ARKIVI:
22 Dhjetor 2024

Periferia dhe periferikët, dashurinë njerëzore mund ta bartin në qendër të botës

Shkrime relevante

Angazhimi kundër terrorizmit global , është angazhim për një botë pa fanatizëm dhe dhunë

Lirim Gashi, Prizren ( shqip , gjermanisht, anglisht dhe norvegjisht) ___ Tragjedia e Magdeburgut...

Meritat dhe dobësitë e Kryeministrit Albin Kurti në qeverisje

Halil Geci, Skenderaj Kryeministri Albin Kurti ka demonstruar një qasje të vendosur...

Kot e keni, mërgimtarët nuk do t’ju votojnë!

Florim Zeqa Shtyrjet e njëpasnjëshme të afatit të regjistrimit të mërgatës sonë,...

Epistolari i poetëve Shefqet Dibrani e Agim Spahiu

Shkruan: Adil FETAHU Shefqet Dibrani, “LETRAT E AGIMIT”, letërkëmbim, botoi Shtëpia Botuese...

Shpërndaj

Nga Emin Azemi

Libri “Nënë Tereza, shenjtorja e periferive”, i studjueses Ines Murzaku mund të merret edhe si model hulumtues e studiues, mbase edhe për faktin se ajo tash më është bërë pjesë e bibliotekave prestigjioze universitare në Amerikë dhe në Evropë, si dhe e rrjeteve librare globale të shitjeve online, një fakt ky që flet mjaft për fuqinë e ndikimit që mund të ketë ky libër në botën akademike e publike të vendeve ku ai është në qarkullim

Në librin “Nënë Tereza, shenjtorja e periferive”të studjueses Ines Murzaku , e shkruar me një metodologji të avancuar kërkimore e përmbajtësore, do të hasim një këndëvshtrim tjetër mbi profilin jetësor e njerëzor të Nënë Terezes, një profil ky i eksploruar nga brenda, prej atje ku buron fuqia e një gruaje që mbushi planetin me rrezatim human e shpirtëror.

Ky libër vjen pas një hulumtimi shterrues që autorja ka bërë, duke depërtuar në dimensionet më pak të njohura të natyrës njerëzore, ashtu siç del i shpalosur edhe portreti Nënë Terezes, e cila erdhi nga periferitë dhe u nis drejt periferive. Në fakt vet gjeografia prej nga vinte Nënë Tereza ishte periferi e Perandorive të ndryshme, por kjo nuk e pengoi atë që Periferinë ta ridimensionoi në një planimetri planetare ku ajo barti me vete ngrohtësinë njerëzore për njeriun e braktisur.Duke qenë prodhim i kësaj gjeografie, Nënë Tereza e shndërroi Periferinë në imazh të largët frymëzimi për të gjithë ata që do të donin të dinin pak më tepër për Shkupin, vendlindjen e saj. Për këtë arsyse u shkruan edhe shumë libra e studime, mirëpo libri që kemi në duar kap një dimension tjetër të përfaqësimit të mikrokosmosit në planimetrinë globale. Subjekt i kësaj planimetrie ishte edhe Nënë Tereza, e cila personalitetin e formoi gradulaisht duke mindërtuar sosologjikisht e psikologjikisht fillimisht vibracionet e ndikimeve familjare dhe të rrethit ku ajo u lind   deri në vitet e rinisë në moshën 17 vjeçare… Këto vibracione nga jeta fëminore lanë gjurmë të pashlyeshme në karakterin e shenjtores së ardhshme.
Periferisë autorja ia shtoi dimensionin e përkushstimit e dashurisë njerëzore dhe me këtë ajo ka rrëzuar një tezë se vetëm nga qendrat  e mëdha metropolitane dalin njerëz të shquar…

Libri projekton në mënyrë të shkëlqyer rrathët koncetrik të  zgjerimit të rrezeve prej ku do të piqet më vonë brumi i një peronaliteti, ndikimi së cilës nuk erdhi si rezultat i fuqisë politike e ushtarake, por i fuqisë së shpirtit… Në libër do të vërejmë se Nënë Tereza nektarin eparë të dashurisë njerëzore e kishte marrë nga familja…Familja e saj ishte e lumtur dhe përbëhej nga prindërit Babai Kola e nëna Drania, vëllai Lazri dhe motra Agia, të cilët  formonin kopshtin ku po shtresohej nektari i parë i një edukimi të mirëfillt qytetar e kombëtar. Shtëpia e tyre ishte e hapur për Zotin, si dhe për mysafirët dhe nevojtarët. Kjo shtëpi mbase ishte edhe shkolla e parë shpirtërore e Nënë Terezës ku dera e hapur për mikun dhe për njeriun në nevojë paraqiste radiografinë e një familje tipike shqiptare që në sofrën e shtruar për mysafirë reflektohej rrezja e buzëqeshjes mikprtiëse.
Ky ishte një realitet social e psikologjik në Shkupin e fillim viteve të shekullit të kaluar që autorja ka arritur ta transponojë me mjete mjaft të avancuara shprehëse duke e portertizuar edhe profilin e Nënë Terezës si një protagoniste që me vete mori magjinë e tringëllimave të kalldërmit të Shkupit, për t’i shndërruar ato në një pengagram kujtese në partiturat e mëdha të një misioni të shenjtë…

Falë këtij libri, periferia u globalizua dhe u ridimensionua në një dioptric tjetër, dhe mori gjithë vëmendjen e atyre që dinin shumë pak për biografinë e shenjtrores Nënë Tereza… Duke e paraqur Shkupin si një qytet që ndodhet në udhëkryqin e Ballkanit dhe qytetërimeve, ku kryqëzoheshin besimet, etnit, kulturatve dhe gjuhë e  ndryshme, autorja Ines Ines Murzaku zhvillon tezën e saj në libër se madhështia e një vendi nuk konsiston në dimensionin e tij material, por në atë shpirtëror, ku gjeografia kryqëzohet me historinë dhe nxjerr nga gjiu i vet njerëz që transferojnë mirësinë periferike në një dimension global … Kjo tezë nxjerr në pah këndvështrimin mbi dramën e njeriut i cili ballafaqohet me kontrastin midis realitetit të vrazhdë dhe natyrës suptile të njeriut që kërkon shpëtim në fuqinë e Hyjit. Edhe Gonxhe Bojaxhiu, si një 17 vjeçare, në vorbullën e këtij kontrasti përjetoi «prekjen e Perëndisë» që shënoi thirrjen e saj fetare dhe e bëri të zotohej për të shuar etjen e Jezuit duke i shërbyer pa kushte të padëshiruarve. Për Agnesën, etja e Jezusit është që t’i bashkohet dëshirës së pafundme të Zotit për bashkim me ata që janë krijuar për ta dashur Perëndinë.

Kjo përvojë në periferi i dha energji dhembshurisë së saj për më të varfërit e të varfërve në Indi.

Pas një prologu të shkurtër mbi “Theology of Perifery”, katër kapitujt e pjesës së parë të këtij libri, “Periferitë personale”, trajtojnë fëmijërinë e Nënë Terezës, thirrjen misionare, caktimin në misionet në Indi dhe “errësirën shpirtërore” të saj shumëvjeçare. Tre kapitujt e pjesës së dytë, “Periferitë mistike”, krahasojnë spiritualitetin e Nënë Terezës me atë të tre shenjtorëve: Françeskut të Asizit, Padre Pio dhe Papa Gjon Palit II. Kapitulli i vetëm në pjesën e tretë, “Periferitë bashkëkohore” vendos në një paralele interesante pikëpamjen shpirtërore të Nënë Terezës dhe Papa Françeskut.

Ky libër u ofron lexuesve disa njohuri magjepsëse për jetën e Nënë Terezës, veçanërisht prejardhjen e saj shqiptare dhe shpirtëroren e saj misionare.

Libri është një studim shkencor mbi Nënë Terezën, i bazuar në dokumenta origjinale, letra të shkruara nga dora e Nënës.

Nënë Tereza dhe Papa Françesku janë takuar në periferi, e kanë bërë periferinë pjesë të jetës, të misionit dhe identitetit të tyre.

Ata të dy, kanë sjellë dhe sjellin periferinë dhe problemet e periferikëve, atyre njerëzve që shoqëria i ka mohuar, larguar e izoluar, në qëndër të vëmendjes. Nënë Tereza me zërin e saj i dha zë atyre që nuk kishin zë, i dha sy të verbërve duke perdorur popullaritetin e saj në media. Qëllimi i librit është të argumentoj se periferia e periferikët, kombet në periferi siç është rasti i kombit Shqiptar, kanë shumë për të ofruar, qendra mund të mësojë nga periferia.

Periferikët ose të margjinalizuarit, që ishin kokërrzat e nektarit shpirtëror të Nënë Tetrezës, ishin pra të sëmurët, të vetmuarit, të pamundurit ata të cilët kanë qënë gjithnjë në vëmëndjen e saj dhe të msionit që ajo i shërbeu deri në vdekje.

Ky libër i shkruar në anglisht nga një autore shqiptare peshën e argumentimit shkencor e bën të qëndrueshëm për faktin se janë plotësuar dy kritere fundamentale para se të përpilohet ky libër: në njërën anë autorja ka hulumtuar dhe arkivuar në maksumum rrugën jetësore të Nënë Terezës, kurse në anën tjetër ka investuar një motivim të jashtëzakonshëm për të qenë sa më afër natyrës së gjërave që ajo dëshiron t’i prek me dorë e t’i sheh me sy.

Si e tillë kjo vepër mund të merret edhe si model hulumtues e studiues, mbase edhe për faktin se ajo tash më është bërë pjesë e bibliotekave prestigjioze universitare në Amerikë dhe në Evropë, si dhe e rrjeteve librare globale të shitjeve online, një fakt ky që flet mjaft për fuqinë e ndikimit që mund të ketë ky libër në botën akademike e publike të vendeve ku ai është në qarkullim.
Për ta përmbyllur këtë vështrim mbi librin në fjalë po sjell një mendim të autores e cila duke iu përgjigjur një gazetari se si ndikon fakti që vijnë nga periferia dhe jo nga qendra, ose si të thuash nga elita, në mënyrën se si ata shërbejnë, si vendosin se çfarë kauzash të jenë të rëndësishme dhe si e bëjnë jetën e tyre, ajo do të deklarojë: “Periferia në fakt ka shumë rëndësi që të njihet, të vlerësohet, të rivlerësohet dhe mendimi i këtyre periferikëve, të sillet në qendër. Kush janë periferikët? Për shembull Papa Françesku flet gjithmonë për emigrantët. Nënë Tereza i solli këta emigrantë, të varfrit, leprozët, të abandonuarit, fëmijët jetimë, ata që kishin Sida, të gjithëve u shërbeu por nga ana tjetër, Nënë Tereza solli edhe vëmendjen e botës tek problemet sociale që ishin me të vërtetë shumë të rëndësishme për t’u njohur. Dhe i solli në vëmendje edhe vlerat e këtyre periferikëve, sepse ata kanë shumë për të kontribuar në shoqëri. Unë marr për shembull jetën e Nënë Terezës. Ajo ishte periferike. Ku lindi ajo? Nën Perandorinë Otomane që në atë kohë po shkatërrohej. Ishin luftrat ballkanike, Lufta e Parë Botërore, luftrat etnike, ku u vendosën kufijtë e Shqipërisë. Nëna e jetoi këtë periferi. Por e jetoi periferinë edhe si grua, edhe si një person me origjinë shqiptare. Pra edhe nga kjo anë ajo ishte periferike. Kudo që shkojmë ne, sjellim pak tokë, si ai filizi dhe kudo që mbillemi, ajo periferi, në rastin e Nënë Terezës, shqiptarizmi është gjithmonë atje, i pranishëm. Libri analizon familjen e Nënës, që ishte tradicionale por edhe jotradicionale në të njëjtën kohë, vlerat e periferive. Nga ana teologjike për shembull edhe Jezusi ishte periferik, ai erdhi nga Nazarethi. Në Ungjillin e Gjonit shtrohet pyetja “se ç’gjëra të mira vijnë nga periferia”. Përgjigja që libri im jep është: Po, shumë gjëra të mira vijnë nga periferia”.

Shkup, qershor 2022

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu