ARKIVI:
23 Nëntor 2024

Paranoja sfiduese apo Kryeministri Albin Kurti

Shkrime relevante

Kush më shkroi letër në emër të Bujar Bukoshit, 24 vite më parë? Gjetja e autorit të letrës do të zbulonte shumëçka…!

Gjergj - Bajram Kabashi ___ Shkruar më 17 nëntor 2024 ___ Ja si nisi provokimi...

Zgjedhje për vazhdimësi politike, jo për ndryshim!

Florim Zeqa  Në kohën kur është intensifikuar (para) fushata elektorale e partive...

Historia e ortodoksizmit shqiptar, e shpjeguar me urti e fakte historike

https://www.youtube.com/watch?v=w60i7AO1Tfk&fbclid=IwY2xjawGuhGNleHRuA2FlbQIxMQABHXRlD0TIhxlydf7v48mN8HSJIi7BbPDau5JBPjMJ1nP4EoSdRc3EvbXR7A_aem_Orfl15eTgvC5InDLU_u30Q Fan Stilian Noli

Putini është i varur nga lufta

Vladimir Putin në një takim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe industrinë...

Shpërndaj

Januz Januzaj, shkrimtar, Istog
___
Albin Kurti, njëzet vjet rresht ka vuajtur me maninë për t’i sunduar të gjithë; Kosovën e krejt kombin dhe kështu, kur ta marrë pushtetin, këtu e menjëherë, që ta bëjë prerjen e historisë dhe atë histori do ta nis me formulime pseudo – fetare se ai është 𝘭𝘶𝘧𝘵ë𝘵𝘢𝘳𝘪 𝘪 𝘬𝘰𝘳𝘳𝘶𝘱𝘴𝘪𝘰𝘯𝘪𝘵 𝘦 𝘬𝘳𝘪𝘮𝘪𝘵, 𝘴𝘩𝘱ë𝘵𝘪𝘮𝘵𝘢𝘳𝘪 𝘪 𝘱𝘰𝘱𝘶𝘭𝘭𝘪𝘵 𝘦 𝘴𝘩𝘵𝘦𝘵𝘪𝘵, deri te bindja, do të thosha, mani se, 𝘮𝘣𝘪 𝘬ë𝘵ë 𝘮𝘫𝘦𝘥𝘪𝘴 𝘵𝘰𝘬ë𝘴𝘰𝘳, 𝘢𝘪 𝘥𝘩𝘦 𝘷𝘦𝘵ë𝘮 𝘢𝘪, 𝘻𝘣𝘢𝘵𝘰𝘯 𝘥𝘳𝘦𝘫𝘵ë𝘴𝘪.
Thelbi i personalitetit autoritar është mungesa e ndërgjegjes shoqërore: kryeneçësia për të qenë i vetëm, i vetmuar, vetëm ai, mbi të gjithë dhe pa asnjë, pra paranoja për ta përballuar lirinë.
Personi që ka liri është i lidhur me njerëzit e mjedisin, e ndërsa populli është themeli i tij. Liria dhe shoqëria duhet të pranohen me ndjenja e me mendje, jo të nëpërkëmbën me inteligjencë manipuluese.
Karakteri autoritar është i vetmuar, i tërhequr dhe i kapluar nga një mosbesim ndaj secilit dhe gjithçkaje. Ky karakter i brumosur prej sistemeve, tashmë, të njohura totalitare, qoftë sadiste apo mazohiste, shkon me bindje se udhëheqësi është një dhe i vetmi, pra, është partia dhe shteti, apo idetë e tij janë të gjithëfuqishme e të pa diskutueshme, sepse ai vetë është i paprekshmi e shpëtimtari, duke shpërthyer nga një mjedis hyjnor, assesi nga ai tradicional tokësor.
Kryeministri paqësor e i gjithëdijshëm qe katër vjet i viziton familjet e të vrarëve në luftë, viktimat e dhunës gjinore në luftë, vendet ku prej pushtuesit serb janë kryer krimet, vrasjet, ndjekjet e deri te gjenocidi, por asnjëherë nuk i ka vizituar vendet e betejave të famshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, as vendet ku kanë rënë, për liri, bijtë dhe bijat më të mirë të kombit. Qytetarët e kësaj toke; fëmijë, vajza, gra, burra, pleq e plaka, të vrarë në shtëpitë e tyre, në rrugë, në fusha, në male, në atdheun e tyre, edhe ata janë përbërës i themelit të lirisë së vendit tonë. E Kryeministri i sotëm nuk mund të jetë përbërës i themelit të lirisë, pasi atë e ka 𝘷𝘳𝘢𝘳ë historia, ndërsa as pjesë e trupit të shtetit, sepse, për çdo ditë, po e vret veten. Kur të ,,ikën’’ historia, më nuk ka kthim.
Veprimtaria e këtyre viteve e Albin Kurtit, më shumë se garë partiake e politike për pushtet, ka qenë autoritarizëm, sulme mohuese e monizëm i karakterit diktatorial dhe i mendjes nënshtruese njerëzore. Ai, narcisoid, ka tejkaluar çdo kufi moral me fushatë përjashtuese, bishtnuese e poshtëruese ndaj luftëtarëve të lirisë, ndaj politikanëve që Kosovën, jo vetëm e kishin çliruar, por edhe po e ndërtonin e gjallëronin me dije e pa dije, me suksese e me huqe, me popullin e me vendin dhe me faktorin ndërkombëtar; prej asgjëje deri te ngritja e shpirtit kombëtar, moral, kulturor, bashkëpunues e mendja shtet formuese. Propaganda e egër e politikanit mendjemadh kundër secilit e kundër çdo gjëje në Kosovë, duke e ndërtuar rrëfimin për krim e korrupsionin në vend e kapjen e shtetit, e kanë thelluar edhe më shumë ndarjen e popullit.
Në institucionet tona publike e shtetërore, diktatura, nepotizmi, kulti i udhëheqësit, monizmi partiak, fryma nënshtruese e qeveritarëve, janë të përhapura dhe e karakterizojnë mjedisin e sotëm politik, ekonomik, administrativ, të sigurisë, të kulturës e të shëndetësisë, si frymë mohuese, arkaike e përjashtuese, e cila përpiqet të përhapet dhe të fitojë hapësirë edhe për shumë kohë !
Vetëvendosja, duke rrëshqitur në pozitat e partisë shtet, me një kabinet qeverisës, më shumë vasalë sesa të ditur, nuk po e përparon vendin, por po e shkatërron mjedisin tolerant e demokratik, duke i ngulfatur institucionet shtetërore, të ngritura me mund e flijim. Atyre iu është marrë shpirti dhe iu është shtrirë venitja. Kjo metastazë është ushqyer me ide e me fushata për të shtuar nënshtrues.
Ngërçi, konflikti e prapambetja shoqërore dhe ekonomike e Kosovës, në thelb, është mungesa e udhëheqësve pa ideologji. Kryeministri i sotëm dhe Kryetarja e vendit janë në ngërç ideor e njerëzor dhe në këtë vazhdë edhe populli është futur në rrugë pa krye.
Shtresa politike që udhëhoqi Kosovën për 20 vjet, filloi nga zeroja; me drejtime e me lakime, e trasoi një mjedis zhvillimor, ekonomik, kulturor, publik e privat duke ia lënë pasardhësit që ta vazhdojë edhe më mirë. Por, kot, pushtetarët pasues, me firmën Vetëvendosje, po e kryejnë kohën e tyre katërvjeçare me një qeverisje të përçudnuar, totalitare e të frikshme! Kjo ,,lidhje e shkurtër’’ në mes monizmit e dualizmit, që e mori drejtimin e shtetit, doli të jetë shtrirje e autoritarizmit, paranojës dhe keqpërdorimit të vullnetit të popullit. Përderisa Kryetarja e shtetit nuk e njeh asnjë gjuhë, përveç asaj të vetes, Kryeministri egocentrik i flet të gjitha gjuhët ( pos frëngjishtes, që në të ardhmen do ta mësojë ), i di të gjitha politikat dhe i luan të gjitha rolet – edhe atë të filozofisë e drejtësisë.
Albin Kurti, si sehirxhi, prej një vendi në tjetrin, si cirkus, prej një shfaqjeje te tjetra, i numëron arritjet e sukseset e tij 𝘱ë𝘳 𝘱𝘰𝘱𝘶𝘭𝘭𝘪𝘯, 𝘱ë𝘳 𝘥𝘦𝘮𝘰𝘬𝘳𝘢𝘤𝘪𝘯ë 𝘦 𝘱ë𝘳 𝘴𝘩𝘵𝘦𝘵𝘪𝘯, të cilat janë aq shumë sa që, ata të cilët i konkurrojnë, nuk do të mundnin me muaj, bile as me vite, që t’i shohin të gjitha ato bëma.
Vetëmashtrimet e Kryeministrit me politikën e filozofinë private në qeverisje, e shfaqin personalitetin, i cili nuk pranon të dëgjojë, e aq më pak të këshillohet për zhvillimet reale, sepse nuk përputhen me andrallat dhe me perceptimet patologjike të tij.
Pra, kur e shohim Albin Kurtin me këtë shtjellim pushtetari e intelektuali, që nuk i përket as shfaqjes teatrale, as filmit e as filozofisë tokësore, atëherë mund të kuptohet se përballë dhe në krye qëndron personi i cili rrënjësisht është i zhvendosur prej jetës materiale të këtij vendi.
Vetëvendosja, edhe pas 4 vjet pushtet, propagandon për fitore të radhës përmes parullave të vjetra për ryshfet, duke ia mbyllë gojën popullit dhe duke ia mbajtur te koka të kaluarën ,,me vjedhje e krime’’ përmes figurës së vetme, 𝘴𝘩𝘱ë𝘵𝘪𝘮𝘵𝘢𝘳𝘪𝘵 të popullit e politikanit të gjithëdijshëm.
Heshtja e intelektualëve është e dëmshme dhe me pasoja, përderisa edhe të gjitha shtresat e popullit duhet ta shohin dhe të sillen me përgjegjshmëri njerëzore e kombëtare që kur të vijë koha e zgjedhjeve t’i përkrahin kandidatët dhe partitë politike që kanë lidhje me jetën e përditshme, në vendin tonë të çliruar me gjak, dhe ta përbuzin frymën paranojake, qeverisjen autokratike e kartelën moniste.
Nëpër periudhat vendimtare të historisë, ne shqiptarët, kemi qenë të ndarë. Edhe tash, në liri, jemi të ndarë, bile këtë ndarje e ka thelluar edhe më tej Albin Kurti, i cili u bë veteran i luftës edhe pse nuk e shkrepi asnjë plumb për çlirim. Ai, nuk e pranon këtë liri, mirëpo për lirinë e tij nuk do të ketë më luftë.
Por, para luftës që nuk do të vijë, magjistari le të zgjohet prej somnambulizmit, ta shikojë ,,fytyrën” reale të shtetit ligjor demokratik; edhe pse të ngushta, rrugët i ka të hapura prej qeverive paraprake! Jeto, pak, bile pak, në këtë vend që po braktiset, shikoje nivelin e arsimit, preke pak, bile një herë shëndetin e popullit, mos ha bukë në restorant, qoftë ai edhe në veri, lëri shpurat me polici e vetura, merru me lindjen, me jugun e veçanërisht me perëndimin, veriu është aty, policia në tokë e në flamur, sovraniteti në kulm!
Nuk habitem që në mjedisin patriarkal, popullist e ndarës ata shamanë ( bij të qiellit e çudibërës ), luajnë me popullin e me shtetin. Aty, në ballë, shtrin sovranitetin fytyra e trishtuar e krijuesit dhe sodit kryeveprën, që vet ia ka marrë shpirtin. Dëshirë gërryese për t’u bërë pjesë e historisë, me çdo kusht, pa kursyer asnjë mjet.
Në botën e iluzioneve që ka ndërtuar vetë dhe më pas u bë banor i përhershëm, çka nuk mban firmën e tij është tradhti, dhe kushdo që nuk mbështet çdo firmë të tij është tradhtar. Fjalë, relikte prej diktaturave, të cilat janë shndërruar në rroba të përkrahësve fanatikë si maskotë e vendit tonë
Nuk ka njerëz më të mërzitshëm dhe më të pështirë sesa ata që flasin e bërtasin për të kaluarën!
Albin Kurti nuk duhet rrëzuar, por duhet çmontuar, si veprimtar mohues, si politikan përçarës, si partiak mashtrues dhe si pushtetar paranojak.

K O M E N T E

1 KOMENT

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu