ARKIVI:
25 Nëntor 2024

Për herë të parë në median shqiptare për tragjedinë e para 49-vjetëve, ku në Frankfurt të Gjermanisë Federale, më 12 shtator të vitit 1973, patën humbur jetën nëntë të rinj nga Podujeva

Shkrime relevante

Presidentja Vjosa Osmani takoi Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Boris Ruge

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Ndihmës...

Rrugëtim Kombëtar: Promovimi i Historisë së Kosovës në Shtetet e Bashkuara te Amerikës

Nga: Adem Lushaj Reportazh “Krimet serbe në Kosovë - Rasti i Deçanit” dhe...

Mirënjohje profesor Fatmirit për “Fjala e Lirë”

Nga: Fahri Dahri Njeriu është  i paisur me komplekse, si qenie e...

Vendoset gurthemeli i nënstacionit të Policisë së Kosovës në fshatin Izvor, Komuna e Zveçanit

Zveçan, 25 nëntor 2024 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë...

Shpërndaj

Nga: Arif Ejupi

Përherë të parë në shtypin shqiptar botohen detaje nga tragjedia e para 49-vjetëve, ku në Frankfurt të Gjermanisë Federale, më 12 shtator të vitit 1973, patën humbur jetën nëntë të rinj nga Podujeva.

DYZET E NËNTË VJET NGA VDEKJA ENDE ENIGMË E NËNTË GASTARBAJTERVE LLAPJANË

Imigrimet e popullit shqiptar nga vendbanimet e tyre kanë nisur shumë herët. Ato të shumtën e rasteve janë imponuar nga dhuna dhe terrori serbë i ushtruar ndaj tyre ndër vite e shekuj.

Serbia me miratimin e Rusisë Cariste gjatë viteve 1887-1878 i bënë rrafsh me tokë 600 fshatra të Sanxhakut të Nishit, popullsinë e të cilave e përbënin kryesisht shqiptarët.

Me bajoneta në fyt e duke i shtruar në dajak ajo i ndjek nga trojet e tyre stërgjyshore me mijëra e mijëra shqiptarë.

Çuditërisht kjo ngjarje gjenocidiale asnjëherë nuk u trajtua nga organizatat ndërkombëtare, të cilat kishin detyrë Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Heshtja dhe indiferentizmi i superfuqive të kohës përballë këtij gjenocidi sikur ua hapi rrugën krimeve të reja. Serbia edhe gjatë viteve 1912-1913-1920-1945 kreu masakra të shumta mbi popullin shqiptar.

Edhe pse shqiptarët dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në Luftën Antifashiste prapëseprapë do të diskriminohen dhe do të privohen nga e drejta për të jetuar në një shtet të përbashkët.

Pas Luftës se Dyte Botërore, Serbia dhe ish-Jugosllavia edhe pse i kishin ndarë në copa viset shqiptare nuk i kushtonin fare rendësi zhvillimit të Kosovës, sepse mbi 90% e popullsisë së saj ishte puro shqiptare dhe me rrënjë pellazgo-ilire.

Prandaj, integrimi i tyre në shoqërinë jugosllave as që diskutohej. Preokupim kryesor i çarqeve të Beogradit ishte që çështja shqiptare të zgjidhet me asimilim dhe shpërngulje të tyre të përshpejtuar në Turqi.

Vasa Cubrilloviq si një antishqiptar i përbetuar Ministër i disa resorëve në qeverinë e Titos, kishte hartuar elaboratin për shpërnguljen me forcë të shqiptareve dhe të bashkësive tjera me përkatësi jo-sllave (gjermaneve, hungarezeve, rumuneve, italianeve e turqve etj. ) nga trojet e tyre.

Në vitet e 50-ta, rifillon vala e re dhe mjaft intensive e shpërnguljes së shqiptarëve me dhunë në djerrinat e Turqisë.

Në mënyrë që të mbulohet ky krim para botës në dimrin e acartë të vitit 1955-1956,ultrashovenisti serb Aleksandër Rankoviq, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Brendshme në kabinetin qeveritar të Josip Broz Titos, trillon vetëm ndër shqiptarë aksionin e mbledhjes së armëve.

Nëpërmjet këtij aksioni famëkeq deri në fund të viteve të 60-ta, kur edhe u ndërpre ky eksod nga Kosova për në Turqi u shpërngulen me dhunë rreth 250 mije veta. Pallogaritur të shpërngulurit e tjerë shqiptarë të viseve tjera të ish-Jugosllavisë.

Edhe pas rënies së kryepolicit dhe sociopatit Aleksander Rankoviq, më 1966 nga pushteti, të rinjtë shqiptarë janë me pak shpresa për shkollim dhe ecje përpara.

Ata duke parë që regjimet sllavo-komuniste kanë qasje të njëjtë ndaj tyre kah fundi i viteve 1968-1969 dhe fillimi i viteve të 70-ta,ia mësyjnë Gjermanisë Federale, Zvicrës, Austrisë, Belgjikës, Danimarkës, Holandës, Francës, Suedisë, Norvegjisë dhe Luksemburgut.

Për dallim nga shqiptarët e Kosovës ata të Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës Lindore në numër të madh imigrojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Australi.

Si pasojë e problemeve shumëdimensionale në vitet e 70-ta, do të jenë të kushtëzuar që në Gjermaninë Federale të imigrojnë edhe shumë të rinj nga regjioni i Llapit.

Meqenëse, ata i kishin disa të afërm në Frankfurt, shkojnë atje si punëtorë stinor, me shpresë se me punën e tyre të mirë ndërkohë do t’i rregullojnë dhe lejet afatgjata të punës.

Mirëpo, këto parashikime mbetën një ëndërr e parealizuar. Planet e tyre për një jetë dhe të ardhme më të mirë më 12 shtator të vitit 1973, rreth orës 2.40 minuta të pasmesnatës do t’i shuajë dora e zezë e krimit të pazbuluar deri me sot.

Ajo i vë zjarrin ndërtesës pesë katëshe në rrugën “Niedenau s.t.r.nr-12” ku banonin këta të rinj llapjanë.

Me shpejtësi rrufeje flaka përfshinë edhe çatinë. Paditur se çfarë kishte ndodhur të gjithë të përgjumur dhe të lemerisur përballën me tmerrin e paparamenduar.

Shmangia nga tymi dhe zjarri ishte e paevitueshme sepse piromani katil para se t’i vinte flakën ndërtesës në shkallët e saj të drunjta kishte hedhur benzinë.

Ndërtesën përnjëherë e kishte mbështjellë tymi dhe flaka. Dëgjoheshin vetëm britma dhe thirrje për ndihmë shpjegon Mehdi J. Ejupi, si njëri nga të mbijetuarit e kësaj tragjedie.

Me këtë rast zjarrfikësit e qytetit të Frankfurtit ishin treguar të ngathët dhe të papërgjegjshëm.

Ata kishin intervenuar vetëm sa për ta konstatuar vdekjen dhe plagosjen e viktimave të kësaj tragjedie.

Mbase, kjo kishte ardhur edhe si pasojë e një alarmi të rrejshëm, ku tri-katër orë para kësaj tragjedie, sipas të gjitha gjasave organizatorët e saj kishin thirrur policinë nga një kabinë telefonike, duke thënë se në rrugën Niedenau nr.12 të, të Frankfurtit ka shpërthyer një zjarr i madh.

Ekipet kujdestare të zjarrfikësve dhe ato të policisë menjëherë kishin dalë në vendngjarje dhe nga kontrollimi i hollësishëm i të gjithë personave dhe objektit, kishin vërtetuar që gjithçka ishte në rregull. Alarmi i dhënë nga persona anonim përveç që ishte i rrejshëm nuk u zbulua sot e asaj dite, se nga kush ishte dhënë.

Pas largimit të policëve diku kah ora 23 e 20 minuta të natës me propozimin e Hajdin Hoxhës, i cili kishte ardhur natën tragjike nga Novi-Sadi i Vojvodinës për vizitë tek i vëllai Sherif Hoxha, që të gjithë ishin shpërndarë nëpër dhomat e veta të fjetjes.

Tamam kur të gjithë i zë gjumi kryesit e këtij krimi tre-katër bidonë të mbushur me benzinë i hedhin në shkallët e ndërtesës. Pastaj e ndërpresin ujin e rrymën dhe fare në fund i japin zjarrin ndërtesës.

Në këtë krim makabër dhe të llahtarshëm patën humbur jetën: Ragip Muharrem Hoxha, Hajrullah Muharrem Hoxha, Hajdin Abdullah Hoxha, Azem Rrahim Hoxha, Ramadan Murat Hoxha, Xhelil Tahir Vokrri, Tefik Rizah Selmani, Kajtaz Ismail Kutleshi dhe Ali Jahir Ejupi,të gjithë nga komuna e Podujevës.

Siç po shihet të gjithë të vdekurit e kësaj ngjarje të përgjakshme ishin të rinj. Madje disa prej tyre porsa kishin arritur moshën madhore.

I mbijetuari i kësaj tragjedie Mehedi J. Ejupi nga Gllamniku i Podujevës,rrëfen tmerrin e përjetuar me këto fjalë”Meqë ishim punëtorë stinor bashkëpunonim dhe solidarizoheshim me njëri-tjetrin.

Ishim vendosur në një objekt të përbashkët në mënyrë që kurbetin ta përballonim më lehtë.

Po ashtu ishim edhe në lidhje të ngushta farefisnore si: vëlla, axhë, nip, dajë e kushërinj.

Besa të gjithë kishim zënë edhe të punonim. Dikush punonte në ndërtimtari dikush tjetër në gastronomi dhe bujqësi. Me një fjalë të gjithë punonim. Fqinjët i respektonim dhe na respektonin. Me pronarët e ndërmarrjeve ku punonim kishim raporte të shkëlqyera. Askujt nuk i patëm hak”

Në këtë fatkeqësi të rëndë u lënduan edhe nëntëmbëdhjetë shqiptarë të tjerë nga të cilët më së rëndi Mehdi J.Ejupi, Lutfi Hoxha, i fshatit Popovë, vëllezërit Selman e Nazif Selmani, Bajram Ibrahim Ejupi, Sherif Abdullah Hoxha, Jahir Xhaka, Sherif Potera, Ibrahim Jahiu, Ismail Tolaj etj.

Mehdiu nga plagët e pësuara qëndroi në Qendrën Spitalore Universitare të Frankfurtit prej 12 shtatorit deri më 27 dhjetor 1973.

Mjekët gjermanë konstatuan që ai ka pësuar digjie të rëndë të laringut për çfarë dy herë u deshtë t’i nënshtrohej operacionit.

Mjerisht të dyja herët operacionet dolën të pasuksesshme. Ai natën e Vitit të Ri, kthehet në Kosovë në gjendje tepër të rëndë shëndetësore.

Dëshirë e tij e fundit ishte që vdekjen ta bëjë pranë djalit të tij të vetëm. Muhametit, atëkohë 1 vjeç.

Meqenëse, Mehdiu ishte në gjendje kritike në fillim të janarit të vitit 1974,me ndihmën e Xhemshit Duriqit, Udhëheqës i Financave në Këshillin Ekzekutiv të Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, shpëtimin do ta kërkojë në spitalin e Lubjanës së Sllovenisë.

Ai atje do të qëndrojë 9 muaj i shtrirë në repartin e otorinolaringologjisë Falë angazhimit maksimal të profesorit slloven Vinko Kambiq dhe kolegut të tij prof.dr. Schmit, edhe pse me probleme shëndetësore, Mehdiu po u ofrohet të 78-tave.

Kjo ngjarje e rendë që e pati tronditur Llapin dhe Kosovën, edhe pse vitin e ardhëm i bënë 50-vjet asnjëherë nuk u ndriçua.

Rreth saj pati gjithfarë rrëfimesh. Mirëpo, ato mbetën në suaza të thashethemeve sepse kurrë nuk u identifikuan kryesit e saj.

Në paraburgim gati dy vjet u mbajt Faik Durmishi-i njohur edhe si Amiga nga Podujeva, i cili në bazë të ekspertizave dhe versioneve hetimore doli i pafajshëm.

Ka indikacione që krimin e kryen grupe kriminelësh serbë të financuara nga Beogradi që në Gjermani vepronin fshehtazi.

Ata lagjen ku banonin këta të rinj shqiptarë e quanin “Mala Albania” Shqipëria e vogël. Në mesin e të vdekurve gjendej edhe Xhelil Tahir Vokrri, i cili dy-tri vjet jetoi në ilegalitet si i përndjekur politik nga regjimi komunist i Jugosllavisë.

Sidoqoftë padrejtësia ndaj këtyre viktimave shkoi deri në fund, ngase atëbotë institucionet e Kosovës, ishin në varësi politike dhe ekonomike të Republikës së Serbisë. Andaj, çdo përpjekje e tyre për të zhvilluar procedura hetimore rreth këtij rasti tragjik ishte e kot.

Rilindja e Prishtinës mbi ngjarjen tragjike ndërmjet të së martës së 11 dhe së mërkurës së 12 shtatorit të vitit 1973 në Frankfurt të Gjermanisë Federale, popullin e Kosovës e pati njoftuar nëpërmjet këtij artikulli të shkruar nga gazetari i saj Rexhep Rifati.

Mbi ngjarjen pati shkruar edhe e përditshmja gjermane “Frankfurter Stadt-Rundshau”e datës 14 shtator të vitit 1973.

Brenda këtij artikulli ka shtrembërim të mbiemrave dhe pasaktësi të gjendjes civile të personave të vdekur. Megjithatë lexueseve po ua afrojmë shkrimin në formën e botuar:

 

Po ashtu për këtë tragjedi me nëntë viktima dhe shumë të lënduar patën shkruar edhe gazetat e asaj kohe në ish-Jugosllavi.

Kufomat e nëntë të rinjve llapjanë mbërritën në Kosovë, më 22 shtator të vitit 1973 . Atë të shtunë shtatori të këtij viti të trishtë i gjithë Llapi ishte në zi.

Secilin qytetarë të Llapit dhe Kosovës e kishte pllakosur dhembja për vdekjen e papritur të këtyre të të rinjve, që në Gjermani, kishin shkuar për t’i ndihmuar familjet e tyre skamnore.

Po të njëjtën ditë në fshatin Obrançë të Podujevës u krye ceremonia e varrimit të vëllezërve Ragip e Hajrullah Hoxha, ajo e Azem dhe Ramadan Hoxhës, djem axhe, si edhe ajo e Hajdin Abdullah Hoxhës, kushëri i tyre.

Kurse, dy orë më vonë në Sfeqël u varros Xhelil Tahir Vokrri, në Dumosh, Kajtaz Ismail Kutleshi, në Sekiraçë, Ali Jahir Ejupi dhe në Dumnicë të Poshtme të Llapit, Tefik  Rizah Selmani.

 

Familjet e nëntë të vdekurve përveç qivurit dhe dërrasave nuk morën as edhe një qindarkë të vetme kompensim nga shteti gjerman. e as nga ish-Jugosllavia.

Këta të rinj në Gjermaninë Federale qëndronin si punëtorë stinor, me disa kontrata të cilat ishin të padefinueshme dhe nuk precizonin asgjë rreth të drejtave të tyre.

Sot, i gjithë Llapi këto nëntë varre i njeh si nëntë varre gastarbajterësh të pafajshëm, që nuk e gëzuan jetën dhe i lanë të pikëlluara përveç familjeve dhe fëmijëve bonjakë edhe të fejuarat e tyre, siç ishte rasti me të riun 19 vjeçar Ramadan Murat Hoxha.

Ndërkaq, bashkëshortet e Ragip, Hajrullah dhe Azem Hoxhës, të fshatit Obrançë, si dhe ajo e Xhelil Vokrrit, të fshatit Sfeqël, pas vdekjes së burrave të tyre në këtë fatkeqësi të rëndë u detyruan që fatin ta kërkojnë gjetiu.

Fetije Humolli Hoxha, edhe pse ende nuk i kishte mbushur 28 vjet betohet se për kurrfarë çmimi nuk do t’i braktis katër fëmijët e saj Hafijen, Vahiden, Samiun dhe Hajdinin, i cili lindi pesë muaj pas vdekjes së burrit të saj Hajdin Abdullah Hoxha.

 

Me siguri ngjashëm do të vepronin edhe gratë e Ragip dhe Hajrullah Hoxhës, mirëpo ato ishin të pa djem. Fatmirësisht vajzat e Ragipit, si Drita ashtu dhe Magbulja, janë të martuara në familjeje të edukuara dhe bujare.

Ato kontaktet me nënën e tyre Sadijen e fisit Maloku të Bradashit i mbajtën derisa ajo ishte gjallë.

Kjo ngjarje e rëndë dhe mjaft e dhimbshme ka bërë që kontakte të përhershme me nënën e tyre Ajeten, edhe pas martesës së saj të kenë edhe dy vajzat e Hajrullahut, Vahidja dhe Mevludja, të cilat janë të martuara në familje të ngritura dhe mikpritëse.

Po ashtu familja Plakolli e Letancit, të Podujevës prej nga ishte bashkëshortja e Hajrullahut, çdoherë ka treguar dhe tregon empati e respekt për mbesat e mbetura jetime Vahiden dhe Mevluden.

Ato janë të ftuara në çdo dasmë dhe festë familjare nga dajallarët e tyre. Në ruajtjen e këtyre lidhjeve me merita të veçanta janë edhe Behram e Abdullah Hoxha, nënpërkujdesjen e të cilëve u rritën  dhe u edukuan vajzat e Ragipit dhe ato të Hajrullahut.

 

Shqiptarët falë një shpirtmadhësie dhe solidariteti si ky u kanë mbijetuar fatkeqësive të njëpasnjëshme.

Pedagogu dhe poeti llapjan Kadri Halil Kadriu, dhembjen për këta nëntë të rinj që vdiqën në përpjekje për një jetë më të mirë dhe për t’i ndihmuar familjet e tyre e shpreh nëpërmjet këtyre vargjeve:

Llapi në të zeza
(Punëtorëve të Llapit, që tragjikisht humbën jetën në Gjermani)

E shtunë,
Dielli s’e shpoi renë tejpërtej, Llapi i zi.
Trishtueshëm piskati atë ditë
Ah, Gjermani, Gjermani…
Blerimi atë ditë në Llap u kall,
Vala e lumit asaj të shtune u ndal. Me sy të lagur shikoi
Burrin e Llapit kah qëndroi
Tjetër së pa në fytyrën e tij,
Përpos bujari, burrëri, krenari…
Në fytyrën e çdo kufome,
Në fytyrën e çdo prindi,
Në fytyrat e nëntë djemve
Llapi i zi pa flakë zjarri,
Pa fytyra të gjalla punëtori
Lum Llapi, lum dheu, lum varri!…
Frankfurt, qytet madhështor,
Në rrugët tuaja të lulëzuara,
Në rrokaqiejt e tu të ngritur,
Në dritat tua të neonit
Balsamo djersën e punëtorit të Llapit,
Që edhe jashtë ngriti një kazmë e lopatë
E me te vdiq një natë.

Vargjet janë marrë nga kartoteka e shkrimtarit dhe publicistit Shaip Beqiri, i cili ka qenë nxënës dhe koleg i të ndjerit Kadri Kadriu.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu