Don Lush GJERGJI , Prishtinë
“E lamë Kosovën me lot dhembjeje dhe gëzimi…” (Ramiz Kelmendi)
Hyrje
Njeriu dhe njerëzimi s’mund të jetojnë pa falje dhe pa dashuri. Falja, pajtimi dhe dashuria nuk është thjesht vepër njerëzore, çështje e arsyes, vullnetit apo përcaktimit tonë, sepse mendoj se pjesa dërmuese e njerëzimit e kupton se e keqja nuk mundet me të keqe, por vetvetiu është tejet e vështirë, mos të them e pamundshme, pasiqë i tejkalon fuqitë tona njerëzore. Shi për këtë pa besim dhe pa ndihmën e Zotit dhe të rrethit, përkrahjen, pjesëmarrjen tonë vëllazërore nuk mundet e keqja e urretjtes, mënisë, gjak apo hakmarrjes.
Këtë e ka vërtetuar edhe përvoja jonë sidomos gjatë vitit 1990, ku kemi gjetur dhe përjetuar se motivet fetare dhe kombëtare dukshëm lehtësonin pajtimin, faljen, tejkalimin e çdo lloji vështirësie, si shtylla të fuqishme veprimi.
Pa këto elemente ne bëjmë “vrasje, hakmarrje apo edhe gjakmarrje” psikologjike, shpirtërore, nëpërmjet indiferentizmit, egoizmit, egocentrizmit, karierizmit, materialimit, konsumizmit, hedonizmit, moskujdesit për të varfër dhe të mjerë si dhe shumë dukurive tjera shëmtuese, sidomos dukurisë së shtimje, shpifjes, përgojimit, paragjykimeve, përkrahjes dhe solidaritetit për të keqe, që fatkeqësisht janë gjithnjë në rritje dhe në zhvillim të hovshëm ndër ne.
NJERIU ËSHTË NJERI AQ SA KA DASHURI, sa di dhe do të ketë mirëkuptim, dhembje, mëshirë për të tjerët, të falë dhe të kërkojë falje, pra, sa jeton me dashuri dhe për dashuri.
Kjo ndërlidhet ngushtë edhe me aspektin fetar, botëkuptimor, kombëtar, gjithënjerëzor. “Nëse ndokush thotë: “E dua Hyjin” e këndej e urren vëllanë e vet që e sheh, Hyjin që nuk e sheh, s’mund ta dojë” (1 Gjn 4, 20).
Urrejtja është djallëzore, vdekje-sjellëse, vrastare, vetëvrasje, vëllavrasje, diktatura e vetme e njerëzimit që vetvetiu nuk vdes kurrë, ndërsa dashuria dhe falja janë hyjnore dhe frytdhënëse. Shën Gjoni urrejtjen e krahason edhe me verbëri, terr: “Kush e urren vëllanë e vet, gjendet në errësirë dhe ecën në errësirë. Nuk di kah shkon sepse terri ia ka verbuar sytë” (1 Gjn 2, 11).
Jezusi thotë:“Por ju them juve që më dëgjoni: Doni armiqtë tuaj, bënu mire atyre që ju urrejnë, bekoni ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë… Si dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëjuni edhe ju atyre… Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse /edhe/ Ati juaj është i mëshirshëm. Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni. Mos dënoni dhe nuk do të dënoheni! Falni dhe do të gjeni falje!” (Lk 6, 27-28. 31. 36-37).
Përjetimet dhe kontributi i gruas shqiptare përballë gjenocidit serb gjatë luftës dhe “Eksodit ‘99”
Përvoja jonë gjatë Pajtimeve 1990 ka dëshmuar bindshëm disa aspekte të pjesëmarrjes së botës femërore në luftë kundër gjak apo hak – marrjes. Femra shqiptare është “prapavija” apo “rrënja” e jetës njerëzore në gjirin familjar dhe shoqëror. Ato kanë qenë “zëri i ndërgjegjes”, shpirtit, zemrës së nënës, bijës, gruas, motrës, që shpeshherë me shumë bindje, përcaktim, këmbëngulje kanë hetuar në mënyrë intuitave rëndësinë e faljes dhe të pajtimit, prandaj kanë ndikuar dukshëm te bota mashkullore që falja dhe pajtimi të ndodhte. Ato ishin “zëri i heshtjes” që bujshëm tingëllonte në veshë, mendje dhe zemër të popullit tonë: pa falje dhe pajtim s’ka jetë, përparim, zhvillim dhe ardhmëri.
Për mendimin tim femra shqiptare ka ndikuar shumë në pajtime dhe falje. Së pari si nënë, grua, motër dhe bijë, në rrethin familjar, me urtësi, butësi, mbi të gjitha me intuitë natyrore kanë përjetuar drejt dhe mirë që pa falje dhe pajtim, s’ka as jetë personale, familjare dhe shoqërore. Vetëm Zoti e di, si dhe pjesëmarrësit e drejtpërdrejt në këto procese, sa të mundimshme, aq më tepër edhe të lavdishme, ku femra shqiptare ishte “gaca” e mbuluar me hi për histori dhe vazhdimësi, për ruajtjen dhe mbrojtjen e jetës, për paqe dhe pajtim nëpërmjet faljes.
Jo rrallë kam dëgjuar dëshmi të tilla: po të mos kishte qenë nëna, gruaja, motra, bija ime…, unë kurrë nuk do të kisha falur.
Aspekti i dytë është pjesëmarrja në kremtime të pajtimeve, ku gratë shqiptare kanë pasur në vend të spikatur, edhe pse ndoshta si prapavijë, në heshtje, dhembje, me këshillime të urta dhe mjaft të qëlluara, me bindje dhe përcaktim. Listat e pjesëmarrësve janë të gjata dhe të paskajshme.
Unë do t’i përmendi me emër vetëm disa, si Luljeta Pula, Sanije Gashi, Nekibe Kelmendi, Safete Rugova, Resmije Kryeziu, këngëtarja e njohur Shkurte Fejza e shumë e shumë tjera… Dy vajza dhe recituese të mrekullueshme atëbotë, në Kosovë Adelina Toplica, ndërsa në Maqedoni, Adelina Marku, krijonin përshtypje dhe përjetime të paharrueshme, zbukuronin festimet e pajtimeve. Femrat tona shqiptare nuk ishin ndonjë “dekor apo zbukurim” në procesin dhe manifestimin e pajtimeve, por pjesë e çmueshme dhe shumë e rëndësishme, në disa raste edhe vendimtare, që falja dhe pajtime të ndodhte.
Së treti, ato ishin pjesë e pandashme e kësaj lëvizjeje të bekuar dhe shenjte, si në rrethin e ngushtë familjar dhe më gjerë, si pjesëmarrëse aktive dhe kreative në “përpunimin” e mendjeve dhe zemrave për falje dhe pajtim, po ashtu edhe në manifestimet publike madhore të pajtimeve, duke dhënë një kontribut të veçantë për paqe dhe pajtim. Lëvizja e pajtimeve dha një kontribut tejet të madh dhe vendimtar edhe për emancipim të tyre, të tonë, sidomos të botës mashkullore, që ngadalë e kupton, pranon dhe trajton botën femërore si partnere të barbarët, pra, si subjekt, person, pa të cilin njeriu, familja dhe shoqëria jonë do të ishte shumë e varfër, e cunguar, mos të them jonjerëzore si në jetë, ashtu edhe në veprimtari.
Ja pesë raste për mua më tipike dhe karakteristike, si dëshmi e fuqisë morale, shpirtërore dhe gjithë-njerëzore, si dhe e ndikimit të gruas shqiptare në procesin e faljes dhe pajtimit
Rasti i parë:
Më kujtohet rasti shumë domethënës në Smolicë të Gjakovës. Ishte një grua re, me fëmijë të vogël 3-4 vjeçar, i veshur me petka kombëtare shqiptare, në kraharorin e nënës.
Ajo grua fisnike dhe bujare, trimëreshë, dalëngadalë afrohet te bina e manifestimit të pajtimeve. Binte në sy që ajo kishte diçka të madhe dhe të rëndësishme për të na kumtuar. Unë zbrita prej binës për ta takuar. Më tregoi rastin e vrasjes së burrit të saj, sa më kujtohet sot, që kishte qenë mësimdhënës. Për një sjellje jo të mirë dhe mësim të dobët të një shkollari – nxënësi, mësuesi e kishte qortuar, sa duket ndoshta edhe ndëshkuar, si kujdestar dhe prindër i dytë i tij.
Babai i fëmijës ishte fjalosur me mësuesin, dhe si fundi edhe e kishte vrarë. Logjika ishte e thjeshte dhe e kobshme: fjala, sharja – vrasja!
O Zot, çfarë çmendurie dhe absurdi!
Gruaja vejë ndër të tjera më tha: Dua ta fali gjakun e burrit tim, ndërsa këtë fëmijë po ia dorëzoj Zotit, ty, juve, popullit tonë Shqiptar!
Mbeta pa fjalë. E mora këtë fëmijë – engjëll në dorë, dola para popullit, për t’ua shpjeguar këtë rast, sa të dhimbshëm, aq edhe të mrekullueshëm, ku zemra e plasur e gruas dhe nënës vejë, ngadhënjeu: Fëmijën tim të vetëm po ia dorëzoj Zotit, ty, juve, popullit tonë shqiptar!
Ky fëmijë bonjak, engjëll i pafajshëm, më përqafonte dhe duartrokiste së bashku me popullin e ngazëlluar, të përmallur dhe me lot gëzimi dhe pajtimi.
Diku e kam pasur këtë fotografi, qa tashmë e barti gjithnjë në mend dhe në zemër, me shumë përkushtim, mall, nderim dhe falënderim ndaj gruas dhe bashkëshortes heroinë, e cila me falje dhe pajtim e mbylli varrin e hapur të hakmarrjes…
Rasti i dytë:
Në rrethin e Gjilanit, në Bresalc, ditën e Pashkëve, 15 prill 1990, patëm ndër të tjera këtë rast: gruaja dhe nëna vejë, vetëm me një vajzë, studente, ishte viktimë e vrasjes së burrit të saj. Ajo ishte e vendosur ta falte gjakun e burrit, por diçka gjithnjë e mundonte. Erdhi tek unë dhe më tha: cili është vrastari i burrit tim? Kurrë nuk e kam parë dhe nuk e njoh!
Pasi u informova nga organizatorët dhe pajtimtarët vendor, ia tregova dhe përshkrova fytyrën e shëmtuar të vrastarit.
Kur u gjeten sy me sy gruaja vejë dhe vrastari i burrit të saj, fisnikja dridhej si thupra në ujë. Pas pak kohe vrojtimi dhe heshtjeje, ajo e rimori veten, dhe me zë të vendosur tha: Falë të qoftë gjaku i burrit tim!
Pas gruas vejë dhe nënë ishte bija e saj, studentja, që u shtang para vrastarit të babait të saj. Nuk ishte në gjendje as të fliste, as ta shtrinte dorën e pajtimit, të lëvizte.
Nëna e saj e trimëroi bijën më këtë fjalë shumë domethënëse: Bija ime, deri sot, ky ishte vrastari i babait tënd. Tash e tutje, nuk është më vrastar, por shok, mik dhe vëlla!
Në këto fjalë, bija ishte “çliruar”, dhe jo vetëm që ia shtriu dorën e pajtimit vrastarit të babait të saj, por edhe e përqafoi, ndërsa unë, ne, populli, me lot në sy, me zemër dhe me duartrokitje e përkrahëm dhe pëlqyem sjelljen e këtyre dy heroinave të ditëve tona, trimëresha shembullore të kohës.
Rasti i tretë:
Rasti i tretë karakteristik ishte ky: ishim së bashku me prof.. Anton Çettën, Zekiri Canën, Bajram Kelemndin dhe shumë bashkëpunëtorë tjerë te një familje në Rrafshin e Dukagjinit, që përgatitej për falje të gjakut. Pas një bisede të gjatë dhe të mundimshme, me shumë dënesje dhe dhembje, nëna që duhej ta falte vrasjen e birit të saj, papritmas u çua dhe doli prej dhomës.
Ne e shikonim njëri-tjetrin dhe ishim në pritja çka do të ndodhte. Pas pak kohe, erdhi. Në duar kishte në bluzë të përgjakur. Ishte bluza e birit të saj të vrarë. E shpalosi bluzën dhe tha: Ma ka vrarë të birin, zemrën time! Dhe vazhdoi: E ka vrarë edhe shqiponjën dykrerëshe, simbolin tonë kombëtar! Çka i ka bërë shqiponja?
Ne e shikonin këtë fisnike, njëri – tjetrin, pa asnjë fjalë. Prof. Anton Çetta i pari e rimori vetveten dhe ndër të tjera tha: Oj fisnike, Shqiponja jonë është dykrerëshe, shumëkrerëshe, dhe askush s’mund ta vrasë atë!
Pas këtyre fjalëve, gruaja u ngrit në këmbë, si e mposhti “vetveten”, urrejtje, traditën tonë të mbrapshtë hakmarrëse, dhe me gojë dhe zemër duke qarë tha: Falë u qoftë gjaku i birin tim! Mos u përsëritët më askund ndër shqiptarë kjo dukuri shëmtuese dhe vëllavrasëse!
Rasti i katër:
Më 18. 06. 1990 udhëtimi i delegacionit kosovar në Kopenhagen me këtë përbërje: Bajram KELMENDI, Fazli BALAJ, Jusuf HAKAJ, Gazmend PULA, Luljeta PULA, Avni SPAHIU dhe Don Lush GJERGJI.
Paraqitja jonë ishte më 19. 06. 1990 para afro 20 delegacioneve evropiane ishte mjaft e mirë dhe suksesshme. Tema ime ishte: Gjendja fetare te Shqiptarët në Jugosllavi. Kumtesa ime pati jehonë të madhe dhe tejet pozitive ndër shumë delegacione, ndërsa palës jugollsave nuk iu dha mundësia e pjesëmarrjes aktive dhe fjalës.
Për ne ishte një shenjë pozitiv që diçka po lëvizte në të mirë dhe dobi tonë.
Pas takimeve dhe paraqitjeve zyrtare, vizituam një familje shqiptare nga Maqedonia, rrethi i Tetovës, për të kërkuar faljen e një gjaku.
Pas ndejës dhe bisedave të shumta, erdhi edhe çasti i grave të cilat ishin tashmë të vendosura dhe thanë Na dëgjoni mirë…Ne nuk mund t’i dëbojmë këta burra që kanë ardhur prej Kosovës për çështjet tona kombëtare… Ata kanë shumë punë më të mëdha dhe të rëndësishme se ngatërresat tona… Pra, mos u koritni: çohuni e faleni gjakun, se përndryshe ne do ta falim!
I zoti i shtëpisë, dukshëm i emocionuar, papritmas doli përjashta. Gufoi në vaj. Pas pak u kthye, pasi i kishte larë sytë. I tha bijës 10 – 15 vjeçare: A ke ndonjë fletë që të nënshkruajnë këta burra, ta dimë kujt ia kemi falur gjakun.
Dhe ndodhi mrekullia, pajtimi i parë i gjakut jashtë Kosovës, ish-Jugosllavisë së atëhershme…
Rasti i pestë:
Ishim te Varrat e Llukës, më 1 maj 1990. Para morisë së panumërt, diku mbi pesëqind mijë, si pjesëmarrëse ishin edhe dy motra që e kishin humbur vëllain e vetëm në një vrasje… Kishin ardhur, si edhe shumë të tjerë, për ta festuar paqen dhe pajtimin, vëllazërimin e gjithmbarshëm shqiptar…
Duke parë dhe përjetuar këtë mrekulli, ato kishin vendosur në mënyrë spontane ta falnin gjakun e vëllait. Njëra prej tyre, u afrua dhe më tha: Duam ta falim gjakun e vëllait tonë të vetëm, unë dhe motra ime. Deri sot ishim të përbetuara që do ta nxjerrim gjakun e tij, dhe shi për këtë nuk jemi martuar… Sot përjetuam dhe kuptuam diçka krejt tjetër dhe ndryshe: ne humbëm vëllain tonë, një, por gjetëm një, dhjetë, njëqind, njëmijë, një milion vëllezër dhe motra, gjetëm popullin tonë Shqiptar. Kështu u “ngjallë” vëllai ynë në jetën tonë, mbarë populli Shqiptar!
Unë, si në hoka, i thashë Bacës Anton dhe organizatorëve tjera: e gjeta dikë që flet më mirë se unë…
Ajo doli para gjithë asaj morie populli, dhe me belbëzim dhe emocione, dha këtë dëshmi që s’do të harrohet kurrë.
Tha: O popull, vëllezër dhe motra, falë ju qoftë gjaku i vëllait tonë… Ne humbëm një, vëllain tonë të dashur, ndërsa sot në u gjetëm ju: 1, 10, 100, 1000, në milion vëllezër dhe motra, gjetëm popullin tonë Shqiptare!
Këto ishin pesë rastet më tipike dhe karakteristike, ku femra shqiptare ishte “protagoniste anonime”, “prapavija”, “rrënja, zëri i heshtjes dhe ndërgjegjes sonë njerëzore dhe kombëtare”, ajo që ndriçoi mendjen dhe zbuti zemrën për të ndodhur mrekullia e pajtimit dhe të faljes.
Disa lëshime dhe gabime tona pas pajtimeve
Pse njeriu i sotshëm, sidomos ne Shqiptarët, falim pak, vështirë, keq, pjesërisht vetëm në disa rrethana të rrezikimit, të luftës, si ndodhi gjatë vitit 1990?
Gabimi i parë më duket se edukimi i rrebtë dhe formal, që mbështetet kryesisht në urdhëra, ndalime, krijon më tepër ndjenjën e frustrimit, hurxhit dhe të paaftësisë, mbylljes, e cila shpesh shpërthen në agresivitet, sulm, urrejtje dhe në shkatërrimi, sepse familja dhe shoqëria jonë më tepër mbështet në ligje, rregullore, tradita, se në marrëdhënie ndërnjerëzore, ndërfamiljare, në përvojën e mirësisë dhe dashurisë së ndërsjellët. Ne duhet t’i zbulojmë dhe t’i përkrahim anët pozitive te vetja dhe te tjerët, sepse nëse rritet e mirja, vetvetiu pakësohet e keqja.
Këtu rol të rëndësishëm, ndoshta në disa aspekte edhe vendimtar, ka botëkuptimi ynë ndaj botës femërore, pra, ndaj nënës, bijës, gruas, motrës, fëmijëve, kuptohet, në kontekstin e familjes dhe shoqërisë.
Gabimi i dytë është garimi i egër për punë, fitim, sukses me çdo kusht, ku njeriu nuk është më askush dhe asgjë nëse nuk punon, nuk fiton, nuk ka sukses në krahasim me të tjerët, pra, subjekti-njeriu objetivizohet apo bëhet gjësend. Në këtë “garë” të pamëshirshme dikush lodhet, ndalet, çalon, s’ka fuqi dhe mbetet i frustruar, ndihet keq, nuk e ka më mbështetjen e të tjerëve, dhe si i tillë potencialisht është “kandidat” për urrejtje ndaj vetvetes dhe ndaj të tjerëve. Bota, të tjerët janë fajorë për fatin e keq, për mossukses, për dështime, prandaj janë psikologjikisht dhe shpirtërisht të cunguar, të anësuar, të dëmtuar dhe si të tillë në hall me vetveten dhe me të tjerët.
Gabimi i tretë është feja vetëm si njohuri, rregullore, ligj, në anën thjesht formale, pa përvojë dhe jetësim me Zotin-Dashuri dhe me vëllaun njeri. Nga përvoja e fesë së Zotit-Dashuri, i cili në vazhdimësi është edhe falje, mëshirë, pajtim, ndërrim, përmirësim, mësohemi dhe aftësohemi edhe ne deri diku t’i përngjajmë atij, jemi të lumtur në falje ndaj të tjerëve.
Ne Shqiptarët sot jetojmë ose nën ndikimin e individualizmit të tepruar, bajraktarizmit, vetëm si të them unë, ose të kolektivizmit anonim, mentalitetit turmor dhe grumbullor, si thonë dhe veprojnë të tjerët, pa pasur mundësi të jemi vetvetja, pa ndonjë orientim dhe përcaktim jetësor. Ndikimi i të tjerëve, i rrethit të ngushtë apo të gjerë, ende është shumë i madh, mos të them edhe vendimtar, kryesisht negativ, duke cunguar identitetin dhe personalitetin, orjentimet, bindjet, përcaktimet, veprimet dhe jetën personale dhe familjare. Shqiptari rregulloren kryesore të jetës e ka këtë parim: Si të tjerët! Kur të tjerët falin, si ndodhi gjatë vitit 1990, atëherë edhe unë ose edhe ne…, ndërsa sot, është ndryshe.
Falja tek ne ende fatkeqësisht trajtohet si dobësi, ndërsa hakmarrja dhe gjakmarrja si trimëri, si traditë e shenjtë shqiptare, si virtyt i pamohueshëm nga rrethi familjar dhe shoqëror traditor, sipas parimit të pakuptimët: gjaku nuk falet as nuk tretet kurrë!
Në tekstet shkollore, në literaturë, në krijimtari të ndryshme, si poezia, proza, piktura, skulptura, muzika, filmi, vlera dhe virtyti i faljes, paqes, dashurisë, strategjia paqësore dhe jodhunore gandiane, tereziane, rugoviane, bashkimi në dallime është shumë pak i pranishme.
Ja përshkrimi i Anton Çettës i vështirësive për pajtimin e gjaqeve: “Ishin dy shkaqe kryesore të pengimit të pajtimit. I pari ishte bindja kokëforte për ruajtjen e traditës sipas Kanunit. Disa njerëz në mënyrë fanatike shkonin sipas kësaj tradite. Arsyja tjetër ishte justifikimi i familjeve të cilat e zbatonin hakmarrjen, sepse kështu dëshironin të paraqiteshin besnike ndaj traditës…” (Giancarlo-Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo nonviolenza per la riconciliazione, EMI, Bologna, 1999, f. 52. Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. f. 37-77).
Ja edhe shpjegimi sintetik dhe profetik i Prof. Anton Çettës për pajtimin e gjaqeve: “Ne fill e kemi përjashtuar mundësinë e dëmshpërblimit apo të pagesës së gjakut: Pajtimi i gjithmbarshëm i popullit shqiptar duhet të jetë një vepër fisnike, vetëm një gjest i përvuajtërisë dhe shpirtmadhërisë së popullit tonë…
Të tjerët po na vrasin vazhdimisht, a duhet atëherë edhe ne të vritemi me njëri-tjetrin?… Jo, duhet të jemi si kurrë më parë afër dhe së bashku me njëri-tjetrin, sepse na presin sprova dhe rreziqe të ndryshme edhe më të mëdhaja…” (Giancarlo-Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo un popolo che perdona, EMI, Bologna, 1997, f. 48: Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. f. 31-105).
Derisa mos ta ndërrojmë botëkuptimin ndaj jetës, vetvetes, familjes, shoqërisë, s’mund ta ndërrojmë as veprimin, jetën tonë edhe lidhur me falje dhe pajtim, pra, për luftim dhe dëbim të gjak ose hakmarrjes.
Trimëria më e lartë është ta mundim të keqen së pari në vete, e pastaj edhe te të tjerët, sepse JEMI TË LIRË VETËM NËSE JEMI TË MIRË!
Falja dhe pajtimi – parakusht jete dhe qytetërimi
Prandaj para çdo veprimi pika e parë është kuptimi i gjendjes, si nga aspekti historik, ashtu edhe nga vështrimi aktual. Pika e dytë është ndarja e përvojave tona nëpërmjet bisedimeve, dialogut dhe komunikimit ndërnjerëzor dhe ndërvëllazëror, që të jemi së bashku si në të mira, ashtu edhe në të vështira. Gjendja konflikuale kërkon së pari harmonizimin e njeriut me vetveten, me atë që është dhe dëshiron të jetë, dhe vetëm pastaj mund të shkojmë kah hapi i dytë – marrëdhëniet ndërnjerëzore, që të vijmë edhe deri te ndjenja e përkatësisë së përbashkët apo gjithëshqiptare, te shoqëria.
Sot hak-marrja apo gjak-marrja duhet të ndërrohet edhe në terminologji, sepse thënë kështu duket se njeriu ka të drejtë, bile edhe detyrë, ta marrë hakun apo edhe gjakun!
ÇDO HAK APO GJAK-MARRJE SOT ËSHTË SË PARI VETËVRASJE, PASTAJ VËLLAVRASJE DHE SË FUNDI EDHE VRASJA E TJETRIT.
Pa vetëdije të tillë s’mund ta luftojmë këtë dukuri shëmtuesi, kancerin e shoqërisë shiptare në ditët tona.
Duhet gjithnjë ta kultivojmë KULTURËN E JETËS: nderimin, pranimin, përkrahjen dhe mbrojtjen e jetës në çdo faze, sipas parimit të njohur shqiptar: “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë”, dhe “Mjerë ajo shtëpi që s’ka pleq dhe fëmijë!”. Pse atëherë mos ta duam dhe mbrojmë jetën nga çdo rreziku apo kërcënimi, edhe nga gjakmarrja?
Kush jeton për hakmarrje, nuk jeton fare, sepse jeton vetëm për të bërë keq, kjo s’është e denjë për askend, jeton për së gjalli në varr. Urrejtja është DIKTATORI më i keq që vetvetiu nuk vdes kurrë dhe robëron të gjithë. Mu për këtë falja është parakusht jete, paqeje dhe qytetërimi, si përvoja më e rëndësishme dhe vendimtare në jetë, e cila mundëson të dalim prej vetvetes dhe të përqendrohemi në të tjerët për të jetuar të vëllazëruar dhe të bashkuar.
S’ka njeri të përsosur që s’ka nevojë për falje, si prej Zotit ashtu edhe prej të afërmit, por edhe për të falur. Nga kjo përvojë lindë paqja e vërtetë e cila mbështet në drejtësi, të vërtetën dhe mbi të gjitha në dashuri. Kjo e begaton kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë.
Dhe së fundi disa parime të shëndosha, do të thoja edhe të shenjta, për pajtimin e gjaqeve:
- Pajtimin e gjaqeve nuk e kërkonim kurrë në emër të vrastarit dhe kriminelit, por në emër të të pafajshëmve, mbi të gjitha në emër të Zotit dhe të Popullit shqiptar, të fëmijëve dhe të rinisë, për të tashmen dhe për ardhmërinë tonë.
- E keqja kurrë nuk e mund të keqen, por vetëm e mirja, falja dhe pajtimi nuk lejojnë që “zinxhiri” i traditës t’na ngulfatë dhe t’na fundosë paskajshmërisht në vëllavrasje dhe vetëvrasje.
- Falja e gjakut është trimëri kulmore, kërkesë, nevojë dhe domosdoshmëri e kohës sonë, sepse pa flakjen e kësaj dukurie, kancerit shpirtëror shqiptar, nuk ka liri dhe demokraci të mirëfilltë.
- Me falje dhe pajtim ne më së miri i nderojmë viktimat, sepse gjaku i tyre na mundëson krijimin e ndjenjës së përbashkët me mbarë popullin tonë, si një familje e madhe, si në gëzime, ashtu edhe në pikëllime, para sfidave dhe rreziqeve që doemos na priteshin.
- Ata që falin janë “heronjtë e ditëve tona”, paralajmërusesit se jeta është më e fortë se vdekja, falja më e qendrueshme se urrejtja, dashuria dhe vëllazëria rruga e vetme e shpëtimit.
- Urrejtja, dëshira për hak apo gjak-marrje është diktatori i vetëm që nuk vdes kurrë. Atë duhet ta flakim apo mposhtim ne, me ndihmën e Zotit, si dhe me përkrahjen e njëri-tjetrit. Kush nuk është i aftë për të kërkuar falje dhe për të falur, nuk jeton, është për së gjalli “në varr”, sepse është i kushtëzuar dhe përcaktuar vetëm ndaj të keqes. Jeta e njerëzve të tillë është boshe, pa kuptim, qëllim, synim, sjell vetëm fatkeqësi për vete dhe për të tjerët.
- “Sofra e Pajtimit” kishte krijuar parakushtet për ngjarjet madhore të vitit 1999 dhe më vonë, si në aspektin kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, për krijimin e strategjisë paqësore dhe jodhunore, për luftën e lavdishme të UÇK-së, për ndërhyrjen e NATO-s, në përforcimin e vlerave dhe virtyteve pa të cilat s’do të ishim ata që jemi dhe aty ku jemi sot, në Kosovën e lirë dhe demokratike.
- “Koka” apo “Zemra” e Pajtimeve ishte Prof. Anton Çetta, veprimtar i shquar dhe i dalluar, Populli, ata që kanë falur, “heronjtë e ditëve tona”, vetëdijesimi dhe përcaktimi ynë për jetë, për paqe, për liri, demokraci dhe pavarësi.
- Fatkeqësisht edhe pas kaq viteve, ende nuk kemi asnjë studim të mirëfillët ndërsciplinor rreth faljeve të gjaqeve gjatë vitit 1990 nga aspekti juridik, traditor, etiko-moral dhe fetar.
- Nëna jonë Tereze, kjo bijë, motër dhe nënë, tash Shën Tereza e jetës dhe dashurisë, na thotë: “Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim”; “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”; “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën.”
Me pajtimet e gjaqeve është tejkaluar tradita, drejtësia, mungesa e lirisë dhe shtetësisë, është zbatuar vëllazëria, falja dhe dashuria e cila na ka afruar dhe bashkuar para rreziqeve të luftës dhe asgjësimit. Kjo përvojë duhet gjithnjë të kujtohet, studjohet, paraqitet nëpërmjet mjeteve pamore-dëgjimore, shtypit, krijimtarisë, teksteve shkollore dhe mësimore, si vlerë dhe virtyt që duhet kultivuar gjithnjë e më shumë, si parakusht jete, paqeje, demokracie, si zhvillim i gjithanshëm i njeriut, familjes dhe shoqërisë sonë.