P E T R O M A R K O I KTHEN KËTË PËRGJIGJE PYETJES:
“Pasi fole për shkollën shqipe, pa më thuaj pse fshati juaj e humbi gjuhën, pse flet greqisht?”
Petro Marko PËRGJIGJET: Shumë shokë më kanë pyetur: Po ju, jeni shqiptarë apo grekë? Të jesh i çdo kombësie nuk është turp, por unë, para disa vjetësh, kur isha në fshat, dhe pasi kampistët (punëtorët që shkonin në kampin e Dhërmiut për të pushuar) më pyetën nëse ishim shqiptarë apo grekë, u përgjigja me siguri: “Ne jemi shqiptarë!” Më pyetën pastaj pse flisnim greqisht. Me sa munda, u thashë arsyet. Të nesmen provokova një mbledhje të gjerë në fshat. U mbush oborri i shkollës me burra dhe me gra. Mënjanë ishin nxënësit dhe gjithë të rinjtë se e kishin marrë vesh se unë do të flisja rreth temës: “Jemi shqiptarë apo jemi grekë?”
Bisedsën e nisa pak a shumë kështu:
– Duhet ta dimë mirë se ç’jemi, ç’kombësi kemi, se dëgjohen posht e lart fjalë se këta janë grekë, këta nuk dinë se ç’janë! Pra, fillojmë: Ti, shoku Pavllo Beja, nga e ke origjinën?…
– Familja jonë, si gjithë Gjileku, jemi krutanë. Erdhëm këtu pas vdekjes së Skënderbeut.
– Po ti, Vangjel Liza, si e di origjinën e familjes sate?
– Ne vijmë nga Tërbaçi. Dhe nga të tre vëllezërit u shtuan lagjet Lizaj, Çaçëdhimitrët dhe Trekot.
– Po ju, o Kostë, nga vini?
– Ne vijmë nga Velça! Jemi Tavajt, – dhe qeshi. – Ju e keni dëgjar atë breg-shkëmb atje lart, që quhet Trapeza ose Kont-Tava. Rrjedhim nga Kontët, si ju nga Buajt. Aty tek Trapeza paguanim venecianët, prandaj quhet edhe sot e kësaj dite Kont-Tava ose Trapeza…
Kështu me rradhë të gjtha familjet thanë se nga rridhnin. Na doli se vetëm një ishte i huaj: Josif Averbahu, me origjinë çifute, nga Austria. Kjo e tij është një histori e çuditshme: Një konsull i Austro-Hungarisë që rrinte në Vlorë, dashuroi një fshatare tonën që mblidhte myshje në Llogara me shoqet e saj. Ky konsull shkonte në Llogara për gjah. E pa këtë vashëz dhe u çmend pas asaj. Erdhi në Dhërmi dhe e kërkoi për grua. I thanë të ndëronte fenë. U bë ortodoks dhe banor i fshatit…
Pra, ç’jemi ne? Shqiptarë! Po pse e humbëm gjuhën?.
Unë do të them ato që di: Pse nënat plaka, gjyshet dhe gjyshët dinë më mirë shqipen se greqishten? Pse qajmë dhe këndojmë shqip? Pse fjalët e urta i themi shqip? Siç duket, që nga viti 1820 e tëhu, greqizimi u bë me qëllim politik nga vetë Greqia, që fitoi lirinë me gjakun e shqiptarëve, qoftë në Mesolongji, qoftë në revolucionin grek. Suli dhe Himara ishin shqiptarë po dy krahina autonome që nuk njihnin as Greqinë e as Shqipërinë, së cilës i kishte humbur edhe emri. Suli dhe Himara ishin kurdoherë në luftë me turkun. Erdhi koha që Himara u nda: Himara bregdetare mbeti e lirë dhe e krishterë, kurse Himara e brendshme, Labëria, Kurveleshi, Lumi i Vlorës e Dukati u myslimanizuan dhe u ndanë. Megjithëse u ndanë në dy fe, nuk e humbën kurrë lidhjen e gjakut dhe të fisit. Çdo fshatar kishte të tijtë në një fshat të myslimanizuar që në kohën e Ali Pashë Tepelenës…
Kur bëheshin operacionet ndëshkimore nga turqit, bregdetasit nuk shkonin më përtej maleve, në Mesaplik e në Kurvelesh, për t’u mbrojtur, siç bënin gjer në atë kohë, por iknin me barka për në Korfuz ose për në Gjirit, nën mbrojtjen e venecianëve. Thonë se banorët e Dhërmiut shkonin në ishullin grek, kurse ata të Himarës në Gjirit. Prandaj, dhe kur flasin greqisht, dhërmijasit flasin si korfjatët, kurse himarjotët si gjiritllinjtë.
Pastaj shkollat ishin greke. Mesha këndohej greqisht. Tregëtinë e bënin me Korfuzin, Janinën. Pak nga pak u shkëputën lidhjet me Labërinë, me Dukatin. Greqia, që u çlirua e para, u thoshte se kudo që janë ortodoksë janë grekë; myslimanët janë turq. Nisi antagonizmi turq e kaurë! Propaganda bënte punën e saj. Kjo u thellua në kohën e Ali Pashë Tepelenës…
Pak nga pak propaganda greke bëhej më e madhe, duke pretenduar se Himara ishte krahina më heroike e Greqisë. Shumë kapedanë, sidomos paria, kishin privilegje. Dhe paratë e mirëbërësve himarjotë, që i kishin lënë në bankën greke për shkollat e Himarës, ishin një shkak shumë serioz për propagandën greke. Gjikë Buxhili nga Dhërmiu kishte fituar shumë para në Rusi, ku e kishte marë Pano Buxhili, përfaqësues i himarjotëve pranë Carit, në Petërburg. Mësuesit dhe shpenzimet për shkollën merreshin nga fondi i Gjikë Buxhilit. Gjikë Buxhili ndërtoi edhe një shkollë, që është edhe sot e kësaj dite. Ne, kur ishim të vegjël, në shkollën e fshatit shihnim portretin e tij, të varur në klasë. Siç i la Gjikë Buxhili paratë në bankën greke, ashtu i lanë dhe shumë mirëbërës të tjerë nga Jugu, si Zhapa me shokë. Ishin miliona, të cilat u bënë burim për të ushqyer propagandën greke në vendin tonë, sa u krijua miti i Vorio Epirit dhe sollogu voroepirot, që merrej me “çlirimin” e Vorio Epirit, domethënë të Shqipërisë së Jugut….Paria merrte para nga banka greke, e cila qe e autorizuar nga qeveritë reaksionare nacionaliste të Megali Idhesë (Megali Idheja: që Greqia të bëhej e madhe duke përfshirë në kufijt e saj Jugun e Shqipërisë dhe vende të Ballkanit ku janë ortodoksë).
Himarjotët që emigronin në Greqi kishin privilegje: përkraheshin si bij të një “krahine heroike greke” me histori trimërie e burrërie. Fatkeqësia ishte se Shqipëria u çlirua e fundit në Ballkan. Himara kishte ushqyer shpirtin e aneksartisë, autonomisë, si Suli, i cili pak nga pak u greqizua. Dhe, pasi u çlirua Shqipëria, me kufijtë e cunguar shumë, propaganda greke e ushqeu shumë idenë e autonomisë së Himarës: as shqiptare, as greke! Kishte hedhur rrënjë të thella kjo propagandë në shpirtin e himarjotëve, të cilët sytë i mbanin nga Greqia. Krerë himarjotë, si Spiro Miloja, një luftëtar që e ndihmoi shumë Greqinë, ishte në krye të kësaj propaganda, me gjithë farefisin dhe sojin e tij të përndarë në Dhërmi, Vuno e gjetkë. Spiro Milo ishte nga Progonati. (Këtë e dëshmon edhe kënga labe: Spiro Milo Progonati / Shih se ku të çoi inati. D.G). Në fshatin tonë, Dhërmi, ai kishte farefis Llukë Zh. e të tjerë, që propagandonin ndarjen e Himarës nga Shqipëria. Si bazë kryesore të propagandës përdornin dhe këtë: Pse Labëria u bë turke? E pse të mos bëhemi edhe ne me Greqinë, që është armike e bëtuar e Turqisë, siç jemi edhe ne armiq të betuar të turkut?
Shumë fanatikë ishin fshatarët e mi! Njëzet e gjashtë kisha kishte. Mbaj mend unë se kishim tetë priftërinj. Lidhjet ekonomike, privilegjet me Greqi, interesimi i Greqisë për himarjotët, sillogu vorioepirot ndikuan shumë për t’i bërë himarjotët t’i kthenin sytë nga Greqia dhe të ëndërronin për një autonomi. Pastaj, edhe në kohën e pavarësisë himarjotët panë se asnjë qeveri e Tiranës nuk u kujdesua asnjëherë për ta. Nuk shkonin as xhandarë dhe nuk mereshin në asnjë punë. Ata pëlqyen të mërgonin: herën e parë në Llavrion, ku kishte miniera; në Korint, për të hapur kanalin; në Vllahi, në Rusi, pastaj në Amerikë, në Francë, në Meksikë, në Argjentinë, në Australi, Kanada e gjetkë. Kështu që ne dinim më mirë se ku binte Buenos Ajresi sesa Kukësi, që nuk ia kishim dëgjuar kurrë emrin. Dinim se ku binte Australia dhe jo Kosova, që nuk ia kishim dëgjuar kurrë emrin. Dinim ku binte Athina dhe Korfuzi ose Tirana e Shkodra. Ishim pa asnjë lidhje me atdheun tonë. Disa përçarës, vetë regjimi i Zogut, sidomos Musa Juka, na përçau. U ndamë në fshat në dy parti: pendëkuqtë, që deshën Shqipërinë dhe shkollat shqipe; dhe pendëbardhët, që deshën Greqinë dhe shkollat greke në fshat. Këtë përçarje e ushqeu shumë Musa Juka, duke na armiqësuar vëlla me vëlla. Familja jonë bënte pjesë në partinë pendëkuqe dhe mbanim në ballkon kurdoherë flamurin e Shqipërisë Kapedanët e Spiro Milos na kishin ardhur disa herë, duke na thënë se Andrea Markoja ishte vrarë për Greqinë. Marko Jani ishte internuar nga italianët për Greqinë e të tjera. Deshën që ne të linim shtëpinë e të shkonim në Korfuz, ku do të na mbante me shkolla e me pensione Athina. Qoftë im vëlla, Fotoja, qoftë kushëriri im, Jani, i sikterisnin duke u thënë: “Andrea Markoja u vra për Himarën dhe Marko Jani vdiq i veremosur nga internimi dhe vuajtjet e shumta për Himarën dhe jo për Greqinë. Himara sot është dhe mbetet shqiptare. Prandaj dhe mbajmë edhe flamurin ditë e natë në ballkon. Ne e dimë gjakun tonë sa nga buron.”
Shënim: Nxjerrë prej librit: Petro Marko “Intervistë me vetveten. (Rrathë dhe gurët)”,
Shtëpia botuese “OMSCA”, Tiranë, 2000, f.47-51.
E përgatiti: Dilaver Goxhaj, Tiranë