaqësues arbëresh, gjithsej nja 60 veta nga Italia. Duke shkruar mbi përshtypjet e tija dhe pritjen madhështore që vatranët i bënë atij dhe grupit arbëresh në Boston dhe në Nju Jork, Profesor Koliqi e cilëson takimin e dy diasporave shqiptare si një rast me rëndësi të madhe simbolike, duke theksuar: “Shqiptarët e Italisë dhe Shqiptarët e Amerikës përtrinë vulosjen e vëllaznimit shqiptar, pohuen gjallninë e rrajve ethnike të zanafillës dhe u besatuen heshtazi me pasë përhera në kujdes fatet e dheut të të Parvet. Arbreshët e Italisë, stërnipa të luftëtarvet që rreth Skënderbegut, në nji varg përleshjesh titanike, shkruen me gjak në faqet e historisë s’Evropës, se Shqipnia ashtë e Shqiptarëve, mbas pesë shekujsh, gjatë të cilave ruejtën gjallë gjuhë e doke. Arbëreshët erdhën në Amerikë me sigurue Vatranët se në veprën e tyne, të djeshme e të sotëme, njohin vazhdimin e përpjekjes ideale të Jeronim de Radës”.
Profesor Koliqi vazhdon me përshtypjet nga pritja që vatranët dhe komuniteti shqiptaro-amerikan i bënë atij dhe grupit të Arbëreshëve në Amerikë, duke komentuar se, “Sot dy gjymtyrët kryesore të diasporës, ende plot fuqi e vrull veprues, u bashkuen e shkrinë deshirë e qëllime, me u përpjekë për naltësimin e kombit prej të cilit rrjedhin”, shkruante profesor Koliqi në Shëjzat, (10-12, 1969).
Në mbresat e tij gjatë asaj vizite në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston, “Në atë Falëtore orëmirë, ku meshoi dhe predikoi Fan Noli, lutën Perendinë për Shqipni e bijt e saj, shqiptarët e Bostonit dhe Këshilltarët e Kishës Orthodokse shqiptaro-amerikane… e me ta në shumicë të madhe Shqiptarë besimesh të tjera. Zemrat mbarë të pranishmëve u shkrinë në thirrje mëshire që i naltohej Perendisë, i cili ashtë nji për të gjithë…Shpirtnat vëllaznoheshin në nji flakërim të pastër atdhetarie, mesa fytyrimi i Nanës Shqipni vizatohej i shëjtë në avullime të thimjanës, që valvitej erandshëm nepër kishë”.
Për festimet e këtyre dy përvjetorëve, që shqiptarët e Amerikës dhe Arbëreshët e Italisë bënë së bashku me nismën e Koliqit, Profesor Ernest Koliqi shkruante me entuziazëm aso kohe se, “Gjaku arbnuer njofti nji triumf të papritun ato ditë — Shqiptarë e Arbëreshë — tue u përqafue ndienë e kuptuen veten se me një marrveshje vëllaznore mund u plotësonte porosia që na la Skënderbegu”.
Në shënim personal përkujtimor:
Po të më lejohet në këtë 50-vjetor të kalimit në amshim të këij gjigandi, një moment kujtimi personal të Profesor Koliqit. Unë e njoha Profesorin në Romë gjatë qëndrimit tim si refugjat në Itali, nëpërmjet Dom Prenk Ndrevashajt, i cili kujdesej për refugjatët shqiptarë. Si rrjedhim, vazhdova të isha në kontakt me Profesor Koliqin, duke shkëmbyer letra edhe pasi erdha në Amerikë. Në fillim të 1970-ve, unë kisha filluar një nismë tepër modeste për botimin e periodikut, “Rinia Shqiptare në Mërgim”, për të cilën ai më dha kurajo dhe këshilla dhe për të cilën pat shënuar në revistën e tij, (Shëjzat 1-4 1972) për sa vijon: “Më kanë ra në dorë dy numrat e parë të periodikut, “Rinia Shqiptare në Mërgim”, që del në Nju Jork. Ashtë një përpjekje për t’u trimnue e përkrahë. Të rijtë që qenë të shtërnguem me lanë atdhenë, të kenë nji palestër të veten ku të munden të shprehin mendime e ndiesi dhe t’ushtrojnë gjuhën e atdheut në shkrim. Natyrisht, këtyne nisjativave botuese që tregojnë vullnet të mirë dhe shkas idealistik, do t’u kushtohet kujdes i madh si në zgjedhje të landës ashtu në përpunim të stilit. Na jemi të sigurtë se botuesat e këtij perjodiku, tue kërkue e ndjekë këshillat e atyne që kanë përvojë ma të gjatë shtypi, do t’a përmbushin nevojën e nji pranie të masës së re mërgimtare në jetën mendore të diasporës. Na, prej anës s’onë u urojmë redaktuesvet të Rinisë Shqiptare në Mërgim”, veprimtari të mbarë dhe sukses”. Profesor Koliqi edhe nëpërmjet korrespondencës derisa ndërroi jetë, vazhdonte të interesohej për periodikun, “Rinia Shqiptare në Mërgim” dhe më jepte zemër e këshilla që të vazhdoja studimet dhe duke përcjellur një porosi: Në një prej letrave Koliqi më shkruante:
“I dashtun Fran,
Më ra në dorë si letra ashtu edhe periodiku Rinia Shqiptare në Mërgim. Gëzohem pikë ma së pari që je mirë, që pëpiqesh të ndjekish studimet, e në fund për botimin kushtue masës së re që larg atdheut ka shumë nevojë të ushqehet me shkrime të shëndosha shqipe. Të lumtë!
“Ashtë një fillesë plotë premtime. Mbaj mend veç fjalën e moçme: ‘Trimi i mirë, me shokë shumë’! Afro moshatarë sa ma shumë që të mundesh. Në ashtë se kjo fletore do të merret edhe me letërsi, mos harro auktorët që regjimi komunist i Tiranës ka përjashtue nga historija e letërsisë shqipe”.
Ky ishte amaneti i tij, ky ishte Ernest Koliqi që njoha unë, i gatshëm për të ndihmuar, i gatshëm për të ndarë përvojën e tij të gjatë e të frytshme me letrat shqipe dhe në gazetari, megjithëse, fatkeqësisht, e njoha për një kohë tepër të shkurtër, por ama ajo njohuri më la mbresa të përjetshme dhe të paharrueshme për këtë burrë të madhe të Kombit. Ky ishte Ernest Koliqi që njohu komuniteti shqiptaro-amerikan, ky ishte Ernest Koliqi, këshillat e mësipërme të të cilit i kujtoj gjithmonë me mall dhe të cilat me mundësinë time jam përpjekur, modestsisht, t’i përcjellë gjithë jetën time sipas mundësive. Ky, pra ishte Ernest Koliqi, për mua dhe për të gjithë shqiptarët, sidomos mërgimtarët. Ishte njëri ndër interpretuesit më të spikatur të shpirtit të fisit arbëror dhe të trashëgimisë stërgjyshore, si dhe mbrojtës i vlerave të shpirtit arbëror dhe të prirjeve natyrore të tij, gjithmonë si pjesë e thesarit të vlerave kulturore dhe shpirtërore të njerëzimit, sidomos të vlerave perëndimore.
Në këtë 50-vjetor të kalimit të tij në amshim, me nderim e mall përkujtojmë Profesor Ernest Koliqin. Ka ndërruar jetë, papritmas në banesën e tij në Romë me 15 janar, 1975 – ku edhe u varros tre ditë më vonë. Në Romë janë varrosur gjithashtu edhe prindërit e tij dhe bashkshortja. Në ceremoninë e varrimit 50-vjet më parë, kanë marrë pjesë personalitete të ndryshme, kolegë, Shqiptarë e Arbëreshë. Mërgimtarë të ardhur nga Amerika dhe nga shumë vende të Evropës Perendimore, përfshir nga shumë qytete të Italisë.
Ps!
Njoftim i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë për ekspozitën me rastin e 50-vjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit, studiuesit, kritikut e përkthyesit Ernest Koliqi