ARKIVI:
27 Dhjetor 2024

Nuk mund të hesht për krimet e komunizmit!

Shkrime relevante

Kryeministri merr rolin e gjykatësit!

Florim Zeqa I gjithpushtetshmi i vendit, Kryeministri i cili nuk i respekton...

Serbja Sonja Biserko, zëri i së cilës nuk po dëgjohet nga ndërkombëtarët, “analistët tonë” dhe disave nga opozita e Kosovës

Nga: Gani Mehmeti Biserko: Lista Serbe është përgjegjëse për gjithë situatën në...

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Shpërndaj

Nga: Frank Shkreli

Sot është një përvjetor që nuk e përmend as nuk e kujton kush – por ishte 31 Korriku i viti 1948 – një përvjetor vrasjeje, ishte një ditë kur xhelatët e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës mbytën dy klerikë katolikë shqiptarë, Dom Lekë Sirdanin e Dom Pjetër Çunin, martirë tё Kishë Katolike Shqiptare, nё periudhën e persekutimit komunist nё Shqipёri. Xhelatët e diktaturës enveriste të Shqipërisë, në atë ditë — mё 31 korrik 1948 — sipas dëshmitarëve dhe të dhënave zyrtare i mbytën të dy martirët duke i hedhur për së gjalli në një gropë gjirizi, në Koplik, ku zhvillohej hetuesia e meshtarëve. Dom Lekë Sirdani e Dom Pjetër Çun kan qenë dy figura të shquara, jo vetëm të Kishës Katolike, por edhe përfaqsues të denjë të kulturës dhe intelektualë shqiptarë të kohës së vet.

Dom Lekë Sirdani — I lindur në Bogë, Malësi e Madhe, në vitin 1891, i bëri studimet e para në Seminarin shqiptar e teologjinë në Insbruk, të Austrisë. U shugurua meshtar më 24 prill 1916. Ka punuar për fe e për atdhe. Kreu shërbimin në famullitë e maleve të kryeipeshkvisë së Shkodrës. Ishte shumë i zellshëm e i devotshëm. U torturua në mënyrë barbare e të pashpirtshme. E bënë të sillej përreth famullisë së tij në zonën e Koplikut, pastaj e futën të gjallë në një pus ujërash të zeza dhe e lanë aty derisa vdiq më 31 korrik 1948, bashkë me Dom Pjetër Çunin.  Dom Pjetër Çuni –Lindi në Shkodër, më 9 korrik 1914. Shkollën fillore dhe liceun e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Kongregatën Propaganda Fide (Romë). U shugurua meshtar më 23 mars 1940. Shërbeu në famullitë e maleve përreth Shkodrës: Reç e Lohe (Shkrel). U arrestua pa arsye në Rrjol më 27 korrik 1948. Egërsisht i torturuar, e hodhën për së gjalli në një pus ujërash të zeza, ku vdiq më 31 korrik 1948. Të atit iu dha lajmi i vdekjes më 26 dhjetor 1948. Qe meshtar shembullor, i zellshëm dhe bari i mirë për grigjën e vet. Qe i paluhatshëm kundër diktaturës.

Ai dhe Dom Aleksandër Sirdani janë shpallur të lumë nga Kisha Katolike universale, së bashku me 36 martirë të tjerë shqiptarë të diktaturës komuniste. (Sipas Radio Vatikanit shqip)

Me modesti them se kam shkruar gjatë viteve edhe në raste të tjera për këta dy burra dhe për viktima të tjera të diktaturës sllavo-komuniste dhe do vazhdoj të shkruaj derisa të më lenë sytë e mendja. Frank Shkreli: Shqipëria të dënojë zyrtarisht vra.sjet makabër të komunizmit | Gazeta Telegraf –dhe për derisa strukturat politike dhe qeveritare të shtetit shqiptar vazhdojnë të mos dënojnë këto krime makabre dhe për derisa Shqipëria dhe Kombi shqiptar nuk përballen, zyrtarisht, me të kaluarën kriminale të regjimit komunist. Për fat të mjerë për atë vend sot dhe për të ardhmen e tij, jo vetëm që entet zytrtare të shtetit shqiptar, nuk dënojnë zyrtarisht krime të tilla siç ishte vrasja e Dom Lekë Sirdanit dhe Dom Pjetër Çunit – por ato entet zyrtare politike dhe shoqërore, tërthorazi dhe drejtë për drejtë, sot glorifikojnë periudhën e diktaturës komuniste. Ndërkohë, që shpallin krenarinë e tyre me trashëgiminë dhe influencën historike të Partisë së Punës në radhët e Partisë së sotme Socialiste në pushtet – një lidhje brezash, midis rinisë së sotëme të Partisë Socialiste dhe gjyshërave dhe gjysheve të tyre, përfaqësuese të Partisë së Punës së diktaturës së proletariatit, siç u shpreh folësja “Helena” një vajzë e re socialiste. Unë nuk di se çfarë dhe sa di e reja e identifikuar me emrin “Helena” — e cila foli në Kuvendin e fundit të Partisë Socialiste por dhe brezi i saj — mbi krimet e komunizmit, ose nëse gjyshja e saj i ka thënë asaj ndonjë të dhenë të vërtetë mbi krimet e atij regjimi ndaj kundërshtarëve të tij, ose shqiptarëve që nuk pajtoheshin me atë ideologji sllavo-komuniste – krejtsisht e huaj për historinë dhe kulturën e shqiptarëve. Për burgjet, për internimet për vrasjet e ekzekutimet, për dhunimet dhe për familjet e ndara e të humbura.

Ndonëse partia në pushtet duket se është krenare e trashëgimisë së Partisë së Punës, ajo vazhdon të hesht për krimet dhe dhunën e ushtruar nga komunizmi kundër shqiptarëve – një popull i zenë rob për pothuaj një gjysëm shekulli. Prandaj nuk është për tu habitur se shumë vërejtës, brenda dhe jasht Shqipërisë, konsiderojnë se trashëgimia e Partisë Komuniste shqiptare po përjetësohet në Shqipëri, ndërsa për 30 e ca vite mbretëron një heshtje në lidhje me krimet e asaj periudhe të zezë për Kombin shqiptar.  Frank Shkreli: A po përjetësohet e keqja e komunizmit në Shqipëri? | Gazeta Telegraf. Ndryshe nga vendet e tjera ish-komuniste të Evropës, Shqipëria as nuk është ballafaquar me të kaluarën e saj tragjike komuniste dhe as nuk e ka ndër mend të dënojë krimet e atij regjimi barbar kundër popullit të vet.

Unë nuk e kam aspak të qartë se si — me ketë mentalitet politik e shoqëror – në ç’drejtim mendon Partia Socialiste dhe qeveria e saj në pushtet t’a çojë Shqipërinë dhe Kombin, në të ardhmen drejtë një një jete më të mirë për brezin e të rinjve e të rejave shqiptare, si “Helena” që foli në Kuvendin e Partisë Socialiste?  Si do të shkojë drejtë një qytetërimi shqiptaro-perëndimor – larg trashëgimisë kriminale të diktaturës komuniste – e me sy kah qytetërimi perendimor. A po është duke shkuar drejtë një humnere lindore sllavo-komuniste autoritare e cila për pothuaj 50-vjetë, vrau e preu bijtë e bijat më të mirë të Kombit shqiptar 

Po të mund të flisnin sot Dom Aleksandër (Lekë) Sirdani dhe Dom Pjetër Çuni – në përvjetorin e vrasjes së tyre nga regjimi komunist i Enver Hoxhës – ata do të thonin se të gjithë shqiptarët pa dallim i konsiderojnë si vëllezër e motra, se ata dhanë jetën në mbrojtje të vlerave historike të Kombit shqiptar, të lirisë e demokracisë, të nderit e burrërisë dhe qëndruan besnikë ndaj orientimit historik të shqiptarëve drejtë Perendimit. 

Qëllimi i këtyre dy klerikëve, por mbi të gjitha dy burrave shqiptarë intelektualë, të vrarë nga komunizmi, ishte një Shqipëri – që sipas rrethanave dhe mundësive të asaj kohe, Kombi shqiptar të shkonte në rrugën drejtë Perendimit dhe vlerave të atij qytetërimi dhe jo drejtë lindjes, një qytetrim i huaj dhe barbar për shqiptarët. 

 

Kjo, pra është arsyeja që unë nuk mund të heshti për krimet e komunizmit ndaj njerëve të pafajshëm – përfshir vrasjet e dy klerikëve të lartë përemendur.  Por, përpiqem që në mënyrën më modeste dhe në mungesë të dënimit zyrtar të atyre krimeve nga qeveria dhe shteti shqiptar – është detyra, vullneti dhe dëshira ime dhe duhet të jetë e të gjithë njer[ëve vullnet mirë, që ia duan Shqipërisë dhe shqiptarëve punët për së mbari – që kujtimi i këtyre dëshmorëve anti-komunistë shqiptarë dhe mijëra të tjerëve si këta, të mos zhduket nga kujtesa dhe as nga historia e Kombit shqiptar. 

Sepse është e qartë tani se pa dënimin zyrtar të krimeve të komunizmit dhe pa distancimin serioz të Shqipërisë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, aktualiteti politik dhe zhvillimet në vend po tregojnë, se rrugëtimi euro-atlantik i Shqipërisë, jo vetëm që ka marrë një rrugë të gabuar, por ai rrugëtim nuk është më as i sigurtë dhe as i besueshëm: as për ndërkombëtarët dhe as për shqiptarët, një prej faktorëve kryesor, në mendimin tim,  që po shkakton zbrazjen e Shqipërisë nga rinia e saj dhe nga më të mirët e Kombit. Urojmë që kujtimi i sakrificës së tyre të jetë një shembull për djemt dhe për vajzat shqiptare si “Helena”, që të sigurojnë për veten dhe familjet e tyre në të ardhmen një Shqipëri vërtetë të lirë e demokratike për të gjithë dhe pa dallim. Dhe që sakrificat, mundimet dhe vrasja barbare e Dom Lekë Sirdanit dhe Dom Pjetër Çunit, të frymëzojnë breznitë e reja – përfshir vajzen shqiptare “Helena”, drejtë veprave më të mira për veten dhe për të tjerët – larg nga trashëgimia barbare komuniste anti-shqiptare. 

I përjetëshëm qoftë kujtimi i Dom Lekë Sirdanit dhe Dom Pjetër Çunit dhe i të gjitha viktimave të komunizmit, pa dallim, në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, ku ka shkelur çizmja gjakatare komuniste sllavo-aziatike.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu