ARKIVI:
23 Dhjetor 2024

Nyjëzimi estetik specifikë e shtjellës së ndërmjeme

Shkrime relevante

Zëri i ndërgjegjës kombëtare thërret për ndryshim!

Shqiptarë të Plavës dikur..., para se pasardhësit e tyre të bëheshin...

Ja si mund të duket Anglia e bukur, e së ardhmes…!

Jorgo Mandili 21 dhjetor 2024 ___ Britania ishte përpara të gjitha vendeve perëndimore në...

Si i dëboi UÇK-ja hoxhëllarët dhe predikuesit e fesë islame nga frontet e luftës

Luan Dibrani, Gjermani ___ Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e...

Interesat kombëtare të Kosovës, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe konteksti më i gjerë gjeopolitik

Agim Vuniqi, New York ___ Roli i Shqipërisë dhe deklaratat e kryeministrit Rama Fjala...

Shpërndaj

Shefqet Dibrani , Zvicër

(Ramadan Musliu, “SHTJELLË SHPIRTËRORE”, poezi e zgjedhur, botoi Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2021, faqe 2020. ISBN 978-9951-760-57-7) 

 Fillimi 

 Poezia e Ramadan Musliut, është e veçantë, sidomos për mënyrën e shkrimit poetik, po ashtu edhe për qasjen tematike të mendimit që ai e shtjellon në poezinë e tij. Kjo poezi i plotëson të gjitha vlerat e poezisë postmoderne. Si njohës i teorive letrare dhe i zhvillimeve botërore të poezisë, Ramadan Musliu, gjatë gjithë jetës u shqua për elokuencë të shprehjes, me vargun konciz e me mendim të thellë, mjaftë eksperimentues dhe abstraksionist, njohës i antikës dhe mitologjisë, pastaj i frymëzuar edhe nga letërisa Arbëreshe, e bëjnë atë edhe më të kompletuar, veçmas për motivin e mërgimit të cilin e ka shtjelluar më ndryshe, dhe me kujdes të shtuar, veçmas kur mërgimi manifestohet si ndjenjë poetike. Ramadan Musliu, ishte përkthyes i letërsisë botërore, pastaj redaktor librash poetik, letrar e historiografik, me një fjalë ishte shkrimtar i kompletuar, andaj dallohej nga brezi i tij. “Në mëngjesin e parë kur u linda/ në vajin tim dëgjova/ hapat e Pal Engjëllit/ si shkonte duke e thënë përmendësh/ Formulën e pagëzimit nëpër shekuj”, faqe 46, dhe diku tjetër poeti është shprehur: “Hap Çetën e profetëve/ Mesharin e Buzukut/ dhe para Pasqyrës së Budit/ rrëfehem si para vetvetes”, faqe 47-48. Ky mendim poetik kaq i thellë e bënë poezinë e Ramadan Musliut si tematikë mjaftë e qëndrueshme dhe si vlerë letrare e pakapërcyeshme. 

Veçantia e vlerës poetike 

 Ramadan Musliu, kapitullin e tij letrar e mbylli më herët se sa që pritej, në moshën kur letërsisë shqipe mund t’i sillte edhe libra të tjerë poetik, kritik e artistik. Megjithatë, pas vetës ka lënë një poezi të veçantë, vlerën e së cilës, si me piketë, tashmë e kemi të përmbledhur në librin “SHTJELLË SHPIRTËRORE“, libër ky që jep mundësi për lexim të qasshëm e qasje më të kompletuar të poezisë me estetikë të rrallë dhe me rimën brilante. Autori e ndërtoi figuracionin e poezisë artistike në mënyrëtë papërsëritshme, pra, një veçanti dhe veçori e cila si dhunti ishte e rrallë te ky poet. 

KËNGA E TRUPIT  

 Trupi im në flakë fjale  

heq mashtrimet heq stolitë  

mvesh blerim fusha e male  

sytë e mi i mbush me dritë  

 

Fshehur nën shpuzë kënge  

qenia ëmbël pëshpërit  

jam në bredhje natë e ditë  

si në rrjetë merimange  

 

Rentë zjarrit nëpër kohë  

nëpër vdekje nëpër jetë  

kohën time që ta njoh 

  

Ky instinkt befasie  

për një fjalë të vërtetë  

trupit viktimë m’i bie 

 

Faqe 51. 

 

Poezitë përfaqësojnë shqetësimin e përherëshëm, dhe sigurisht edhe shumë e shumë motive të tilla poeti i ka marrë me vete. Preokupimi jetësor i Ramadan Musliut, duket të ketë qenë shkrimi estetik dhe mendimi artistik që i kultivoi me pasion të papërsëritshëm. Ai kishte intuitë të zhvilluar, mendim të thellë në qasjet tematike, personalitet i letrave shqipe që dëshmoi cilësi në shkrimin letrar, me kritikën brilante dhe me studime të thelluara letrare, të cialt iu bënë pasion krijues. Me një fjalë, Ramadan Musliu, ishte tip aristokrati në shprehje dhe mendim, kjo ishte bota intelektuale dhe krijuese e Tij, dhe sëkëndejmi edhe bota poetike e cila shpaloset në mënyrë brilante, përgjatë librit “SHTJELLË SHPIRTËRORE”. 

Një shekull para se të shfaqet  

dritë bënte rreth nesh në astral  

as për gjashtë shekuj nga faqet  

e Dheut të Arbrit s’ hiqet drita kristal 

Faqe 72. 

 Kjo është dhembje  

plazmë që tajit ëndrrën  

kur faqen e pasqyrës  

e pastron me lot. 

 

Faqe 75.  

 

Të këtij motivi janë edhe poezitë: Gjuha e gjallë, (Eqrem Çabejt); Me fjalë shpirti në buzë, (Nënës Tereze); Gravurë në bronz, (Dëshmorëve të atdheut), dhe nëpër disa poezi të tjera. 

 Shtjella e poezisë 

Shtjella e kësaj poezie ka kuptimin e rrjedhës së përherëshme dhe e zhvillimeve të pandalshme poetike e letrare, ku: “Mes emrave: historia/ mes foljeve: jeta/ nëpër këngë: vepra”, faqe 81. Po ashtu ka kuptimin e rrymës letrare, ashtu sikurse shpjegohet për shtjellën e ujit dhe shtjellën e erës. Aty ku ndeshen dy rrjedha të kundërta uji, ose dy fryma a erëra të forta dhe mbase të tërbuara, do të krijohet një ndërmjetësim i ri, qoftë ky ujorë ose ajror, dhe si duket ngjashëm me këto shtjella kozmologjike është zhvilluar dhe krijuar edhe poezia e Ramadan Musliut, e cila është ndërtuar mbi sepcifikë të veçantë e që mund të kategorizohet si poezi përfaqësuese e postmodernizmit, në të cilën janë gërshetuar elmente të poezisë moderne dhe asaj klasike, me njohje nga antika e mitologjia, e që kan freskuar mendimin postmodern në poezi, dhe që ka krijuar shtimung përjetues – atmosferë tejet të këndshme, e cila manifestohet si shakullinë e mendimeve përdredhëse, në vorbullën e së cilës përjetohet ai shtimungu, si përjetim i rrallë emocinal dhe si mënyrë e re artistike e të shprehurit poetik.  

 PËR EMRIN E LASHTË TË TRUPIT TONË  

Pa kompas me vete pa orë dhe pa asgjë  

lundronim detit plot lagështirë e reumë  

për të dalë në brigjet atdhetare 

 

Marinarët zhvisheshin deri në palcë:  

njëri çonte spirancën tjetri velat shpaloste  

jeta duhej zbarkuar në breg 

 

Dikur vonë shumë vonë  

nga thellësia somnambule e historisë  

shfaqeshin bukuroshet e jetës sonë lakuriqe  

me gjerdane psherëtimash varur në gushë 

 

Faqe 87. 

 

Kjo shtjellë, (si kuptim a nocion psikologjik), të përvetëson, por në momentin që subjekti do të bjen në tokë, drithërimat e kësaj rryme metaforike, e këtij mendimi të thelluar artistik, dhe të këtij përjetimi sociopsikologjik kaq të rafinuar sikur vërvitin magjinë, pasi poezia e Ramadan Musliut, nuk është poezi në të cilën mendimi kapet në sipërfaqe, në një varg a strofë të saj, kjo poezi është e konstruktuar si mendim i thellë tematik e meditativ, që të detyron lexim të kujdesshëm. Duke e përjashtuar ciklin e poezive me rimë të përsosur, që pëlqehen për ritmikën që kanë, edhe thellësia e mendimit, si nuancë tjetër, e sfidon secilin krijues me përvojë, edhe ata që me vite trajtojnë poezinë si art letrar.  

 

Duke pritur në radhë  

dikush për gazetë  

tjetri për letër tualeti  

u bëmë edhe vetë  

për t’u hedhur në plehra 

 

Poezia, FATI I KEQ, faqe 89. 

 

Sidoqoftë, ky ndijim rrëmbyes i vargut është aftësi dhe afinitet poetik, për të përfshirë anën shpirtërore e cila të fut në atë vorbullën (shtjellën) e tyre tematike, pastaj me ngadal zhvillohet e zbërthehet kjo frymë e re poetike. Në anën tjetër “shtjella” poetike lidhet me aspektin e përjetimit “shpirtëror“, që të lenë mbresë të gjatë paskëtaj, kjo do të thotë: nga çasti i leximit e më pas në kohën që do të vijoj, kjo poezi manifestohet si metamorfozë e zhvillimit të brendshëm evolutiv, ndjenjë e përjetimit artistik, përkatësisht shtjellë e historisë poetike të Ramadan Musliut. Janë këto arsye pse them se, titulli i librit “SHTJELLË SHPIRTËRORE“, është gjetje fatlume dhe në të njëjten kohë edhe gjetje figurative që intrigon për një çasje serioze, për një përkushtim të çasshëm dhe njëkohësisht edhe të thelluar të kritikes letrare. 

 

I shtrëngova zengjitë  

dhe i graha  

kërmillit tim  

të fshehur  

prapa një shkurre  

brenda veshit 

 

Dhe dola  

nëpër atë korridor  

kokulur  

nga lëkura  

se më s’ma mban  

t’i dal dikujt  

në meidan 

 

Poezia: NË KOPSHTIN E ZVERDHUR, faqe 92-93. 

 

Moderniteti poetik 

 

Libri “SHTJELLË SHPIRTËRORE”, është strukturuar në gjashtë cikle: “Brenda prushit të fjalëve”; “Në shtjellën e hijes sime”; “Ëndrra e hap derën e harrimit”; “Kohë e djegur në shpirt”; “Në thjerrëzën e syrit” dhe cikli “Syve të tu liqeni e mbyll kaltërsinë”, kurse poezitë e përzgjedhura janë pjesë e pesë librave të autorit, të botuar për të gjallë të tij: “Parodia e trupit” 1981; “Shqisa e gjashtë” 1985; “Pasqyra e të rrëfyerit” 1987; “Në zemrën e gjërave” 2004 dhe “Gjendje neutrale” 2019. 

Poeti Ramadan Musliu, shquhej për modernitet të vargut, për mënyrën estetike të shkrimit poetik, për shprehjen artistike, përveç thellësisë së mendimit, poezia shquhet edhe për nëntekstin specifik, një interpretues i shqetësimeve personale, të cilat lidheshin drejtpërdrejt edhe me zhvillimet e shumta sociopolitike, ndërsa poezia kurdoherë është shquar për mendimin e peshuar të fjalës publike. “Duke pritur në radhë/ dikush për gazetë/ tjetri për letër tualeti/ u bëmë edhe vetë/ për t’u hedhur në plehra”, poezia FATI I KEQ, faqe 89. Ai ishte i saktë dhe i guximshëm. Revoltë kjo e shprehur përmes poezisë, qoftë të drejtpërdrejt e shpeshherë përmes metaforës ose ironisë, poeti ka realizuar dëshprimin dhe pezmin si pjesë e pandashme e proceseve me të cilat përballej shoqëria njerëzore në një vend me turbulenca të zhvillimeve dhe të dhunës politike. ”Shtron gazetën mbi tryezë/ e vë ushqimin mbi të/ dhe duke lexuar/ përtyp mbeturinat/ e ditës së djeshme”, poezia USHQIMI I THATË, faqe 107. 

Vrojtim për mërgimin Arbëresh 

Plega e mërgimit, qoftë si motiv, po më tepër si vrojtim, kundrohet si rikthim i domosdoshëm tek plaga që ka brejtur qenien nacionale. Kjo grithmë për shekuj të tërë është manifestuar tek Arbëreshët e Italisë, të cilët për Ramadan Musliun kanë qenë frymëzim i përhershëm. 

 

U ktheva nga mërgimet e mia  

erdha nga gjumi i rremë  

me ëndrra për të ardhshmen  

 

Shih  

dy qerberë  

kafshë të liga  

rojë bëjnë  

te pragu i shtëpisë 

 

Poezia “MËRGIMI I MENDJES”, faqe 49. 

 

Ndërsa në poezinë “REKUIEM PËR ZEF SEREMBEN”, faqe 76-78, Ramadan Musliu, thellon edhe më tej dashurinë e vet për botën Arbëreshe, andaj është më i dukshëm motivi i mërgimit të cilin, siç e theksuam e kemi prezent nga libri në libër. Ramadan Musliu, mërgimin nuk e ironizon, atë e trajton si fatkeqësi të shoqërisë, i vetëdijshëm se edhe mërgimet e reja do të kenë fatin e migrimit Arbëresh, ai s’pranë së shkruari, kurse klithma poetike është kundër çdo lloj migrimi nacional. Pa dyshim, Ramadan Musliu, kishte dashuri të veçantë për botën Arbëreshe, motivi Arbëresh që zhvillohet në disa trajta e ndeshim edhe në poezitë: Natë Kalabreze; Kënga e mërgimt; Mërgimi i frymës; Mërgimi i trupit etj., në të cilat vetëm sa zgjerohet dijet, kurse qasja bëhet më e përshpirtshme. Shikuar nga ky prizëm dhe për disa ndijime specifike, e shoh të udhës për të sjell të plotë poezinë kushtuar Zef Serembes. 

 

REKUIEM PËR ZEF SEREMBEN  

 

I .  

Po vjen detit  

detin po e sjell në sy  

dhe një gur kripe të vendlindjes  

udhës së lashtë nëpër gjumë  

nëpër detin me furtunë  

sypafjetur truplodhur  

gjuhëgjaku, gjuhënëne  

këndoje nëpër histori  

 

Ç’tel i hollë kënge  

tëhollohet në kudhrën e zemrës  

kur shpirti arbëresh  

shpall të kremtet e gjuhës mëmë  

 

O prush i fjalëve të mia  

Zef Serembe po këndon me mua në duet  

këngën që ashtin bren  

zë bilbili është a erë e jugut  

 

Ngjyra e gjakut tim a është kjo në botë  

flutura të limfës janë këto fjalë  

ndjenja ime pastaj 

ulet në një qoshe të mendimeve  

dhe përvajet  

 

III.  

Valët e detit gurin e kripës  

e hodhën në bregun e detit tim  

tash njelmësia e bukës është njelmësia e gjakut  

 

Ç’kërkojmë tash nëpër botë  

kurbetçarë të bukës  

ç’kërkojmë zemra ime  

 

Nëpër anije trupi ynë nëpër botë  

bredh pa busull e pa fanar  

 

Fanari me flokët tanë fitil  

dritë bën në këtë tempull  

kur në gjunjë kërkoj shëlbim  

nga Atë Lekë Matrënga  

 

O ai kandil iluzor kandil iluzor  

natën e varrit ma ndriçon në trup  

 

Kush më zgjon me shpirt ndër dhëmbë  

kush ma premton parajsën  

në malin e shenjtë  

kush ferrin nën diell 

 

Tash nata po tretet  

velat e agimit  

nga frymëmarrja shpalosen  

 

Gjumi që ikën detit  

flokët me stërkala zgjimi  

m’i veson  

kur ëndrra e trupit të huaj  

baltës shpirtin ma tërheq  

zhvarur nëpër kohë 

 

Verb poetik i formës së harmonizuar 

 

Poezia e Ramadan Musliut, është klasifikimi më i mirë i motiveve dhe tipareve thelbësore të përbashkëta, ndërsa gjuha e poezisë është tipologji më vete që nxjerr në pah verbi poetik i saj, veprim ky i ideve si anë tipike të kësaj poezie, vlera e saj përftohet si lëndë lirike, që përmbledh anët më të spikatura të vlerës themelore e cila si tematikë trajton aspekte historike ose që merret me dukuritë shoqërore e politike duke paraqitur në mënyrë metaforike anët e rëndësishme të veprimit, parë si verb poetik i formës së harmonizuar dhe i tërësisë si veprim i subjektit të marrë për shqyrtim, qoftë si qasje poetike ose si qasje metaforike. 

 

NATA E VARRIT  

 

Një vaj mbi vaje  

në botën tonë  

të zënë në lak  

sikur Zoti të na kish lënë  

të vetëm  

në natën e varrit 

 

Faqe 172. 

 

Metafora e poezisë së Ramadan Musliut ka ndërtim asociativ, asonancë e cila nëpër poezitë ku nuk e zbaton rimën e plotë shpeshherë kanë të njëjten tingëllim në fjalët fundore duke krijuar një rimë ndryshe asaj klasike të cilën e zbaton nëpër mjaftë poezi të tjera të cilat (për shijen time) janë krijimet më të mira të këtij libri. Ky afinitet për të zbërthyer kuptimësinë figurative, pashmangshëm e bënë vargun poetik të Ramadan Musliut specifik dhe me figurshmëri metaforike ndër më të mirat për rimat e sistemuara, jo vetëm brenda kësaj poezie, qofshin si trajtë ose si përmbajte motivore janë poezitë: Himni i krijimit; Kënga e trupit; Çelësi i ëndrrës guacën çel; Ideali; Këngë e përshpirtshme; Zalli; Acari; Kanarinë kristali; Fotografia e zemrës; Rrezitja në hënësinë; Hënësia e trupit tënd; Hënësina që po shuhet; Mashtrimi i hënësisë, etj. 

 

Mishërimi artistik si dhunti hyjnore 

 

Mishërimi artistik si dhunti hyjnore në vetëdijen krijuese të Ramadan Musliut determinon angazhimin e tij në fushën e poezisë të cilën në kuadër të mozaikut të përgjithshëm e kishte pasion, e kishte frmëzim jetik e epik, se mbase vetëm përmes artit të shkruar ai la gjurmët përtej asaj që i thuhet jetë. “Mollën e grindjes/ e kanë ngrënë/po djalli më në shishe/ nuk po hyn”, poezia ”MBYLLJA NË VETMI“, faqe 169. Por tejjeta e tij është materializuar vetëm në saje të librit dhe shkrimit artistik. Kjo dhunti në qenien e krijuesit është hyjnore është psikologjia e vet krijuesit, i vetëdijshëm për krijimin artistik që bënte. Poezia e Ramadan Musliut, përveç anës estetike dhe artistike ka një psikologji të veçantë e cila që nga fillimet e bëri poetin më të dukshëm dhe natyrisht edhe më të pranueshëm në rrethin e zërave premtues që u shfaqën në ato kohë. ”A ka trupi ujë sa deti/ apo deti mbushet lot/ ndër qeliza kush e gjeti/ zjarrin tim që s’shuhet dot“, poezia, “SONET AKUATIK“, faqe 161 

 

Përfundim 

 

Psikologjia e kësaj poezie ka arritur të dëpërtoj në vetëdijen krijuese dhe lehtas ka tejkaluar krizat shoqërore e politike të kohës. Kjo dhunti poetike e Ramadan Musliut, bëri atë komunikimin me lexuesit dhe sëkëndejmi shpejt u rreshtua me elitën krijuese të asaj kohe e cila Ramadan Musliut, në saje të vlerës, i hapi rrugë duke e pranuar prirjen e tij drejt poezisë postmoderne, tendencë në rritje e sipër gjatë asaj periudhe. ”Erdhi koha/ që gjithkush ta brejë/ ashtin e vet// Jetë qençe/ me asht mes dhëmbësh/ e bisht nën këmbë“, poezia DARKË QENÇE, faqe 158, ose vargjet: ”I zhveshi rrobat/ u la e u shpërla/ gati për të hyrë/ nëpër atë vrimë të gjilpërës“, poezia VRIMA E GJILPËRËS, faqe 138. Ky zbulim poetik, që për kohën ishte risi, u pranua si vlerë dhe u inkurajua, pasi nuanca të poezisë, përveç që kundërshtonin, poeti e ka vrojtuar suksesshëm realitetin e kohës i cili përcaktohej saktë. Prirja gjykuese e bëri atë pjesë tëtërësisë krijuese që premtonte: “E kaluara/ më sot s`do të jetë/ as e nesërmja/ si sot e dje“, poezia KOHA VDES NË VETVETE, faqe 100. 

 

St. Gallen, 10 prill 2022. 

Shefqet Dibrani 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu