ARKIVI:
19 Nëntor 2024

Perëndimi, si duket, prap po mendon se tue na fliju ne, shqiptarët, ka me shpëtu veten

Shkrime relevante

Shpërndaj

Foto: Prekaz, mars 1998, (ekipi i xhirimit i Vaughan Smithit).

Agim Morina, Londër

____

DÉJÀ VU SHQIPTARE
____
«Një padrejtësi kudo qoftë është kërcënim për drejtësinë gjithkund.»
Martin Luther Kingu
Dmth., tue provu me i ra shkurt:
– bahesh anëtar i një partie klerofashiste dhe propagandon urrejtje dhe racizëm të pashembullt nëpër gjithë Jugosllavinë,
– bahesh përkrahës i agresionit kundër katër kombeve: sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve,
– bahesh krahu i djathtë i kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosevicit,
– mbas katër luftave, masakrave dhe gjenocideve, mohon krimet dhe gjenocidet serbe, nuk i arreston vrasësit dhe kriminelët (sepse vetë je kriminel), nuk i kthen eshnat e shqiptarëve të masakruem, të varrosun e të zhvarrosun, të djegun e të zhdukun nëpër tokën e mallkueme të Serbisë,
– deklaron publikisht që territoret e banueme me serbë në Kroaci janë Serbi,
– deklaron publikisht se për një serb të vramë do të vrasësh 100 boshnjakë,
– vret, djeg, dëbon e shkatërron popuj të tanë, e ndër ta edhe shqiptarët,
– provon me përmbysë qeveri legjitime në Mal të Zi, Maqedoni e Kosovë,
– kryen gjenocid, e merr gjysmën e territorit të BeH-së, nxit serbët në BeH me bojkotu çdo kërkesë të Perëndimit tue kërcënu se ke me arrestu edhe Përfaqësuesin e Naltë të BeH-së dhe se ke me u bashku me Serbi,
– bashkëpunon ngushtë me Rusinë e Putinit, shpërfill kërkesat e Perëndimit për sankcione ndaj Rusisë, lejon punën e propagandës ruse, ndërton baza ruse në Serbi,
– shkakton trazina në veri të Kosovës, sulmon ushtarët e KFOR-it dhe i len pa kambë, kërcënon Kosovën me luftë,
– vret serbët e padëgjueshëm në Kosovë,
– i shtyp pakicat kombëtare në Serbi dhe ua mohon të drejtat që i kërkon për pakicën serbe kudo…
Pra, bahesh Aleksandar Vučići. Dhe Perëndimi të përkulet.
Kjo do të thotë se sa ma klerofashist, sa ma racist, sa ma kriminel, sa ma gjakpimës, sa ma jobashkëpunues, aq ma mirë për klerofashizmin dhe aq ma keq për viktimën. Kjo asht fytyra e vërtetë e Perëndimit të qytetnuem dhe, natyrisht, të frikësuem.
Na këtë e kemi provu në kohën e Lidhjes së Prizrenit me 1878, masandej me 1913, me 1945. Janë déjà vu për ne. Jemi të lagun prej padrejtësish dhe nuk kemi gajle për shi. Kur klasa politike në Perëndim e humb lidhjen me realitetin dhe i lëshon pe kriminelit, – si dikur Hitlerit që pushtoi Çekosllovakinë, – dhe e shpërfill apo e dënon viktimën, e ardhmja asht e zezë.
Por, historia na ka mësu këtë gja: padrejtësitë kundër shqiptarëve kanë qenë paralajmërime për Perëndimin, që flakët tona kanë me vazhdu edhe drejt tyne dhe kanë me qenë edhe ma të mëdha, edhe ma të pashmangshme. Kur politikanët perëndimorë flijuen Shqipninë, me 1913, provuen kështu me ndalë një luftë botnore. Provuen me shpëtu e mos me u djegë vetë. Sipas tyne, le të digjeshin shqiptarët e le të copëtohej Shqipnia. Por, nuk u pati mbushë as një vit dhe vetë Europës i pati dalë flaka e meritueme e Luftës së Parë Botnore. E provuen ata çka do të thotë me qenë viktimë, pra, çka do të thotë me qenë shqiptar.
Me 1937, kur Italia pushtoi Shqipninë, Perëndimi nuk u shqetësu. Po të ndalej fashizmi vetëm në Shqipni, ata do t’i mbyllnin sytë dhe ne edhe sot do të kishim qenë nën pushtimin italian. Por, për fat të mirë, – në këto fatkeqësi – e keqja, krimi, nuk ndalet dhe Europën e përfshiu flaka e meritueme e Luftës së Dytë Botnore. E provuen prap se ç’do të thotë me qenë viktimë, pra, ç’do të thotë me qenë shqiptar.
Qysh na mëson historia, fatkeqësitë tona shqiptare janë vetëm paralajmërim i asaj se çka po e pret Perëndimin. E Perëndimi, si duket, nuk ka mësu kurrgja dhe prap po mendon se tue na fliju ne, shqiptarët, ka me shpëtu veten. Por, për fat të mirë, kështu nuk ka ndodhë përgjatë historisë. E shpresoj dhe jam i bindun se nuk ka me ndodhë as kësaj here. Kriminelit tue ngranë i shtohet oreksi. Kështu që perëndimorët, me sa po duket, kanë me provu prap se ç’do të thotë me qenë shqiptar, pra, ç’do të thotë me qenë viktimë e padrejtësisë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu