ARKIVI:
18 Nëntor 2024

Një studim i rëndësishëm për rolin e Britanisë në çështjen shqiptare

Shkrime relevante

Shpërndaj

Nga: Jusuf BUXHOVI
Botime
* Daut Dauti: “Britania dhe çështja shqiptare gjatë rënies së Perandorisë Osmane 1876-1914”, botoi Logos, 2020, faqe 456.
Roli dhe rëndësia e Britanisë së Madhe në çështjen shqiptare nga Kriza Lindore e deri te Pavarësia shqiptare, deri më tani, nuk ka gjetur trajtim të duhur në historiografinë shqiptare. Madje, edhe kur është prekur, kanë munguar faktorët meritorë, siç është pasqyrimi i dokumenteve autentike si dhe vendit dhe rolit të politikës autentike britanike në rrethanat e kohës, veçmas në ato që përcollën procesin e shembjes së Perandorisë Osmane e deri te pavarësia e shtetit shqiptar. Në mungesë të tyre, kemi paraqitjen fragementare, të shumtën të ndërtuar mbi stereotipet e qëndrimeve që ka ofruar historiografia e njëanshme serbe, ruse dhe pjesërisht ajo gjermane, ose ato të klisheve të njohura ideologjike, të cilat rolin e veçantë të Britanisë në këto zhvillime, e kanë interpretuar njëanshëm, prej nga është krijuar përshtypja e gabuar për rolin e saj në përputhje “me interesat hegjemoniste”, të afërta me ato franceze-ruse në kuadër të Antantës.
Studimi i Daut Dautit paraqet përpjekjen e parë serioze të historiografisë sonë që pamja e politikës së Britanisë së madhe në raport me çështjen shqiptare gjatë rënies së Perandorisë Osmane e deri te fillimet e luftës së parë botërore, të shihet në një dritë tjetër, në përputhje me rolin e saj aktiv thuajse në të gjitha fazat e këtyre zhvillimeve, natyrisht në kuadër të interesave të veta, që kanë qenë edhe “të veçanta” në rrethanat e konfrontimeve midis interesave austro-gjermane dhe atyre ruso-franceze, por që atë e kanë përfillur si një realitet në kuadër të ristrukturimeve të hartës së re politike dhe shtetërore europiane që filloi të marrë fizionominë e vetë nga Kongresi i Berlinit e deri te Konferenca e Ambasadorëve. Merita e autorit, në këtë zhvillim, gjithsesi duhet parë te kompleksiteti i çështjes brenda për brenda përvijimeve politike britanike si dhe të raporteve me fuqitë e kohës ku Britania ka ndjekur interesat e veta strategjike dhe ekonomike në Lindje të Afërme dhe atë të Mesme. Problematika e parë trajtohet me një qasje serioze tek pasqyrimi i asaj që emërtohet si “Periudhë e Post-Berlinit”, pra te koncepti i “Liberalizimit britanik dhe Ballkani” e ku përfshihet edhe “Politika e jashtme britanike dhe çështja shqiptare 1883-1903”, me ç’rast, thuajse për herë të parë, hidhet dritë tek qasja liberale e Komitetit Ballkanik rreth autonomisë së Maqedonisë, me çka fillon edhe faza e implikimit të drejtpërdrejtë të politikës britanike në pjesën europiane të Perandorisë Osmane, mbi bazat e konceptit Gladstoneit i njohur edhe si “Britannian Pacificatrix”, prej nga, në zhvillimet e mëvonshme, çështja shqiptare do të marrë një dimension politik me angazhimin e Auberty Herbertit në Komitetin për Shqipërinë dhe shtetin shqiptar, si një kauzë për çështjen kombëtare shqiptare ndër më të rëndësishme e kohës në radhën e fuqive të mëdha.
Natyrisht se dioptria e kundrimit të autorit përcjell me shumë vëmendje faktorët që ndikuan kapërcimin e politikës britanike nga ajo e Komitetit ballkanik rreth Maqedonisë tek çështja shqiptare, që mori përsipër Komiteti Shqiptar i përbërë nga autoritete të rëndësishme politike dhe diplomatike britanike që shtroi ndikim të madh në Konferencën e Londrës për njohjen e shtetit të pavarur shqiptar, ndonëse të përgjysmuar.
E arritur e mirë e këtij studimi që përthekon rolin e politikës britanike për çështjen shqiptare nga vitet 1886-1914 gjithsesi janë edhe kapitujt (VII) për Edith Durhamin dhe angazhimin e saj të madh që mbi pikëpamjet gladstoniane për Ballkanin edhe shqiptarët të vihen në mesin e popujve të Ballkanit, paçka se ky koncept mohonte parimin e nacionalitetit. Si dhe kapitulli (VIII), për Abrey Herbertin dhe rolin e tij të madh me Komitetin për Shqipërinë.
Pra, vepra si e tillë, duhet të përkthehet në gjuhën angleze, meqë plotëson boshllëkun e studimeve serioze të kësaj natyre, që ka lënë historiografia institucionale me ngarkesa ideologjike në Tiranë dhe Prishtinë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu