Në vitin 1660-të pas kryerjes së shkollës fillore ai shkoi në Romë, për të ndjekur kolegjin romak. Aty studioi gjuhë të vjetra dhe drejtësi. Në vitin 1668 diplomohet në drejtësi. Dhe në vitin 1670 fillon karrierën kishtare. Nga Papa Inoçenti do të emërohet si sekretar i dekreteve papnore dhe në shkurt 1690 do emërohet kardinal. Më 9 tetor 1700 zgjidhet papë i kishës katolike.
Ndihmesa ndaj Shqipërisë
Shpresa e vazhdueshme e papës me origjinë shqiptare Klementit XI, për të bashkuar Krishtërimin, dha rezultate të gjëra në Shqipëri. Kisha katolike shqiptare dhe ajo ortodokse bashkëjetuan për një periudhë. Klementi XI, u interesua shumë për rilindjen politike dhe fetare të atdheut të vet. I përket asaj periudhe mbajtja e “këshillit fetar të parë kombëtar shqiptar” (1703), i cili shënoi ndryshimet rrënjësore në linjën e veprimit të klerit për çështjet dogmatike, morale, kanunore dhe ipeshkvore.
Ndërkohë ndryshime ishin vënë re edhe në krahun ortodoks. Priftërinj të shumtë ortodoksë nga Shqipëria, i kishin drejtuar Papës kërkesa ndihme për mbështetje politike duke sjellë edhe një afrim fetar. Kështu në fillim u arrit një farë bashkimi, porse më tej, meqë nuk ishte në lartësinë e duhur, u arrit hapja e selive të kryepeshkopatave për dioqezat e Ohrit dhe Shkupit.
Përveç kësaj, në shekullin XVIII, në shumë zona verilindore dhe qëndrore u vu re dukuria e kriptokrishterimit (krishterimi i fshehur), e cila zgjati deri në ditët tona, Edhe ata që përqafuan islamin, parapëlqyen në shumicë sektet më heterodokse dhe më pak të largëta nga krishterimi, si psh bektashinjtë.
Foto nga Kisha e Kuvendit te Arberit ne Melqi te Lezhes
Nga vinte familja e Albanit?
Familja Albani e ka prejardhjen nga familja fisnike e Mikel Laçit, nga zona e Kurbinit. Mikel Laçi pati dy djem Gjergjin dhe Filipin, që ishin ish luftëtarë të Skënderbeut, të cilët pas rënies së tij u vendosën në Urbino. Atje, morën mbiemrin Albanesi që më pas e ndryshuan në Albani. Nga kjo familje rrodhën shumë kardinalë të shquar, diplomatë dhe burra shteti.
Klementi XI dhe Illyricum Sacrum
Një nga pjesët më interesante të librit “Illyricum Sacrum”, është ajo ku flitet për interesimin që tregoi Papa Klementi XI (Kelmendi), për mbledhjen e përpunimin e historisë së Shqipërisë, gjë e cila nuk u bë plotësisht sepse një pjesë e madhe e atyre arkivave, humbën teksa qerrja që transportonte ato për në Venedik, u mbyt në Lumin e Drinit në pjesën e Zadrimës. Lidhur me këtë, në faqen 221-222 shkruhet: “Papa Klementi XI, Gian Francesco Albani, nga Urbino me prejardhje shqiptare, kur ishte prift i ri filloi të mbledhë landë për historinë kishtare ilire. I penguem nga detyrët kishtare që shkuen tue ia shtue naltimin e tij deri në selin papnore u detyre të ndërpresë punimet e veta historike. Në fillim të pontifikatit të vet, mblodhi Këshllin e parë të Arbënit nën kryesinë e arqipeshkvit të Tivarit Zmajeviç, e dha urdhën që aktet e Këshillit të përktheheshin shqip e ti shifte në gjuhën e të parëve që në familjen Albani kishte mbetë vetëm si kujtim.
Në atë kohë qendra e kishave ilire ishte Raguza ku mbaheshin këshillat kishtare të Ilirisë. Mbasi patën qenë mbytur në det ipeshkvinjtë shqiptarë duke u kthyer nga mbledhja, Klementi XI vendosi që mbledhjet ndër dioceziane shqiptare andej e tutje të mbaheshin në tokën shqiptare. Qendra e parë e kishave ilire ka qenë Aquileja mandej Grado-i, e mbasi selia patriakale ilire u bart në Venedik, për arsye praktike u caktue Raguza si qendër mbasi ishte ma e përshtatshme edhe gjeografikisht.
Mbasi selia patriakale e ilirëve u bart në Venedik, e atje ishin grumbullue gjatë shekujve dokumenta, libra, monumenta edhe për Ilirinë, e mbasi Venediku kishte edhe Institute e njerëz të përshtatshëm për historografi, Papa Klementi i XI u muer vesht me Jezuitët e Venedikut e këta dërguen në Romë at Filip Riceputin, i cili mori në dorëzim nga Papa shqiptar lëndën historike të tij, planin e hartimit të historisë kishtare të ilirëve, e me ndihmën financiare për të përballuar shpenzimet e duhura për atë punë.
At Filip Riceputti mbi një barkë të Venedikut i ra për gjatë bregut të Adriatikut, duke u ndaluar në të gjitha qendrat ku kishte lëndë për punën e vet e nga këto qendra bregdetare dërgoheshin njerëz të tjerë për kërkime historike në qendrat e brendshme të vendit, prej nga i dërgohej lënda e duhur në breg të detit. Këtë punë e vazhdoi deri në qytetin E Tivarit.Prej Tivarit u dërguan lajmëtarë në të gjithë qendrat kishtare të Shqipërisë të cilat iu përgjegjën duke i dërgue secila ndihmën e vet historike shkruajsit të ardhshëm të kishave ilire. Një qerre me qe e ngarkueme me dorëshkrime, libra e objekte historike, mbasi kapërceu të gjitha vështirësitë e baltërave të Zadrimës, u mbyt në ujë duke kaluar Drinin, e humbi e gjithë ngarkesa e caktuar për At Riceputt-in.
Riceputti e ndau të gjithë lëndën e historisë kishtare ilire në katër pjesë me nëndarjet e renditjet përkatëse, simbas skemës që kishte përpiluar Klementi XI. Pas vdekjes se tij, At Riceputti me zell e kujdes përfundoi të katër pjesët e historisë kishtare ilire e kur i pati gati për shtyp, mbaruan ditët e jetës së tij e vdiq. Jezuitët, siç e kanë zakon kur vdes çdo anëtar i shoqërisë së tyre që ka në dorë çdo punë të rëndësishme, ngarkuan që të kujdesej për shtypin e dorëshkrimeve të Riceputtit njeriun e tyre më të aftë për historografi, At Daniel Farlatin. Ky mbasi studioi të gjithë veprën e Riceputt-it u raportoi eprorëve të vet se historinë kishtare e shkruar nga At Filip Receputti, ishte punë me kritere historike të vjetruara. Mbasi u studiua mirë çështja e rezultoi si kishte raportuar At Daniel Farlati, eprorët ngarkuan këtë të niste punën përsëri simbas kritereve historiologjike moderne të kohës. At Daniel Farlati shkroi, shtypi e botoi katër vëllimet e para të veprës Illyricum Sacrum e ndërroi jetë.
Figura e Klementit XI në historinë shqiptare
Në historinë shqiptare, si dhe ne fusha te tjera studimore albanologjike emri i Papa Klementit XI- Albani, përmendet si një Papë me “gjak shqiptar, “si një Pape me “origjine shqiptare,” si Papa që ka thirrut Kuvendin e Arbrit, dhe se ka pasur plot merita te tjera për çështjen shqiptare.
Megjithatë i rëndësishëm është fakti se ne asnjë rast nuk shpërfillet prejardhja e tij shqiptare nga autorë te huaj, por përkundrazi theksohet “krenaria” e tij shqiptare dhe veprimtaria e tij për çështjen Shqiptare, e cila gjithkund formulohet si një veprimtari atdhetare. Papa Klementi XI – Albani e dinte fort mire atë fjalën ungjillore “se çdo pemë njihet dhe dallohet nga frutet e saj,” ashtu si kundër çdo shqiptar, veçanërisht ne shtetet e huaja, dallohet në shqiptarizmin e tij, nga veprat qe ai kryhen ne dobi te çështjes kombëtare dhe te jetës se shqiptareve. Kështu qe edhe për Papa Klementin XI – Albani mund te thuhet se me mire e dine te huajt shqiptarizmin e tij se sa e dine në të vërtete vete shqiptaret, te cilet ne tjetersimin e tyre gjate sundimeve te huaja janë larguar pak a shume nga traditat evropiane. Qëndrimet politike dhe origjina e tij shqiptare do te ndikonin qe Kardinal Francesk – Albani të zgjidhet Papë, për të dhënë një kontribut më të madh edhe në jetën politike në ato vite, kur Evropës po i kërcënohej rreziku nga Perandoria Osmane.
Me 25 prill 1993, gjatë vizitës në Shkodër të Papa Gjon Palit të dytë dhe ne intervistat qe i parapriu kësaj vizite, disa here e ka përmendur emrin e Papa Klementit XI-Albani, duke theksuar lidhjet e tij, madje edhe ne forme te ngushte, ne mes te Vatikanit dhe Shqipërisë, lidhje këto qe ishin te vazhdueshme dhe gjithmonë te mira për udhëheqësit popullore shqiptare. Si dallim nga Papet e tjerë, autori gjerman, (mbase me i njohuri i historisë se Papeve) L.B. Von Pastor, pikërisht Papa Klementit XI-Albanit i ka kushtuar hapësirën me te madhe ne një vëllim, çka do të thotë se edhe nga aspekti bashkëkohor, Papa Klementi XI- Albani konsiderohet Pape “i madh”, që ka lëne gjurmë te thella ne Kishën Katolike dhe ne jetën politike evropiane. Epiteti “i madh” zakonisht përdoret për ata Papë, qe kishin sukses ne organizimin kishtar, ne jetën politike, etj. Prandaj dhe trupi i tij i shenjtëruar gjendet sot, sipas rradhes, ne anën e djathte ne pjesën lart te Bazilikës se Shën Pjetrit ne Vatikan, kurse portretet dhe bustet e tij janë te shumta, si ne Rome ashtu edhe ne Urbino,, ne vendin e lindjes, e ne vende te tjera.
Krenaria e origjinës Shqiptare e Papës Klementi XI -Albani u shfaq edhe ne çastin kur u zgjodh Pape. Mbas emrit te Papnor, ai vendosi dhe mbiemrin e vet Albani, për tu dalluar përpara botës se është shqiptar. Në këtë mënyre, ai vazhdimisht emrin Alban e ka motivuar me boten Shqiptare. Në historinë e gjate te Papatit, qe se bashku me Papën Gjon Pali i II, bëhen 263, ky rast do te ishte ndoshta i vetmi, qe Papa paraqitet me mbiemrin e vet karakteristik te kombësise se tij. Edhe biografi francez i Klementit XI- Albani, M. Reoule e ka theksuar këtë çast te pa kujdesur të Papës për çështjen kombëtare, duke thënë: “Gjon Francesk Albani, qe kishte prejardhje shqiptare, u kujdesua posaçërisht për fatin e Kishës në vendin e paraardhësve te tij. Me nismën e tij u mblodh Kuvendi i Ipeshkvinjeve katolike të Ballkanit (14-15 janar 1703). Kjo ishte një fitore e madhe për kulturën dhe kombësinë shqiptare, mbasi që klerikët ishin të paret, që filluan të shkruanin në gjuhën shqipe dhe të krijonin përmendoret e para të letërsisë shqipe.”