ARKIVI:
16 Mars 2025

Një pjesë e intervistës time në revistën Hejza të muajit Mars

Shkrime relevante

“Vëllezërit siamez”, ndotin qe dy dhjetëvite rresht…!

Afrim Caka, Gjakovë “VËLLEZËRIT SIAMEZ, TASH E DY DEKADA HAN MU… E...

Një pjesë e intervistës time në revistën Hejza të muajit Mars

Ervina Toptani, shkrimtare, Vjenë Hejza: Çfarë kemi ne shqiptarët autentikë që sot...

Kryeministri Albin Kurti uron zgjedhjen e Joan Pelushit si kryepeshkop të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë

Albin Kurti  Gëzohemi bashkë me besimtarët ortodoksë shqiptarë për zgjedhjen e Joanit,...

Nuk fitoj Serbia, por, sot humbën studentët!

Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina 1. Demonstratat e studentëve në Beograd më...

Shpërndaj

Hejza: Çfarë kemi ne shqiptarët autentikë që sot brezat e rinj vështirë se e marrin në konsideratë në garën marramendëse të kopjimit të çfarëdo lloj gjëje të pavlerë që paraqitet si vlerë?
Kjo pyetje prek shumë aspekte të shoqërisë dhe kulturës shqiptare e ka një rëndësi të madhe në kontekstin e kohës moderne. Ne kemi një trashëgimi të pasur kulturore që është ndërtuar përgjatë shekujve dhe është ndërtuar më një sakrificë ekstreme duke pasur parasysh historinë e këtij populli, raprezaljet e vuajtjet që ka duruar e përjetuar në shekuj e pikërisht kjo lloj kulture është e lidhur ngushtë me identitetin tonë. Trashëgimia jonë përfshin zakone, tradita, mbi të gjitha moralin, vlera të komunitetit, dhe nderimi për natyrën dhe jetën që sot duket krejtësisht e harruar. Dhe ka arsye përse ka ardhur kjo harresë e përse sa vjen e shtohet duke u larguar gjithnjë e më shumë prej burimit të zanafillës. Jetesa në diktaturë për një gjysëm shekulli sigurisht nuk do të kalonte pa pasoja të mëdha për të gjithë shqiptarët. Moralin si vlerë të çmuar e ruajtën pak njerëz, e kryesisht ata që pësuan padrejtësitë më të mëdha. Shqiptarët u kthyen në shumicë me dëshirë në njerëz të vegjël që për të përfituar diçka materiale më shumë spiunonin kë të mundeshin. Kam parasysh gjyqet popullore në kohën e komunizmit në këtë rast, e linçimi i masës që gjente armikun e rradhës, të gatshëm për të asgjesuar çdo lloj njeriu që përfaqësonte një vlerë në vetvete, pra vlerës dhe moralit shteti dhe shoqëria i shpalli luftë qysh herët. Komunizmi na mësoi që armiku i parë për secilin nga ne ishte shteti. Shteti të burgoste në emër të popullit (absurditeti më i madh në botë), shteti vendoste racionin e bukës që ti meritoje, shteti të merrte pronën, shtëpinë, gjënë e gjallë, të burgoste djalin, burrin, babain, nënën. Shteti të linte pa shkollë, të internonte, të hiqte të drejtën të flisje, madje të hiqte të drejtën të mendoje. Shteti vendoste deri modelin e flokëve dhe të modës që duhej ndjekur, domethënë të modës që nuk duhej ndjekur. Pra shteti ishte dhunuesi i parë i individit dhe përdorte shoqërinë si një masë amorfe të verbër, sa kohë ua kishte hequr të drejtën e të menduarit, për të gjetur armikun e rradhës e për ta ndërshkuar atë. E gjitha kjo në një popullsi me më pak se 3 milion banorë. Çfarë lloj kulture mund të jetonte në këto kushte kur ishte e ndaluar të lexoje të mëdhenjtë botërorë të letërsisë e të mendimit? Më kujtohet që gjyshes time herë pas here i tërhiqnin vërejtje të rënda në mbledhjet e lagjes, ato të frontit për ata që i kujtojnë, sepse harronte çdo dite dhe thoshte faleminderit ndërkohë që nuk duhet ta thoshte. Pra, ne trashëguam kulturën se shteti është dhunuesi, vrasësi ynë, ndërkohë që shtetet e tjera fqinje me ne kujdeseshin për çdo shtetas të tyre në të gjithë kuptimin e fjalës dhe shteti për ta ishte dhe është shpërtimtari, gjë që ne ende pas 85 vjetësh nuk e kemi arritur e mesa duken gjasat as nuk do ta arrijmë ndonjëherë. Brezi i ri sot është edukuar prej prindërve që janë pjesë e trashëgimisë të vazhdimit të kulturës që la komunizmi, nëse mund të quhet kulturë dhe akoma më thellë shkon degradimi i kësaj kuture përgjatë 34 viteve demokraci. Kur zhvlerësohet dija, shkolla si institucion atëherë nuk mund të flasim më as në parim për ekzistencën e ndonjë lloj kulture. Unë vetë përgjatë kohës kur punoja në Shqipëri kam pasur eprorë që nuk dinin të shkruanin korrekt shqip, që nuk dinin të lexonin korrekt, që diplomat i kishin të blera dhe nuk kishte fyerje më të madhe për mua sesa kur diplomat të përfituara me vite punë e sakrifica të qëndronin mbyllur në sirtar sepse nuk kishin asnjë vlerë në Shqipëri. Dhe në fakt vlerat e shumicës si unë i njohu Europa e më gjerë ku jetojnë e punojnë sot mijëra shqiptarë të arsimuar e të edukuar në shkollat më të mira të botës por që në Shqipëri nuk i qas askush as tek dera e një institucioni të rëndomtë. Këtë gjë ne do ta paguajmë shtrenjtë me dekada të gjata por siç duket askush nuk e kupton sa e rëndë është kjo sa kohë nuk bëhet asgjë për të ndrequr gabimet.
Brezi i ri sot jeton në epokën e konsumizmit dhe nuk bëhet fjalë për të kuptuar vlerat. Madje mua nuk më shqetësojnë vlerat, aspak. Ato ndryshojnë në raport me kohën dhe shoqërinë ndaj çdo periudhë e caktuar udhëhiqet nga vlera të tjera, përveç atyre universale që janë të pakohë. Mua më shqetëson fakti se duke mos u pajisur me kulturën e duhur, sidomos brezi i ri, janë plotësisht apatikë edhe përsa i përket gjësë më të thjeshtë, të kutpojnë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe, kjo është bërthama. Ne kemi të rinj në moshë fare të mitur që vrasin në oborrin e shkollës shokun, që mbajnë më vete armë të ftohta, që nuk kanë asnjë ide se çfarë pasojash mund të sjellin këto veprime, që nuk njohin vlerën e asaj çka është e mirë por përkundrazi të keqen e shohin si mjaft pozitive. Dhe askund nuk bëhet një emision televiziv në 100 televizione private që ekzistojnë në Shqipëri ku të thirren psikologët, mësuesit, prindërit, vetë të rinjtë e të flitet, të debatohet, të shkëmbehen mendime mbi këtë pikë kaq të rëndësishme e të ndjeshme. Aq të pamësuar jemi ne me kulturën në përgjithësi sa kam vërë re që dhe dashuria si koncept njihet shumë pak, sidomos ajo që ka lidhje direkt me veten, respektin dhe dashurinë për veten sikurse dhe për tjetrin. Influenca e rrjeteve sociale dhe mosnjohja e masës në bërjen e gjërave tek brezi i ri e kanë shkatërruar në themel shoqërinë. Imitimi i modeleve të gatshme “copy-paste” në gjithçka që shikojmë njihet si e vetmja vlerë në modë sot ku antivlera ka zënë vendin kryesor. fKontributin më madhor në këtë shkatërrim e ka dhënë mungesa e edukimit mbi kulturën dhe historinë e vërtetë shqiptare. Mua më mungojnë tepër disa prej vlerave me të cilat u rrita të cilat nuk i gjej as në Vjenë ku jetoj prej vitesh, siç është vlera e solidaritetit të komunitetit ku bëja pjesë. Ne ishim të gjithë njësoj, ne tiransit që e njihnim njëri tjetrin që në të folur, që shtëpitë rrinin pa çelës e asgjë nuk humbiste. Këtë lloj vlere nuk e gjej më fatkeqësisht sepse kjo përjetohet vetëm në qytetin tënd, në vendin tënd e tashmë kjo është diçka që i përket të kaluarës e nuk është ruajtur dot. Shqiptari e ka pasur gjënë më të shtrenjtë nderimin e familjes, nderimin e prindërve, kujtimin e gjyshërve e nuk i treste dheu pa i çuar amanetet deri në fund. Sot imitimi i modeleve të gatshme perendimore ku familja ka shumë kohë që është degraduar, na solli dhe ne frymën e helmuar të kësaj antivlere. Shqiptari natyrën dhe respektin e dashurinë për tokën, për kafshët e gjithçka e rrethonte e ka pasur të shenjtë po aq sa familjen, por sot jo më. Edhe kjo vlerë është harruar me të tjerat e dyshoj fort se brezi i ri sot e kupton çdo të thotë për shqiptarin e dikurshëm të prekje tokën me duar, ta ledhatoje atë, madje dikur kam njohur të moshuar që për të kuptuar se cilat perime, fruta apo drithëra ishin të përshtatshme për t`u mbjellë në një vend të caktuar, fusnin një copë dhé në gojë dhe sipas shijes së tij kuptonin çfarë kulturash duheshin mbjellë në atë tokë e sa i bollshëm do të ishte prodhimi. Nuk besoj se brezit të ri ua ka mësuar dikush këto gjëra. Detyrimin kryesor e ka familja bashkë me shkollën por tek ne, të dyja këto institucione të shenjta kanë ardhur me zbritje të shpejtë e të vazhdueshme. Po nuk shkuam tek rrënjët nuk do të kemi kurrë degë të forta e të qëndrueshme e të shëndetshme.
Hejza: Sot, fatkeqësisht, shumë lehtë e pranojmë të huajën, por edhe më lehtë e harrojmë atë që është e jona. Kjo gjë ndjehet edhe në raport me kulturën. Pse po ndodh kjo?
Kjo pyetje prek thellësisht një nga dilemat më të mëdha të kohës sonë: si dhe pse kultura jonë shpesh lëviz në hije të influencave të asaj çka është e huaj, duke harruar të vlerësojë atë çka është e jona. Për mendimin tim kjo është pasqyrë e një procesi të gjerë që lidhet me mënyrën sesi individët dhe shoqëria shpesh përballen me transformimet e shpejta dhe globalizimin e pandalshëm, duke shtuar këtu dhe dëshirën për të refuzuar atë çka është e jotje me idenë se ajo çka është e huaj është më me vlerë. Sigurisht kjo gjë reflekton dhe nivelin e kuturës që shoqëria ka.
Në botën e sotme, ku informacioni dhe influencat përhapen me një shpejtësi marramendëse, ekziston tendenca që shumë njerëz, veçanërisht brezi i ri të tërhiqen nga ato që vijnë nga jashtë si modele të mirëqena e tërheqëse e detyrimisht shihen si më të suksesshme. Nuk ka asgjë të keqe të kërkosh, të vlerësosh e të bësh tënden të renë, në fund të fundit nuk do të kishte kutpim bota, por jo domosdoshmërisht duhet përbuzuar apo hedhur në koshin e plehrave cdo gjë e vjetër që na lënë trashëgimi brezat. Ajo që është e huaj shpesh konsiderohet si më e avancuar, më e sofistikuar, më “moderne”, dhe kjo nënkupton një shkëputje nga vlerat që mund të duken më të zakonshme apo të pasura me histori, por të cilat, fatkeqësisht duket sikur mbesin mbuluar nga shkëlqimi fals i trendeve të reja. Ky nuk është vetëm një “gabim” ose thjesht mungesë vëmendjeje. Ky fenomen është pasoja direkte e mungesës së një reflektimi të thellë mbi vlerat që e përbëjnë identitetin tonë kulturor. Kur një shoqëri jeton në një periudhë të trazuar me dekada të gjata ose del pas një periudhe të gjatë të mbizotërimit të dhunës sistematike, ndodh që njerëzit të kërkojnë shpejt një identitet më të përgjithshëm, më global, më të ndryshëm duke dashur të shuajnë kujtesën për gjithçka të dhimshme të jetuar më parë. Kërkesa për t’u përshtatur me modelet e huaja shpesh bëhet më e fortë kur shoqëria përjeton krizë të thellë të identitetit ose mungesë të thellë të vetëdijes kulturore.
Por çfarë po humbasim në gjithë këtë proces? Në thelb, po humbasim lidhjen me rrënjët tona, me ato që janë thelbësore dhe formuese për kulturën tonë. Një popull që harron vlerat e veta për t’u përshtatur me influenca të jashtme, rrezikon të humbasë vetëdijen e tij, rrezikon të mos ekzistojë më. Duhet të kuptojmë mbi të gjitha se kultura nuk është diçka statike, e pandryshuar, përkundrazi ajo është diçka që evoluon, por që ka nevojë për rrënjët e saj për të mbijetuar. Të nderojmë atë që është e jona do të thotë të njohim dhe vlerësojmë pasurinë që mbartim, dhe ta ruajmë këtë pasuri për brezat që vijnë, duke i dhënë frymën e duhur të modernitetin në mënyrën që e pasuron, dhe jo që e humb atë. Sfida e vërtetë me të cilët duhet të përballemi është të gjejmë një ekuilibër midis një të kaluare ku prevalojnë vlerat më të bukura dhe një të ardhmeje që i kërkon shoqërisë të ndryshojë, pa humbur asnjëherë identitetin tonë në kuptimin më të thellë.
Hejza: Siç keni treguar edhe ju, sot janë të paktë ata që u kanë folur a shpjeguar ndonjëherë fëmijëve diçka mbi Eposin tonë a ndonjë vepër të veçantë, si ato të Fishtës, për shembull. Çka do të thotë kjo neglizhencë shkatërruese për indin kombëtar?
Ndarja e brezave nga e kaluara duke rendur pas trendeve të panjohura e të pastudiuara është lëndim i thellë për identitetin e një kombi. Kur fëmijët, si pasues të një trashëgimie të pasur, nuk mësojnë për Eposin tonë dhe krijimtarinë e rëndësishme të shkrimtarëve si Fishta, ata humbin një pjesë të thellë të vetëdijes së tyre kombëtare. Eposi, poezia dhe veprat të tilla nuk janë thjesht përmbajtje intelektuale, por janë forma të shprehjes së shpirtit të kombit, të vlerave, luftërave, dhe ëndrrave të tij. Ato janë rrëfime që na lidhin me të kaluarën dhe që na mundësojnë të shohim të tashmen dhe të ardhmen në një dritë më të qartë, më të thellë. Neglizhenca ndaj këtyre veprave, ndaj këtyre trashëgimive, është një shkatërrim i kujtesës kolektive. Pa këto burime, fëmijët dhe brezat që pasojnë mund të rriten me një ndjenjë boshllëku, pa një ndërlidhje të qëndrueshme me historinë e kombit tonë, si një lloj ndarjeje nga burimi i tyre më i thellë, që është kultura dhe identiteti. Ky boshllëk mund të shkaktojë humbjen e kuptimit për çka jemi, për çka luftojmë, dhe për çfarë jemi të aftë të arrijmë. Ndaj, njohja e Eposit, njohja e shkrimtarëve të rëndësishëm si Fishta, dhe i të gjitha veprave të tjera të kulturës tonë, është një mundësi për të kaluar një mesazh të fuqishëm, për të thurur lidhje mes brezave dhe për të mbajtur gjallë një thesar të pazëvendësueshëm. Ato janë gurë themeli që formësojnë karakterin dhe vetëdijen kombëtare. Përmes tyre, fëmijët mësojnë jo vetëm historinë, por edhe shpirtin dhe vlerat që na lidhin me njëri-tjetrin, për t’u bërë jo thjesht qytetarë të një kombi, por pjesë e një misioni të madh, të qëndrueshëm dhe të nderuar.
Hejza: A ju shqetëson fakti se gjithnjë e më shumë po na rëndon varfëria linguistike?
Pyetje të këtij lloji kanë të gjitha një lidhje të brendshme organike me njëra tjetrën që vërtiten rreth njëjtës bërthamë. Jo shumë kohë më parë kam përgatitur një shkrim pikërisht me këtë temë duke theksuar se gjëja që unë i trembem më shumë është varfëria linguistike sepse në thelb është varfëri kulture. Eshtë pjesa më e rëndësishme që pasqyron në mënyrë të drejtpërdrejtë identitetin kulturor individual e më pas atë kombëtar.
Mua më shqetëson veçanërisht varfëria linguistike tek të rinjtë. Në Austri ku unë vetë jap mësim, profesorët e gjuhës kanë për detyrë të shohin me kujdes maksimal sa është në gjendje një nxënës të shprehë mendimin, të shpjegojë konceptet, gjendjet dhe emocionet nëpërmjet fjalorit linguistik që disponon. Kështu nxjerrin dhe mesataren e fjalëve që nxënësi njeh, duke konstatuar, mbi baza racionale nivelin intelektual, kulturor të individit në faza të rëndësishme përgatitore për profesionin dhe jetën.
Në thelb ky është problem njohurish (konjitiv) studimi, leximi, pasurimi mendor e shpirtëror, pra problem akut kulturor. Nëse marrim shembull mësuesit, niveli i tyre kulturor në përgjithësi do të reflektojë ndjeshëm tek niveli kulturor e përgatitor i brezave. E nëse i referohemi politikanëve, niveli është katastrofik. Por ata kanë në dorë drejtimin e fateve të shoqërisë dhe përzgjedhja e tyre reflekton direkt nivelin kulturor të shoqërisë. Sa fjalë mund të njohë, të dijë një politikan shqiptar për shembull? Unë zakonisht nuk kam aspak dëshirë t`i dëgjoj kur flasin por kur vendos ta bëj atëherë trishtohem edhe më shumë sepse vërtetoj gjithnjë se nuk disponojnë më shumë se 200-300 fjalë në fjalorin e tyre. Kjo reflekton menjëherë kulturën e përgjithshme të personit duke çuar tek përcaktimi i identitetit individual të gjithsecilit e dalim dhe në përfundime më të gjera konceptuale më pas mbi nivelin e politikës që bëhet dhe popullit që i zgjedh.
Ne arrijmë të shprehemi dhe tē mendojmë me aq fjalë sa njohim. Përpos atyre fjalëve nuk arrijmë të shpjegojmë më e për pasojë as nuk kuptojmë më. Çdo fjalë që ne përdorim mban brenda saj edhe kulturën me të cilën vetë fjala ka lindur. Nëpërmjet saj (fjala e folur, e shkruar, komunikimi) ndërtohet më pas skeleti i plotë i identitetit individual të gjithsecilit prej nesh shpesh duke reflektuar dhe identitetin e trashëguar familjar e kombëtar.
Në këtë periudhë, ku shpesh dominon përdorimi i gjuhës së thjeshtuar, të influencuar sidomos nga rrejtet sociale dhe media, ka rrezik që të humbasim pasurinë dhe thellësinë që ka gjuha jonë. Kjo ndikon në mënyrën se si e përjetojmë realitetin dhe si e kuptojmë botën përreth nesh. Fjalët janë shumë më tepër sesa mjete komunikimi; ato janë përcjellës të mendimit, ndjenjës dhe vizionit për jetën. Kur gjuhës i mungojnë fjalët që e pasurojnë dhe i japin shpirt, atëherë humbet edhe aftësia për të shprehur ndjeshmëri dhe për të komunikuar me thellësi. Për shkak të këtyre elemetëve të përmendur më sipër të rinjtë gjithnjë e më shumë po përdorin një gjuhë të varfër dhe të shkurtuar (është e pamundur të lexosh mesazhe në gjuhën shqipe në mënyrën sesi komunikojnë të rinjtë mes tyre me perifrazime si tkxh, klm, flm etj) që ndikon direkt në aftësinë për të argumentuar, për të menduar në mënyrë kritike dhe për të ruajtur lidhjen me vlerat e thella kombëtare.
Për të shmangur këtë, është e domosdoshme që të investohet më shumë në edukimin e gjuhës, në ruajtjen dhe promovimin e pasurisë leksikore, dhe në inkurajimin e një komunikimi më të thellë e të pasur në gjuhën shqipe. Kjo kërkon angazhim nga institucione të ndryshme, por edhe nga çdo individ që ka ndërgjegje dhe dëshirë për të mbajtur gjallë këtë pasuri të paharruar.
Hajza: Një pjesë e mirë e njerëzve, gjysmë “engjëllin” që shfaqin fillimisht e përdorin për të fshehur gjysmë “djallin” që kanë brenda. Si shpjegohet kjo?
Natyra njerëzore është një mozaik i pafund nuancash, që shpesh endet mes dy ekstremeve – të mirës dhe të keqes, dritës dhe errësirës, engjëllit dhe djallit. Ky dualitet është pjesë e përvojës tonë të thellë dhe të pandashme. Ne të gjithë bartim brenda vetes këtë tension të përhershëm mes asaj që dëshirojmë të jemi dhe asaj çka jemi në të vërtetë. Kjo është një përpjekje e pandërprerë për të balancuar idealet dhe pasionet tona, vlerat dhe dobësitë që shpesh ndodhen përballë njëra-tjetrës. Por siç e kam përkufizuar unë këtë dualitet lidhet me pjesën më të shëmtuar që njeriu ka brenda tij që është të qenit frikacak ose siç e themi ne në zhargonin tonë shqip “me qenë i paburrë” (që përdoret për të dyja gjinitë faktikisht). Shumë njerëz të vegjël, në thelb hileqarë, që u mungon guximi për të marrë përgjegjësi e për t`u përgjigjur për veprimet e tyre, preferojnë të mashtrojnë për të përfituar. Mua vetë më ka ndodhur shumë herë të njoh njerëz të tillë dhe ndjesia që kam për këtë kategori është neveria. Përpiqen të të miklojnë në mënyra të ndryshme për të të kthyer më pas në prenë e tyre. Dhe nëse ndodh që kapen mat atëherë vërsulen si hienat duke sharë e shfyrë kudo që të munden vrerin që kanë përmbrenda. Këta janë kategoria e njerëzve që janë bosh në shpirt, bosh në ndjenja, bosh në realizime, janë mosmirënjohës. Njeriu duke jetuar midis tensionit të vazhdueshëm kthehet në mbartës të elemeteve që shkaktojnë tensione. Por nëse njerëzit do të zotëronin kulturën atëherë do të ishin të aftë të luftonin mes impulseve të larta negative dhe pasioneve të errëta për të arritur vetëvlerësimin dhe ndërgjegjjen e pastër. Për të mos e kthyer “gjysëm djallin” brenda nesh në një tipar që na karakterizon më së shumti duhet vetëreflektim dhe punë me veten për të kërkuar harmoni mes formcave të të mirës në mënyrë që të bëhemi të plotë, pa gjysma e pa ndikime negative, por të jemi të vërtetë, të ndershëm në rradhë të parë me veten dhe po ashtu me të tjerët. Sa pak do të vuanim sikur kjo të bëhej realitet.
Hejza: Ju thoni se në këtë botë ku jetojmë është kaq e lehtë të vdesësh, kurse të jetosh është sfida dhe vështirësia më e madhe! Pse është kjo sfidë e vështirë dhe e madhe?
Në fakt këtë nuk e kam thënë unë, unë e kam sjellë të shkruar në një postim timin pak kohë më parë, por ky është postulati që Mayakovsky shkruan kur njoftohet për vetëvrasjen e poetit të madh Yesenin. Ai shkruan :”Në këtë botë ku jetojmë është kaq e lehtë të vdesësh, të jetosh është sfida dhe vështirësia më e madhe”. A ka të drejtë Mayakovsky në këtë rast? Them se po. Jeta është sfidë e madhe, në rradhë të parë se nuk kënaqet kurrsesi vetëm me ekzistencën. Ai që jeton duke u njehtësuar vetëm me faktin pse ekziston, ai ka vdekur prej kohësh, është thjesht një i vdekur që ecën e faktikisht jeta në këtë aspekt është e pamëshirshme. Kur zgjedh të jetosh doemos do të kërkosh thelbin e lidhur me kuptimin, do të përballesh me zgjedhjet dhe ndryshimin e vazhdueshëm. Njeriu është qenia e vetme në planetin tonë që i ka për detyrë të kuptojë, të evoluojë të kërkojë gjithnjë thellësitë. Ne jemi të ndërtuar nga Zoti, prej natyre për të pyetur, për të kërkuar përgjigje, për t`u përballur me vështirësi dhe sfida, për të eksploruar, për të zbuluar, për të njohur e të t`u vetënjohur. I gjithë ky rrugëtim bëhet duke u përpjekur fort të qëndrojmë origjinal të natyrën tonë të vërtetë, në ndërveprimin me të tjerët e me botën e ky angazhim kërkon përpjekje të vazhdueshme për të ruajtuar ekuilibrin mes dëshirave të brendshme e kërkesave të jashme. E gjithë kjo është betejë e vërtetë sepse për të jetuar me kuptim duhet të ndeshemi me pasiguritë e të bëjmë zgjedhje të vështira, shpesh edhe mjaft të dhimbshme, kërkohen sakrifica e në këtë kuptim jeta është e vështirë në raport me vdekjen. Nga ana tjetër vdekja është një kalim i natyrshëm që ndodh pa asnjë mundim dhe është bashkëudhëtare me jetën. Njeriu që ka jetuar thellësisht e ka pranuar atë dhe nuk i frikësohet aspak. Në këtë pikë kujtoj gjithnjë mësimet e filozofëve të antikitetit dhe frymëzimin që u dhanë ata njerëzve të zakonshëm të asaj epoke për të jetuar më të vërtetë sesa ne të sotmit, pikërisht sepse ata e pranonin vdekjen si një pasojë natyrore të jetës. Gjithcka ka një fund dhe ne fundin tonë duhet ta presim me të njëjtën natyrshmëri që presim jetën. Ky është dallimi thelbësor ndërmjet njeriut që ka jetuar vërtet dhe atij që jetës i është shmangur (përgjigjësisë së jetës e kam fjalën) dhe vdekjes i frikësohet, natyrisht. Jeta është një akt i vazhdueshëm i krijimit dhe përballjes me vetveten. Dhe ndoshta, kjo është ajo që e bën kaq të vështirë, por njëkohësisht kaq të bukur. Aftësia për të zgjedhur dhe për të qenë të vetëdijshëm se ne jemi përgjegjës për kuptimin që krijojmë në botë. Po e mbyll me një shprehje të Camus: “Ndoshta ajo që e bën jetën të bukur dhe të vështirë është që ne gjithmonë përpiqemi të gjejmë kuptim në një botë që shpesh duket se nuk na ofron asnjë”.
Intervista e muajit Mars e revistës Hejza me Ervina Toptanin

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu