Nga: Tom Pergjoka, Gjermani
Anglezi Dr. John Hodgson shkruan në gjuhën shqipe librin „Kujtime të Kosovës“
Pak kohë më parë doli nga shtypi libri i anglezit Dr. John Hodgson me titull „E ardhmja në të kaluarën: Kujtime të Kosovës“ i shkruar nga vetë autori në gjuhën shqipe. John Hodgson vjen nga Anglia në vitin 1980 për të punuar si lektor i gjuhës angleze në Fakultetin Filozofik në Prishtinë ku qëndron për katër vite. Familja e tij ishte nga nga qyteti Newcastle. Babai i tij, një inxhinier i sukseshëm, kishte marrë pjesë në ndërtime hidrocentralësh dhe projekte energjetike në vende të ndryshme të botës. Kështu, John-i qysh si fëmijë kishte bredhur botën deri atëherë kur kthehet në Cambridge për të studiuar në Universitetin e vjetër të ketij qyteti. Aty mbaron studimet në letërsi angleze dhe në moshën 26 vjeçare merr titullin doktor i shkencave në letërsinë angleze.
Libri ”E ardhmja në të kaluarën: Kujtime të Kosovës”, Johb Hogdson
Meqë dëshira e tij për të punuar në ndonjë universitet në Rusi nuk realizohet, ai vendos të shkojë përkohësisht në Prishtinë në pritje të një rasti tjetër për Rusi. Mirëpo, ndodh e papritura. Sapo vjen në Kosovë, ai bie në dashuri me popullin shqiptar, me gjuhën shqipe, me kulturën tonë e me gjithçka që është shqiptare dhe nuk dëshiron ta ndërrojë me asgjë. Kjo përzgjedhje e tij mbase nuk është e rastesishme. Me të ardhur në Kosovë, ai shpejt vëren realitetin e hidhur të shqiptarëve në ish-Jugosllavi: shqiptarët nuk janë të barabartë me popujt e tjerë, konsiderohen pakicë kombëtare edhe pse janë shumicë në Kosovë dhe për nga numri zinin vendin e tretë në Jugosllavi, diskriminohen, të drejtat e tyre shtypen, e shumë padrejtësi të tjera. Kështu, ai solidarizohet me shqiptarët. Është parim i tij jetësor që John Hodgson gjithmonë të qëndrojë në anën e të të shtypurit, në anën e drejtësisë. E them këtë me bindje të plotë sepse unë kam patur fatin ta njoh John-in në atë kohë në Prishtinë dhe jam dëshmitar i shumë ngjarjeve të shkruara në librin e tij.
Duke qenë se gjuha është çelësi për te zemra e njeriut, ai që nga ditët e para vendos të mësojë shqipen. Këtë e tregon në librin e tij në fillim të kapitullit 3, ku thotë se kuk kishin kaluar as dy javë pas vajtjes së tij në Prishtinë kur Këshilli Britanik kishte organizuar konferenë një javore në Shkup për lektorët angloamerikanë të universiteteve të Jugosllavisë dhe ku John-i u thotë kolegëve të tij se është i interesuar të mësojë shqip. „Kot e ke, më thanë. Askush nuk e kupton (shqipen) jashtë Kosovës. Pastaj pak më poshtë shkruan: „Vendosa të vazhdoja me shqipen, jo vetëm nga kurreshtja, por edhe për inat“. Dihet se gjuha shqipe nuk është gjuhë e lehtë për t’u mësuar nga të huajt. Kur ai flet për vështirësitë e shqipes, shprehet kështu: „Mua këto vështirësi veçse më ngjallnin kurreshtje, nga ana tjetër më tërhiqte shumë zbulimi i tipareve te shqipes që e lidhin atë me pemën shumëdegëshe të gjuhëve europiane“ (f.48).
Kështu, John-i mëson gjuhën shqipe, atë të letrave dhe atë të popullit, si dhe integrohet në shoqërinë shqiptare të Kosovës e bën miq nga më të ndryshmit prej akademikëve e intelektualëve të lartë, deri te fshatarë e njerëz që nuk dinin mirë shkrim-lexim. Solidarizimi dhe ematia e tij e madhe për shqiptarët bëjnë disa të mendojnë se mos ndoshta ky anglez mund të ketë prejardhje shqiptare.
Kur shpërthejnë demonstratat studentore të vitit 1981, John-i dëshiron t‘u bashkohet atyre, por miqtë e tij dhe kolegët në Universitet e këshillojnë ndryshe: „Kolegët e mi përpiqëshin të më mbronin nga rreziqët e situatës“ (f.54).
Kur demonstrat u shtypën me dhunë nga ana e pushtetit të athershëm jugosllav duke vrarë e plagosur studentë, ai shtetin jugosllav në një rast e pëmledh me një fjali: „Në dukje aq i fortë dhe i qëndrueshëm, në realitet ai ishte i brishtë, si kallam i tharë“ (f.52).
Sado të largëta në kohë, ai i pëshkruan ngjarjet në hollësi e përpikmëri. Prandaj ju rekomandoj ta lexoni këtë libër me vlerë dhe ta shihni Kosovën nga këndveshtrimi i një anglezi, një mik i shqiptarëve dhe njohës i mirë i gjuhës dhe kulturës shqiptare. Gjithashtu, John Hodgson ka përkthyer disa veprave të Ismail Kadares dhe autorë të tjerë shqiptarë në gjuhën angleze.
Më 5 qershor 2021, Weil am Rhein