Nga: Ervina Toptani, studiuese, Tiranë
____
Duke përgatitur një temë historike-politike për Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore.
____
Paçin shpërblimin e Perëndisë ata martirë të komunizmit e familjet e tyre që duruan robërinë!
… Mehdi Frashëri, në fjalën e tij të 28 nëntorit 1943 tha: “Sot për sot me pikëllim të zemrës konstatojmë vëllavrasje midis bashkatdhetarëve me shtytjen e të huejve. Në vend të lirisë, komplote të fshehta, vrasje prapa krahëve, përçarje në gji të familjes, tinzari midis prindëve e fëmijëve, shpifje e rrena të shpallura botërisht… Me gjithë vështirësitë e luftës, çdo komb përpiqet të organizohet nga çdo pikëpamje, kurse tek ne parti të fshehura predikojnë anarkinë. Lufta mund të zgjatet akoma për shumë kohë. Unë e shokët e mi, duke mbajtur parasysh këtë tablo tragjike të kombit tonë vendosëm pa prapamendim që të marrim përsipër barrën e rëndë të kombit shqiptar e t’i tregojmë këtij rrugën e drejtë. Të gjithë të përpiqemi me i dhanë fund kësaj anarshie e të gjithë të bërtasim Rroftë Besa e Bashkimi! Rroftë liria! Rroftë dashuria! Rroftë Shqipnia e lirë dhe e lumtun sa të jetë rrozullimi”.
Ndërsa në mesazhin e drejtuar popullit për Vitin e Ri 1944, ndër të tjera M. Frashëri shprehej: “Ne Shqipërinë e gjetëm në këtë situatë dhe morëm detyrën për të shpëtar popullin nga kuçedra e pamëshirshme e komunizmit… Sot po ju drejtohem për t`ju treguar se ku ju çon kriminaliteti i duarve të huaja…”.
Patër Anton Harapi do të thoshte: “Ma merr mendja se nuk ka zog shqiptari që të mendojë se unë e mora këtë barrë për kolltuk, për interes a intrigë… manija e Shqipnisë, po, ajo më vuni dilemën: a me anarkista për të ba gjak, a me hjekun dorë prej çështjes kombtare… Na i kemi vu vehtes një mision: të përpiqemi me të gjitha fuqitë për t’a pakësue mjerimin dhe shëmtimin shqiptar…”.
Interesant është në këtë çeshtje edhe mendimi i Faik Konicës, i cili pasi kundërshtoi ashpër e publikisht pushtimin e Shqipërisë nga Italia në 1939, kur u pa se mundësia e suksesit italian ndaj Greqisë mund të sillte edhe përfitime për vendin e tij u shpreh: “Nuk dihet se si do të vejë fati i kësaj lufte, por shpresojmë që të përmblidhen të gjithë shqiptarët në një shtet me bazë etnologjike. Vendet në Greqi e Jugosllavi ku shumica e popullit flet shqip ose vjen prej gjak shqiptari duhet t’i jepen Shqipërisë”.
Ata burra nuk e dinin ende në atë kohë se Shqipëria ishte lënë politikisht nën influencën e komunizmit sllav, prandaj bënë gjithë sa ishte e mundur për të ndaluar atë të vinte në pushtet, duke kërkuar që Shqipëria të mos ndërronte kursin e saj historik, pra orientimin e saj natyral perëndimor, në një kohë kur partia komuniste po e çonte gjithnjë e më tepër drejt Beogradit e Moskës. Interesi britanik i kohës ishte tepër i orientuar drejt Athinës e Beogradit në Ballkan e, më strategjikisht, drejt Moskës, për të shkatërruar armiqtë e tyre gjermanë sa më parë.
Gjatë L.II.B., nëse do t’i referohemi edhe autorëve anglezë, si ish-ushtarakët e SOE që punuan në Shqipëri, (SOE Special Operations Executive, organizatë ushtarake spiunazhi angleze gjatë luftës së dytë botërore e cila operonte në vendet e pushtuara nga forcat e boshtit. Ajo filloi të interesohej për Shqipërinë nga viti 1940 nëpërmjet ushtarakëve të saj në Beograd, pjesë i të cilëve ka qenë Julian Amery që kontaktoi fillimisht vëllezërit Kreziu) rezulton edhe që segmente të kësaj organizate angleze aq të rëndësishme në Luftën II Botërore, ishin në shërbim të mbështetjes së komunizmit. Ndërsa formacioneve partizane të Hoxhës i jepeshin ndihma të çfarëdo lloji, si në materiale luftarake e me specialistë ushtarakë britanikë, nacionalistëve ajo u mohohej, me përjashtim të rastit nëse ata viheshin në shërbim të komunistëve nën komandën e Hoxhës, pra automatikisht të jugosllavëve. Kështu ndihma angleze rezultoi jashtëzakonisht e rëndësishme në marrjen dhe instalimin e pushtetit të partisë komuniste në Tiranë.
Ana më ironike e këtyre vlerësimeve është se nëse këta shqiptarë që bashkëpunuan me italo – gjermanët, për një Shqipëri të bashkuar etnike u quajtën “tradhtarë”, atëherë si do të duhet të quhen shqiptarë të tjerë që më pas bashkëpunuan me serbët, kundër bashkimit të trojeve historike e etnike të shqiptarëve me trungun amë?
… Se çfarë kuptimi kishte ardhja e qeverisë së re komuniste të Frontit Nacionalçlirimtar, emër pas të cilit ata u fshehën me efikasitet që në ditët e parë të luftës, e tregon më së miri At Zef Pllumi, kur përshkruan hyrjen e brigadave partizane në qytetin verior nga 29 nëntor 1944 si turma njerëzish të veshur me çfarëdo uniforme ushtarake e që menjëherë filluan terrorin e skajshëm duke arrestuar, torturuar e vrarë qytetarët më të mirë shkodranë. Qëllimet e tyre politike mund të personifikohen fare mirë me aktin e heqjes së flamurit, të vendosur në këmbanaren e Kishës Françeskane të Gjuhadolit në Shkodër, që prej qershorit 1913, “atë rreckë që valëvitet lart, leckë që nuk ka as yllin partizan”, duke e zëvendësuar me flamurin e tyre dhe atë trengjyrësh të Jugosllavisë – “trobojnica” . Por jo vetëm kishën mbuluan ato flamuj, por mbarë rrugët e qytetit. Ato ditë rrugët e Shkodrës gumëzhinin nga djemtë e vajzat partizane që këndonin pa pushim këngë në gjuhën serbe, pasi siç duket himni i vjetër shqiptar nuk i duhej kujt më! Dhe kjo tregonte shumë qartë se çfarë drejtimi politik parashikohej të merrte Shqipëria në vitet e ardhshme.