Agim Morina, Londër
Po e shoh se disa po ngatërrohen me origjinën e perzieme kombëtare të ndonjë personi nga ish-Jugosllavia, dhe po e marrin si njëfarë njësie matëse të mundësisë me qenë apo jo antishqiptarë. Ky asht gabim i randë. Edhe në kampet e përqendrimit nacist ka pasë roja që kanë qenë hebrej. Destruktivizimi moral i një njeriu nuk lidhet me origjinën, as me përkatësinë fetare, as me asnjë vechori tjetër, pos me nënshtrimin dhe veprimin konkret tue i shërby një ideologjie kundërnjerëzore.
Për me kuptu këtë po e jap një listë të shkurtë të antishqiptarëve që nuk kanë qenë, jo vetëm serbë të kulluem, por as serbë. Bile disa kanë qenë edhe shqiptarë me origjinë. Por kanë qenë dhe kanë mbetë kriminelë antishqiptarë në shërbim të klerofashizmit serb.
Ipokrat “Vladan” Đorđevići, politikan serb me shumë poste në qeveritë serbe, një kohë kryeministër, vllah i Maqedonisë, (sipas një pohimi të Mustafa Krujës, që kishte taku nipin e tij, aj kishte thanë se i ungji ishte shqiptar me origjinë). Por me gjithë orgjinën e tij vllaho-shqiptare, Ipokrati asht një nga antishqiptarët ma të tërbuem. Autor që kishte zbulu se “shqiptarët kanë bisht”.
Nikola Pasići, politikan serb, një kohë kryeministër i Serbisë, asht me origjinë vllah, ndoshta shqiptar, nga Tetova. Një nga njerëzit që ka ba jashtëzakonisht shumë dame popullit shqiptar. Doemos, hyn në listën e kriminelëve antishqiptarë.
Branislav Nušići, emni i vërtetë, Alchiviadi al Nuşa, vllah, por thuhet se mund të kishte origjinë shqiptare, nga katundi Magarevë e Manastirit (Maqedoni). Një profesor imi më thoshte se kishte pa në Beograd testamentin që Nušići ia kishte lanë së bijës dhe aty pohonte se asht shqiptar me origjinë. Sidoqoftë, punoi si diplomat dhe i shërbeu me besniki politikës ekspansioniste klerofashiste serbe.
Ivo Andrići, kroat prej babe e prej nane, shkrimtar që dikur në rini asht deklaru se asht kroat e ma vonë asht konsideru serb e jugosllav. Kriminel. Autor i një elaborati antishqiptar mbi Shqipninë (planet për copëtimin e saj), shkru derisa ka qenë ndihmës i kryeministrit Stojadinovići, në vitin 1939.
Vuk Jeremići, ish-ministër i Jashtëm serb, antishqiptari me vulë, babën e ka serb e nanën myslimane të Bosnjës, nga familja e njohun e politikanëve Pozderac. Edhe sot e kësaj dite asht një nga përfaqësuesit ma të denjë të klerofashizmit serb.
Daja i myslimanit boshnjak, Damir Fazlićit, biznesmenit mafioz, asht Jovica Stanišići, shef i UDB-së së Slobodan Milosevićit. Dmth., Fazlići asht nga baba mysliman i Bosnjës e nga nana serb. Njihet si njeriu që në vitin 2006 ka marrë pjesë në mbledhjet e Sigurisë Kombëtare të Shqipnisë dhe ka pasë bashkëpunime të dyshimta ekonomike me politikanë të Shqipnisë.
Emir Kusturica, i biri i myslimanit boshnjak, Murat Kusturicas, dhe i myslimanes boshnjake, Senka Numankadićit, asht serb vullnetar, palaço dhe propagandues i flaktë i politikës së Miloševićit. E ka mohu publikisht kombësinë e vet myslimane boshnjake dhe asht kthy në serb ortodoks, tue e ndërru edhe emnin në Nemanja.
Miroslav Lazanski, babën e ka slloven (me origjinë polake), nanën serbe. I lindun e i rritun në Kroaci. Antishqiptar dhe një nga propaganduesit ma famëkeq të klerofashizmit serb. Thuhet se ka qenë spiun i KOS-it (shërbimi kundërinformativ ushtarak i ish-Jugosllavisë) dhe një nga lidhjet kryesore të politikës ruse me Serbinë.
E ka mirë fjala jonë e urtë që thotë:
“Mos ia shih gunën (dmth. origjinën), shihja punën,” – në këtë rast, antishqiptare, – për me e gjyku drejt.