Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, për vitin e dytë më radhë na gjen në përballje me krizën globale shëndetësore të shkaktuar nga pandemia COVID -19. Shënimi i kësaj dite, në kohë pandemie, na rikujton rëndësinë e mirëmbajtjes së vlerave demokratike në periudha të krizave dhe na shtynë të reflektojmë mbi gjendjen e demokracisë në vendin tonë.
Tema e sivjetme globale për ditën ndërkombëtare të demokracisë e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara artikulon nevojën e forcimit të përpjekjeve të institucioneve dhe praktikave demokratike në përballje me krizat që mund të sjellë e ardhmja. Kjo temë ndër të tjera thekson rëndësinë që ka kultivimi dhe mbrojtja e vlerave demokratike në mënyrë që krizat si kjo më pandeminë të mos e minojë nivelin e demokracisë së shteteve.
Në kohë pandemie, Kosova organizoi me sukses zgjedhje të parakohshme parlamentare që, sipas vlerësimeve vendore e ndërkombëtare, ishin në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të drejta. Në përputhje me rezultatin zgjedhor u formuan edhe institucionet e reja, duke shënuar një tranzicion paqësor të pushtetit dhe duke arritur kështu një zhvillim të rëndësishëm për demokracinë e Kosovës. Formimi i institucioneve të reja më një fuqi të tillë elektorale është një mundësi që Kosova përmes stabilitetit politik të përshpejtoj procesin e reformave në konsolidimin e demokracisë, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, forcimin e shtetit të së drejtës dhe sundimin e ligjit.
Ndërkohë, qeveritë si në Kosovë edhe në mbarë botën, përveç vaksinimit të qytetarëve të tyre, po përpiqen që të frenojnë përhapjen e Covid-19 dhe të lehtësojnë impaktin negativ të pandemisë në ekonomi e shoqëri me anë të masave të ndryshme. Sidoqoftë, diskutimet globale sot kanë të bëjnë pikërisht me domosdoshmërinë e ruajtjes së vlerave demokratike gjatë vendosjes së këtyre masave.
Në raportin e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për këtë vit është vënë në pah elementi i shtyrjes së zgjedhjeve si problematikë që mund të nxisë tensione në shtetet të ndryshme për shkak të mundësisë së cenimit të drejtave zgjedhore në emër të ruajtjes së shëndetit publik.
Kosova bën pjesë në grupin e shteteve që kanë shtyrë zgjedhjet për shkak të pandemisë por edhe që ka organizuar zgjedhje në kohë pandemie. Zgjedhje lokale janë paraparë të mbahen edhe në tetor të këtij viti përkundër faktit që institucionet shëndetësore kanë rekomanduar shtyrjen e tyre. Megjithatë në mungesë të një konsensusi të gjerë politik nuk është marrë vendimi për shtyrjen e tyre apo kufizimin e periudhës së fushatës zgjedhore. Kësisoj qytetarët e Kosovës nuk do të privohen nga e drejta kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në institucionet e nivelit lokal, që përbën një prej parimeve bazë të funksionimit demokratik të një shteti.
Kosova si demokraci e re, edhe pse është duke u sfiduar nga pandemia, duhet të jetë këmbëngulëse dhe e përkushtuar në mbrojtjen e vlerave demokratike siç janë të drejtat dhe liritë e njeriut, zbatimi i parimeve të demokracisë parlamentare e ndërtimi i shtetit ligjor.