Bardhyl Mahmuti
Ju ftoj të lexoni pjesë nga intervista që i kam dhënë Gazetës “Epoka e Re” më 14 maj 2019, të titulluar: Nuk është vonë për ta paditur Serbinë për gjenocid!
“Epoka e re”: Shpesh dëgjohet se jemi vonuar dhe se është dashur shumë më herët të bëjmë padi kundër Serbisë për krimin e gjenocidit. A mendoni se jemi vonuar në këtë drejtim?
Bardhyl Mahmuti: Jo. Nuk jemi vonuar për të bërë padinë për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve në Kosovë. Përkundrazi, në kontekstin politik dhe shoqëror nëpër të cilin kalojmë çdo përshpejtim i akuzës do të kishte qenë në favor të Serbisë. Të mos harrojmë se edhe në mesin tonë nuk ka konsensus rreth kualifikimit të asaj që ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës. Njëri godet thumbin e tjetri patkoin. Me keqardhje duhet të pranojmë se një numër i konsiderueshëm i politikanëve dhe gazetarëve që kanë një rol të madh në krijimin e opinionit publik nuk e kanë të harmonizuar terminologjinë që përdorin kur bëhet fjalë për krimet serbe në Kosovë. Në rrafshin ndërkombëtar gjendja është tejet e pafavorshme për ne. Në vend se të ndëshkohet Serbia për gjenocidin që ka kryer në Kosovë, sot kemi krijimin e një gjykate që do t’i trajtojë sajesat e Shërbimit Sekret Serb kundër UÇK-së. Ai i cili do të kishte ngritur padi kundër Serbisë në këtë kontekst ndërkombëtar do t’i kishte bërë shërbim të madh Serbisë, sepse vendimi do të kishte qenë i disfavorshëm për ne. Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina ngritën akuza kundër Serbisë për krim të gjenocidit pa krijuar paraprakisht kontekstin e favorshëm në opinionin publik ndërkombëtar. Rezultati final ishte negativ, sepse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë hodhi poshtë akuzat kundër Serbisë. Kosovës nuk i duhet një vendim i përshpejtuar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por një vendim i drejtë që do ta ndëshkonte gjenocidin serb në Kosovë. Për t’i rritur gjasat e realizimit të ngadhënjimit të drejtësisë duhet të punojmë shumë si në rrafshin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë të brendshëm. Në të kundërtën do të korrim rezultate negative. Me një fjalë, ai i cili do të shpejtonte të ngrihej akuza për gjenocid kundër Serbisë, në këtë kontekst të raportit të forcave në skenën politike ndërkombëtare, do të bënte një veprim antikombëtar.
“Epoka e re”: Në çfarë drejtimi duhet të orientohet puna sqaruese e opinionit publik ndërkombëtar që të rritet mbështetja për ngadhënjimin e drejtësisë?
Bardhyl Mahmuti: Po marr shembull dëshminë e Vasfije Krasniqit para Kongresit Amerikan për dhunën seksuale dhe tmerrin që ka përjetuar gjatë luftës. Dhuna seksuale ndaj femrave shqiptare përbën krim të gjenocidit në kuptimin si përkufizohet gjenocidi me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, sepse Neni II, paragrafi (b) i kësaj, cilëson si forma të gjenocidit edhe cenimin e rëndë të integritetit fizik ose mendor. Shihni reagimin e Serbisë pas kësaj dëshmie. Thjesht janë tërbuar, sepse janë të vetëdijshëm se kjo formë e komunikimit do ta nxjerrë në dritë të vërtetën për krimet e tyre. Një segment tjetër i veprimtarisë është shpërndarja në qarqet universitare në botë të veprave që ndriçojnë këto aspekte të luftës në Kosovë, sepse në universitete krijohen politikanët, historianët, gazetarët, sociologët dhe intelektualët e profileve të ndryshme të çdo vendi. Duhet t’u ofrohet mundësia që të njihen me të vërtetën e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.