Florim Zeqa
Sikurse e mira, ashtu edhe e keqja e këtij vendi e kanë një emër të përbashkët “Parti” të skenës politike. Sikurse për të mirë, ashtu edhe për të keq, të gjitha partitë e skenës aktuale politike, në pushtet dhe opozitë e kanë dëshmuar veten.
LVV-ja dikur alternativë e ndryshimit, sot e zhgënjimit dhe e mashtrimit politik
Dukuria e ardhjes në pushtet me kauza të rrejshme është prezente nga paslufta në Kosovë. Pa dashur t’i numërojë të gjitha kauzat e rrejshme të subjekteve politike, lutem që kauza e rrejshme e “Trust”-it të jetë kauza e fundit që i ndanë pushtetin dhe opozitën! Dhashtë Zoti që LVV-ja të jetë e fundit që erdhi në pushtet me kauza të rrejshme!
Si asnjë parti tjetër politike, pushteti e zhveshi lakuriq LVV-në, e cila deri dje ishte shpresa e qytetarëve për ndryshim, është kthyer në thyerësen më të madhe të shpresave të fikjen e dritës së vetme në fund të tunelit…
Pas dy vjetëve (në total) të qeverisjes me vendin, me mosmbajtjen e asnjë premtim elektoral, LVV-ja ka mbetur “as mish dhe as peshk”, siq e thotë populli. Me paaftësinë e menaxhimit të krizave: pandemike, sociale dhe morale po dëshmohet se nuk ka kapacitete të mjaftueshme qeverisëse, nuk ka guxim dhe as pragmatizëm politik!
Nuk është që po e themë unë këtë konstatim, por është realiteti i hidhur që po e thonë çdo ditë qytetarët e vendit, të cilët nga dita në ditë po mbeten gjithnjë e më pak në trojet e tyre stërgjyshore!
Paaftësia e shfrytëzimit të fuqisë elektorale, ulë imazhin e liderëve shtetëror
Mbase do të ishte krejt normale dështimi i një partie minore, por është paradoksal dështimi i një subjekti politik me legjitimitetin më të madh qytetar në këto 23 vjetët e fundit.
Ishte krejt normale në të kaluarën dështimi i Seancave të Kuvendit me vetëm 52 deputet të partive në pushtet, por është pak më tepër se paradoksale dështimi i seancave kur partitë në pushtet i kanë 62 deputet!
Liderët me legjitimitetin më të lartë qytetar e kanë për obligim moral dhe përgjegjësi shtetërore quarjen para të proceseve politike si në planin e brendshëm (me përgjigjen dhe plotësimin e kërkesave të qytetarëve) ashtu edhe të jashtëm me vazhdimin dhe përmbylljen e dialogut të filluar me Serbinë, shkaku i të cilit qytetarët e Kosovës po mbahen padrejtësisht të getoizuar në Ballkanin Perëndimor.
Sikurse në planin e brendshëm ashtu edhe të jashtëm, kryeministri më fuqiplotë në historinë më të re të Kosovës nuk guxon të sillet me kaq indiferencë ndaj zhvillimeve politike dhe me papërgjegjësi ndaj qytetarëve!
Albin Kurti që bëri gjithçka për marrjen e pushtetit, do ta bëjë të pamunduren të largohet prej tij
Jam i bindur se, pas përballjes me sfidat e pushtetit në kohë të krizave të mëdha sociale dhe presionit të madh ndërkombëtar për vazhdimin e dialogut të filluar me Serbinë Bruksel, Albin Kurti më më dëshirë do të kalonte në rolin e opozitarit sesa të pushtetarit!
Andaj, siq duket për ta arritur qëllimin e largimit nga pushteti, Albin Kurti e ka zgjedhur indiferencën dhe ikjen nga problemet madhore me të cilat po përballet vendi.
Vërehet qartë se kryeministrit me legjitimitetin më të lartë, nuk i intereson varfërimi dhe as largimi i qytetarëve nga vendi. Sa më pak qytetar, aq më pak kundërshtime, kjo është logjika e të menduarit e Albin Kurtit!
E kam thënë edhe më parë në disa shkrime, po e përseris prapë, qytetarëve të Kosovës, nuk janë duke i interesuar më fjalët e bukura, por mirëqenja dhe siguria për ardhmëri në vendin e tyre, sikurse që, as ndërkombëtarëve nuk ju bëjnë aspak përshtypje frazeologjitë e bukura poetike, por veprimet e mençura politike.
Përderisa opozita e sotme njihet për dukuri korruptive, nepotizëm dhe afera skandaloze, pushtetarët e sotëm po dëshmohen për më pak korrupsion por më shumë nepotizëm, për më pak pragmatizëm e më shumë injorancë politike, pa ide dhe pa programe të qarta zhvillimore për vendin.
Vendit i duhet një alternativë e re dhe e besueshme politike
Partitë politike dhe politikanët që thyen shpresat e qytetarëve me premtime boshe dhe mashtrime skandaloze, duke e parë zvogëlimin e elektorateve të tyre në Kosovë ju kanë kthyer mërgimtarëve në Diasporë, jo nga dashuria që ndjejnë për ne, por për joshjen dhe përfitimin e mbështetjes tonë me votë për të mbajtur (marrur) pushtetin, respektivisht për të siguruar vazhdimësinë e tyre në skenën politike kosovare!
I ftojë të gjithë bashkatdhetarët e rinjë e të vjetër që jetojnë në Diasporë që të mos bien pre e politikanëve mashtrues, hipokritëve dhe grupeve të interesit që e sollën Kosovën në këtë gjendje të pashpresë, por të mobilizohemi për dhënjën e përgjigjes së merituar kusarëve politik me krijimin e një alternative të re politike, me njerëz të rinjë të papërfshirë në partitë aktuale politike.
Mungesa e një alternative të re për aq sa i ndihmon pushtetarët i favorizon opozitarët në realizimin e ëndërrës për rikthim të pushtetit, kurse për qytetarët, vazhdimësia e kësaj klase politike në pushtet dhe opozitë është e barabartë me fundin e botës!