ARKIVI:
5 Shkurt 2025

Për një grindje me bashkëveprimtarin Sheradin Berisha, që ma kontestoi rrëfimin për takimin me Kadri Zekën me 5 prill 1981

Shkrime relevante

Fushata zgjedhore në Kosovë u karakterizua nga premtime boshe dhe moskulturë elementare të sjelljes ndaj njëri-tjetrit

Nga: Arif Ejupi Edhe kësaj radhe fushata zgjedhore në Republikën e Kosovës...

Prokurorja e Specializuar: Precedenti historik i pranimit të fajit mbron integritetin e procedurave

Prokurorja e Specializuar Kimberli Uest (Kimberly WEST) e ka përshëndetur pranimin...

Kalendar – Kosova drejt lirisë, para 26 viteve Konferenca ndërkombëtare e Rambujesë

Nga: Behlul Jashari, Prishtinë -Para 26 viteve, në Kështjellën e Rambujesë, afër...

Shpërndaj

Ibrahim Kelmendi, Gjermani
___
5 PRILL 1981
___
Duke u grind me ish-bashkëveprimtarin Sheradin Berisha (pronarin e portalit PASHTRIKU), ai për herë të parë kontestoi rrëfimin tim për takimin me Kadri Zekën që e kam pas më 5 prill 1981, sepse, sipas Sheradinit, nëse vërtet ka ndodh, ajo datë do të duhej të vlerësohet si datë e themelimit të Lëvizjes për Republikën e Kosovës.
Qysh kur Sheradini e bëri atë lloj spekulimi (diversiv), po mendohesha, nëse vërtet marrëveshja e 5 prillit 1981 për të filluar me demonstrata të përbashkëta në Perëndim, ishte bashkimi i tri organizatave “ilegale” që po angazhoheshin për çlirimin e Kosovës.
Në ndërkohë Shkrimtari Sulejman Mato postoj mendimin: “Modestia e tepruar është kulmi i mendjemadhësisë.” Ky mendim më shtyri të reflektoj, mos ndoshta jam unë vet “kulmi i mendjemadhësisë”, duke praktikuar modesti të tepruar. Kjo po më jep kësaj radhe kuraje për reflektim ndaj atyre zhvillimeve.
Deri më 3 prill 1981 vepramtaria jonë “ilegale” në Perëndim ishte simbolike, meqë ishin mbi 300 mijë emigrantë ekonomikë, ndërsa organizatat tona kishin pak anëtarë e simpatizantë. Konkretisht Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), kuadër i së cilës ishte Jusuf Gërvalla, nuk kishte asnjë anëtar, sespe Jusufit i ishin shkëput të gjitha lidhjet me udhëheqësin e organizatës, Sabri Novosellën (SN), nga data 14 dhjetor 1979. Deri më 14 prill 1981 Jusufi nuk ndihej autonom për të filluar me anëtarësime. Po hamedësoj se SN i është paraqit Jusufit më 13 prill 1981, i urdhëruar nga eprori i tij, kryeUDBashi i sektorit përkatës në Prishtinë, tashmë i ndieri Ibush Kllokoqi. Ibushi duhet të ishte informuar se demonstrata e përbashkët e 11 prillit 1981 në Bern të Zvicrës kishte dalë e suksesshme. Që do të thotë, SN duhet të jetë komanduar për ta fut sërish nën komandë Jusufin, për t’i bërë komplote asaj bashkëveprimtarie në praktikë. Jusufi, i ekzaltuar nga gëzimi naiv, se i ishte paraqit udhëheqësi SN pas 16 muajve në ekzil, i shkruan atij letër më 14 prill 1981, e cila përban përmasa tronditëse për gjendjen traumatike të Jusufit. Në mbarim të asaj letre Jusufi i shkruan SN:
“Konkretisht në rrethinën e Shtutgartit janë nja 7-8 shokë të gatshëm e të përshtatshëm për punë patriotiko-revolucionare. Ata presin ndonjë orientim nga unë. Po unë duke qenë dhe vetë në mjegull për gjendjen time, nuk kam dashur t’i ngashënjej e pastaj t’i lë në gjysmë të rrugës. Prandaj u kam folur për gjëra të përgjithshme në çështje të organizimit, të propagandës dhe të agjitacionit si dhe kam bërë përpjekje për t’ua dhënë elementet e domosdoshme shkencore të historisë kombëtare dhe të lëvizjes komuniste shqiptare e ndër¬kombë-tare. Janë punëtorë dhe ma ka marrë mendja se në radhë të parë u duhet një ngritje e tillë ideore, politike e shkencore.”
Edhe këta “7-8 shokë” që i përmend Jusufi në këtë rast, janë ish-bashkëveprimtarët e Hysen Gegës. Jusufi i ka njohur ata përmes Hysen Gegës, i cili shokëve të tij ua ka propaganduar Jusufin. Siç duhet të ketë informuar Faridin Tafallari, ata “7-8 shokë” duhet të jenë anëtarësuar në LNÇKVSHJ tek në dhjetor 1981, sepse emigrantët e atëhershëm ekonomik u frikësoheshin anëtarësimeve klasike në organizata “ilegale”, me plotësim e nënshkrim të formularëve për anëtarësim, me betime, meqë u trembeshin arrestimeve kur do të shkonin për vizitë në Kosovë.
Sheradin Berisha
___
Pavarësisht këtyre rrjedhave, Jusuf Gërvalla ishte infuzion jetik sidomos për Frontin e Kuq Popullor (FKP), sepse duke ia përgatit organin e tij, fletushkën “Bashkimi”, FKP-ja e rriti shumë famën e saj. Para se të arratisej Jusufi “Bashkimi” ishte fletushkë tepër primitive, në aspektin përmbajtjesor e grafik.
Jusufi pas arratisjes u bë infuzion jetik edhe për “ilegalen” në Kosovë, sepse në vitin 1979 Jusufi ishte intelektuali më kualifikime më të larta profesionale. Pra, Jusufin, si personalitet e afirmuam shpejt me propagandimin që ia bëmë në meset e Emigracionit në Perëndim, prandaj u bë infuzion jetik edhe për Emigracionin revolucionar çlirimtar. Por, në aspektin konkret organizativ stononte, për arsyet që e paraqita më lartë. Atyre duhet shtuar edhe pamundësia “teknike” e Jusufit për të udhëtuar që të takonte mërgimtarë në Gjermani, ndërsa jashtë Gjermanie nuk delte dot, sepse nuk kishte pasportë, meqë institucioni kompetent gjerman po ia zvarriste njohjen e azilit politik.
Deri më 3 prill 1981 nuk isha i informuar për Kadri Zekën. Pra, nuk kisha asnjë informim se ai ishte kuadër i OMLK-së, i cili kishte azil politik në Zvicër. Për shkak të konspiracionit leninist dhe për shkak të ndalesave që i përmbante ligji përkatës i Zvicrës, Kadriu nuk kishte bërë asnjë aktivitet publik në Zvicër e jashtë saj.
Siç do infomohem më vonë, edhe OMLK deri me këtë datë nuk kishte asnjë anëtar në Emigracion; kishte vetëm 6-7 “kandidatë” në Zvicër (Hasan Mala, Mujë Shurdhani, Ismet Rashiti…).
Jusufi në të njëjtën letër i ka shkruar SN:
“Tash së fundi jam në kontakt edhe me një shok të grupit të Marksistë-leninistëve të Kosovës, të tubuar rreth organit të tyre “Liria”. Personalisht, për organin e tyre kam mendim shumë të mirë, po edhe shoku me të cilin kam kontaktuar duket shumë i ngritur dhe i pjekur. Ka një mirëkuptim midis nesh dhe kemi rënë në ujdi që t’i bashkërenditim veprimet.”
Nuk e di nëse janë takuar ndonjëherë fizikisht Jusufi dhe Kadriu deri me këtë datë, por më rezulton që kanë krijuar njohje vetëm përmes komunikimit postar e telefonik(?). Përndryshe, pse më 3 prill 1981 Jusufi nuk kishte adresë private të Kadri Zekës, pos adresës kontaktuese?!
Vetëm FKP kishte anëtarë e simpatizantë qindra veta në shumë shtete, sepse unë me pak bashkëveprimtarë kemi bredh gjithandej për ta shpërnda “Bashkimin” e për t’i indoktrinuar bashkatdhetarët me platformën e FKP-së. Në janar 1981 bëmë njoftimin publik për “ngrirje” të organizimit dhe të botimit të “Bashkimit” për hir të bashkimit, se tashmë po keqkuptoheshim që FKP po garonte kundër LNÇKVSHJ (inekzistente në Perëndim).
Më 3 prill 1981 Jusufi më ka dërgua në Zvicër të takohem me Shokun e “Lirisë”, siç e quante Kadri Zekën ato ditë. Më dha vetëm adresën e një librarie në qytetin Biel/Bienne të Zvicrës. As emrin konkret të Kadriut nuk ma tha. U mjaftua me nofkën “Zeqa”.
Nuk e kisha kundërshtuar asnjëherë Jusufin, kur më angazhonte për ndogjë konkrete, prandaj edhe kësaj radhe rrugëtova menjëherë me tren. Sigurisht, nëse Jusufi do të kishte pasaportë, do të kishte shkuar vet. Guxoj të hamendësoj, po të kishte bashkëveprimtar më adapt, nuk do më dërgonte mua. Arrita në atë adresë. Gjeta një librari, që u ngjante librarive të Partisë Komuniste Gjermane / Marksiste-Leninste (KPD/ML) në Gjermani. Gjeta një zviceran të ngrysur, tepër dyshues ndaj secilit që hynte për herë të parë në atë librari. Iu prezantova dhe i tregova arsyen pse isha aty. Fillimisht shkuarjen time e vlerësoi si provokim. U ula aty në këndin që e kishte për vizitor të interesuar dhe po shfletoja revista, gazeta dhe libra nga Shqipëria, që i ofronte për shitje. Në ndërkohë, për shkak se bëri konsultime (ndoshta edhe me shokë komunistë gjermanë), e tha se aty OMLK-ja ka vetëm adresë kontaktuese për komunikim dhe se “Zeqa” paraqitej herë pas here për të pa nëse dikush ka dërguar letër. Pra, siç u njohem pas rreth dy orëve, ai ishte Komunisti enverist zviceran Beat Schaffer. Më ofroi mundësinë për ta prit aty deri kur do të vinte “Zeqa”.
Ishte e premte pasdite. Nuk njihja asnjë bashkatdhetar në atë qytet. Fatkeqësisht gjatë gjithë kohës nuk erdhi asnjë bashkatdhetar për të ble ndonjë libër apo revista e gazeta të botuara në Tiranë. As gjatë të shtunës nuk u paraqit asnjë bashkatdhetar. Kjo dukuri për mua ishte sqaruese se OMLK dhe “Zeqa” nuk kishin asnjë tifoz në Biel/Bien apo në qytete më të afërta.
Shoku Beat Schaffer (Shafer), si mikpritës fisnik, më ofroi fjetje në librarinë e tij, në dhomën e pasme që e përdorte si magazinë dhe arkivë. Aty vendosi krevat mobil. Më dha leje të gjurmoja në arkivin e tij…
Të dielën pasdite erdhi “Zeqa”. Komunikuam rreth dy orë. U morëm vesh shpejt për të filluar me thirrje të demonstratave të përbashkëta, duke filluar me demonstratë të parë, më 11 prill 1981, në Bern. Nuk biseduam për platformë, ndoshta sepse ishte bë e vetëkuptueshme platforma “Kosova-Republikë”, duke heq dorë për momentin nga çlirimi kombëtar. U zotova se për informim të bashkatdhetarëve, për përgatitje të bandarollave në gjermanisht dhe për përgatitje e shumëzim të traktit në gjermanisht që do ta shpërndanim gjatë demonstrimit. Për fjalime dhe për letrën në emër të demonstruesve u zotua t’i përgatiste Kadriu në konsultim me Jusufin.
Bëmë edhe gallatë, meqë “Zeqa” nuk ishte aq marksist-leninist sektar, siç i paragjykoja. Por as Kadriu nuk ma tregoi emrin. As unë nuk e pyeta. Kisha përvojë të hidhur me kërkesë për njohje konkrete, me ata që praktikonin konspiracion strikt leninist e snobist…
Po e potencoj: qe fenemonal fakti se nuk biseduam për përcaktimin ideoplik të demonstratave, edhe pse kishim përcaktim strik vetëm për çlirim kombëtar dhe ndokush edhe për revolucion marksist-leninist. Vetvetiu na qe imponuar kërkesa për Kosova-Republikë, të cilën deri më 26 mars 1981 e trajtonim vetëm si tematikë historike të demonstratave të vitit 1968 dhe të debatit për miratim të Kushtetutës në vitin 1974. Që do të thotë, të gjitha organizatave revolucionare “ilegale” iu imponua kërkesa Kosova-Republikë, e cila u plasua më 26 mars 1981 nga studentët në protestën në lagjen e konvikteve të studentëve në Prishtinë.
U ktheva te Jusufi. E informova për marrëveshjen. Ai e tumiri.
Fatkeqësisht, të hënën, më 6 prill 1981, Jusufi më detyroi të shkoja në Vjenë për të pyet në Ambasadë shqiptare, nëse ajo marrëveshje për të filluar me demonstrata ishte konstruktive. Përtova, por shkova. Kësaj radhe më priti një diplomat i panjohur për mua deri atëherë. Sapo ndërruam fjalët e para përshëndetëse e njohëse, plasi grindja fizike…
Seriali i demonstratave, pothuajse çdo fundjavë, nga 11 prilli (Bern) deri më 18 korrik 1981 (Frankfurt), ishte i suksesshëm, nëse kemi parasysh se ishte përvojë e parë dhe kishim të bënim me bashkatdhetarë që frikësoheshin shumë nga përndjekjet që do t’i pësonin kur do të shkonin për vizitë në vendlindje.
[Vijon me reflektim prapavajtës.]

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu