ARKIVI:
24 Dhjetor 2024

Një sqarim miqësor rreth një keqkuptimi në Tetovë

Shkrime relevante

Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet e shkollës, më 18 Nëntor 2024, elegji nga Nikolin Shtjefën Lëmezhi

Nikolin Shtjefën Lëmezhi S’të vranë ty… (Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet...

Po përsëritet historia! KQZ-ja (s) ka të drejtë!

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina Në vitin 2013 (si ish anëtarë...

Kontradikta dhe abuzimi politik i Edi Ramës, dëmton rëndë Kosovën dhe Shqipërinë

Nga: Luan Dibrani Kritika ndaj Edi Ramës dhe Pozita e Qeverisë Shqiptare...

Te Nënëlokja e UÇK -së, NËNË STANA!

Nga: Nusret Pllana BRUS - lagjja Peshter Me bashkëluftëtarin tim Ismet Sylejmani, vizituam...

Vuçiq, Albin Kurti nuk është KQZ!

Gani Mehmeti Pas Reagimit ti kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me rastin...

Shpërndaj

Xhevat Gjini, Viti
__
SQARIM MIQËSOR
Se ku lexova një si punë komenti a si punë reagimi të shkruar nga një anëtar – veprimtar i dikurshëm i LPK – së lidhur me një veprimtari të Shoqërisë LËVIZJA në Tetovë. Me sa kuptova ky shoku nuk ishte kundër vendosjes së Pllakës në shtëpinë e familjes Sherifi – bazë dhe strehë e LPK – UÇK – së, por kundër ardhjes së Kryetarit të Tetovës në shpalosjen e Pllakës! Sipas tij, Bilall Kasami dikur paska kritikuar e paska “sharë” LPK – në. Edhe mund të jetë e vërtetë, por ne nuk kishim ftuar Bilall Kasamin në këtë ngjarje të shënuar për Tetovën shqiptare, por Kryetarin e komunës, i cili edhe tha fjalët më të mira dhe të zgjedhura për LPK – UÇK – në. Dhe jo vetëm në Tetovë… Në të gjitha veprimtaritë tona për 40 – vjetorin e themelimit të LPK – së i kemi ftuar kryetarët e komunave pa marrë parasysh partinë e tyre politike. Madje, të gjitha veprimtaritë e organizuara gjatë këtij VITI JUBILAR i kemi bërë bashkë me komunat tona shqiptare dhe bashkë me shoqatat tona autoktone…
Lëvizja Popullore e Kosovës është themeluar, është udhëhequr, është përpjekur dhe ka luftuar me idenë dhe programin e bashkimit të popullit – kombit pa dallim ideologjie, feje e krahine për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë. Sa kohë, energji e mund (edhe para) shpenzonin anëtarët-veprimtarët dhe drejtuesit e LPK-së për zgjerimin e radhëve me anëtarë, veprimtarë e luftëtarë të rinj. LPK-ja i ftonte edhe partitë politike pa asnjë dallim që t’u bashkoheshin përpjekjeve dhe luftës për liri e bashkim kombëtar. Prandaj, idetë dhe programi i LPK – së fituan besimin dhe përkrahjen e një populli – kombi (edhe të botës) dhe LPK-UÇK -ja fitoi luftën kundër Serbisë pushtuese dhe kundër sllavomaqedonëve pushtues…
LPK – ja ishte sintezë, artikulim dhe materializim i bashkimit politik dhe luftarak të forcave atdhetare, i vullnetit, i përpjekjeve dhe i luftës shekullore për liri, pavarësi e bashkim kombëtar. Prandaj, nuk ia dolën ta mposhtnin pushtuesit me aleatët dhe kolaboracionistët e tyre. LPK – ja nuk udhëhiqej nga ide, mendësi, frymë e politika përjashtuese… Lëvizja Popullore e Kosovës ishte edhe një shkollë e madhe politike, kombëtare, demokratike dhe emancipuese e popullit tonë.
Shoqëria LËVIZJA nuk është dhe s’ka si të jetë LPK – ja (organizatë politike – çlirimtare). Ajo është një bashkim i veprimtarëve të vullnetshëm të LPK – së dhe të veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare pa dallim. Janë të mirëseardhur edhe shqiptarët që nuk kishin lindur bashkë me ne (s’mund të ishin brezi ynë) por që përqafojnë vlerat liridashëse, atdhetare, emancipuese dhe demokratike të LPK-së dhe të Lëvizjes sonë Kombëtare Shqiptare përgjithësisht. Qëllim themelor i Shoqërisë LËVIZJA është mbledhja, dokumentimi, botimi dhe afirmimi i veprimtarisë politike, kombëtare, emancipuese, demokratizuese e çlirimtare të LPK-së dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë. Shoqëria LËVIZJA është krijuar dhe ekziston edhe për t”i ndihmuar dhe nxitur institucionet tona shkencore e arsimore dhe ato politike e shtetërore në Prishtinë, Shkup e Tiranë që ta kuptojnë rolin dhe peshën vendimtare të LPK-,së për organizimin dhe drejtimin e suksesshëm të Luftës Çlirimtare në trojet e pushtuara shqiptare. Përpjekjet, veprimtaria dhe lufta politike e çlirimtare dhe emancipuese e demokratizuese e LPK -së dhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare duhet të bëhen pjesë e rëndësishme e teksteve shkollore dhe universitare kudo ku mësohet e studiohet shqip. Kjo përpjekje, veprimtari dhe luftë komplekse e LPK-së duhet dhe do të pasqyrohet edhe nga arti dhe letërsia shqiptare. Shkolla jonë nuk mund të quhet shkollë kombëtare nëse aty nuk mësohet dhe studiohet gjerësisht veprimtaria e LPK-së posaçërisht dhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare përgjithësisht, për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë. Nxënësit dhe studentët tanë nuk do të duhejë të dinin e të studionin vetëm për persekutimin, dhunën, terrorin dhe gjenocidin e Jugoserbisë në trojet e pushtuara të Shqipërisë… Ata, duhet të mësojnë dhe studiojnë sidomos për përpjekjet, mundin, qëndresën, luftën, sakrificën, heroizmin dhe lavdinë e etërve, gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre… Të rriten, edukohen dhe frymëzohen me luftën, heroizmin dhe lavdinë e LPK – UÇK-së, të jenë krenarë me ato përpjekje, me atë luftë dhe me heronjtë e mendjes e të Luftës Çlirimtare, me heronjtë e penës e të pushkës. Vetëm kështu do të siguroheshin vazhdimësia dhe përpjekjet për zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare në Iliri, gjë që do të shënonte edhe fundin e konflikteve dhe luftërave shkatërrimtare në këtë nënqiell… Vetëm kështu dhe vetëm atëherë do të “paqësoheshin”, emancipoheshin dhe demokratizoheshin edhe vendet fqinje që mbajnë të pushtuara toka të Shqipërisë… Shqiptarët e mendjes, të penës dhe angazhimit për çështjen shqiptare nuk duhet të harrojnë kurrë se Shqipëria dhe kombi ynë edhe sot janë copë – copë (në 5 – 6 shtete)!! Ne nuk duhet për asnjë çast të harrojmë se “gjuetia e shtrigave” ndaj veprimtarëve dhe luftëtarëve të LPK – UÇK – së, (ideve, konceptit dhe programit të LPK – UÇK – së…), atyre të mendjes e të pushkës, edhe sot është aktive (me mjete dhe metoda “klasike” e “moderne”…
Shoqëria LËVIZJA ka parasysh realitetin dhe mjedisin politik pluralist shqiptar. Shumica e anëtarëve-veprimtarëve e luftëtarëve të LPK-së, LKÇK-se dhe të Lëvizjes Kombetare Shqiptare jane përcaktuar, anëtarsuar ose janë simpatizantë të një partie politike. Ky fakt nuk përbën dhe nuk do të duhejë të përbënte problem për të qenë pjesë e Shoqërisë LËVIZJA. Mjafton që në Shoqëri të mos bashkohemi me idetë, politikat dhe angazhimet ditore të partive, por me kapitalin dhe vleratë liridashëse, atdhetare, emancipuese e demokratizuese të LPK – së dhe të Lëvizjes sonë Kombëtare. Shkrimet e karakterit “polemizues” që lexojmë ndonjëherë në stilin e asaj “ku isha unë e ku ishe ti” (me karakter mohues e përçarës), ose shkrimet e “tregimet” që fillojnë me “unë” dhe mbarojnë me “unë” nuk i duhen lexuesit shqiptar, sepse të tilla ka me tepricë. Ne, sipas meje, ishim LPK-ja. E gjithë veprimtaria jonë ishte dhe i takon LPK-UÇK-së. UNË, TI, AI pa LPK-UÇK-në dhe veprimtarinë e përbashkët të organizuar e strukturuar do të ishim edhe sot: UNË, TI, AI (disa nga ata). Ne, populli i pushtuar dhe LPK- ja e Lëvizja jonë Kombëtare ishim me fat edhe që kishim në krah shtetin shqiptar… Prandaj, shokë, bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë ta ruajmë respektin dhe konsideratën për njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha për atë përpjekje dhe luftë kolosale që ka hapur perspektivë të sigurt për zgjidhjen përfunfimtare të çështjes shqiptare. Lavdi në jetë të jetëve shokëve dhe gjithë të rënëve për liri! Nderim dhe konsideratë për veprimtarët dhe luftëtarët e mendjes e të pushkës që i kemi në jetë !
Qofshi me shëndet e faqebardhë kudo që jeni!
Xhevat Gjini,
Kryetari i Shoqërisë LËVIZJA

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu