Nga Arbën Xhaferi, 2007
Skemat politike shpesh depërtojnë lehtë në botëkuptimet e njerëzve, qofshin ata të zakonshëm apo njohës të mirë të rrethanave, dhe vështirë çrrënjosen. Tanimë, çdo analist që zhvillon teorinë për pasojat e konflikteve në Gadishullin Ilirik niset nga premisa, tashmë e aksiomatizuar për ekzistencën e një aleance të natyrshme mes Serbisë dhe Greqisë, si dhe ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë. Ata që janë të prirur për patetikë nuk hezitojnë t’i shtojnë brengat e njerëzve, duke pohuar se këto fërkime mund të shkaktojnë pasoja të pariparueshme për strukturat veri-atlantike, meqë Turqia dhe Greqia qenkan anëtare të NATO-s. Por, shikuar nga një kënd realist, i liruar nga skemat paragjykuese, ekziston një aleancë paradoksale mes politikës greke, serbe dhe turke, që i ka rrënjët më të thella sesa mendohet.
Politika dhe propaganda serbe, dhe ajo greke në vazhdimësi, e përsërisin dhe e ndërtojnë tezën për shqiptarët si element jo luajal, si mish i huaj në organizmin evropian. Kjo teori mbështetet mbi premisën e përkatësisë fetare dhe mendësisë totalitare, në kuadër të së cilës çdo gjë kundrohet nga këndi polarizues, manikeik, bardhë dhe zi, ku shqiptarët paraqiten si element i huaj, si myslimanë, që asesi nuk mund të jenë elementë integrativ në sistemin e vlerave evropiane. Kjo propagandë, e përshkuar me imputime neveritëse është intensifikuar deri në paroksizëm pas aktit terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001. Sipas njohësve të rrethanave dhe të fenomeneve të tilla, por edhe sipas pohimeve të liderëve të partive politike serbe apo greke ( bie fjala si V. Shesheli) për këtë qëllim janë destinuar me miliona dollarë. Me këto para financohen incidentet e llojeve të ndryshme, prononcime apo ngjarje që vërtetojnë këtë pohim. Segmentet e caktuara të institucioneve greke apo serbe formojnë opinionin, për gjoja të rrezikut që i kanoset qytetërimit perëndimor, nga islamizmi fondamental në përgjithësi, dhe i shqiptarëve në veçanti. Nga ana tjetër, segmente të caktuara të shoqërisë apo i shtetit turk, me, apo pa vetëdije, japin argumente, ose thënë më mirë demonstrojnë tezën se shqiptarët janë pjesë e pashkëputur e qytetërimit osman. Këto ditë, sipas lajmit që dha kanali televiziv shqiptar “Top-Channel”, në Librazhd, autoritetet fetare të kësaj ane së bashku me segmente të caktuara turke kanë organizuar synetimin kolektiv të më se 200 fëmijëve shqiptarë, sipas traditës turke. Kamera e “Top-Channel-it” na ofroi pamje nga kjo ngjarje bizare, ku fëmijët të veshur me rroba prej satenit të bardhë, me kapuça në trajtë të fesit ku shkruhej “Mashallah”, valëvitnin herë flamujt të shtetit turk, dhe herë ato shqiptar. Natyrisht se askujt nuk duhet t’i pengojë aspekti fetar i kësaj ngjarje beninje, por konotacionet politike dhe efektet që ato krijojnë në opinionin e jashtëm dhe atë të brendshëm. Ç’është e vërteta, kjo ngjarje politiko-fetare nuk është aksidentale, por tashmë e shndërruar në traditë. Kohë më parë në muajin e Ramazanit, strukturat e tilla organizonin iftare kolektive në sheshet e qyteteve, që dikur ishin të sunduar nga Perandoria Osmane. Këto projekte që kontrabandohen përmes petkut fetar krijojnë një varg problemesh brenda për brenda komunitetit shqiptar, por edhe në raportet shtetërore, apo kombëtare të shqiptarëve me kontekstin evropian. Me këto organizime, financuesit e këtyre manifestimeve, aspak religjioze, sikur dërgojnë mesazhin për pretendimet kulturore-qytetëruese të shtetit modern turk në hapësirat e dikurshme të Perandorisë Osmane. Këto manifestime dhe heshtja jonë krijojnë pretekstin që edhe të tjerët, grekët, apo serbët të organizojnë pagëzimin e një numri të ngjashëm të fëmijëve ortodoksë shqiptarë, që në duart e tyre do të valëvitin flamurin grek, apo serb. Nëse do të ndodhte kjo, reagimi ynë do të ishte i rreptë dhe i arsyeshëm, që do të hapte debatet publike që do të krijonin pistat e kontradiktave të pariparueshme fetare, kombëtare dhe shoqërore në përgjithësi.
Tashmë në opinionin shqiptar është krijuar ideja fikse se grekët dhe serbët janë të ligë, ndërkaq turqit janë të mirë. Nëse ky pohim do të ishte i saktë, atëherë shqiptarët nuk do të ishin në këto telashe që nuk dihet sesi do të përfundojnë.
Ky paragjykim, që është shtrirë në të gjitha hapësirat shqiptare, madje edhe te pjesëtarët e të gjitha besimeve fetare, buron nga pohimi se sundimi osman dhe islamizimi i shqiptarëve e ndërpreu procesin e asimilimit të tyre. Mirëpo, ky pohim nënkupton se fjala asimilim ka vlerë parciale, ngaqë dedikohet vetëm për rastet kur shqiptarët asimilohen nga sllavët, grekët apo italianët, dhe jo nga turqit. Pra, në mënyrë të pavetëdijshme bëhet selektimi i asimilimit, duke e ndarë atë në të mirë dhe në të ligë.
Shikuar historikisht sebët dhe grekët kanë atakuar trupin tonë duke tentuar ti shfarosin shqiptarët. Ndërkaq politika osmano-turke ka tentuar të zhdukë qenien (shpirtin), identitetin kombëtar shqiptar. Të gjitha këto tentativa kanë qenë antishqiptare pavarësisht nga format që janë zbatuar në periudha të dukshme.
Tashmë, është bërë proverbial konstatimi i presidentit të dikurshëm të Turqisë z. Demirel, i cili në takim me homologun e tij, me gjasë z. Mejdani, ka pohuar se presidenti real i shqiptarëve qenka ai vetë, ngaqë në Turqi jetuakan pesë milionë shqiptarë. Sipas kësaj logjike, në vazhdimësi imponohet bindja se paska asimilime pozitive dhe negative. Të bëhesh turk qenka mirë, ndërkaq të bëhesh grek, serb, apo italian qenka mëkat. Në vijë të këtij konstatimi duhet analizuar fakti pse në Turqi, gjatë krizës kosovare, nga pesë milionë shqiptarët nuk u krijua një lobi që do ta detyronte shtetin turk, në emër të stabilitetit të brendshëm të angazhohet, madje edhe të implikohet më konkretisht në krizën jugosllave duke u dalë zot shqiptarëve.
Të gjithë shqiptarët, sidomos përfaqësuesit politik, pa marrë parasysh përkatësinë fetare, sot e gjithë kohën e përdorin frazën “populli vëlla turk”. Kjo shprehje intime do ta arsyetonte veten nëse do të kishte efekte pozitive për mirëqenien e shqiptarëve, por fatkeqësisht bie ndesh, jo vetëm me origjinën e dy popujve, por edhe me realitetin e hidhur historik. Para disa kohësh pata nderin ta takoja një këshilltar me ndikim në qeverinë turke dhe u përpoqa t’i shpjegoja disa shqetësime të shqiptarëve lidhur me paragjykimet që kanë dëmtuar vazhdimisht interesin tonë kombëtar. Pas një elaborimi të gjatë dhe të sinqertë nga ana ime, ai sërish e përsëriti si vlerë paragjykimi që vinte ndesh me realitetin. “Ne, juve, boshnjakët dhe kurdët nuk ju trajtojmë si arabët, apo iranianët, por ju ndiejmë shumë të afërt me ne. Për ne, ju jeni akraba ( kushërinj)”. Këtë konstatim ai e tha me një patetizëm mëshirëplotë. Me një akrobacion retorik, i prirur nga bindja se të jesh turk është bekim hyjnor, këshilltari qeveritar turk me ndikim e ricikloi pa dilema idenë se shqiptarët janë pjesë e idiomës turke, se ata nuk janë popull (milet) si popujt e tjerë, arabët, iranianët, grekët, serbët, bullgarët etj. Në mënyrë të pavetëdijshme, sa elegante, aq edhe brutale, ai e suspendoi identitetin shqiptar, që me aq sakrifica është mbrojtur gjatë furtunave historike.
Trajtimi i shqiptarëve si akraba të turqve, dhe jo si milet, ka pasur pasoja katastrofale për interesat e shqiptarëve gjatë sundimit osman, veçmas gjatë shpërbërjes së kësaj perandorie. Tashmë është vërtetuar katërcipërisht se mos trajtimi i shqiptarëve si popull lë pasoja të rënda, jo vetëm në fushën politike, në kohën kur formoheshin shtetet ballkanike, por edhe në fushën arsimore, kur autoritetet osmane ndalonin hapjen e shkollave shqipe duke orientuar shqiptarët që të edukohen në shkollat greke, apo sllave.
Meqë kohët e fundit bëri bujë kërkesa e kryeministrit shqiptar Berisha për rishikim të historisë, e shoh të udhës ta përqendroj vëmendjen e analistëve, për pasojat e marrëveshjeve, kryesisht turko-ruse ( sllave) për interesin e shqiptarëve, apo të myslimanëve të asaj kohe. Pas një vargu humbjesh të betejave me rusët, Perandoria Osmane ua jepte të drejtën për autonomi sllavëve që kishte një klauzolë të veçantë që shpjegon shkakun e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqinë e sotme. Kur iu dha autonomia serbëve, njëherësh u ndalua e drejta e myslimanëve që të jetojnë në këtë shtettë krishterë. Kjo klauzolë shpjegon pastrimin gradual etnik shqiptar nga zonat e pushtuara nga serbët, fillimisht nga pashallëku i Beogradit, pastaj, me zgjerimin e territorit serb në jug nga rrethi i Nishit, dhe përfundimisht nga Kosova dhe Maqedonia, natyrisht edhe të boshnjakëve nga Bosnja, Sanxhaku etj. Këtë parim, prijësi legjendar i Turqisë moderne Kemal Ataturku e shndërroi në parim obligues: në Turqi ka vetëm turq dhe jashtë Turqisë nuk ka turq. Mirëpo, zhvillimet historike treguan se ky pohim nuk ishte i saktë, por përkundrazi në Turqi paska shumë jo turq, si dhe jashtë Turqisë shumë turq.
Shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, vështirësitë në krijimin e shtetit shqiptar dhe cungimi i tij ishte pasojë e mohimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve.
Ideologët turq të këtij klasifikimi ishin logjikisht dhe moralisht koherent. Duke na trajtuar si arkaba të turqve, ata nuk shihnin asgjë të keqe nga shpërngulja jonë në Turqi, meqë pas humbjes së luftërave në Rumeli për ta ishte e natyrshme që popullin e vet ta tërhiqte në shtetin ku ata qeverisnin. Kulmi i këtij parimi, që lejonte pastrimin etnik, u arrit në Marrëveshjen e Lozanës, kur Turqia dhe Greqia u pajtuan që të këmbejnë popullatën greke nga Turqia Perëndimore dhe popullatën turke apo myslimane, rrjedhimisht edhe të çamëve nga Greqia në Turqi. Marrëveshje të këtilla Turqia bëri edhe me Jugosllavinë e parë, por edhe me atë të Titos për shpërnguljen e shqiptarëve dhe boshnjakëve nga trojet e tyre etnike. Pra, përfaqësuesit e “popullit vëlla turk” duke na trajtuar si akraba u pajtuan, madje dhe hartuan projektin për spastrimin e Rumelisë, të Gadishullit Ilirik nga popullata autoktone, të islamizuar nga vetë ata. Kjo mendësi ndikoi në dobësimin politik, ekonomik, ushtarak dhe demografik të popullit shqiptar, kështu që sot e kësaj dite i ndiejmë pasojat e këtyre vlerësimeve të gabueshme.
Këto paragjykime dhe botëkuptimet perandorake turke, meapo pa vetëdije, lënë pasoja negative për interesin shqiptar, madje edhe në kontekstin aktual ku vendoset përfundimisht fati i kombit shqiptar. Në Kosovë kontributin e vet për vendosjen e paqes e jep edhe kontingjenti i ushtarëve turq. Shqiptarët ndiejnë obligimin që të falënderohen për impenjimet e tyre për vendosjen e rendit dhe të sigurisë, por e kanë të vështirë të kuptojnë përpjekjet e tyre për turqizim, asimilim të popullatës myslimane sllavisht-folëse, apo shqip-folëse. Me këtë politikë, ata mund të arrijnë vetëm një objektiv: zvogëlimin e përqindjes vetëm të popullatës shqiptare, që në parim nuk do të ishte në favor të “popullit vëlla turk”.
Një popull që nuk arrin t’i zbërthejë paragjykimet e veta, po ashtu nuk do të arrijë t’i kuptojë gabimet dhe përsëritjen e tyre. Gabimet e tilla ndikojnë që të mos përkufizohet qartë dhe përfundimisht identiteti kombëtar.
Marrë nga:
www.zemrashqiptare.net