Ervina Toptani, shkrimtare, Tiranë
____
Nostalgji Tirone
Sa herë më merr malli për shtëpinë, mamin, babin e miqtë e vjetër e lexoj me kënaqësi këtë kujtim. Sot më ka marrë malli tepër, tepër!
Oborri i zemrës, i shpisë time…
…. Ishte e premtja e fundit e vajzërisë. Kjo që po ju tregoj është thellësisht personale por jam bindur se kujtimet e bukura nuk kanë vlerën e duhur nëse nuk i ndan me të tjerë…
Kisha vendosur vite më parë, me gjyshen time, që pasditen e vizitave (siç i themi ne të paktën) nuk do e bëja sipas trendit të kohës…. (siç ndodh zakonisht kur prenotohet një lokal etj) por sipas traditës që më pëlqen aq shumë. Ajo pasdite që ishte e fundit e vajzërisë do të bëhej tek oborri i shtëpisë, siç e doja unë, siç kishte bërë dhe ime më vite më parë.
Përgatitjet filluan që disa ditë më parë. U lye avllia me të bardhë borë, u lyen tjegullat e vogla sipër avllisë me të kuqe gjak, u lyen të bardha po ashtu bordurat me guralecë anës saksive me lule. U vunë drita pafund të qepura tek hardhia e rrushit me erë, me lloj lloj ngjyrash, u vunë vazo të reja që vareshin në mure e kudo ku kishte çengelë të vegjël enkas për to. U zbukuru çesmja e gurit, e u hoqën sapllaket nga vendi ku rrinin zakonisht. U vunë tavolina e karrige pa prishur hapësirën e mesit.
Tezet, hallat, kushërirat e mami im kishin përgatitur bakllavatë ku petët duhen bërë aq të holla sa të lexohej gazeta po ta vije poshtë (kjo pjesë është vuajtje e madhe për ata që e njohin), sheqerparet, kompekaj, amareta, llokume me arre, shurup trëndafili, thane, gliko kumbulle me një kokërr bajame në vend të bërthamës e reçel rrushi me vdek aty brenda! (ky i fundit është i preferuari im). Ishte ruajtuar rakia e ballit të kazanit prej 7 vjetesh enkas për këtë ditë e ime më që pickonte faqet duke thënë : “qyqja na turpnut, s’keni ble asnji pije t’jashtme për rininë!”
Atë ditë oborri i zemrës ishte bërë nuse e pas kaq vitesh do të përcillte me lule, ngjyra e gëzim gocën e vetme të shtepisë, “Ervin honmin” (hanëmin siç njihet ndryshe po ne në dialekt kështu i themi) siç më thërriste nona ime. Unë nuk vesha fustan nusërie siç ndodh zakonisht me vajzat edhe ditën e premte kur presin vizitat, por vesha dimiqtë e Shqipërisë së Mesme. Nona ime e dashur nuk jetonte më e nuk do të mund ta mbante premtimin për të më rregulluar dimiqtë ( për ata që nuk e dinë është një proces i gjatë i mbështjelljes e lidhjes së tyre qē kërkon mjeshtëri e nuk mund ta bëjë kushdo). Një none tjetër (nona e shoqes time më të mirë) erdhi për t’më ndihmuar. I qava me lot e fjalë zemre ato minuta që vishja dimiqtë duke kujtuar 100 biseda që kisha bërë me nonen time.
Isha gati, këmisha e hollë si tyl xhami shoqërohej nga jeleku me xhevahirë (jo të vërtetë), me kapelen e vogël po me xhevahirë mbi krye, tek këmbët, rreth belit. Skarpinat me gurë që shkëlqenin, vezullonin njësoj si duplat e florinjta mbi ballin tim. Nona e shoqes më puthi në ballë e më shoqëroi te dera ku ishte mami, e cila mendonte se meqë ishte vetëm dita e premte e vizitave nuk do të emocionohej aq shumë. Shtangu e i rrodhën lotët dënesë – “Biri i mamit t’vet, sa shpejt m’u rrite mi non!” – nuk mbaheshin më lotët as për mua.
Preferova të zbres vetë shkallët (shtëpia ishte 2 katëshe) po kur dola në krye të tyre të gjitha shoqet, tezet, kushërirat shtangën po ashtu. E kuptova se duhet ta bëja unë rolin e të paemocionuarës. Zbrita ngadalë duke kënduar vetë “sa bukur na ka dalë nusja…” filluan të qeshin pastaj dhe e mblodhën veten shpejt.
Filluan të vinin miqtë e parë. Kur më shihnin si nuse “zamoni” ishte e pamundur të mos thonin fjalë shpirti, jo për gocën e shtëpisë po për atë çfarë dimiqtë e oborri i zemrës po u kthente atyre në kujtesë. Unë nuk bëra nusen e zakonshme, por njësoj si ime më para shumë vitesh, isha me tabaka në dorë duke qerasur me mrekullitë e traditës tonë të bëra me aq dashuri nga duart e atyre grave që më kishin rritur (mami, tezet, hallat) të gjithë miqtë. Më kishin parë për vite me rradhë t’u bëja kafen, t’i sajdisja, t’i çoja “i gastare” me ujë të ftohtë, por atë pasdite ishte ndryshe. Atë pasdite unë isha nusja!
S’ka nevojë besoj t’ju tregoj për ahengun që filloi me Isuf Myzyrin, Hafsa Zyberin e të tjerë të brezit të tyre, e mbaroi me Artiola Toskën. Po harruar jaret shkodrane, vallen e Tropojës e atë të Kukësit që unë i kam kërcyer gjithmonë si të ishin valle te trevës time. Rinia nuk i preku me dorë ato “pijet e jashtme” që i kishte aq merak mami im mos turpërohej po të mungonin, po shurupet e trëndafilëve u bënë ikona atë mbrëmje. Mos me përmend “ballin e kazonit” për të cilin isha kujdes vetë personalisht bashkë me babin, gjatë kohës më të bukur e të rëndësishme për ne të dy “zierjen e rakisë”.
U këndu e u kërcy pafund, u bë festë e hare si rrallë herë. Nuk mbeti kalimtar pa hy me pa atë nusen me dimiq e atë ambient aq të bukur dashurie e askush nuk doli pa qeras nga gocat e shtëpisë.
Oborri shkëlqente nën tinguj vallesh e hareje, po përcillte gocën qe e kishte yzmetu për vite! Lulet qeshnin e vallëzonin bashkë me mua, por Zoti e dinte sa do më mungonin! Kujtova me lot por jo trishtim çdo cep që kishte prekur dora ime, çdo pemë të mbjellë, çdo lule të ujitur, çdo vazo të thyer, çdo pllakë që lëvizte…. oborri im i zemrës….
Mos mendoni se kjo ka ndodhur 100 vite më parë ka ndodhur vetëm 14 vite më parë, në Tiranë, ditën e dasmës time, të premten e vizitave. Unë doja ta jetoja historinë e traditës tonë aq të bukur në ditën time më të veçantë e nuk kishte vend që i shkonte shpirtit ma për shtat se oborri i “ashikëve”, oborri i zemrës time, në Tironën time.